23. Muminun · Ajeti 62 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:53–23:74

Edhe pse të gjithë pejgamberët mësuan për të njëjtin besim dhe njerëzit qenë thirrur të jenë të bashkuar, ata u ndanë në shumë grupe, si: mexhusë, jehudi, të krishterë, etj., dhe kështu morën rrugë të gabuara, duke pretenduar secili grup se rruga e tij është më e mira. Ata mendojnë se janë të privilegjuar pse Ne u kemi dhuruar pasuri e fëmijë, por e ta dijnë se janë të mashtruar.

Janë për t'u krenuar ata të cilët i kanë frikë madhërisë së Zotit, ata që i besojnë shpalljet e tij, ata që nuk adhurojnë tjetër pos Zotit, ata që duke e ditur se do të kthehen të Zoti kanë frikë në zemrat e tyre, dhe nga pasuria e tyre japin zeqat. Të pajisurit me këto virtyte, sigurisht do të arrijnë shpërblimin e merituar, e arritja e virtyteve të tilla nuk është e pamundshme.

Dënimi i zë zakonisht së pari ata që jetojnë në komoditet, ngase ata janë prijësit e punëve të këqia, e prandaj atyre nuk u pranohet as lutja për shpëtim, pse përveç se nuk ua vënin veshin mësimeve të Kur'anit, ata me kryelartësi fyenin si Kur'anin ashtu edhe vendin e shenjtë, Qaben, edhe pse e njihnin mirë besnikërinë dhe drejtësinë e Muhammedit, madje e quanin edhe i të çmendur. Kur'ani nuk përputhej me dëshirat e tyre, sepse ajo do të ishte shkatërrim. Megjithatë, qe Kur'ani ua shtonte atyre i famën dhe autoritetin, sikur ata ta besonin, ata e refuzonin, edhe pse Muhammedi nuk kërkonte nga ata ndonjë tagër, por vetëm i udhëzonte në rrugën e drejtë e të shpëtimit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:62–23:67

- “Ne nuk e detyrojmë askënd përtej mundësive të tij. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për drejtësinë e Tij absolute, të vendosur në Sheriatin e Tij, që njerëzit janë urdhëruar ta zbatojnë. Ai na tregon se e ka ngarkuar njeriun veçse me ato gjëra që janë brenda mundësive të tij për t’u përmbushur. Allahu na njofton se, Ditën e Kijametit, Ai ka për t’i marrë në llogari robërit për veprat e tyre, në lidhje me urdhëresat dhe ligjet e Tij. Allahu i Lartësuar i ka ruajtur të shkruara në një libër veprat e tyre. Asgjë nuk humb dhe nuk mund të fshihet: - “Te Ne është libri që shënon gjithçka me saktësi ...” - Është fjala për regjistrin e veprave. - “... dhe atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi.” - Atyre nuk do t’u mohohet

shpërblimi për veprat e mira në bindje ndaj Allahut të Madhëruar, por do të marrin maksimumin e tij. Ndërsa për sa u përket gjynaheve, Allahu i Lartësuar premton për shumë besimtarë falje dhe fshirje të të këqijave. Në vijim, Allahu i Lartësuar hedh poshtë pretendimet e idhujtarëve kurejshë: - “Por zemrat e tyre janë të verbuara ...” - Zemrat e tyre janë shpërfillëse ndaj Kuranit dhe Shpalljes së Zotit. - “... dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija. ” - Përveç idhujtarisë, ku janë zhytur, ata kanë dhe shumë vepra të këqija, të cilat do ta bëjnë mëse të meritueshëm vendimin e Zotit për ndëshkimin e tyre. - “Kur Ne t’i dënojmë ata që kanë qenë të shfrenuar, ata do të ngrenë zërat me lutje (për ndihmë) .” - Kur t’u vijë ndë - shkimi i Allahut të shfrenuarve në gjynahe, padrejtësi dhe kufër, atyre që janë zhytur në mirësitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, ata do të bërtasin përvuajtshëm e do të kërkojnë ndihmë. Në një ajet tjetër thuhet: “M’i lër Mua ata gënjeshtarë pasanikë dhe jepu atyre një afat të shkurtër! Me të vërtetë, tek Ne ka ndëshkim dhe zjarr. Ka ushqim që nuk gëlltitet dhe dënim të dhembshëm.” [Muze - mil 11 - 13], ose: “Sa e sa breza kemi shka - tërruar Ne para tyre. Në fund, ata u lutën për (mëshirë e) shpëtim, por nuk kishte më kohë për shpëtim. ” [Sad 3]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - “Mos e ngrini zërin sot, sepse ju nuk keni për t'u ndihmuar nga Ne! ” - Sot askush nuk mund t’ju strehojë dhe shpëtojë nga ndëshkimi Ynë. Për ju është njëlloj, si të kërkoni ndihmë duke bërtitur, si të heshtni. Vendimi tashmë është i pakthye - shëm dhe dënimi i pashmangshëm. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon padrejtësinë e tyre më të madhe, që i çon në atë përfundim të dhimbshëm: - “Sepse, kur ju lexoheshin ajetet e Mia, ju u kthenit shpinën dhe iknit. ” - Kur ju thuhej të pranonit ftesën e Allahut, ju refuzonit me forcë; kur ftoheshit për adhurime dhe vepra të mira, ju kthenit shpinën. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “ Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne i pranojmë gjynahet tona tani. Prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?” - “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si një të vetëm, ju e refuzonit. Por kur i bëheshin ortakë Atij (në adhurim), ju e pranonit. Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” [Gafir 11, 12]. - “Tregonit arrogancë dhe bisedonit natën duke fyer atë. ” - Ju tregoheshit mendjemëdhenj, madje krenoheshit se ishit shërbëtorët e Shtëpisë së Zotit, ndërsa nga ana tjetër kalonit net duke refuzuar Kuranin dhe duke thënë të pavërteta për të, herë duke thënë se ai është magji, herë se është poezi, e herë të tjera se është fall. Ju e përmendnit vazhdimisht profetin Muhamed ﷺ duke e fyer dhe ofenduar, duke nxjerrë shpifje nga gojët tuaja, duke thënë se ai është poet, fallxhor, magjistar, mashtrues, i çmendur. Përkundrazi, ai ishte adhuruesi i Allahut, profet i dërguar prej Tij, të cilin Allahu e bëri të triumfonte mbi ju të gjithë. Allahu i Madhëruar bëri që ju të dëboheshit nga Vendi i Shenjtë, të përçmuar e të përulur. Kështu, idhujtarët e mbushnin Vendin e Shenjtë me fjalë të poshtra dhe përshkrime të padenja për Librin e Allahut dhe Profetin e Tij. Pa dyshim që kjo nuk kishte lidhje me përkujdesjen, ndërtimin dhe respektimin e Shtëpisë së Allahut, por ishte shkatërrim dhe çnderim i saj. Zoti na ruajtë nga të tilla devijime!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:57–23:62

Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na konfirmoi për ata të vetëmashtruar që bëjnë dy të liga: së pari, shpërfillin të vërtetën dhe Shpalljen e Zotit, duke mos denjuar ta njohin dhe të jetojnë sipas saj dhe, së dyti, janë të vetëkënaqur dhe pretendojnë se, meqë Allahu po u jep të mira në këtë jetë, ky është argument se ata janë të mirët dhe të zgjedhurit e Allahut. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend besimtarët e mirë dhe të zgjedhur, që janë krejtësisht ndryshe nga të vetëkënaqurit. Këta fatbardhë, edhe pse i binden Zotit dhe pasojnë profetët dhe shpalljet e Tij, përsëri janë të frikësuar dhe të mbushur me përunjësi ndaj Zotit. Ai thotë: - Vërtet, ata të cilët nga frika prej Zotit të tyre, janë të përulur,... – Ata janë të frikësuar e të përulur para Zotit, sepse ata e njohin mirë Atë. Frika e tyre quhet ‘ el hashjeh’, pra, një frikë që buron nga dituria e thellë dhe e hollësishme për madhështinë e Zotit, dituri e cila mund të përfitohet veçse nga shpallja dhe të medituarit gjatë në të. Ata e dinë se Zoti është i Drejtë dhe e dinë po aq mirë se, nëse Ai i trajton ata me drejtësinë e Tij, do të jenë të shkatërruar dhe nuk do t’u mbetet asnjë e mirë që të mund të shpresojnë. Nga ana tjetër, ata e

njohin mirë vetveten, padrejtësinë dhe injorancën që i karakterizon si krijesa të brishta dhe e shohin se janë shumë të mangët në plotësimin e hakut të Zotit. Gjatë gjithë kohës ata janë të frikësuar se mos nga gjynahet dhe padrejtësia e tyre, nga dobësia dhe pafuqia e tyre para armikut, mund t’u largohet imani nga zemra. Ata e dinë mirë se çfarë meriton Zoti i tyre dhe kanë frikë nga mangësitë dhe gjynahet. Kjo frikë i bën që gjithmonë të jenë të kujdesshëm nga gjynahet dhe të përkushtuar që t’i zbatojnë sa më mirë urdhëresat e Zotit. Këta Zoti i përshkruan: - Ata, të cilët i besojnë Argumentet e Zotit të tyre;... - Kur u lexohen ajetet e Zotit, u shtohet besimi dhe meditojnë gjatë në ajetet kuranore. Ata i kuptojnë qartë këto ajete dhe e shohin sa i mrekullueshëm është Kur'ani dhe sa në harmoni të plotë janë ajetet e tij. Në të nuk mund të gjesh kurrë asnjë kundërthënie. Aty gjen gjithçka që u duhet për të njohur e marrë dituri të plotë rreth Zotit, prandaj besimtarët mbushen me dashuri, shpresë dhe frikë nga Ai. Atje mësojnë gjithçka që kanë nevojë të dinë rreth Ditës së Gjykimit dhe Llogarisë dhe të tilla njohuri e mbushin zemrën e tyre me hollësitë më të fshehta të imanit dhe ndjenjave që ai kultivon në zemër. Është e pamundur që të shprehësh me fjalë ato ndjenja të fuqishme që e transformojnë njeriun dhe e ngrenë në grada të larta të bamirësisë. Gjithashtu, këta të zgjedhur meditojnë edhe në shenjat e Zotit në krijimin e Tij, siç ka thënë i Madhëruari: "Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend. Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je pastër nga çdo të mete. Na ruaj prej dënimit të Zjarrit! Zoti ynë! Atë që Ti e fut në Zjarr, e ke mbuluar me turp. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për Besim (e që thoshte) : “Besoni në Zotin!” e ne besuam. Zoti ynë, nai fal gjynahet tona, nai mbulo të metat, ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët! Zoti ynë, na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të Dërguarve të Tu dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin!” [Al Imran 190 – 194]. - Ata, që nuk i përshkruajnë shok Zotit të tyre... - Ata i largohen si shirkut të madh, ashtu edhe shirkut të vogël. Ata kurrë nuk adhurojnë ndonjë zot tjetër veç Allahut, duke iu lutur, shpresuar dhe nënshtruar, sepse janë distancuar e ruajtur nga ky shirk i madh dhe ruajnë teuhidin e tyre. Ata ruhen edhe nga syfaqësia, mendjemadhësia dhe cilësitë e hipokrizisë. Ata gjithmonë kujdesen të jenë të sinqertë me Allahun në fjalët, veprat dhe të gjitha gjendjet e tyre. - Dhe ata, të cilët japin nga ajo që u është dhënë... - Ata shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre, që ta plotësojnë atë me të cilën janë urdhëruar dhe bëjnë çdo gjë që kanë mundësi për të plotësuar e përkryer namazin, zekatin, haxhin, sadakanë e punët e tjera të mira që Zoti u ka kërkuar. Dhe me gjithë këto përpjekje të tyre të sinqerta, Allahu thotë për ta: - ... me zemrat plot frikë, ngaqë e dinë se do të kthehen te Zoti i tyre,... - Ata janë të frikësuar për ditën kur do të takohen me Zotin dhe veprat e tyre të dalin para Tij. Ata i frikësohen qëndrimit para Tij dhe druhen se veprat e tyre nuk do t’i shpëtojnë nga ndëshkimi i Zotit. Çdo punë e mirë dhe e mbarë për të cilën dëgjojnë dhe u jepet mundësia për ta bërë, ata nxitojnë ta kryejnë në formën më të plotë e të përkryer. Ata shohin se si eulijatë dhe të zgjedhurit e Zotit garojnë e nxitojnë të mbushen me sevape e mirësi për t’u afruar Zotit, prandaj edhe këta garojnë. Edhe nëse mund të ndodhë që, për shkak te dobësisë së tyre, nuk i arrijnë dot eulijatë e Zotit dhe veprat e tyre të mira, përsëri Zoti i njofton këta fatlumë se ato të mira që i synojnë kanë për t’i arritur: - Këta janë ata që nxitojnë drejt të mirave dhe që do t’i arrijnë ato të parët. -

Ata kanë për t’i arritur mirësitë që synojnë dhe për të cilat punojnë. Si këta, edhe të parët, Allahu i dalloi dhe ua parapriu të mirën, prandaj ata do të jenë të lumtur dhe do të arrijnë çdo të mirë. Pas përmendjes së garimit të tyre në punë të mira dhe përpjekjet e mëdha në plotësimin e tyre, mbase dikush mund të mendojë gabimisht se ajo që kërkohet prej tyre është diçka e pamundur ose shumë e vështirë, prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Ne nuk e detyrojmë askënd përtej mundësive të tij. - Allahu e ngarkon njeriun veçse në masën që ka mundësi ta realizojë. Madje, Ai nuk kërkon të gjithë forcën dhe mundësitë e robit, por më pak se kaq. Kjo është shenjë e mëshirës dhe urtësisë së Zotit. Me mëshirën dhe urtësinë e Tij, Ai ua lehtëson robve rrugën drejt Tij dhe bën që kjo rrugë të jetë e mbushur plot me udhëtarë që synojnë të shkojnë tek Ai, në çdo kohë e vend. - Te Ne është libri që shënon gjithçka me saktësi... - Ky është regjistri i parë, në të cilin është shkruar gjithçka dhe çdo gjë që ndodh është fiks sipas asaj që është shkruar në të. Allahu thotë gjithmonë të vërtetën. - ... dhe atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi. - Nuk do t’u cenohen apo pakësohen të mirat që kanë bërë dhe as nuk do t’u shtohen të këqijat.

← Muminun 23:62