(Kjo është) Kaptinë të cilën Ne e shpallëm dhe Ne e bëmë detyrim të domosdoshëm (zbatimin e dispozitave që theksohen në të) dhe Ne parashtruam në të argumente të qarta në mënyrë që të merrni mësim.
(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t'i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të All-llahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni All-llahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.
Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarët.
Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrahni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm.
Ndërsa ata të cilët shpifin për gra të veta dhe nuk kanë dëshmitar tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në All-llahun se e thonë të vërtetën.
Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e All-llahut ndaj jush (ju do të mbarojshit). Pa dyshim All-llahu pranon pendimin, është i gjithëdijshëm.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
“Suretun” do të thotë pozitë, vend, famë e lartë, beden i lartë; kështu quhen të gjitha kaptinat e Kuranit. E tillë është edhe kjo. Vetë fillimi i kësaj sureje me këtë emër na tërheq vërejtjen, se i duhet kushtuar vëmendje e posaçme përmbajtjës së saj dhe dispozitave të sheriatit islam, që janë shprehur në të. “Zinaja” - prostitucioni, kurvëria është një prej veseve më të shëmtuara, që rrënon në themel qytetërimin e një bashkësie njerëzore, prandaj feja ka paraparë masa të rrepta ndëshkuese kundër bartësve të kësaj dukurie, e me qëllim të formimit të individëve me moral të lartë e të pastër, të cilët do ta përbëjnë një bashkësi të lumtur me virtyte shumë të larta. Masa ndëshkuese nuk është kurrfarë imponimi prej sheriatit islam. Masa ndëshkuese kundër lavirit dhe lavires e theksuar në këto ajete ka të bëjë me të pamartuarit. Pjesë - marrja e një numri populli gjatë zbatimit të masës ndëshkuese ka si qëllim poshtërimin e të tillëve, përhapjen e turpit të tyre dhe largimin e të tjerëve nga vepra të tilla të ndyra. Masa ndëshkimore kundër atyre që shpifin kundër grave të ndershme për ndonjë vepër të tillë ka si qëllim ruajtjen e nderit të grave të ndershme dhe pengimin e shpifjeve të tilla. Porosia për të mos u martuar me gruan ose burrin e pamoralshëm ndihmon pastrimin e bashkësisë prej individëve të tillë. Gjithashtu betimi i paraparë në mes të bashkëshortëve, kur ata shpifin për njëri-tjetrin është mëshirë dhe urtësi e madhe prej të lumit Zot, në mënyrë që të mos pësojë i pafajshmi.
S'ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t'i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i takon dënimi i madh.
E sikur të mos ishte mëshira e All-llahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, juve do t'ju kapte dënimi shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hodhët.
Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishin kurrfarë dije folëshit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te All-llahu ajo është e madhe.
Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.
Sikur të mos ishte mirësia e All-llahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, (do ta përjetoshit menjëherë dënimin), po All-llahu është shumë i butë, i mëshirshëm.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në një udhëtim të Pejgamberit a.s. me shokët për në luftë kundër fisit Beni Mustalik, si duket në vitin e pestë hixhri ai kishte marrë me vete edhe bashkëshorten e tij Ajshen. Në një vendpushimi ajo largohet për nevojë dhe kur kthehet, vëren se e kishte humbur qaforen, prandaj kthehet ta kërkojë. Ishte natë dhe ajo vonohet derisa e gjen, e kur kthehet te deveja në të cilën e kishte vendin dhe plaçkat e veta, nuk i gjen aty. Ata ishin nisur duke menduar, se Aishja ishte në vendin e vet. Ajo mbetet në rrugë; pas pak vjen Safan ibn Muattal Eselemi, që ishte në prapavijë të ushtrisë. E hip në deve dhe e arrin karvanin. Hipokritët me në krye Ubej ibni Selulin shfrytëzojnë rastin e kësaj ngjarjeje dhe përhapin lloj-lloj fjalësh. Në këtë valle shpifjesh hidhen edhe disa muslimanë. Zoti xh. sh. shpall këtë pjesë të Kuranit për pafajësinë e Ajshes, i ngren autoritetin duke shpallur ajete rreth pastërtisë së saj, ua tërheq vërejtjen muslimanëve, që lejuan përhapjen e një shpifje të tillë, pse nuk u ndaluan të mendonin, se a do të bënin edhe ata vetë një punë të tillë. Gruaja e Ebi Ejub El Ensariut i paska thënë burrit të vet: Dëgjove ç’po flitet për Ajshen?- Ai i paska thënë, po, edhe më pas e kishte pyetur: A do të kishe bërë ti, oj shoqja ime, një punë të tillë? Ajo qenka përgjigjur: Jo kurrë vallahi! Nuk do ta kisha bërë. -Atëherë qenka gënjeshtër e trilluar prej munafikëve - i thotë Ebu Ejubi. Pejgamberit, Ebu Bekrit, Ajshes dhe Safvanit, të cilët ishin më të goditurit në atë shpifje Kurani iu thotë të mos brengosen, se ajo nuk është në dëm të tyre, po në dëm të munafikëve, të cilët për këtë shpifje vuajtën dënimin në këtë botë e do ta vuajnë edhe në botën tjetër. Muslimanët qortohen përse lejuan një përhapjen e një shpifje të tillë, pse disa prej tyre edhe përgojuan dhe pse e zënë këtë punë si asgjë. Iu tërhiqet vërejtja, që të marrin mësim dhe përvojë se si munafikët, kundërshtarët e tyre, dëshirojnë të njollosin bashkësinë e muslimanëve me punë të këqija. të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë juve? Allahu falë dhe mëshiron shumë.
O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, pse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të irituara, e sikur të mos ishte mirësia e All-llahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve), por All-llahu e pastron atë që do Ai. All-llahu dëgjon e di.
Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të All-llahut lanë vendlindjet e tyre, po le t'ua falin (gabimin) dhe mos t'ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t'u falë ju? All-llahu falë dhe mëshiron shumë.
Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ata i pret një dënim shumë i madh.
Të këqijat (gra ose fjalë) janë për të këqinjtë edhe të këqinjtë janë për të këqijat, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit edhe të ndershmit janë për të ndershmet. Ata janë të pafajshëm nga ajo që u thonë atyre. Ata kanë falje të madhe dhe furnizim të begatshëm.
Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t'u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthenu. Kjo është më e ndershme për ju. All-llahu di çdo gjë që veproni ju.
Nuk është për ju ndonjë mëkat, nëse hyni në shtëpi të pabanuara, e që në to keni ndonjë përfitim. All-llahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani fshehtë.
Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.
Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose babave të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.
Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm.
E ata që nuk kanë mundësi martese, le të përmbahen derisa All-llahu t'i begatojë me të mirat e veta. E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t'i lironi në bazë të kompensimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm dhe jepuni nga pasuria që ua ka dhënë All-llahu juve. Mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë imoralitet, e për shkak të ndonjë fitimi të kësaj bote, derisa ato dëshirojnë të jenë të pastra. E kush i detyron me dhunë të bëjnë atë, All-llahu i falë ato pas atij detyrimi. All-llahu falë dhe është mëshirues.
Ne u kemi shpallë juve argumente të qarta dhe shembuj nga ata që ishin para jush, e edhe këshillë për të ruajturit.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ruajuni e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën djalli, sepse ai çdo herë përpiqet t’ju shpjerë në punë të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t’ju shpëtojë prej punëve të liga. Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet, se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron, që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos ju dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: Unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mistahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet për Ebu Bekrin. Ky vlerësim prej Zotit xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin. Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqija burojnë prej të këqijve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë nga të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, prandaj për të mirin është e mira - Ajshja. Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave, që iu bëhen familjeve kanë si qëllim edukimin e muslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim, e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit, siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj. Frika nga varfëria për t’u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti, e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t’u ofrojë Zoti ndihmën e vet. Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku Feja Islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja Islame parashtroi menjëherë rregulla, sipas së cilave robërit duhet të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi i paraqet kërkesën zotërisë së vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi kompensimi e të lirohet. Zotëria e ka për detyrë që të ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.
All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.
Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.
E veprat e atyre që nuk besuan janë si valët (nga rrezet e diellit) në një rrafshinë ku i etshmi mendon se është ujë derisa kur t'i afrohet atij nuk gjen asgjë, por aty e gjen All-llahun dhe Ai do t'ia japë llogarinë e tij. All-llahu është i shpejtë në llogaritje.
Ose (veprat e tyre) janë si errësirat në det të thellë të cilin e mbulojnë valët mbi valë dhe mbi ato retë e dendura, pra, errësira njëra mbi tjetrën sa që nuk mund ta shohë ai as dorën e vet. Atij të cilit All-llahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë.
A nuk e di për All-llahun se Atij i lutet kush është në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krahhapura. Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar për lutje ndaj Tij dhe për madhërimin ndaj Tij. All-llahu e di ç'punojnë ata.
A nuk e ke parë se si All-llahu i drejton retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato edhe atëherë e sheh shiun se si rrjedh prej tyre. Ai lëshon prej së larti, nga retë e mëdha si kodra breshër dhe me te godit këdo, e ia largon atij që do. Shkëlqimi i vetëtimës së dritës së resë gati se s'ta merr të të pamurit.
All-llahu krijoi secilën gjallesë prej një uji, e prej tyre ka që ecin rrëshqanas në barkun e vet, ka që ecin në të dy këmbët e edhe asosh që ecin në të katër këmbët. All-llahu krijon çka të dojë, pse vërtet All-llahu ka mundësi për çdo gjë.
Ata (hipokritët) thonë: "Ne i kemi besuar All-llahut, të dërguarit të Tij, dhe u jemi bindur. Por pas asaj, një grup prej tyre zbrapsën. Të tillët nuk janë besimtarë".
A thua janë të sëmurë në zemrat e tyre apo mos dyshojnë (në të dërguarin) ose mos frikësohen se All-llahu dhe i dërguari i Tij do të gjykojnë padrejt kundër tyre? Por jo, ata vetë janë zullumqarë.
Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: "Dëgjuam dhe respektuam!" Të tillët janë ata të shpëtuarit.
Kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën All-llahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do ta arrijnë atë që dëshirojnë.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Sipas Taberiut interpretues i njohur i përmbajtjes së Kuranit: drita e përmendur është Kurani në zemrat e atyre që i besuan, e për ta kuptuar njerëzit më lehtë: Zoti sjell shembullin e një drite të shkëlqyer, të cilën ata e fitojnë përmes mjeteve më të mira për ndriçim, siç janë kandili, qelqi, vaji etj. Zemra e besimtarit është e shndritur me ajete të Kuranit dhe me argumente të tjera sikurse vrima në të cilën është vënë drita e ndezur mes atij qelqi, që flakëron prej dritës së kandilit. Argumentet e Zotit janë aq shumë të qarta për ata që mendojnë thellë e i studiojnë, saqë drita e tyre e kthjellët do të mjaftonte, edhe sikur të mos e përforconte Zoti atë dritë me shpalljen e Kuranit. Mirëpo me shpalljen e Kuranit Zoti i ndriçoi aq fort zemrat, saqë bestytnive nuk iu mbeti vend. Drita e besimit manifestohet pandërprerë prej besimtarëve nëpër xhamitë e shtëpitë e tyre, duke mos u shmangur nga zbatimi i detyrimeve dhe as përpjekjeve të përditshme të tyre për gjallërim. Veprat e jobesimtarëve janë vetëm formale, janë artificiale, janë mashtruese sikundër valët, që duken prej rrezeve të forta të diellit në ndonjë rrafshinë, si të ishte ujë, e në realitet nuk janë asgjë. Janë aq shumë të humbur në errësirën e injorancës, saqë nuk e shohin as veten; pra janë të verbër. Në disa nga këto ajete përshkruhet fuqia e
Ata (hipokritët) betohen me një betim të fortë në All-llahun se sikur t'i urdhëroshe ti, ata gjithsesi do të dilnin (për në luftë). Thuaj: "Mos u betoni!" Bindja është e ditur, (ju vetëm me gojë thoni e jo me zemër). S'ka dyshim, All-llahu hollësisht di çka veproni.
Thuaj: "Respektojeni All-llahun dhe respektojeni të dërguarin!" Nëse ata refuzojnë, atëherë atij i takon përgjegjësia me çka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me çka jeni të ngarkuar, nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën. I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë.
Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t'ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.
O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve nuk është mëkat as për ju as për ata, të vizitoni njëri-tjerin. Kështu All-llahu ua sqaron argumentet e veta. All-llahu është i dijshmi i urti.
E kur fëmijët tuaj ta arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për hyrje) ashtu si kërkuan ata para tyre. All-llahu ju shpjegon dispozitat e veta, sepse Ai di më së miri dhe është më i urti.
E gratë e moshuara, të cilat nuk dëshirojnë martesë më, për to nuk është mëkat ta heqin petkun mbulues të tyre, po duke mos qenë zbuluese të bukurive, megjithëqë më së miri është për to të jenë të përmbajtura. All-llahu dëgjon, di.
Nuk është mëkat për të verbërin, as për të çalin, as për të sëmurin, as për ju vetë, të hani nga shtëpitë tuaja, ose nga shtëpitë e etërve tuaj, shtëpitë e nënave tuaja, në shtëpitë e vëllezërve e të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve, të hallave, të dajëve tuaj, në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që u janë besuar çelësat e tyre, ose (në shtëpitë) e miqve tuaj. Mund të hani bashkërisht ose veçmas, nuk është mëkat. Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga All-llahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme. Kështu All-llahu ua sqaron argumentet që t'i kuptoni.
Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarit të Tij, dhe kur janë me të (të dërguarin) për ndonjë çështje të përbashkët (të rëndësishme), nuk largohen pa i kërkuar leje atij. S'ka dyshim se ata që kërkojnë leje prej teje, ata i besojnë All-llahut dhe të dërguarit të Tij. E kur të kërkojnë leje për ndonjë punë të tyre, lejo kë të duash, e kërkoi falje All-llahut për ata, se vërtet, All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.
Thirrjen e të dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit. All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t'i zë ndonjë telashe, ose do t'i godasë dënimi i idhët.
Veni re, se vetëm në pushtetin e All-llahut është çka ka në qiej dhe në tokë. Ai e di gjendjen tuaj (besimin apo hipokrizinë), e ditën kur i kthehen Atij, Ai do t'u kallëzojë atyre për atë që vepruan. All-llahu është i dijshëm për çdo send.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Hipokritët, të cilët nuk donin t’i përuleshin gjykimit të Zotit dhe të Pejgamberit a.s. betoheshin rëndë, se nuk do ta thyenin urdhrin e Pejgamberit, edhe sikur t’i thërriste ai për të dalë në luftë. Betimi i tyre ishte i rrejshëm. Megjithatë Pejgamberi ishte i obliguar t’ui komunikojë, e ata do të përgjigjen për zbatimin e obligimeve të tyre. Pasi shkoi Pejgamberi në Medine shokët e tij u vunë në thumb të shigjetës prej armiqve, prandaj ishin të detyruar të bëjnë edhe pushimin e natës pa hequr armët e ngjeshura. Mendonin se a do t’ia dilnin, që ndonjëherë të ishin të qetë natën, e Zoti iu premtoi se do të arrijnë të jenë të zotët e asaj toke dhe do të jenë të qetë e të sigurt në të. Të zbatojnë obligimet, e të mos mendojnë, se kundërshtarët jobesimtarë janë të pamposhtshëm. Muslimanët udhëzohen edhe për rendin shtëpiak, të cilin duhet ta respektojnë. Gratë e moshuara nuk janë aq të detyruara të jenë të mbuluara si të rejat. Kur shkonin
Shpërndaj
—
0:00
Shtoje në ekranin kryesorShtyp Shpërndaj dhe pastaj «Shto në ekranin kryesor».Hap menynë ⋮ të shfletuesit dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor».
Shtoje në ekranin kryesor
Shtyp butonin Shpërndaj në shiritin e Safarit, poshtë në ekran: katrori me shigjetë lart.
Rrëshqit listën poshtë dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor», pastaj «Shto».
Faqja hapet pastaj si aplikacion, pa shiritin e shfletuesit.