24. Nur · Ajeti 32 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:21–24:34

Ruanu e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën dreqi, sepse ai çdo herë përpiqet t'ju shpjerë në punë, të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t'ju shpëtojë prej punëve të liga.

Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos u dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mustahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet në Ebu bekrin. Ky vlerësim prej Zoti xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin.

Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqia burojnë prej të këqinjve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë kah të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, andaj për të mirin është e mira - Ajshja.

Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave që iu bëhen familjeve, kanë për qëllim edukimin e myslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj, vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj.

Frika nga varfëria për t'u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t'u ofrojë Zoti ndihmën e vet.

Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku feja islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja islame menjëherë parashtroi rregulla, sipas së cilave robërit do të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi paraqet kërkesën te zotëriu i vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi të kompensimit e të lirohet. Zotëriu e ka për detyrë që t'i ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:32–24:34

Këto ajete të nderuara përfshijnë një mori çështjesh dhe dispozitash të prera dhe urdhëresash të ligjëruara nga Zoti. Allahu i Lartësuar thotë: - “Martojini të pamartuarit e të pamartuarat, robërit tuaj të ndershëm e robëreshat tuaja të ndershme!” - Ky është urdhër për të martuar këto kategori njerëzish. Një grup dijetarësh kanë dhënë mendimin se kjo është detyrë për të gjithë ata që e kanë mundësinë për ta bërë diçka të tillë. Ata e argumentojnë këtë mendim edhe me kuptimin e dukshëm të hadithit të Profetit ﷺ ,që thotë: 1956. “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit! Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin.” [Buhariu dhe Muslimi]. Po kështu, në Sunen-e dhe në versione të ndryshme vjen hadithi se Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: 1957. “Martohuni me gra që lindin shumë! Shtohuni, sepse unë do të krenohem me ju përpara popujve në Ditën e Kijametit.” Në

një transmetim tjetër shtohet: “...madje edhe me ata fëmijë që vdesin para se të lindin”. Fjala “el ejjâme”, që përdoret në ajet, është shumësi i fjalës “ejmun”, që tregon një grua ose burrë që aktualisht është i pamartuar, pavarësisht në kanë qenë të martuar më përpara apo jo. Kështu ka thënë El Xheuheri, një dijetar i gjuhës arabe. - “Nëse janë të varfër, Allahu i begaton me mirësitë e Tij. Allahu është Bujar i Madh dhe i Gjithëditur. ” - Ibn Abasi shpjegon: “Allahu i Lartësuar ka urdhëruar dhe nxitur që të martohen si ata që janë të lirë, ashtu edhe skllevërit, duke premtuar se, nëse bëjnë këtë, Ai do t’i pasurojë. Lejthi përcjell nga Ebu Hurejra hadithin se Profeti i Allahut ka thënë: 1958. “Tre njerëz, Allahu i Madhëruar ia ka bërë detyrë Vetes që t’i ndihmojë: atë që martohet për të ruajtur dëlirësinë e vet, skllavin që kërkon të paguajë lirinë e vet dhe që punon për të shlyer këtë detyrim, si edhe luftëtarin në rrugën e Allahut.” - “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbahen, derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e Veta! ” - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar për ata të cilët nuk kanë mundësi që të martohen, e kështu të mund të ruajnë pastërtinë morale. Këta duhet të përpiqen që ta ruajnë veten nga çdo haram e lidhje e ndaluar, sikurse ka thënë Profeti i Allahut: “O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin.” Domethënë, të agjërojnë e të bëjnë durim. Ky ajet është një urdhër për të qenë të përmbajtur e për t’u ruajtur, derisa Allahu i Madhëruar të krijojë mundësinë për t’u martuar. Ndërsa në suren Nisa bëhet një shtjellim më i hollë për raste të tilla. Në të, Allahu i Madhëruar e lejon martesën me skllave besimtare. Ai thotë: “Ai që nuk ka mundësi materiale që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me besimta - ret që ka në zotërim.” Por kjo bëhet me kushtet që përmenden më pas: “Martohuni me to me lejen e pronarëve të tyre dhe jepjuani mehrin sipas normave. Ato të jenë të ndershme, e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me partnerë (jashtëmartesorë) ...”. Megjithatë, në vijim i Lartësuari thotë: “Kjo është e lejueshme për ata që frikësohen se do të bien në imoralitet. Megjithatë, nëse përmbaheni, kjo është më mirë për ju. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Nisa 25]. Martesa me skllavet është bërë e lejuar me kushtin e sipërpërmendur. Ajo lejohet për atë që ka frikë se mos bie në imoralitet, për atë burrë i cili e ka të vështirë që të durojë në drejtim të marrëdhënieve intime, aq sa dobësohet dhe i rëndohet jeta. Në këtë rast, atij i lejohet të martohet me skllave. Megjithatë, nëse përpiqet më shumë e lufton me veten e vet për t’u ruajtur nga zinaja, është më mirë për të, sepse duke u martuar me një skllave dhe nëse ai bën fëmijë me të, ata fëmijë janë pronë e padronit të gruas. - “Nëse ndonjë nga ata që i keni në zotërim ju kërkon ta lironi kundrejt një tarife të caktuar, ia jepni aktlirimin me marrëveshje mes jush, nëse e dini se është i besueshëm, dhe jepini nga pasuria që ju ka dhënë Allahu!” - Ky është një urdhër tjetër nga Allahu i Lartësuar për padronët, që, nëse ndonjë prej skllevërve të tyre u kërkon atyre mundësinë për të paguar lirinë, ata t’ua ofrojnë këtë mundësi. Kjo bëhet e mundur duke iu dhënë mundësia robit që të punojë një punë diku tjetër dhe të fitojë pasuri për t’i paguar zotërisë së tij pagesën kundrejt lirimit. Shumë nga dijetarët kanë thënë se ky është një urdhër inkurajimi, por jo i detyrueshëm. Pra, është një urdhër që tregon se kjo vepër është e pëlqyeshme, por jo e detyrueshme. Kësisoj, zotëria është i lirë të zgjedhë që t’ia ofrojë këtë mundësi robit të tij ose jo. Buhariu ka thënë: Reuhi transmeton nga Ibn Xhurejxhi: I thashë Atait: Nëse e di që robi posedon pasuri, a e kam obligim ta liroj me pagesë? Ai më tha: E ke obligim dhe nuk di të jetë ndryshe. ” Amër Ibn Dinari thotë: I thashë Atait: E ke transmetuar prej dikujt (apo e the nga

vetja)? Ai m'u përgjigj: “Jo.” Pastaj më rrëfeu se Musa Ibn Enesi i kishte treguar se Sirini kishte kërkuar prej Enesit ta lironte me pagesë, por ai refuzonte, edhe pse Sirini kishte shumë pasuri. Kështu, shkoi tek Umeri, i cili i tha Enesit: Liroje me pagesë! Por, ai sërish refuzoi. Atëherë, Umeri e goditi me shkop dhe lexoi ajetin: “... Dhe nëse ndonjë nga ata që i keni në zotërimin tuaj kërkon prej jush ta lironi kundrejt një kompensimi të caktuar, atëherë ia jepni aktlirimin me marrëveshje mes jush...” (Nur, 33) Atëherë, Enesi e liroi me pagesë. Kështu e ka përmendur Buhariu tea’likan. Nga Dahaku transmetohet të ketë thënë se ky është një urdhër kategorik, pra, që është detyrë të përmbushet. Ndërsa Imam Shafiu në medhhebin e tij të ri, sjell mendimin se kjo nuk është e detyruar, e po kështu ka thënë edhe imam Maliku, Theuriu, Ebu Hanifja, etj. Ndërsa Ibn Xheriri ka zgjedhur mendimin se kjo është e detyrueshme, sipas kuptimit të drejtpërdrejtë dhe të dukshëm të ajetit. Vërej me kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: “...nëse shihni tek ata mirësi...”, pra, nëse dini dhe jeni të bindur se kanë ndonjë zanat e janë të aftë që të fitojnë e jetojnë jetën ndershmërisht; nuk bëhen barrë e rëndesë për njerëzit; janë të mirë dhe përpiqen në rujatjen e besimit të tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: “... dhe jepini nga pasuria që ju ka dhënë Allahu!”. Pra toleroni në lidhje me masën që ata detyrohen të paguajnë për lirinë e tyre duke u falur nje pjesë të saj. Ndërsa të tjerë kanë dhënë këtë shpjegim: Jepuni atyre nga pjesa e zekatit, që jua ka bërë detyrë Allahu. Me fjalë të tjera, këta janë ata persona të cilëve mund t’u jepet edhe prej zekatit të detyrueshëm, duke i ndihmuar të përmbushin kuotën e lirimit të tyre. Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. Ibn Abasi shpjegon: “Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që t’i ndihmojnë ata robër, të cilët duan të blejnë lirinë e tyre, duke toleruar për një pjesë të shumës që atyre u duhet të paguajnë. 100 Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin nga Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë se këtu bëhet fjalë për një të katërtën e shumës që ata duhet të paguajnë. Kjo është transmetuar edhe si një hadith merfu, pra, që i atribuohet Profetit ﷺ , por e vërteta është se ky transmetim është meukuf, pra, që i atribuohet Aliut (r.a) dhe jo Profetit ﷺ , siç e konfirmon Ebu Abdurrahman Es-Sulemi. - “Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë prostitucion, kur duan ndershmërinë, me qëllim që të fitoni nga të mirat e kësaj bote!” - Në kohën e injorancës paraisla - mike, padronët mund t’i shfrytëzonin skllavet e tyre për prostitucion, duke përfituar prej tyre, por kur erdhi Islami, Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët nga një veprim i tillë. Thuhet se shkak i zbritjes së këtij ajeti është ajo që kanë thënë shumë mufesirinë të mëhershëm dhe të mëvonshëm, në lidhje me Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulin, i cili kishte shumë skllave dhe i detyronte ato që të bënin prostitucion, duke u kërkuar që t’i paguanin atij kohëpaskohe atë shumë që ai u kërkonte. Madje, ai i shfrytëzonte edhe duke shpresuar që të fitonte nga fëmijët e tyre të shumtë, për të patur sa më shumë mbështetës. Ka shumë transmetime për këtë fakt. Mendo pak me kujdes në fjalën e Allahut të Lartësuar, kur thotë: “... kur duan ndershmërinë...”. Mos vallë, nëse ato nuk e kanë problem ndershmërinë, atëhere u lejohet ky veprim? Sigurisht që kjo fjalë nuk është thënë me këtë kuptim, por për të treguar se kështu është gjithmonë dhe se ato janë viktima, që nuk e dëshirojnë aspak një gjë të tillë. Allahu i Lartësuar thotë: “... me qëllim që të fitoni nga të mirat e kësaj bote!” Pra, kurrë mos bëni të tilla padrejtësi, që të përfitoni financiarisht nga kjo vepër e shëmtuar, nga shfrytëzimi i tyre në këtë punë të palejueshme dhe nga shfrytëzimi i fëmijëve të tyre. Profeti i Allahut e ka ndaluar diçka e tillë. Gjithashtu, Profeti e ka ndaluar fitimin nga bërja e hixhames, ashtu si pasurinë e përfituar prej prostitucionit ose përmes fallit. Në një transmetim thuhet: 1959. “Pasuria e fituar prej prostitucionit

është e pisët, ashtu si edhe fitimi nga puna e hixhames është i pisët. Edhe fitimi nga shitja e qenit është i pisët.” 101 - “E kush i detyron ato (për imoralitet) , Allahu i fal ato për shkak të atij detyrimi. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Nëse ju e bëni diçka të tillë, atëherë pa dyshim Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë për to, dhe gjynahu rëndon mbi ata të cilët i detyrojnë ato të kryejnë një veprim të tillë. Kështu ka thënë Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh. Në një hadith merfu nga Profeti ﷺ thuhet: 1960. “Allahu i Lartësuar ia ka falur umetit tim ato gjëra që i bën gabimisht, ato gjëra që i bën nga harresa dhe ato që bën nën kërcënim.”. Pasi Allahu i Lartësuari shtjelloi këto dispozita dhe rregulla, thotë: - “Ne ju kemi zbritur argumente të qarta ...” - Në Kuran ka ajete të qarta dhe të shtjelluara hollësisht. - “... shembuj nga historia e atyre që ishin para jush ...” - Ju sollëm në Kuran edhe lajme rreth popujve të shkuar dhe dënimeve që zbritën mbi ta, për shkak të kundërshtimit të urdhëresave të Allahut të Lartësuar nga ana e tyre. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Kur ata shkaktuan zemërimin Tonë, Ne i ndëshkuam, duke i përmbytur të gjithë. Kështu, Ne i bëmë ata shembull e mësim për të tjerët.” [Zuhruf 55, 56]. Pra, i bëmë që ju të merrni mësim dhe të ruheni nga ato harame. - “... dhe këshilla për ata që e kanë frikë Allahun.” - Për ata që i druhen Zotit, i frikësohen zemërimit dhe ndëshkimit të Tij. Duke përshkruar Kuranin, Ali Ibn Ebu Talibi ka thënë: “Tek ai është gjykimi mes jush, lajmet e popujve para jush dhe lajmet e atyre që do të vijnë më pas. Ai është ndarësi i drejtë në çdo çështje dhe nuk është lojë. Çdo tiran të padrejtë, që braktis Kuranin, Allahu ka për ta thyer dhe shkatërruar. Çdokush që kërkon udhëzimin e drejtë diku tjetër, veç asaj që tregon Kurani dhe dritës në të cilën udhëzon ai, Allahu ka për ta larguar dhe për ta lënë në humbje.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:32–24:33

- Dhe martojini të pamartuarit e të pamartuarat,... - Allahu i Madhëruar i urdhëron kujdestarët ligjorë dhe zotërinjtë që u dëgjohet fjala në fis, që të martojnë ose të bëjnë të mundur martesën e atyre që quhen "el ejama" - beqarë. Këtu përfshihen burrat, gratë e virgjëra apo ato të mbetura pa burra. Është detyrë për të afërmit dhe kujdestarët e jetimëve që të bëjnë të mundur martesën e beqarëve, për të cilët kanë detyrë përkujdesjen financiare. Kur ata janë urdhëruar të martojnë këtë kategori njerëzish, atëherë, sigurisht që urdhri për t’u martuar vetë është edhe më parësor për t’u përmbushur. - ... robërit tuaj të ndershëm e robëreshat tuaja të ndershme! - Ata robër e robëresha që janë të mirë, të ndershëm e të rregullt në besimin dhe moralin e tyre, është detyrë për zotërinjtë e tyre që t’i martojnë, si shpërblim për ndershmërinë dhe mirësinë e tyre, dhe për t’i nxitur edhe më shumë në këtë rrugë të mirësisë dhe besimit. Në fakt, ashtu siç u përmend në fillim të sures, me të përlyerit me imoralitet është e ndaluar martesa, derisa të pendohen. Duke marrë parasysh këtë, atëherë posaçërimi i këtij urdhri të Allahut për të martuar vetëm ata robër dhe robëresha që janë të mirë, merr një kuptim të veçantë. Ai është një përshkrim kufizues vetëm kur bëhet fjalë për martesën e skllevërve dhe skllaveve, e jo për martesën e atyre që janë të lirë, sepse zakonisht imoraliteti shfaqet tek skllevërit. Allahu i Lartësuar ka nxitur që padronët t’i martojnë skllevërit dhe skllavet, nëse janë të ruajtur nga ndyrësia e imoralitetit. Por ka mundësi që epiteti "të mirë" të ketë një kuptim tjetër: ata skllevër që janë ‘të mirë, të denjë për martesë dhe që kanë nevojë të madhe për martesë’. Këtë kuptim e mbështet edhe fakti që zotëria nuk e ka për detyrë që të martojë skllavin e tij para se ai ta ketë të nevojshme martesën. Sidoqoftë, nuk është e pamundur që të dyja kuptimet të jenë të sakta, pasi ajeti i përmban ato. Allahu është më i ditur.

- Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij. - Edhe nëse të sapomartuarit janë të varfër, Allahu ka për t’i pasuruar e furnizuar nga pasuria e Tij. Kurrë mos mendoni se, po të martoheni, atëherë do të varfëroheni dhe nuk do të keni mundësi ta përballoni jetesën, për shkak të fëmijëve. Ky ajet është një nxitje për martesë dhe një premtim nga Allahu se do ta pasurojë robin pas martese. - Allahu është Bujar i Madh dhe i Gjithëditur. - Mirësitë e Allahut janë të shumta dhe bujaria e Tij është e paanë. Ai është gjithashtu Alim - i Gjithëdituri. Ai e di mirë se kush i meriton mirësitë e Tij fetare dhe të kësaj dynjaje, ose ata që mund të meritojnë vetëm njërën prej tyre. Çdokujt Ai i jep atë që e di mirë dhe e gjykon të drejtë, sipas urtësisë së Tij. - Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbahen ... - Ky është gjykimi dhe porosia për ata që nuk mund të përballojnë financiarisht martesën. Allahu i Madhëruar i urdhëron që të bëjnë durim dhe të ruajnë dëlirësinë, duke iu shmangur harameve. Këta duhet të marrin masat që të mbrojnë nga haramet. Ata duhet të ruhen nga çdo shkak i mendimeve e shkëndijave joshëse, që nxisin epshet e zbukurimin e haramit. Gjithashtu, për ta dobësuar forcën e epshit duhet të përdorin këshillën profetike, që thotë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi që të martohet, le të martohet, e kush nuk ka mundësi, le të agjërojë! Kjo do t’ju ndihmojë (në përballimin e epsheve)". Ata të cilët nuk kanë mundësi për martesë janë të llojeve të ndryshme dhe janë privuar për shkaqe të ndryshme: ose për shkak të varfërisë së tyre, ose të varfërisë së padronëve të tyre (kur bëhet fjalë për martesën e skllevërve). Por mund të jetë edhe për shkak të refuzimit të martesës nga vetë ana e tyre, kështu që nuk kanë mundësi që t’i detyrojnë për martesë. Disa janë të mendimit se ajeti ka kuptimin: “Ata që nuk kanë mundësi për mehër." Pra, në ajet nënkuptohet mehri (dhurata martesore që i jepet gruas nga burri). Megjithatë, shpjegimi i parë është më i pranueshëm, sepse është gjithëpërfshirës dhe nuk është nevoja që të nënkuptojmë gjë. Dhe dihet mirë që kuptimi i drejtpërdrejtë, pa qenë nevoja që të nënkuptojmë diçka tjetër, është më parësor të pranohet. Kuptimi i parë është më gjithëpërfshirës dhe ngërthen edhe rastin e martesës së robërve e robëreshave, përveç rastit të varfërisë e pamundësisë për martesë. - ...derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e Veta! - Allahu i Madhëruar u premton durimtarëve që kujdesen për të ruajtur nderin, se do t’ua lehtësojë çështjet. Allahu i porosit që të presin lehtësimin nga Ai dhe të mos nxitohen, sepse kjo t’u sillte vështirësi mbi vështirësi. Me durim e vetëpërmbajtje, ata do ta kalojnë më lehtë gjendjen e vështirë. - Dhe nëse ndonjë nga ata që i keni në zotërimin tuaj kërkon prej jush ta lironi kundrejt një kompensimi të caktuar, atëherë ia jepni këtë mundësi me marrëveshje mes jush, ... – Nëse skllevërit

kërkojnë prej jush që të blejnë vetë lirinë e tyre, jepuani këtë mundësi. - ... nëse e dini se është i besueshëm ... - Nëse tek ata që kërkojnë të blejnë lirinë e tyre shihni “hajran” – mirësi, pra, nëse janë të aftë që të fitojnë e jetojnë jetën ndershmërisht, janë të mirë dhe përpiqen në rujatjen e besimit të tyre. Me këtë procedurë arrihen dy mirësi: 1. Mirësia e fitimit të lirisë për skllevërit. 2. Mirësia e pasurisë që fiton padroni nga puna e robit për fitimin e lirisë. Madje në liri, ai mund të punojë e përpiqet më shumë për t’i sjellë dobi e pasuri zotërisë së tij, se sa po të ishte në robëri. Kështu, padroni jo vetëm që nuk dëmtohet nga liria që i jep robit të vet, por edhe përfiton më mirë dhe më shumë. Nga ana tjetër, robi gjithashtu përfiton dhe gëzon lirinë e tij. Nga ky ajet kuptohet se Allahu ka urdhëruar që zotërinjtë t'ua mundësojnë robërve të tyre këtë procedurë lirimi kundrejt pagesës. Disa mendojnë se ky urdhër është jo i detyrueshëm, por i pëlqyeshëm që të zbatohet nga zotërinjtë. Allahu ka urdhëruar gjithashtu që ata të ndihmohen financiarisht për të arritur lirimin. Madje, ata konsiderohen si njëra nga kategoritë që përfitojnë nga zekati e sadakatë e njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë: - ... dhe jepini nga pasuria që ju ka dhënë Allahu! – Ky urdhër i drejtohet padronit, i cili mund t’ia lehtësojë e ulë detyrimin financiar që skllavi ka për të paguar. Ai u drejtohet gjithashtu edhe gjithë njerëzve të tjerë që të ndihmojnë skllavin el mukatib që të paguajë detyrimin financiar kundrejt zotërisë së tij, për të blerë lirinë e vet. El mukatib është një ndër kategoritë që përfitojnë nga zekati i njerëzve. Allahu i Madhëruar, po të vërejmë me kujdes, thotë: "jepjini nga pasuria që ju ka dhënë Allahu!" Pra, ashtu sikurse kjo pasuri që keni është pasuri e Allahut, që e ka lënë në duart tuaja, po ashtu edhe ju duhet të jepni prej saj dhe të tregoheni bamirës me njerëzit nevojtarë. Tregohuni bamirës e të mëshirshëm, ashtu sikurse u tregua Zoti bamirës dhe i mëshirshëm me ju! Nga ajeti kuptohet se nëse robi nuk kërkon nga zotëria i tij blerjen e lirisë, nuk është detyrë për zotërinë që ta fillojë ose propozojë diçka e tillë. Gjithashtu, kuptohet se, nëse nuk ka hajër në lirimin e robit dhe ai nuk është i aftë që të ndërtojë jetën e vet ndershmërisht, atëherë nuk duhet bërë kjo procedurë lirimi, sepse kështu ai do të kthehet barrë për njerëzit, i humbur e i pandihmuar. Edhe kur nuk ka fe dhe besim të mirë dhe, nëse lirohet, mund të shkaktojë probleme për shoqërinë, nuk i jepet kjo mundësi. Madje është e ndaluar që në të tilla raste të jepet liria, sepse është e dëmshme për të gjithë. - Mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë imoralitet, kur duan ndershmërinë, me qëllim që të fitoni nga të mirat e kësaj bote! - Ai ndaloi nga ajo praktikë në kohën e injorancës paraislamike, kur zotëria e detyronte skllaven e tij për prostitucion, për të fituar diçka nga kjo. Nuk lejohet që zotëria ta detyrojë skllaven për të bërë marrëdhënie intime që asaj nuk i lejohet, kur ajo do që të jetë e pastër. Madje, edhe nëse ajo është e përdalë, zotëria e ndalon dhe e ruan atë. Në kohën e injorancës ishte e përhapur praktika e përdorimit të skllaveve si prostituta, për të fituar nga ato. - ... kur duan ndershmërinë - Nuk lejohet që të bëni diçka të tillë. Si është e mundur që ato të jenë të pastra e të ndershme dhe ju të synoni imoralitetin dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime fitimi të kësaj bote të përkohshme? Ju duhet të ruani veten dhe ato nga marrëdhëniet e paligjshme dhe imoraliteti? Mos u joshni nga fitimi i pakët, që shumë shpejt do të zhduket. Fitimi i dëlirësisë e pastërtisë dhe personaliteti i panjollosur, është një pasuri shumë më e mirë se ai. Kjo do të mjaftonte që ju t’i largoheshit asaj vepre të ulët, pa përmendur këtu shpërblimin e madh në ahiret ose dënimin për atë që nuk bindet. Pastaj Allahu i Madhëruar i fton në pendim të gjithë ata që e kanë bërë këtë punë: - E kush i detyron ato (për imoralitet) , Allahu i fal ato për shkak të atij detyrimi.

– Le të pendohen tek Allahu i Lartësuar dhe le t’i japin fund kësaj vepre që e zemëron Atë. Nëse pendohen sinqerisht e ndalen, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. - Allahu Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Ai ia mbulon gjynahet dhe e mëshiron atë rob që e mëshiron vetveten duke u larguar nga rruga e ndëshkimit. Allahu i mëshiron edhe ata që i mëshirojnë skllavet e tyre dhe i ruajnë nga vepra të tilla të ulëta.

← Nur 24:32