24. Nur · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:11–24:20

Në një udhëtim të Pejgamberit me shokët për në luftë kundër fisit Beni Mustalik, si duket në vitin e pestë hixhrije, ai kishte marrë me vete edhe bashkëshorten Ajshen. Në një vendpushimi, ajo largohet për nevojë dhe pasi që kthehet, vëren se e kishte humbur qaforen, andaj kthehet ta kërkojë. Ishte natë dhe ajo vonohet derisa e gjen, e kur kthehet te devja në të cilën e kishte vendin dhe plaçkat e veta, nuk i gjen aty. Ata ishin nisur duke menduar se Ajshja ishte në vendin e vet. Ajo mbetet në rrugë, pas pak vjen Safan ibn Muattal Eselemi që ishte në prapavijë të ushtirsë. E hip në deve dhe e arrin karvanin. Hipokritët, në krye me Ubej ibni Selulin shfrytëzojnë rastin e kësaj ngjarjeje dhe përhapin lloj-lloj fjalësh. Në këtë valle të shpifjes hidhen edhe disa myslimanë.

Zoti xh. sh. shpall këtë pjesë të Kur'anit për pafajësinë e Ajshes, i ngrit autoritetin duke shpallur ajete rreth pastërtisë së saj, ua tërheq vërejtjen myslimanëve që lejuan përhapjen e shpifjes së tillë, pse nuk u ndalën të mendonin se a do të bënin edhe ata vetë një punë të tillë. Gruaja e Ebi Ejub El Ensariut i paska thënë burrit të vet: Dëgjove ç'po flitet për Ajshen? Ai i paska thënë, po, edhe më pas e kishte pyetur: A do të kishe bërë ti, oj shoqja ime, një punë të tillë) Ajo qenka përgjigjur: Jo kurrë vallahi! nuk do të kisha bërë, atëherë qenka gënjeshtër e trilluar prej munafikëve - i thotë Ebu Ejubi.

Pejgamberit Ebu Bekrit, Ajshes dhe Safvanit, të cilët ishin më të goditurit në atë shpifje, Kur'ani u thotë të mos brengosen se ajo nuk është në dëm të tyre, po në dëm të munafikëve, të cilët për këtë shpifje vuajtën dënimin në këtë botë e do ta vuajnë edhe në botën tjetër.

Myslimanët qortohen përse lejuan një përhapje të shpifjes së tillë, pse disa prej tyre edhe përgojuan dhe pse e zënë këtë punë si asgjë. U tërhiqet vërejtja që të marrin mësim dhe përvojë se si munafikët, kundërshtarët e tyre, dëshirojnë të njollosin bashkësinë e myslimanëve me punë të këqia.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:11

Këto ajete u shpallën dhe flasin në lidhje me Aishen, nënën e besimtarëve, dhe kohën kur munafikët, trilluesit e intrigave dhe mashtrimeve, shpifën për nderin e saj. Ata trilluan mashtrime e shpifje shumë të shëmtuar, në lidhje me atë grua të pastër e të dëlirë, nderin e të cilës dhe të Profetit të nderuar e m ori në mbrojtje vetë Zoti i Madhëruar. Kështu, për të mbrojtur nderin e Profetit të Tij të dashur, Allahu i Madhëruar zbriti ajetet që flasin për pastërtinë morale të Aishes. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e sajuan shpifjen janë një grup brenda jush.” Ata janë një grup njerëzish, që jetojnë mes jush. Pra, nuk janë një ose dy vetë, por një grup i tërë. Pa dyshim, që i pari që meritoi mallkimin dhe këtë kërcënim për dënim të madh ishte kreu i munafikëve, Abdullah Ibn Ubej Ibn Ebu Selul. Ishte ai që më së shumti e përhapte këtë shpifje dhe e përfliste shumë ndër njerëz, aq sa kjo shpifje zuri vend edhe në mendjen e disa

besimtarëve dhe filluan edhe ata të flasin e përflasin rreth saj. Ndërsa shumë të tjerë heshtën dhe e kaluan këtë shpifje , pa u bërë pjesë e saj . Kështu vazhdoi kjo fitne për rreth një muaj, derisa zbritën ajetet. Kjo është sjellë hollësisht në hadithe të sakta. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Zuhriu, i cili thotë: “Më ka treguar Seid Ibn Musejibi, Uruetu Ibn Zbejri, Alkametu Ibn Uekkas, Ubejdullahu, Ibn Abdilah Ibn Utbe Ibn Mesudi, rreth hadithit të Aishes, gruas së Profetit, rreth shpifjes së madhe kundër saj, atëherë kur autorët e kësaj shpifjeje përhapën ndër njerëz atë që folën dhe Allahu i Madhëruar zbriti pastërtinë e saj , secili prej tyre më tregoi nga një pjesë prej hadithit të saj. Dikush e mbante mend më hollësisht se dikush tjetër. Por nga të gjithë unë e kuptova dhe mora të plotë hadithin që e tregon Aishja r.a. (bashkëshorte e Profetit a.s.): 1927. “Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. donte të nisej për udhëtim, ai hidhte short ndërmjet grave të tij dhe merrte me vete atë që i binte shorti. Kur doli për një betejë, ai hodhi short mes nesh dhe shorti më ra mua. Kështu, u nisa bashkë me të në kohën kur Allahu e kishte urdhëruar mbulesën për gratë. Mua më hipnin dhe më zbrisnin nga deveja me gjithë koçinë (lloj kabine). Kështu, ne ecëm, derisa i Dërguari i Allahut mbaroi fushatën dhe u kthyem për në shtëpi. Kur iu afruam Medinës, i Dërguari i Allahut urdhëroi që të udhëtonim edhe natën. Kur u dha urdhri për t’u nisur, unë u largova pak nga kampi për nevoja personale. Pasi mbarova dhe u ktheva te kampi, për t’u nisur me të tjerët, papritur vura re se më kishte rënë gjerdani, kështu që u ktheva ta kërkoja, dhe për këtë u vonova. Njerëzit që më ndihmonin në deve, e ngritën koçinë ku rrija dhe e vendosën mbi devenë me të cilën udhëtoja, duke menduar se isha brenda. Atë kohë, gratë ishin të lehta dhe elegante, dhe jo të shëndosha dhe hanin pak, kështu që ata nuk e kishin ndier shumë ndryshimin e peshës së koçisë. Thjesht e ngritën atë dhe e vendosën mbi deve. Ndërkohë unë isha shumë e re (rreth 15 vjeç). Kështu, ata e ngritën devenë dhe u nisën. Unë e gjeta varësen vetëm pasi ushtria kishte ikur. Kur u ktheva te kampi, nuk gjeta askënd, kështu që shkova te vendi im dhe ndenja aty, gjithnjë duke menduar se ata do ta ndjenin mungesën time dhe do të ktheheshin prapë të më kërkonin. Në këtë gjendje, më erdhi gjumi dhe fjeta. Safuan Dhekuani, i cili kishte mbetur pas ushtrisë, kalon në mëngjes pikërisht në vendin ku isha unë. Kur pa hijen e një njeriu që flinte, ai u afrua. Ai më kishte parë mua para kohës së detyrimit të mbulesës për gratë. Kësisoj, unë u ngrita kur dëgjova atë të thoshte: “Inna lil-lahi ve inna Ilejhi raxhiun – Vërtet, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, tek Ai do të kthehemi!” (lutje kjo që thuhet në rast fatkeqësie). Ai e uli devenë e tij, zbriti prej saj dhe vuri këmbën e tij te këmbët e para të devesë. Unë hipa në të, ndërsa Safvani u nis në këmbë, duke tërhequr devenë për dore, derisa arritëm ushtrinë, që kishte ndaluar për të pushuar në mesditë. Atëherë pra, kush ishte caktuar për t’u shkatërruar, ra në shkatërrim (duke shpifur), dhe i pari i shpifësve ishte Abdullah Ibn Seluli (prijësi i munafikëve në Medinë). Pasi mbërritëm në Medinë, unë u sëmura për rreth një muaj. Ndërkohë, te njerëzit po përhapeshin fjalët shpifëse të akuzuesve gënjeshtarë. Gjatë kohës së sëmundjes, më dukej sikur nuk po shihja te Profeti ﷺ atë ndjenjë dhe dashamirësi të zakonshme të tij, që tregonte sidomos kur isha sëmurë. Ai vetëm vinte, përshëndeste dhe thoshte: “Si është ajo?” Unë nuk dija asgjë se ç’po ndodhte, derisa u përmirësova. Pasi u bëra më mirë, dola njëherë me Ummu Mistahin në Mesasi, vend ku dilnim për nevojë. Atëherë dilnim për nevojë veçse natën, përpara se t’i kishim banjot afër shtëpive. Kështu e kishim zakon atëherë, ashtu si bënin arabët më parë, në vend të hapur ose larg shtëpive. Pra, isha duke ecur me Ummu Mistahin. Befas, ajo u pengua nga fustani i gjatë (dhe u rrëzua) dhe tha: “Plaç, o Mistah!” - “Ç’janë këto fjalë! - thashë. - Si e fyen një njeri që ka marrë pjesë në luftën e

Bedrit?!” Ajo tha: “E shkreta ti, a nuk i ke dëgjuar se çfarë thonë për ty?!” Më pas, ajo më tregoi thashethemet e akuzatorëve shpifës. Mua m’u shtua e m’u rëndua sëmundja. Kur u ktheva në shtëpi, erdhi edhe i Dërguari i Allahut. Pasi përshëndeti, ai sërish vetëm pyeti (shërbëtoren): “Si është ajo?” Unë i kërkova leje që të shkoja te prindërit e mi. Doja që të sigurohesha prej tyre për lajmet e përhapura. I Dërguari i Allahut më lejoi dhe unë shkova te prindërit e mi. Menjëherë pyeta nënën: “Çfarë po përflasin njerëzit?” Ajo më tha: “O bijëza ime! Mos u shqetëso shumë për këtë! Për Allah! Nuk ka grua të shkëlqyer e joshëse, që burri i saj - i cili ka edhe gra të tjera, - e do shumë, që ata të mos shpifin.” - “Lavdia i qoftë Allahut! - thashë. - Vërtet po përgojojnë për këtë gjë?!” Atë natë qava deri në agim dhe nuk vura gjumë në sy.” Përcjellësi i dytë i hadithit shton: “Kur pa se iu vonua Shpallja Hyjnore, i Dërguari i Allahut thirri në mëngjes Aliun dhe Usama Ibn Zejdin, për t’u këshilluar me ta për ta ndarë gruan e tij (Aishen). Usama i tregoi atij atë që ai dinte për emrin e mirë të grave të tij dhe shtoi: “O i Dërguari i Allahut, mbaje gruan tënde, pasi, për Allah, ne nuk dimë për të, veçse të mira!” Ndërsa Aliu i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu nuk të ka vendosur kufizime! Ka edhe shumë gra të tjera veç asaj. Megjithatë, pyet shërbëtoren, të të flasë të vërtetën!” Atëherë, i Dërguari i Allahut thirri Beriran dhe e pyeti: “O Berira! A ke parë ndonjëherë diçka tek ajo, që të ngjall dyshime?” Berira i tha: “Jo, për Allahun, i Cili të ka dërguar ty me të Vërtetën! Kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë gjë të keqe e të gabuar, përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re dhe, kur fle, harron dhe e lë brumin pa kujdes, kështu që vijnë dhe e hanë dhitë!” Po atë ditë, i Dërguari i Allahut u ngjit në minber dhe kërkoi që dikush ta mbështeste atë për të ndëshkuar Abdullah Ibn Selulin. I Dërguari i Allahut tha: “Kush do të më ndihmojë, për të ndëshkuar atë njeri, i cili më ka lënduar rëndë, duke shpifur për emrin e familjes sime? Për Allah! Unë di vetëm të mira për familjen time! Ata kanë akuzuar një burrë, për të cilin unë di vetëm të mira dhe që ai nuk ka hyrë kurrë në shtëpinë time, përveçse me mua!” Ngrihet Saad Ibn Muadhi dhe thotë: “O i Dërguari i Allahut! Për Allah! Unë do të të çliroj prej tij: në qoftë se ai njeri është nga fisi Aus, atëherë ne do t’ia këpusim qafën dhe, në qoftë se është nga vëllezërit tanë, nga fisi Hazrexh, atëherë na urdhëro dhe ne do ta përmbushim urdhrin tënd!” Nga kjo ngrihet Saad Ibn Ubad e, kreu i fisit Hazrexh, që përpara kësaj kishte qenë njeri i shquar dhe i përkushtuar, i shtyrë edhe nga zelli i tij për fisin e vet. Ai tha: “Për Allah! Ti gënjen, se ti nuk e vret dot atë dhe nuk do të mundesh ta vrasësh!” Usaid Ibn Hudein ngrihet dhe ia kthen (Saad Ibn Ubades): “Për Allah! Ti je gënjeshtar! Për Allah! Ne do ta vrasim atë dhe ti je hipokrit, je duke mbajtur hipokritët!” Për këtë, dy fiset Aus dhe Hazrexh u acaruan shumë dhe ishin gati të luftonin me njëri -tjetrin, ndërsa i Dërguari i Allahut po qëndronte në minber. Ai zbriti dhe i qetësoi, derisa ata pushuan. Pastaj ra në heshtje.” Aishja vazhdon: “Kam qarë gjithë ditën, pa vënë gjumë në sy. Në mëngjes, prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa m’u duk se do të më plaste mëlçia nga e qara. Kur prindërit ishin ulur me mua, që qaja, një grua ensare më kërkoi leje që të hynte, dhe unë e lashë të hynte. Ajo u ul dhe filloi të qante me mua. Ndërkohë që të gjithë ne ishim në këtë gjendje, hyn i Dërguari i Allahut dhe ulet. Ai nuk ishte ulur tek unë qysh ditën që ata më akuzuan duke shpifur. Kaloi një muaj dhe asnjë Shpallje Hyjnore nuk i zbriti atij për çështjen time. Në fillim tha shehadetin, pastaj shtoi: ‘O Aishe! Kështu e ashtu fjalësh më kanë thënë për ty. Në qoftë se ti je e pafajshme dhe e dëlirë, atëherë Allahu shpejt do ta shpallë pastërtinë tënde dhe, në qoftë se ke bërë gjynah, atëherë lutju Allahut të të falë dhe pendohu tek Ai, pasi, kur robi pranon fajin e bërë dhe i lutet

Allahut për falje, Allahu ia pranon atij pendimin!” Kur i Dërguari i Allahut mbaroi fjalën, mua m’u ndalën lotët, aq sa nuk më mbeti asnjë pikë në sy. I kërkova babait që t’i përgjigjej për mua të Dërguarit të Allahut, por ai më tha: “Betohem për Allahun! Nuk di se ç’ti them të Dërguarit të Allahut!” I thashë nënës që t’i fliste për mua të Dërguarit të Allahut, por edhe ajo më tha: ‘Për Allah! Nuk di se ç’ti them të Dërguarit të Allahut!” Ndërsa vetë unë isha e re dhe nuk kisha shumë dije nga Kurani. Atëherë, thashë: “Për Allah! Unë tani e di vërtet se ju keni dëgjuar se ç’po thonë njerëzit, dhe ajo ju është ngulitur në veten tuaj, aq sa e keni marrë atë si të vërtetë. Tani, nëse unë ju them juve se jam e pastër, dhe Allahu e di që unë jam e pastër dhe e pafajshme, ju nuk do të më besoni mua. Në qoftë se unë ju dëshmoj duke gënjyer se jam fajtore, dhe Allahu e di se unë jam e pastër dhe e pafajshme, atëherë ju do të më besoni. Betohem për Allahun! Unë nuk gjej dot për ju dhe për mua shembull tjetër, veçse atë të babait të Jusufit a.s. (Jakubit a.s.), i cili tha: Durimi është gjëja më e mirë për mua. Allahut i kërkoj të më ndihmojë në këtë q ë ju po trilloni.” (Jusuf 18). Pastaj u ktheva siç isha në shtrat nga ana tjetër, gjithnjë duke shpresuar se Allahu do të provonte pafajësinë time, por, për Allah, kurrë nuk kisha menduar se Allahu do të zbriste Shpallje Hyjnore për çështjen time, pasi nuk e quaja veten time aq të denjë, që të flitej për mua në Kuran. Unë shpresoja se i Dërguari i Allahut mbase do të shihte ndonjë ëndërr, me të cilën Allahu do të qartësonte pa fajësinë dhe pastërtinë time. Betohem për Allah! Pa u ngritur i Dërguari i Allahut nga vendi ku ishte dhe pa dalë askush nga dhoma, atij i erdhi Shpallja Hyjnore! Atë e kapi ajo gjendje, si zakonisht (kur i zbriste Shpallje Hyjnore). Ai djersiste aq shumë, saqë pikat e djersës i kullonin si perla, edhe pse ishte ditë e ftohtë dimri. Kur i Dërguari i Allahut u lirua nga ajo gjendje, duke qeshur, fjalën e parë që foli, ma tha mua: “O Aishe! Falëndero Allahun! Ai tashmë ka shpallur pafajësinë dhe dëlirësinë tënde!” Nëna ime më tha që të afrohesha tek i Dërguari i Allahut, por unë i thashë: ‘Jo, për Allah! Nuk do t’i afrohem dhe nuk falënderoj tjetër veçse Allahun!” Kësisoj, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush...”‘ (Nur 11). Kur Allahu zbriti këtë Shpallje për pafajësinë dhe dëlirësinë time, Ebu Bekr Siddiku (babai), që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistahin, sepse ai ishte i afërm i tij, tha: “Për Allah, nuk do t’i japë më asgjë Mistahit, për shkak të asaj që tha për Aishen!” Por më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Bamirësit dhe të pasurit të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që i lanë shtëpitë e tyre për hir të Allahut, por le t’ua falin (gabimin) dhe të mos ua vënë re. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë ju? Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Nur 22) . Pas kësaj, Ebu Bekri tha: ‘Po! Për Allah! Unë dua që Allahu të më falë!’ Dhe e ndihmoi përsëri Mistahin, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht më parë.” Aishja shton: “Ndërkohë, i Dërguari i Allahut kishte pyetur edhe Zejneb Bintun Xhahshin (bashkëshortja tjetër: “O Zejneb! Çfarë di dhe çfarë ke parë?” Ajo i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë ruhem të them se kam dëgjuar ose kam parë diçka që as e kam dëgjuar dhe as e kam parë. Për Allah! Unë nuk di gjë tjetër, por veçse të mira për Aishen.” Asokohe Zejnebi ishte rivalja ime (për bukuri dhe për dashurinë e Profetit a.s.), megjithatë Allahu e ruajti atë (nga mëria dhe ligësia), sepse ajo qe e drejtë dhe e përkushtuar.” Hadithin e ka përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi në Sahih-ët e tyre prej Zuhrit. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja, e cila ka thënë: 1928. “Kur zbritën ajete rreth ndershmërisë time, Profeti i Allahut u ngrit (në mimber) i përmendi ato ajete dhe këndoi Kuran. Pastaj zbriti dhe urdhëroi që të ndëshkoheshin për shpifje me dënimin përkatës, dy burra dhe një grua.” Këtë e kanë transmetuar autorët e katër

Sunen-eve dhe Tirmidhiu ka thënë se ky është një hadith hasen. Në transmetimin e Ebu Daudit janë përmendur edhe emrat e tyre: Hasan Ibn Thabit, Mistah Ibn Uthathe dhe Hamnetu bintu Xhahsh. - “Ata që e sajuan shpifjen janë një grup brenda jush. ” - Pra, ata që sollën këtë shpifje të madhe e të shëmtuar, janë një grup që jetojnë mes jush. - “Sidoqoftë, mos mendoni se është gjë e keqe për ju! ” - Kjo fjalë i drejtohet familjes së Ebu Bekrit. Pra, ju, o familja e Ebu Bekrit, kurrë mos e mendoni se kjo ndodhi ishte një e keqe për ju! - “Përkundrazi, ajo është për të mirën tuaj.” - E mirë si në këtë jetë, ashtu edhe në ahiret. Në këtë dynja do të jeni në gradën më të lartë të moralit dhe me emrin më të mirë e të nderuar ndër njerëz. Ndërsa në ahiret do të jeni në nivelet më të larta të Xhenetit. Kjo ngjarje u bë shkak që të dilte në pah qartë ndershmëria juaj, si dhe përkujdesi i madh i Zotit të Madhëruar për Aishen, nënën e besimtarëve, - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Vetë Allahu i Madhëruar u kujdes për të dëshmuar dëlirësinë e pastërtinë e saj, duke shpallur këto ajete në Kuranin madhështor, në këtë Libër të cilit nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit. Kur Ibn Abasi shkoi të vizitonte Aishen në kohën e vdekjes së saj, i tha: “Gëzohu, sepse ti je bashkëshortja e Profetit të Allahut dhe ai të donte fort. Ai nuk u martua me ndonjë vajzë tjetër të virgjër, përveç teje. Allahu i Madhëruar e zbriti nga qielli vërtetimin për dëlirësinë dhe pastërtinë tënde.” Muhamed Ibn Abdilah Ibn Xhahshi tregon: “Po bisedonin njëherë Aishja dhe Zejnebja, - Allahu qoftë i kënaqur me to! Zejnebja tha: “Unë jam ajo, martesa e të cilës zbriti nga qielli.” Kurse Aishja tha: “Unë jam ajo, dëlirësia e të cilës u shpall në Librin e Allahut!” - “Secili prej tyre do të dënohet sipas pjesëmarrjes në këtë gjynah.” - Pra, secili prej atyre që morën pjesë në këtë shpifje për Aishen, ka pjesën e vet të ndëshkimit. - Kurse flamurtari i saj do të ketë një dënim të madh. - Thuhet se kuptimi i këtij ajeti është: Ai i cili e filloi këtë shpifje i pari. Gjithashtu, thuhet: “Ai i cili e formulonte dhe e përcillte atë ndër njerëz, e hapte si bisedë ndër njerëz dhe nxiste përfoljen e saj. Pra, për këta është përgatitur një dënim i madh. Në fakt, kjo i refrohet Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulit, - Allahu e shëmtoftë dhe e mallkoftë!”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:11–24:26

- Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush. - Në ajetet e mësipërme Allahu i Madhëruar tregoi se sa e dënueshme dhe e keqe është shpifja ndaj grave të pastra e të ndershme. Kjo, në fakt, shërben edhe si parantezë për atë që do të vijë më pas, pra, për historinë e shpifjes ndaj më të pastrës grua, Aishes, vajzës së Sidikut dhe gruas më të dashur të Profetit të Zotit, Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Këto ajete u shpallën për shkak të një shpifjeje të madhe, që është shtjelluar në librat e hadithit.21 Në këtë histori tregohet se Profeti (a.s) ishte rrugës në një nga ekspeditat e tij. Me vete kishte dhe Aishen. Në rrugën e kthimit, Aishes i humbet një gjerdan dhe ajo largohet nga kampi për të kërkuar gjerdanin. Ndërkohë, ushtria niset për udhëtimin e kthimit, pa vënë re mungesën e Aishes. Ata e ngritën lart koshin mbi devenë e Aishes dhe nuk e hetuan se Aishja nuk ishte brenda në të, sepse ajo ishte e lehtë dhe e dobët. Ushtria vazhdoi rrugën, ndërkohë që Aishja kishte mbetur pas. Atëherë, ajo mendoi të qëndronte në vend, duke menduar se, pasi të vinin re mungesën e saj, do të vinin ta merrnin. Pas kishte mbetur edhe Safuan Ibn Muatil el Sulemij, njëri nga më të nderuarit e sahabëve, i cili ishte në gjumë kur ushtria po largohej. Kur u zgjua dhe ushtria ishte larguar, ai e pa Aishen dhe e njohu për së largu. Atëherë ai i afroi asaj kafshën e tij, pa folur asnjë fjalë dhe ajo hipi në të. Pastaj ai vijoi udhëtimin, derisa mbëriti tek ushtria, që tashmë po pushonte në kohën e drekës. Por kjo nuk i shpëtoi shikimit të disa munafikëve, që e shoqëronin Profetin (a.s) në këtë udhëtim. Kaq u duhej këtyre munafikëve për të filluar atë shpifje të madhe. Kështu fjalët u përhapën dhe gjuhët e munafikëve të mbushura me helm e shpifje e përhapën me kënaqësi. Madje, edhe disa besimtarë u mashtruan nga të tilla fjalë dhe po i përhapnin ato. Ndërkohë, edhe Shpallja vonoi për një kohë disi të gjatë. Pas njëfarë kohe, këto thashetheme mbërrijnë edhe tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila u dëshpërua shumë. Por Allahu i Madhëruar shpalli dëlirësinë e Aishes në këto ajete. Ai i qortoi dhe u dha këshilla të shumta besimtarëve. Ai u tregoi atyre se sa e rëndë ishte kjo ngjarje tek Ai dhe u dha atyre porosi të dobishme. Allahu i Lartësuar tha: " Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush. Pra ata që sollën këtë shpifje të madhe për nënën e besimtarëve, Aishen, janë disa që duken si pjesë e juaja, o besimtarë. Disa prej tyre janë besimtarë të sinqertë në imanin e tyre, por ka edhe munafikë që hiqen si muslimanë, por fshehin hipokrizinë e mosbesimin. Pastaj Ai tha: - Ju, kurrësesi mos e mendoni (këtë) se është një e keqe për ju! Përkundrazi, ajo është për të mirën tuaj. - Në këtë histori doli në pah pastërtia dhe dëlirësia e Aishes (r.a). Gjithashtu, Allahu solli një mesazh të qartë, se të gjitha gratë e Profetit janë të pastra e të dëlira. Nga kjo histori u

vendosën dispozita të domosdoshme, që besimtarët duhet t'i dinë, t'i mësojnë dhe të punojnë me to deri në Ditën e Gjykimit. Të gjitha këto mirësi të shumta, nuk do të dilnin në pah sikur të mos ndodhte kjo histori shpifjeje. Kur Allahu dëshiron diçka, Ai i krijon kushtet për të. Vini re! Në këtë histori Allahu u drejtohet besimtarëve në numrin shumës, duke u dhënë kështu një mesazh të rëndësishëm: shpifja ndaj njëri - tjetrit është cenim për të gjithë bashkësinë. Të mirat dhe të këqijat ju i përjetoni së bashku. Gjithashtu, është edhe mesazhi tjetër: besimtarët, për sa i përket dashurisë, mëshirës e butësisë së ndërsjelltë dhe përkujdesit për çdo të mirë, janë si një trup i vetëm. Besimtarët dhe besimtaret janë si një ndërtesë, ku secili prej tyre mban tjetrin. Ata forcojnë njëri tjetrin. Kështu, nëse dikush e urren që të përbaltet vetë me shpifje, po ashtu le të urrejë cenimin e nderit të vëllait të tij besimtar. Le ta trajtojë atë njëlloj si veten e vet. Nëse besimtari nuk e ka arritur në këtë gradë të imanit, kjo tregon se imani i tij është ende i mangët dhe po e mangët është dhe vëllazëria islame, e cila kërkon që muslimanët të këshillojnë e të përmirësojnë njëri -tjetrin. Megjithatë, edhe pse kjo histori pati mirësitë e saj në këto aspekte që u përmendën, Allahu thotë: - Secili prej tyre do të dënohet sipas pjesëmarrjes në këtë gjynah. - Ky është një kërcënim për të gjithë ata që e nisën këtë histori shpifjeje. Ai fatzi ishte munafiku i pështirë me emrin Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, Allahu e mallkoftë! Për të, Allahu i Madhëruar thotë: - Dhe ai që i priu (shpifjes), do të ketë një dënim të madh. - Ky dënim është përjetësia në gradën më të thellë të zjarrit të Xhehenemit. Në vijim, Allahu i Madhëruar i udhëzon besimtarët si të sillen në situata të ngjashme dhe u jep një porosi të vyer. Ai thotë: - Përse vallë, kur besimtarët dhe besimtaret e dëgjuan atë (shpifje), të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thoshin: “Kjo është një shpifje e qartë”? – Domethënë, është detyrë për besimtarët që të mendojnë mirë për njëri tjetrin. Ata duhet të mendojnë gjithmonë se besimtarët janë të pastër nga shpifjet, pasi imani e largon besimtarin dhe besimtaren nga ato vepra të ulëta. Madje, besimtarët për të tilla shpifje thonë: “ I Pastër dhe i Dëlirë je, o Zot, nga mendimi i gabuar se Ti mund t’i lësh besimtarët e mirë që të bien në të tilla poshtërsi!” Kështu, nëse do t’i pranonin si të vërteta të tilla shpifje për besimtarët e mirë, kjo do të ishte një shpifje për vetë Zotin, i cili kurrë nuk do t’i linte besimtarët dhe besimtaret e Tij të dashur që të bien në të tilla poshtërsi, sepse është i pastër nga të tilla gjëra, që bien ndesh me urtësinë dhe dashurinë e Tij për besimtarët. Ky duhet të jetë mendimi që duhet të mbizotërojë në mendjen dhe zemrat e besimtarëve për njëri tjetrin dhe që është detyrë e domosdoshme dhe e ndërsjelltë për ta. Është detyrë që, së pari, të tilla fjalë të përgënjeshtrohen në zemër e të mos përhapen më tutje dhe, nga ana tjetër, të përgënjeshtrohen ata që i thonë, madje të mbahet qëndrim ndaj tyre. - Përse nuk sollën katër dëshmitarë për ta provuar këtë? - Ata që shpifin duhet të sjellin katër dëshmitarë të drejtë e të besueshëm. Nëse nuk e bëjnë, atëherë ata janë gënjeshtarë tek Allahu: - Përderisa nuk sollën dëshmitarë, atëherë ata janë gënjeshtarë para Allahut. – Domethënë, edhe sikur të jenë të sigurt për atë që dëshmojnë, ata janë gënjeshtarë në gjykimin e ligjet e Zotit nëse nuk sjellin katër dëshmitarë. Nëse nuk kanë katër dëshmitarë, nuk duhet të flasin fare. Pra, në këtë rast Zoti ua ka bërë haram që të flasin. Vini re se si Allahu thotë: “ata janë gënjeshtarë para Allahut.” dhe nuk thotë thjesht “janë gënjeshtarë”, për të treguar se sa e rëndësishme është ruajtja e nderit të besimtarit dhe sa e dënueshme është shpifja. Nuk lejohet të flasësh kurrë për nderin e besimtarit nëse nuk ke katër dëshmitarë të besueshëm. Edhe sikur imoraliteti të ketë ndodhur, nuk lejohet të flasësh.

- Dhe, sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut për ju në këtë botë dhe në Botën Tjetër, ju do t’ju kapte një dënim shumë i madh për shkak të asaj (shpifjeje) në të cilën u përfshitë si pa të keq. - Është mëshira dhe mirësia e Zotit që ju ruan në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ai i përfshin besimtarët me mirësinë e dhe mëshirën e Tij në dynja dhe në ahiret, prandaj ata i ndjek e mira dhe janë të ruajtur nga të këqijat. Në të kundërt: "...ju do t’ju kapte një dënim shumë i madh për shkak të asaj (shpifjeje) në të cilën u përfshitë si pa të keq." Për shkak të asaj shpifjeje, do t’ju godiste një dënim i madh. Këtë dënim e meritonit për ato fjalë të rënda që thatë. Nga mëshira dhe mirësia e madhe e Zotit, Ai jua bëri të mundur pendimin. Madje, edhe nëse sjell ndonjë ndëshkim mbi ju, me këtë ju pastron nga gjynahet dhe ju jep mundësinë që të ruani dhe të shpëtoni imanin tuaj. - Dhe ju e përcillnit atë (shpifjen) me gjuhën tuaj dhe flisnit për diçka për të cilën nuk kishit kurrfarë dijeje. - Ky është shkaku që edhe disa besimtarë u përfshinë në këtë thashethem të madh. Ata e menduan si diçka të vogël të folurit në këtë çështje. Megjithatë, Allahu i Madhëruar ua mundësoi të pendoheshin për këtë. - Dhe ju e mendonit atë si diçka të vogël, por tek Allahu ajo është e madhe. - Ky është një kërcënim i madh dhe një ndalesë shumë e fortë nga ky lloj gjynahu, që shumë njerëz nuk i kushtojnë rëndësi. Çdokush duhet të dijë se nënvlerësimi i një gjynahu dhe të menduarit e tij si diçka e vogël nuk sjell ndonjë lehtësim dhe as nuk e zvogëlon atë gjynah, madje përkundrazi, e zmadhon edhe më shumë gjynahun. Njeriu ndoshta mund ta shohë si të lehtë, prandaj i kthehet disa herë atij gjynahu. - E përse vallë, kur e dëgjuat atë (shpifjen), nuk thatë: “Nuk është mirë të flasim për këtë. - Kur të dëgjonit këtë shpifje të madhe, ju duhet ta refuzonit prerë e të thoshit: “Nuk është mirë të flasim për këtë." Nuk është aspak e denjë për ne që të flasim për një gjë kaq të ulët. Është e qartë që kjo është shpifje, sepse imani e ndalon besimtarin të bëjë poshtërsi të tilla. - I Dëlirë je Ti (o Zot) . Kjo është një shpifje, vërtet e madhe.” - Është e qartë që kjo është një shpifje, prandaj ne nuk bëhemi kurrësesi pjesë e saj. - Allahu ju këshillon që një sjellje e tillë të mos përsëritet kurrë, ... - Allahu i Lartësuar ju urdhëron dhe porosit që kurrë të mos i ktheheni një gjynahu të tillë, kurrë të mos akuzoni e shpifni kundër besimtarëve dhe nderit të tyre! Sa të mrekullueshme janë porositë e Zotit tonë! Ne duhet t’i pranojmë ato me zemër të hapur e të kënaqur dhe me përunjësi t’i zbatojmë! Ne duhet të dorëzohemi e të jemi mirënjohës për të tilla ligje e qartësime nga Zoti ynë: "Vërtet, sa të mrekullueshëm janë urdhrat që ju jep Ai! Allahu dëgjon dhe sheh si veproni." [Nisa 58]. Pastaj thotë Zoti: - ...nëse jeni besimtarë (të vërtetë) . - Kjo tregon se imani i sinqertë e ndalon besimtarin që të bëjë harame e t’u bëjë bisht detyrave të Zotit të tij. - Dhe Allahu i sqaron për ju Argumentet... - Ajetet e Allahut të Madhëruar janë të mbushura me dobi të shumta. Në to ka këshilla, ligje e dispozita, qortime e kërcënime, inkurajime e nxitje për punë të mira. Të gjitha këto Allahu i Madhëruar na i sqaron në formën më të plotë dhe të kuptueshme. - ...dhe Ai është i Gjithëditur dhe i Urtë. - Allahu është absolut dhe i plotë në diturinë e Tij dhe i paanë në urtësinë e Tij. Prej diturisë dhe urtësisë së Tij janë edhe këto njohuri që u dhuroi dhe u shpalli adhuruesve të Tij. Këto njohuri dhe ligje kanë për t’ju sjellë dobi në çdo kohë e vend. Madje, nuk mund të arrihet lumturia dhe rregullimi i njerëzve ndryshe, por veçse përmes këtyre porosive e ligjeve të sjella përmes Shpalljes. Askush nuk e di dhe gjykon të mirën për krijesat më mirë se Krijuesi i tyre i Gjithëditur dhe i Urtë. - Ata, të cilët dëshirojnë që mes besimtarëve të përhapet imoraliteti, i

pret dënimi i dhembshëm në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Allahu i di (të fshehtat) e ju nuk i dini. - Ata që dëshirojnë që mes besimtarëve të përhapin gjëra të shëmtuara dhe të ndaluara nga Zoti, që të përhapet imoraliteti e largimi nga feja, ata i pret një dënim i dhembshëm. Ai dënim do të torturojë zemrat dhe trupat e tyre. Kështu dënohen ata që bëjnë padrejtësi ndaj besimtarëve dhe përhapin sherrin mes tyre. Mendohu pak me kujdes! Nëse një dënim i tillë është për ata që thjesht dëshirojnë që të përhapet poshtërsia dhe imoraliteti, atëherë si mendon se do të jetë dënimi për ata të cilët marrin pjesë aktive duke folur dhe e përhapur ndër njerëz shpifjet për imoralitet? Sigurisht, pjesëmarrja aktive në të tilla fitne e vepra të këqija është shumë më e keqe dhe e rëndë sesa thjesht të dëshirosh dhe të kënaqesh me këtë. Nuk ka rëndësi në këtë mes, a ka ndodhur vërtet imoraliteti apo jo. Ajo që ka rëndësi është përfshirja në hapjen e shpifjes dhe imoralitetit ndër besimtarë. E gjitha kjo është tregues i mëshirës së Allahut të Lartësuar për besimtarët, për kujdesin e Tij të veçantë për ta dhe për mbrojtjen e nderit të tyre, ashtu siç kujdeset për të mbrojtur gjakun dhe pasurinë e tyre. Tregues i kësaj mëshire dhe përkujdesi të veçantë janë edhe këto urdhra, që u drejtohen atyre për dashuri dhe solidaritet vëllazëror. Çdokush duhet të dojë për vëllanë e tij atë që e dëshiron edhe për veten e vet dhe duhet të urrejë për vëllanë e vet atë që e urren për veten e vet. - Dhe, sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut për ju, (do t’ju kapte një dënim i madh). ... - Prandaj ju mësoi ato ligje e porosi që nuk i dinit. - Por Allahu është shumë i Butë dhe Mëshirëplotë. - Mirësitë e Allahut ju rrethojnë nga çdo anë. Ai ju mbulon vazhdimisht me mëshirën, butësinë si dhe përkujdesin e Tij. Pikërisht nga kjo mirësi e përkujdesje, që Ai ju mësoi këto ligje e dispozita dhe ju dhuroi këshilla të mrekullueshme dhe urtësi të vyera. Allahu është Mëshirëplotë dhe i Butë, prandaj edhe i afatizon jobesimtarët që kundërshtojnë fenë e ligjet e Tij. Mëshira dhe bamirësia janë atribute të Allahut dhe janë ato që ju sjellin mirësitë e dynjasë e të ahiretit, të cilat kurrë nuk mund t’i numëroni e t’i llogaritni. Pasi na ndaloi në mënyrë të veçantë nga ky lloj gjynahu e poshtërsie, Allahu i Madhëruar vijon të ndalojë nga gjynahet në përgjithësi, duke thënë: - O ju që keni besuar! Mos shkoni pas gjurmëve të shejtanit! ... - Largojuni rrugëve dhe joshjeve të shejtanit. Te "hapat e shejtanit" hyjnë të gjitha llojet e gjynaheve që kanë të bëjnë me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët. Allahu i Madhëruar, me urtësinë e Tij, na urdhëron dhe na qartëson se e kemi të ndaluar të ndjekim hapat e shejtanit. Ai na sqaron urtësinë e kësaj ndalese dhe çfarë synohet me ndalimin e ndjekjes së hapave të shejtanit, duke thënë: - ... Kush ndjek gjurmët e shejtanit ai do ta urdhërojë veç për të punë shëmtuara e të këqia. - Kjo ndalesë synon të na ruajë nga përfundimi i keq dhe shkatërrimi, ku të

çon ndjekja e hapave të shejtanit. Ai i mallkuar urdhëron veçse për poshtërsi e gjëra që janë të shëmtuara jo vetëm sipas gjykimit të Sheriatit, por edhe sipas mendjes së shëndoshë e natyrës së pastër së njerëzve, edhe pse disave të transformuar në shijet dhe natyrën e tyre mund t’ju duket e bukur dhe e kënaqshme. Shejtani i josh njerëzit në poshtërsi që natyra dhe mendjet e shëndetshme nuk i pranojnë, prandaj për ta janë të huaja, të panjohura dhe të refuzuara. Kështu janë poshtërsitë për të cilat nxit shejtani i mallkuar pa asnjë përjashtim. Prandaj Allahu na ndaloi nga të gjitha ato. Të gjitha këto porosi dhe ligje janë mirësi, për të cilat duhet t’i shprehim mirënjohjen dhe ta kujtojmë vazhdimisht Allahun. Kjo mirënjohje dhe ky kujtim i vazhdueshëm i mirësive të Allahut do t’i bëjë njerëzit që të ruhen nga poshtërsitë, turpet dhe çdo vepër e shëmtuar në të cilën i fton shejtani i mallkuar. Është Zoti që, me mirësinë e përkujdesin e Tij, ju ndalon nga të gjitha ato vepra, që janë si helmi vrasës për besimin dhe moralin e njeriut. - Dhe, sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut për ju, askush prej jush nuk do të pastrohej ndonjëherë (prej gjynaheve). - Ai nuk do të ruante e pastronte asnjë nga ndjekja e hapave të shejtanit, sepse shejtani i mallkuar punon pareshtur, së bashku me ushtrinë e tij, për t’i joshur dhe tunduar njerëzit dhe për t’ua zbukuruar të kotën dhe paturpësinë. Shpeshherë nefsi i njeriut anon në të tilla shfrenime dhe gjithashtu nxit fort në to. Pastaj mangësia është një karakteristikë e pandashme e njeriut, për të mos lënë mënjanë edhe imanin e dobët. Duke parë këtë gjendje të njeriut, nëse Zoti do të hiqte dorë prej Tij dhe të mos e ruante, ndihmonte dhe pastronte, ai do të mbetej i pashpresë. Askush nuk do të pastrohej nga gjynahet dhe të këqijat dhe as do të mund të bënte vepra të mira, që e lehtësojnë dhe e kthejnë në rrugën drejt kënaqësisë së Zotit dhe Xhenetit të Tij. Kshtu kujdeset Zoti, duke e pastruar robin nga gjynahet dhe duke e përmirësuar gjendjen e tij me vepra të mira, që e afrojnë tek Ai. Por duhet të dihet mirë se vetëm duke kërkuar mëshirën dhe mirësinë e Tij mund të pastrohet ai që pastrohet. Një nga lutjet më të zgjedhura të Profetit (a.s) ishte: “Allahume ati nefsi takuaha ue zek -kiha ente hajru men zek - kaha ente uelijuha ue meulaha”, O Allah! Jepi shpirtit tim devotshmërinë dhe pastroje atë! Ti je më i Miri që e pastron atë. Tije Mbrojtësi dhe i Dashuri i shpirtit tim.", prandaj edhe tha: - Por Allahu pastron atë që do Ai. - Allahu e pastron dhe lartëson atë që e di mirë se pastrohet dhe lartësohet. Ai është më i Dituri se kush e meriton dhe kush është për t’u pastruar, prandaj thotë: - Allahu dëgjon e di gjithçka. - Ndër ata që morën pjesë në këtë shpifje e thashethem ishte edhe Mistah ibnu Uthathe, një i afërm i Ebu Bekrit. Mistahu ishte i varfër dhe muhaxhir. Duke qenë se u bë pjesë e kësaj fitneje, Ebu Bekri u betua se nuk do ta ndihmonte më me shpenzimet që i mbulonte, për shkak të fjalëve që fliste dhe pjesëmarrjen në thashetheme. Por Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet ku i ndalonte besimtarët nga betimi që të mos shpenzonin për të varfërin, dhe i nxit për të qenë falës e tolerantë. Madje, Ai u premton falje e mëshirë atyre që tregohen falës e tolerantë. prandaj edhe thotë: - Bamirësit dhe të pasurit të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që i lanë shtëpitë e tyre për hir të Allahut, por le t’ua falin (gabimin) dhe të mos ua vënë re. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë ju? Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. - Nëse i trajtoni njerëzit me falje e tolerancë, edhe Ai do t’ju trajtojë me falje e tolerancë. Ebu Bekri, kur dëgjoi këtë ftesë bujare të Allahut të Madhëruar, tha: “Po, vallahi! Unë dua që Allahu të më falë mua!" Pas kësaj, ai vazhdoi ndihmën financiare për Mistahun. Në këtë ajet gjejmë argument që nxit për ndihmën e të afërmve dhe se ndihma nuk duhet lënë për shkak të

gjynahut të njeriut. Ajeti na nxit për falje e tolerim, pavarësisht nga gjynahet e tjetrit. Falja e tolerimi janë zgjedhja më e mirë, nëse e kërkon urtësia dhe dobia. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon për dënimin e madh që i pret ata që shpifën për gratë e ndershme e të pastra nga imoraliteti. - Vërtet, ata që shpifin për gratë e ndershme, për ato besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në Botën Tjetër dhe ata i pret një Dënim shumë i madh, ... - Allahu i quan ato gra të pastra " el gafilat", pra, ato janë të tilla që as u shkon ndër mend kurrë një vepër e tillë e ulët. Kështu, ata që i akuzojnë për këto gra: "...janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër." Sigurisht që mallkimi jepet veçse për një gjynah të madh. Madje, Allahu i Madhëruar e përforcon këtë mallkim për ata, duke përmendur se do të vazhdojë në të dyja jetët: "... ata i pret një dënim shumë i madh.' Kjo është shtesë mbi mallkimin. Allahu i largoi nga mëshira e Tij dhe i mbuloi me ndëshkimin dhe zemërimin e Tij. - Ditën, kur kundër tyre do të dëshmojnë gjuhët e tyre, duart e tyre dhe këmbët e tyre për atë që kanë bërë. - Ky ndëshkim do të jetë Ditën e Gjykimit. Çdo gjymtyrë dhe pjesë e trupit do të dëshmojë për çfarë ka bërë. Atë ditë Allahu do t’i japë mundësinë çdo gjëje që të flasë dhe të dëshmojë. Askush nuk do të mund të refuzojë apo mohojë gjë prej veprave të veta, sepse Allahu do të bëjë drejtësi absolute. Madje, dëshmitë do të vijnë nga vetë ata dhe gjymtyrët e tyre. - Atë ditë Allahu do t'ua japë të plotë (gjithë) shpërblimin e merituar. - Do t’ua japë me drejtësi, barazi dhe të plotë shpërblimin për veprat e tyre. - Dhe ata e dinë mirë se Allahu është e vetë e Vërteta. - Në atë ditë të vështirë dhe të madhe, ata do ta mësojnë mirë se Allahu është e vërteta e qartë, Ai është i vetmi Zot i adhuruar me meritë, cilësitë e Tij madhështore janë të vërteta, veprat e Tij të drejta janë të vërteta, adhurimi i dedikuar Atij është i vërtetë, takimi me Të është i vërtetë, premtimet dhe kërcënimet e Tij janë të vërteta, ligji i tij i Sheriatit dhe ligji i shpërblimit e ndëshkimit janë të vërtetë. Domethënë, e vërteta është e kufizuar veçse tek Allahu dhe në atë që ka ardhur prej Tij. - këqij dhe burrat e këqij janë për grate e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet. - Çdo i poshtër, në fjalë dhe vepra, i përshtatet një të poshtri, që është i ngjashëm me të. Ata pohojnë, miratojnë dhe shoqërojnë njëri tjetrin. Nga ana tjetër, i miri në fjalë dhe në vepra i përshtatet një të miri të ngjashëm me të. Ata meritojnë dhe shoqërojnë njëri-tjetrin. Ata i ngjajnë njëri - tjetrit në fjalë e vepra. Ky është një përkufizim i përgjithshëm, nga e cili nuk përjashtohet asgjë. Ndër subjektet më të rëndësishme që bëjnë pjesë në këtë gjykim janë profetët dhe, mbi të gjithë, janë Ulul Azmi (pesë profetët më të zgjedhur Nuhu, Ibrahimi, Musa Isa, dhe Muhamedi) dhe më i miri mes gjithë profetëve është Profeti i Fundit, Muhamedi (a.s.). Ai është më i miri dhe i pastërti i krijesave të Zotit, prandaj atij i takon të ketë më të mirat e mirësive. Cenimi i nderit të Aishes është cenim i nderit të Muhamedit. Dhe, në fakt, ky ishte qëllimi i munafikëve në të gjithë këtë histori. - Këta janë të pastër nga shpifjet që thuhen për ta. - Mjafton fakti që ajo ishte gruaja e Profetit (a.s), për të gjykuar për pastërtinë e dëlirësinë e saj. Ajo nuk mund të ishte ndryshe, përveçse e pastër, e mirë dhe larg atyre shpifjeve të neveritshme. E si mund të flisnin për Aishen që, përveç faktit të mësipërm, ajo ishte e sinqerta, e bija e të Sinqertit, e rritur në shtëpinë e të sinqertëve. Ajo ishte më e sinqerta e grave, më e mira, më e ditura dhe më e këndshmja mes tyre. Ajo ishte më e dashura e Profetit të Zotit të botëve. Ajo ishte gruaja e vetme në shtëpinë e së cilës iu zbrit Shpallja Profetit (a.s). Ndër gratë e Profetit (a.s.), vetëm në shtëpinë e Aishes ka zbritur Shpallja. Në

fund të këtyre ajeteve, Allahu i Madhëruar e tregon qartë pastërtinë e Aishes: - Për ta ka falje dhe shpërblim të begatshëm. - Në mënyrë të drejtpërdrejtë, fjala është për Aishen, ndërsa në mënyrë të përgjithshme është për të gjitha besimtaret e pastra e të ndershme. Për ta, Allahu i Madhëruar thotë: “ka falje dhe shpërblim të begatshëm." Pra, atyre Zoti ua ka falur të gjitha gjynahet dhe në Xhenetin e Tij do të kenë shpërblim e mirësi të shumta, si dhuratë nga Zoti i botëve.

← Nur 24:11