23. Muminun · Ajeti 45 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:23–23:52

Në ajetet e sipërshënuara përshkruhen pesë ngjarje, duke filluar që nga ajo e popullit të Nuhut, e për t'u lidhur pastaj me tregimin rreth Ademit, sepse Nuhu konsiderohet Ademi i dytë, ngase lloji i njerëzve është i kufizuar në pasardhësit e tij pas tij. Përmendet pastaj populli i Hudit e brezave të tjerë, i Musait dhe i Harunit, i Isait dhe i nënës së tij. Të gjitha këto tregime kanë për qëllim t'ia lehtësonin brengat e vështirësitë që i përjetonte Muhammedi nga kundërshtimi që i bënte populli i vet, derisa edhe pejgamberët e tjerë qenë përgënjeshtruar e torturuar prej popujve të tyre, siç ishte rasti i pejgamberëve të përmendur në këto ajete.

Siç mund të kuptohet nga kundërshtimet e popujve të mëparshëm, e edhe prej idhujtarëve në kohën e Muhammedit, si arsye kryesore e mosbesimit të tyre ishte: mundësia e ringjalljes në përgjithësi. Zakonisht, njerëzit kryelartë refuzonin si njërën ashtu edhe tjetrën mundësi nga shkaku se i frikësoheshin uljes së autoritetit të tyre ndaj atij të pejgamberit dhe përgjegjësisë për vepra pas ringjalljes. Veçanërisht mendjemëdhenjtë, të cilët jetonin në një komoditet, nuk dëshironin ta frenonin veten nga kënaqësitë e kësaj jete, edhe kur ato ishin jashtë rrugës se drejtësisë dhe jashtë humanitetit, andaj për t'i pajtuar veten dhe veprimet e tyre të padrejta, e mohojnë mundësinë e ringjalljes dhe përgjegjësinë para Zotit në jetën tjetër dhe kështu vazhdojnë rrugën e tyre të gabuar e përpiqen që t'i mashtrojnë edhe të tjerët dhe të formojnë shoqëri sa më të madhe, duke u paraqitur në sy të njerëzve i naivë, si fuqi e forcë e madhe. Prandaj Kur'ani ua tërheq vërejtjen kryelartëve se do të dënohen me Zjarr, se do të nënçmohen i e do të bëhen të paaftë mu si foshnja që vihet në djep prej të tjerëve, ashtu edhe ju do të veheni në xhehenem, aty ku dëshirojnë zebanijet e xhehenemit, duke mos patur kurrëfar fuqie mbrojtëse.

Në fund paraqitet detyra e të gjithë pejgamberëve, e që ishte se të gjithë thirren në një besim, se feja e tyre ishte një dhe se të gjithë ishin të dërguar prej një Zoti.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:45–23:49

Allahu i Lartësuar na tregon se Ai e dërgoi profetin Musa dhe vëllain e tij, Harunin (Paqja e Zotit qoftë me ta!) si të dërguar tek Faraoni dhe populli i tij. Ai i dërgoi ata me argumente të qarta, fakte dhe mrekulli të jashtëzakonshme, të cilat shkatërronin çdo kokëfortësi dhe mosbesim. Megjithatë, ata u treguan sërish kryeneçë dhe refuzuan që të ndiqnin rrugën e profetëve dhe porositë e Zotit. Justifikimi që nxorën ishte fakti se ata na qenkëshin thjesht dy njerëz të zakon - shëm, si gjithë njerëzit e tjerë. Fjalë të ngjashme thoshin edhe popujt e mëparshëm, sepse të ngjashme i kishin edhe zemrat, shpirtrat, synimet dhe qëllimet e tyre. Atëherë, Allahu i Lartësuar e shkatërroi Faraonin dhe përkrahësit e tij, duke i përmbytur të gjithë në një ditë të vetme. Më pas, Allahu i Lartësuar i zbriti Musait Teuratin, në të cilin shtjelloi ligjet dhe dispozitat për popullin, të cilët duhet t’i përmbushnin dhe respektonin me sinqeritet për Të. Pasi zbriti Teuratin, Allahu i Lartësuar nuk goditi më asnjë popull me ndëshkim gjithëpërfshirës, por i urdhëronte besimtarët që të luftonin kundër mohuesve të besimit, siç thuhet në një ajet tjetër: “ Pasi i shkatërruam popujt e mëparshëm, Ne i dhamë Musait Librin, që është dritë për njerëzit dhe udhëzim e mëshirë, që ata të mund të merrnin mësim.” [Kasas 43].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:45–23:49

Disa dijetarë janë shprehur se Allahu i Lartësuar, pasi dërgoi Musain dhe zbriti Teuratin në tokë, e ndaloi zbritjen e dënimeve shfarosëse në Tokë dhe ligjëroi luftën kundër mohuesve të profetëve. Nuk e di se ku është mbështetur ky opinion, por duke vërejtur me kujdes kontekstin e këtyre ajeteve dhe disa të tjerëve në suren Kasas, mbase jepet një kuptim i tillë. Nga konteksti i këtyre ajeteve kuptohet në njëfarë mënyre se, pas shkatërrimit të popujve me ndëshkime qiellore, Allahu dërgoi Musain me shenja e argumente të qarta, për të filluar kështu një kapitull të ri në trajtimin e popujve që do të mohonin. Nëse dikush mendon të kundërtën prej faktit se Zoti e ndëshkoi me shfarosje Faraonin dhe popullin e Tij, këtyre i përgjigjemi duke thënë se shkatërrimi i Faraonit ndodhi para zbritjes së Teuratit. Madje ajetet e sures Kasas janë të qarta në këtë fakt, kur Allahu i Madhëruar thotë: "Pasi i shkatërruam popujt e mëparshëm, Musait i dhamë Librin, që është dritë për njerëz dhe udhëzim e mëshirë, që të marrin mësim." [Kasas 43]. Ajeti është shumë i qartë se Allahu ia dha Musait Librin pas shkatërrimit të Faraonit dhe pasi dënoi shumë popuj me ndëshkime shfarosëse. Gjithashtu, Allahu thotë se Ai e zbriti këtë Libër si udhëzim të qartë për njerëzit, si mëshirë për ta dhe si dritë për të parë rrugën e drejtë. Për të njëjtin kuptim flasin edhe ajetet në suren Junus, ku Allahu i lartësuar thotë: "Pas tij, Ne u çuam të dërguar popujve të tyre. Ata sollën argumente të qarta, por ata nuk e besonin atë që më parë e kishin mohuar. Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që i kalojnë kufijtë. Pastaj, pas tyre, Ne dërguam Musain dhe Harunin me argumentet Tona, te Faraoni dhe paria e rrethit të tij. Por ata treguan kryelartësi, sepse ishin popull keqbërës." Siç shihet, këtu flitet në njëfarë mënyre për dy epoka të ndryshme, nga Nuhu deri tek Musai dhe për epokën pas Musait. Allahu i Lartësuar këtu thotë: - Më pas Ne dërguam Musanë dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe Argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij. Por ata u treguan kryeneçë, sepse ishin popull arrogant. – Musai, i biri i Imranit, është ai të cilit i foli vetë Rrahmani. Haruni ishte vëllai i Musait, të

cilin Zoti e bëri profet pas kërkesës së Musait dhe lutjes për këtë. Allahu i Madhëruar i dërgoi ata me mrekulli dhe argumente të qarta, që provonin vërtetësinë e tyre si profetë të dërguar nga Zoti dhe për vërtetësinë e mesazhit hyjnor që ata përcollën. Allahu i Madhëruar i pajisi ata me “ sultanun mubin ” – domethënë, me argument të qartë, të prerë e të pakundërshtueshëm. Ai lloj argumenti i nënshtronte shpirtrat, nga fuqia e madhe ndikuese në to. Zemrat e besimtarëve nënshtroheshin për adhurimin e Zotit dhe zbatimin e Ligjit të Tij. Ndërsa mohuesit arrogantë nuk kishin justifikim para Zotit për refuzimin e tyre. Kjo i ngjan fjalës së Zotit, kur thotë: "Ne i dhamë Musait nëntë shenja (mrekulli) të qarta." [Isra 101]. Për këtë arsye, kryemohuesi dhe kreu i të gjithë arogantëve, Faraoni, e njohu të vërtetën, por dhe e mohoi atë, edhe pse i sigurt për vërtetësinë e saj. I Lartësuari thotë: "Pyeti (o Muhamed) bijtë e Izraelit, për ngjarjen kur ai (Musai) ishte mes tyre dhe Faraoni i tha: “O Musa, unë mendoj se ti je i magjepsur.” Por Musai i tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar!.”. [Isra 101, 102]. Gjithashtu, thotë i Madhëruari: “Ata i mohuan ato (argumentet) në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse ishin të bindur dhe të sigurt në to (se ishin nga Zoti) . Shikoje atëherë, se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve!” [Neml 14]. Ndërsa këtu thotë: “Ne dërguam Musain dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij...”. Pra, e dërgoi tek Faraoni, Hamani e të tjerë krerë të mohimit. Por ata u treguan kryeneçë. Ata treguan mendjemadhësi dhe arrogancë, prandaj refuzuan besimin në Allahun dhe t’u bindeshin profetëve të Tij. Kështu i përshkruan ata Allahu i Madhëruar, kur thotë: “...por ata u treguan kryeneçë..." Ky ishte përshkrimi i vërtetë i tyre. Ata ishin popull arrogant e kryeneç. Tirania e padrejtësia, shkatërimi i tokës, mizoria e shtypja e njerëzve ishte tipar i pandashëm i tyre, prandaj edhe u treguan kryeneçë ndaj së vërtetës. Ky përshkrim nuk është aspak i tepruar për ta, sepse në vijim Zoti thotë: "... ishin popull arrogant." Me arrogancë dhe të dehur nga mendjemadhësia e pushteti i tyre, duke manipuluar mendjet e pasuesve të tyre injorantë e me logjikë të dobët, ata thanë: - “Ata thanë: “E, si t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbimin tonë?!”” – Të njëjtat fjalë kishin thënë edhe popujt e tjerë të mëhershëm, që u shfarosën para tyre. Të ngjashme ishin zemrat e tyre, të mbushura me mohim e padrejtësi, prandaj ishin të ngjashme fjalët dhe veprat e tyre. Ata refuzuan me mosmirënjohje mesazhin e Zotit, që, nëse do ta besonin, do të ishte mëshirë e mirësi për ta. Vini re se si nxisin tek pasuesit e tyre mendjelehtë krenarinë e shfrenuar dhe urrejtjen për popullin e Musait, pra për bijtë e Israelit. Ata thoshin: “Si mund t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbimin tonë?!” Si mund të bëhemi pasues të këtyre njerëzve, kur ata janë skllevërit tanë, të cilët i kemi nënshtruar për të bërë punë të ulta e të rënda për ne?! Siç thuhet në një ajet tjetër: "Kujtoni kur Ne ju shpëtuam prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju torturonin me format më të këqija, ju thernin bijtë tuaj (të porsalindur) dhe linin të gjalla bijat tuaja (e porsalindura). E gjithë kjo ishte një sprovë e madhe nga Zoti juaj." [Bekare 49]. Pra, si mund të pranojmë që këta të bëhen udhëheqësit tanë?! Fjalë të njëjta thanë dhe populli i Nuhut: “E si të të besojmë ty, kur ty të besojnë më të ultit?” [Shuara 111]. Ose kur i thanë Nuhut (a.s.): "Ne po shohim se nuk po të pason askush tjetër përveç të pavlerëve, që të ndjekin pa u menduar fare." [Hud 27]. Sigurisht, me fjalë e sllogane të tilla nuk mund të hidhet poshtë e vërteta. Ato janë thjesht mohim e shprehje e arrogancës dhe e mendjemadhësisë. Prandaj i Lartësuari thotë:

- Ata i përgënjeshruan që të dy (profetët) dhe u bënë nga ata që u shkatërrua n. - Allahu i mbyti në det, ndërkohë që bijtë e Izraelit shihnin këtë ndëshkim të ashpër. - Ne i dhamë Musait Librin në mënyrë që ata (populli i Israilit) të gjenin Rrugën e Drejtë. - Pasi shkatërroi Faraonin dhe e shpëtoi popullin e Izraelit së bashku me Musain, Allahu i Madhëruar i dhuroi Musait Librin. Në këtë kohë do të bëhej e mundur që Musai të plotësonte urdhërin e Zotit dhe të zbatonte Ligjin e Tij ndër njerëz. Ai do të mund të shfaqte haptaz simbolet e fesë së Zotit. Kështu, Allahu i Madhëruar i premtoi Musait se, pas dyzet ditësh, do t’i shpallte e zbriste Teuratin. Kur u afrua koha, Musai u nis drejt vendit të takimit me Zotin. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i shkruam atij në pllaka urdhra të shumta, për të qenë këshillë dhe sqarim për çdo çështje. “Zbatoji këto me përkushtim dhe urdhëroje popullin tënd që të zbatojë më të mirat porosi! Unë do t’jua tregoj vendbanimet (rrënojat) e të pabindurve.” . [A'raf 145]. Ndërsa këtu tha: "Ne i dhamë Musait librin, në mënyrë që ata (populli i Izraelit) të gjenin rrugën e drejtë." Pra, që ata të gjejnë udhën e drejtë dhe udhëzimin e plotë, duke njohur hollësisht urdhëresat dhe ndalesat, shpërblimin dhe dënimin dhe ta njohin Zotin e tyre me emrat, cilësitë dhe me veprat e Tij.

← Muminun 23:45