24. Nur · Ajeti 31 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:21–24:34
Ruanu e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën dreqi, sepse ai çdo herë përpiqet t'ju shpjerë në punë, të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t'ju shpëtojë prej punëve të liga.
Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos u dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mustahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet në Ebu bekrin. Ky vlerësim prej Zoti xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin.
Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqia burojnë prej të këqinjve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë kah të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, andaj për të mirin është e mira - Ajshja.
Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave që iu bëhen familjeve, kanë për qëllim edukimin e myslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj, vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj.
Frika nga varfëria për t'u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t'u ofrojë Zoti ndihmën e vet.
Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku feja islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja islame menjëherë parashtroi rregulla, sipas së cilave robërit do të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi paraqet kërkesën te zotëriu i vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi të kompensimit e të lirohet. Zotëriu e ka për detyrë që t'i ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:31
- “Thuaju besimtareve të ulin sytë ...” - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar grave besimtare. Kjo tregon për xhelozinë dhe përkujdesin e Tij për nderin e burrave të tyre, si dhe për t’i dalluar gratë besimtare nga cilësitë e ulëta të grave të kohës së injorancës dhe veprave të idhujtarëve. Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është ngjarja që vjen prej Mukatil Ibn Hajanit, i cili rrëfen: “Na është përcjellë, - dhe Allahu është më i ditur, - se Xhabir Ibn Abdullah el Ensari ka treguar se Esma Bintu Mirthed ishte në një dhomë të sajën në fisin e Beni Harithe. Ajo shikonte se si gratë shkonin e hynin tek ajo për vizitë pa veshur funde të gjata, duke iu shfaqur stolitë në këmbët e tyre, madje edhe gjoksi dhe flokët e tyre. Atëherë, Esmaja tha: “Sa e shëmtuar kjo paraqitje!” Pas kësaj, Allahu i Lartësuar zbriti: “Thuaju besimtareve të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) ...”. Domethënë, të ulin sytë, që të ruajnë shikimin e tyre nga ajo që Allahu e ka ndaluar që të shohin. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar gratë që t’i hedhin shikimet tek burra të tjerë, përveç bashkëshortit. Për këtë arsye, shumë dijetarë janë shprehur se është e palejueshme për gruan që të hedhë shikimin tek burrat e huaj, në mënyrë të prerë. Shumë prej tyre argumentohen me hadithin që Ebu Daudi dhe Tirmidhiu sjellin nga Ummi Seleme, që ishte njëherë tek Profeti i Allahut së bashku me Mejmunen dhe që tregon: 1948. “Kur ishim te Profeti i Allahut, erdhi Ibn Ummu Mektumi, i cili ishte i verbër. Kjo ndodhi pasi ne ishim urdhëruar që të mbuloheshim dhe kishin zbritur ajetet e mbulesës (hixhabit). Profeti i Allahut tha: “Mbulohuni prej tij!” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Po a nuk është i verbër ai dhe nuk na sheh e as nuk na njeh?” Profeti i Allahut tha: “Mos vallë, jeni të verbëra ju të dyja e nuk e shikoni atë?!” Tirmidhiu thotë që ky është një hadith hasen sahih. Ndërsa dijetarë të tjerë janë të mendimit se grave u lejohet të shohin burra të huaj, nëse është një shikim pa epsh dhe dëshirë. Në një hadith të saktë, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: 1949. “Një ditë Bajrami, abisinasit erdhën në xhami dhe filluan të luanin. Profeti (a.s.) më thirri. Unë e vendosa kokën mbi supin e tij dhe fillova ta shihja lojën e tyre. Vazhdova t'i shihja, derisa e lashë vetë.” - “... dhe të ruajnë nderin e tyre ...” - Ta ruajnë nga poshtërsia e imoralitetit dhe nga gjithçka që të çon në të, siç është shikimi ose vepra të tjera.
- “... të mos i zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme! ” - Të mos shfaqin bukuritë e tyre për të huajt, përveç asaj që nuk mund të fshihet, siç është veshja e sipërme ose ajo pjesë e pakët që mund të shfaqet prej rrobave të poshme, që i mbulon rroba e sipërme. Përcillet se Ibn Abasi ka thënë që ajeti: "...të mos i zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme!”, bën fjalë për fytyrën, dy pëllëmbët e duarve dhe unazat.” 95 Diçka e ngjashme është transmetuar edhe nga Ibn Umeri, Atau dhe tabiinë të tjerë. Ndërsa Maliku, duke shpjeguar pjesën: "... përveç atyre që janë të dukshme”, ka thënë: “Bëhet fjalë për unazat dhe varëset që vendosen rreth kyçit të këmbës.” Ka mundësi që Ibn Abasi dhe ata që pasojnë atë të kenë pasur për qëllim vetëm fytyrën dhe duart (e jo zbukurimet e tyre, si unazat). Ky është mendimi më i përhapur në shumicën e dijetarëve. Mbase një argument mbështetës për të mund të jetë edhe hadithi që sjell Ebu Daudi në Sunen-in e tij nga Halid Ibn Durejku, ky nga Aishja (r.a), se Esma, bija e Ebu Bekrit, hyri njëherë tek Profeti (a.s.), teksa kishte veshur rroba të holla. Ai i ktheu shpinën asaj dhe tha: 1950. “O Esma, kur vajza arrin moshën e pubertetit, asaj nuk duhet t’i shihet asgjë (nga të huajt), veç këtyre...” - dhe tregoi fytyrën dhe dy pëllëmbët.” Por Ebu Daudi dhe Ebu Hatim Razi thonë se ky hadith është mursel, sepse Halid Ibn Durejku nuk ka dëgjuar hadithe prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). - “Le të hedhin shamitë mbi kraharorin e tyre ...” - Domethënë, mbi kokat e tyre, në mënyrë të tillë që t’u mbulojë edhe qafën, edhe gjoksin, ndryshe nga forma e veshjes së grave në kohën e injorancës paraisla - mike, të cilat e zbulonin gushën, një pjesë të gjoksit të tyre, veshët dhe një pjesë të flokëve të tyre. Kështu, Allahu i Madhëruar i urdhëroi besimtaret që të mbulojnë trupin e tyre, siç thotë në ajetin tjetër: “O Profet! Thuaju grave e bijave të tua dhe grave besimtare që të hedhin mbulesën! Kjo është mënyra më e mirë që ato të njihen (se janë të ndershme) dhe që askush të mos i ngacmojë. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Ahzab 59]. El ħumur është shumësi i fjalës ħimar, që tregon një rrobë që mbulon kokën. Buhariu sjell hadithin nga Aishja, e cila ka thënë: “Allahu i mëshiroftë gratë e para muhaxhire, të cilat, kur Allahu e zbriti ajetin: “...le të hedhin shamitë mbi kraharorin e tyre.”, i shqyen fundet e veta dhe u mbuluan me to.” Pra, ato hapën nga një vrimë (sa për të parë) në mbulesat që hodhën në kokat e tyre, duke u mbuluar tërësisht. - “... dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt, përveçse burrave të vet ...” - Domethënë, bashkëshortëve të tyre: - “... etërve të vet ose etërve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, djemve të motrave të veta ...” - Të gjithë këta janë meharim për gruan, domethënë, kategoritë e meshkujve që asaj nuk i lejohet të martohet, prandaj i lejohet që të shfaqë një pjesë të bukurive të saj në prani të tyre, por jo me tepri. Ibn Mundhiri përcjell se Ikrima, pasi përfundoi këndimin e këtij ajeti, shpjegoi dhe tha: “Në këtë ajet nuk është përfshirë xhaxhai dhe daja, sepse ata mund t’ia përshkruajnë bukuritë e saj djemve të tyre. Kështu, tek xhaxhai dhe daja i saj, gruaja nuk e heq mbulesën e kokës.” Për sa i përket burrit, të gjitha këto ajete janë për nderin e tij, ndaj gruaja mund të bëjë përpara tij gjithçka, që në prani të të tjerëve nuk lejohet ta bëjë. - “... ose grave të tyre ...” - Gruas i lejohet që të shfaqë një pjesë të bukurive të saj grave të tjera muslimane, por jo grave që janë prej ehlu dhime, pra, krishtere ose jehude, që jetojnë në shtetin islam, me qëllim që ato të mos ua përshkruajnë pastaj burrave të tyre. Pa dyshim që, për të gjitha gratë nuk lejohet që t’ua përshkruajnë bukuritë e grave të tjera burrave të tyre, por muslimania e di se kjo është e ndaluar, prandaj dhe nuk e vepron diçka të tillë. Në dy Sahih-ët shënohet që Ibn Mesudi r.a. tregon se Profeti a.s ka thënë: 1951. "Gruaja
nuk duhet të shikojë ose të prekë një grua tjetër për t'ia përshkruar atë burrit të vet, sikur ai të jetë duke e parë atë.” Gjithashtu, Seid Ibn Mensuri sjell në Sunen-in e tij transmetimin nga Umer Ibn Hatabi, i cili i shkroi Ebu Ubejdes: “Më kanë njoftuar se disa gra të muslimanëve hyjnë në hamame të përbashkëta me gratë e idhujtarëve. Nda - loji ato nga kjo vepër, sepse nuk i lejohet një gruaje që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të zbulohet përpara grave të tjera, përveç grave besimtare të fesë së saj.” 96 Në lidhje me fjalën e Allahut: “ose grave të tyre”, Muxhahidi ka thënë: “Pra, gratë besimtare muslimane, me të cilat ato kë - mbejnë vizita, dhe jo idhujtaret. Nuk i takon gruas besimtare që të zbulohet përpara një idhujtareje ose jobesimtareje.” Ndërsa për sa i përket rrëfimit që Ibn Ebu Hatimi sjell nga Atau, se: “Kur shokët e Profetit ﷺ mbërritën në Bejtul Makdes, mamitë që asistonin në lindjet e grave të tyre (musli - mane) ishin gra jehude dhe të krishtera”, ai duhet parë si një lejim vetëm në raste domosdoshmërie.” - “... dhe robëreshave, të cilat i kanë në zotërimin e tyre ...” - Ibn Xheriri thotë se është fjala për skllavet idhujtare. Pra, lejohet që gruaja të shfaqë disa prej bukurive të saj edhe përpara kësaj kategorie, të cilat janë në shërbim e në kontakt të vazhdueshëm me të. Shumica e dijetarëve kanë thënë që: madje, i lejohet që të shfaqë një pjesë të këtyre bukurive edhe përpara shërbëtorëve të saj meshkuj, që i ka skllevër në zotërim (në kohën e skllavërisë). Ata argumentohen me hadithin që e sjell Ebu Daudi97 nga Enesi, që thotë se: 1952. “Profeti ﷺ i solli Fatimes një skllav, të cilin ia dhuroi asaj për t’i shërbyer. Ndërkohë, Fatimja kishte veshur një rrobë, e cila nëse i mbulonte kokën, nuk i arrinte tek dy këmbët dhe nëse i mbulonte këmbët, nuk mbulonte kokën. Kur e pa (përpjekjen e Fatimes për t’u mbuluar), Profeti ﷺ tha: “Nuk ka problem në lidhje me këtë, sepse ai është njëlloj si babai ose si djali yt.” 98 - “... ose shërbëtorëve që nuk ndiejnë nevojë për femrat ...” - Sikurse janë të skamurit, të cilët nga varfëria e madhe u shkojnë pas njerëzve për ndonjë ushqim, që janë të metë nga mendja e nuk kanë dëshirë dhe prirje drejt grave. Ibn Abasi shpjegon: “Bëhet fjalë për ata që janë të mangët nga mendja e të cilët nuk kanë prirje drejt grave dhe as i dëshirojnë ato.” Ndërsa Imam Ahmedi sjell hadithin Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të), e cila tregon: 1953. “(Një ditë) Profeti ﷺ erdhi tek unë dhe brenda gjeti një muħaneth (burrë me cilësi dhe sjellje femre) .99 Unë e dëgjova muħaneth-in duke i thënë (vëllait tim) Abdullah Ibn Ebu Umejes: “O Abdullah, nëse Allahu ju mundëson nesër që ta çlironi Taifin, merre të bijën e Gajlanit, ngase ajo ka katër tule barku para, që nga mbrapa duken tetë.” Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Këta të mos hyjnë në mesin tuaj (te gratë) !” Ky hadith është në të dy Sahih-ët. - “... ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra.” - Për shkak se ata janë të vegjël dhe nuk kuptojnë në lidhje me bukuritë e grave, nuk ndikohen nga fjalët e
tyre të buta e ledhatuese, nga mënyra e të folurit, nga ecja dhe lëvizjet e tyre. Por nëse hyjnë në moshën e adoleshencës dhe arrijnë të dallojnë çfarë është e shëmtuar dhe çfarë e bukur, që e duan dhe e shijojnë diçka të tillë, atëherë nuk u lejohet që të hyjnë mes grave. Ukbe Ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1954. “Kujdes! Mos hyni te gratë!” Një ensar tha: “O i Dërguari i Allahut, po nëse është kunati?” - “Kunati është si vdekja!”, - i tha Profeti ﷺ ”. - “Gjithashtu, të mos përplasin këmbët për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve për stolitë e tyre të fshehta. ” - Në kohën e injorancës paraislamike, gratë mbanin byzylykë në këmbë. Kur dilnin, ato e përplasnin këmbën fort në tokë, në mënyrë që burrat të dëgjonin tringëllimën e stolive. Kështu, Allahu i Lartësuar i ndaloi besimta - ret nga një veprim i tillë. Po kështu, çdo zbukurim i fshehur që lëshon në lëvizje ndonjë lloj zhurme, që mund të tërheqë vëmendjen e burrave, hyn në këtë ndalesë. Gjithashtu, gruaja është e ndaluar që të parfumoset kur del jashtë shtëpisë dhe burrat e huaj ndiejnë aromën e saj. Tirmi - dhiu sjell hadithin nga Ebu Musa (r.a), se Profeti ﷺ ka thënë: 1955. “Çdo sy bën zina. Nëse gruaja parfumoset dhe kalon pranë burrave të huaj, ajo është e tillë (pra, konsiderohet si e përdalë).” - “O ju që keni besuar! Pendohuni të gjithë tek Allahu, që të gjeni shpëtim!” - Zbatoni atë që ju ka urdhëruar Allahu, duke u stolisur me të tilla cilësi të larta dhe largohuni nga ato vepra që bënin njerëzit në kohën e injorancës, nga ato cilësi të urryera dhe ato sjellje të shëmtuara. Shpëtimi juaj është i lidhur ngushtë me zbatimin e asaj që ka urdhëruar Allahu dhe Profeti i Tij dhe me largimin nga çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe Profeti i Tij. Allahu i Lartësuar, Ai është i vetmi ndihmues, tek i Cili shpresojmë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:31
- Thuaju besimtareve të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) ... - Pasi i urdhëroi besimtarët që të ulin shikimet dhe të ruajnë dëlirësinë, Allahu i Madhëruar porosit për këtë edhe besimtaret: "Thuaju edhe besimtareve të frenojnë disa lloj vështrimesh". Pra, edhe ato ndalohen që të shohin vendturpin e burrave të huaj dhe t’i shohin ata me epsh apo me vështrime të palejueshme. - ... dhe të ruajnë nderin e tyre, ... – T’i ruajnë me kujdes, që të mos kryejnë marrëdhënie haram, por as të mos preken apo të shihen nga ata që nuk lejohet. - ... të mos i zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme! - Të mos lejojnë që të shikohen zbukurimet e tyre, siç janë rrobat e bukura dhe stolitë. Në fakt, i gjithë trupi i gruas është një ‘stoli’, që duhet mbajtur fshehur dhe mbuluar. Por duke qenë se rrobat që e mbulojnë do të duken patjetër, atëherë Allahu tha: "përveç atyre që janë të dukshme!" Pra, bëhet fjalë për rrobat e jashtme, që mbulojnë të gjitha stolitë e rrobat e bukura të brendshme. Rrobat e jashtme nuk duhet të tërheqin vëmendjen, por të jenë sa më normale dhe të mbulojnë mirë trupin. - Le të hedhin shamitë mbi kraharorin e tyre... - Kjo bëhet që të arrihet një mbulim sa më i plotë. Kjo tregon se “bukuritë” që duhen mbuluar dhe nuk duhen shfaqur
përfshijnë të gjithë trupin, sikurse përmendëm më lart. Pastaj përsëritet edhe njëherë ndalimi për shfaqjen e bukurive e zbukurimeve, duke përjashtuar disa raste, si më poshtë: - ... dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt, përveçse burrave të vet, etërve të vet ose etërve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet,... - Kategoritë e përjashtuara janë: - Bashkëshortët, baballarët e tyre ose baballarët e burrave të tyre, e po kështu edhe gjyshërit e çka sipër tyre. - Fëmijët, djemtë e tyre dhe djemtë e burrave të tyre, e çka poshtë tyre, nipër e stërnipër. - ....vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, ... - Vëllezërit e tyre ose bijtë e vëllezërve të tyre, qofshin nga babai e nëna bashkë, qofshin vetëm nga njëra anë. - ... djemve të motrave të veta, - Bijtë e motrave të tyre. - ose grave të tyre ... – Pra, gratë mund të shohin njëra tjetrën. Këtu mund të jetë qëllimi të gjitha gratë, qofshin besimtare ose jo. Por ka mundësi që të jetë për gratë besimtare, gjë që kuptohet nga përkatësia e thënë në ajet "gratë e tyre”. Pra, gratë që janë nga lloji juaj. Kështu argumentojnë ata që thonë se një grua muslimane nuk duhet të shihet nga një jomuslimane (dhim -mijeh) që jeton në shtetin islam. - ... dhe robëreshave, të cilat i kanë në zotërimin e tyre, ... – Domethënë, edhe skllavi lejohet të shohë zonjën e tij, nëse ai është tërësisht nën pronësinë e saj. Por nëse ai nuk është më pronë e saj ose pjesërisht bëhet pronë e dikujt tjetër, atëherë nuk lejohet më që ta shohë atë. - ... ose shërbëtorëve që nuk ndiejnë nevojë për femrat, ... - Bëhet fjalë për ata burra që ju shërbejnë juve dhe të cilët nuk janë të dhënë pas epsheve, ose sepse janë të mangët në mendje dhe nuk dinë ç’bëhet, ose e kanë humbur këtë ndjesi, ose nuk kanë epsh ndaj femrave as në trupin e tyre e as në zemër. Edhe këta nuk ndalohen që të shohin. - ... ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. - Fëmijët që janë nën moshën e pjekurisë e të dallimit. Edhe këtyre u lejohet të shohin gratë e huaja. Allahu i Madhëruar e justifikon lejimin duke thënë: "nuk e kanë arritur pjekurinë për gra." Ata nuk kanë arritur të dallojnë me epsh bukurinë e femrave. Ata nuk dinë gjë në këtë aspekt e nuk mendojnë për të, sepse ata nuk kanë epsh. Kjo tregon se, nëse fëmija ka arritur moshën e pjekurisë, gruaja duhet të ruhet nga shikimi i tij, sepse ai arrin të dallojë me epsh bukurinë e femrës. - Dhe të mos përplasin këmbët për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve për stolitë e tyre të fshehta. - Femrat të mos përplasin këmbët e tyre për tokë gjatë ecjes, që të ndihen stolitë që veshin nëpër gjymtyrë, si ato që lëshojnë zë kur ecën me nxitim. Në këtë rast, të tjerët i kuptojnë zbukurimet e fshehura dhe tek ta nxitet epshi. Në këto ajete e të tjera, flitet për atë që quhet " sed el dheria ", pra, marrja e masave për mbylljen e rrugëve të së keqes, ose ligjet parandaluese të së keqes. Nëse një çështje të çon në haram, ajo bëhet vetë haram, edhe nëse në origjinë është e lejuar. Kështu, përplasja e këmbëve në tokë është e lejuar në vetvete, por duke qenë se nga kjo zbulohen stolitë që ka veshur gruaja dhe shkakton provokim e fitne tek të tjerët, bëhet e ndaluar. Allahu i Madhëruar u ka dhënë besimtarëve e besimtareve urdhëresa të bukura dhe të vyera. Por, sigurisht, besimtarët do të kenë mangësira në zbatimin e tyre, prandaj Allahu i Madhëruar urdhëroi për pendim dhe tha: - O ju që keni besuar! Pendohuni të gjithë tek Allahu, që të gjeni shpëtim! - Ky është besimtari i vërtetë. Ai gjithmonë shkon drejt pendimit. Aq më tepër që Zoti e lidhi ngushtë fitoren e shpëtimin me këtë adhurim të veçantë - pendimin e sinqertë. Ai tha: "... Pendohuni të gjithë tek Allahu , që të gjeni shpëtim." Pra, nuk ka asnjë mundësi tjetër shpëtimi, veçse duke u penduar, duke hequr dorë nga gjithçka që Zoti nuk e do, qofshin ato të dukshme apo
të fshehura, dhe të kthehesh tek Ai me vepra të mira që Ai i do, qofshin këto vepra të mira, të dukshme apo të fshehura. Kjo tregon se çdo besimtar ka nevojë për pendim, sepse Allahu i Lartësuar iu drejtua të gjithë besimtarëve pa përjashtim. Ajeti është nxitje për të qenë të sinqertë në pendimin tonë, sepse Allahu thotë: “Pendohuni të gjithë tek Allahu”. Pra, pendohuni vetëm për hir të Tij e jo për ndonjë qëllim tjetër veç kënaqësisë së Tij. Shpeshherë, njeriu pendohet që thjesht të shpëtojë nga vështirësitë që i krijohen në të për shkak të gjynaheve, ose pendohet që të rregullojë famën dhe figurën e tij ndër njerëz. Kështu synimet dhe qëllimet mund të jenë të shumta, por ajo që kërkohet është që pendimi të bëhet vetëm që të kënaqet Zoti me ty. Besimtari duhet ta kuptojë që kjo është më e mira, sepse nëse Allahu kënaqet me të, atëherë çdo e mirë e dynjasë dhe e ahiretit do t’i afrohet dhe ai do të shpëtojë nga çdo e keqe në të dyja jetët.