24. Nur · Ajeti 34

سورة النّور
Përkthimi Sherif Ahmeti
34

وَلَقَدۡ أَنزَلۡنَآ إِلَيۡكُمۡ ءَايَٰتٖ مُّبَيِّنَٰتٖ وَمَثَلٗا مِّنَ ٱلَّذِينَ خَلَوۡاْ مِن قَبۡلِكُمۡ وَمَوۡعِظَةٗ لِّلۡمُتَّقِينَ

Ne u kemi shpallë juve argumente të qarta dhe shembuj nga ata që ishin para jush, e edhe këshillë për të ruajturit.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ruajuni e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën djalli, sepse ai çdo herë përpiqet t’ju shpjerë në punë të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t’ju shpëtojë prej punëve të liga. Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet, se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron, që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos ju dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: Unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mistahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet për Ebu Bekrin. Ky vlerësim prej Zotit xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin. Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqija burojnë prej të këqijve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë nga të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, prandaj për të mirin është e mira - Ajshja. Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave, që iu bëhen familjeve kanë si qëllim edukimin e muslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim, e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit, siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj. Frika nga varfëria për t’u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti, e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t’u ofrojë Zoti ndihmën e vet. Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku Feja Islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja Islame parashtroi menjëherë rregulla, sipas së cilave robërit duhet të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi i paraqet kërkesën zotërisë së vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi kompensimi e të lirohet. Zotëria e ka për detyrë që të ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.