24. Nur · Ajeti 52 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:35–24:52

Sipas Taberisë, interpretues i njohur i përmbajtjes së Kur'anit: drita e përmendur është Kur'ani në zemrat e atyre që i besuan, e për ta kuptuar njerëzit më lehtë, Zoti sjell shembullin e një drite të shkëlqyer, të cilën ata e fitojnë përmes mjeteve më të mira për ndriçim siç ishte kandili, qelqi, vaji etj.

Zemra e besimtarit është e shndritur me ajete të Kur'anit dhe me argumente të tjera sikurse vrima në të cilën është vënë drita e ndezur mes atij qelqi që flakëron prej dritës së kandilit. Argumentet e Zotit janë aq shumë të qarta për ata që mendojnë thellë e i studiojnë, sa që drita e tyre e kthjellët do të mjaftonte, edhe sikur të mos e përforconte Zoti atë dritë me shpalljen e Kur'anit. Mirëpo, me shpalljen e Kur'anit, Zoti ndriçoi aq fort zemrat sa që bestytnive nuk u mbeti vend.

Drita e besimit manifestohet pandërprerë prej besimtarëve nëpër xhamitë e shtëpitë e tyre, duke mos u shmangur nga zbatimi i detyrimeve dhe as përpjekjeve të përditshme të tyre për gjallërim.

Veprat e jobesimtarëve janë vetëm formale, janë artificiale, janë mashtruese sikundër valët që duken prej rrezeve të forta të diellit në ndonjë rrafshinë si të ishte ujë, e në realitet nuk janë asgjë. Janë aq shumë të humbur në errësirën e injorancës, sa që nuk e shohin as veten: pra janë të verbër.

Në disa nga këto ajete përshkruhet fuqia e pakufishme e Zotit xh. sh., e cila manifestohet përmes dukurive të llojllojta siç është shiu, ndërrimi i natës e ditës, krijimi i qenieve të ndryshme, përgatitja e çdo sendi në gjithësi për ta adhuruar Zotin në gjuhën e vet etj.

Hipokritët gjithnjë japin deklarata që nuk përputhën me ndjenjën e tyre të brendshme, e Zoti pranon vetëm ato deklarime që burojnë prej zemrës së pastër e të sinqertë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:47–24:52

- “Ata thonë: “Ne besojmë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe iu bindemi atyre.” - Allahu i Lartësuar na tregon cilësitë e munafikëve, të cilët shfaqin diçka të kundërt me atë që fshehin brenda shpirtit, ata që e shprehin besimin vetëm përmes gjuhës së tyre. Ata thonë: “Ne besojmë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe u bindemi atyre.” - “Por më pas, një grup prej tyre spra - psen.” Këta nuk janë besimtarë -Kështu, fjalët që thonë, ata i kundërshtojnë me veprat e tyre; ata thonë diçka që vetë nuk e veprojnë, prandaj ata nuk janë besimtarë: - “Kur thirren që, ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i Dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjen ftesës. ” - Kur ata ftohen që të pasojnë udhëzimin dhe gjykimin, që Allahu ia shpalli Profetit të Tij, ata i kthejnë shpinën dhe tregojnë mendjemadhësi, duke refuzuar. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “A nuk i ke parë ata që pohojnë se besojnë Shpalljen që të është dhënë ty (o Muhamed) dhe shpalljet e ardhura para teje, por (në të vërtetë) dëshirojnë që mes tyre të gjykojë tagut-i (shejtani), megjithëse janë urdhëruar ta mohojnë atë? Shejtani dëshiron t’i çojë ata shumë larg (nga e vërteta) . Kur u thuhet atyre “Ejani te Shpallja që ka sjellë Allahu dhe tek i Dërguari!”, dyfytyrakët të kthejnë shpinën.” [Nisa 60 - 61]. Nga Sumrate përcillet një hadith merfu, pra, që i atribuohet Profetit ﷺ, që thotë: 1976. “Nëse dikush thirret tek gjykuesi dhe nuk i përgjigjet thirrjes, atëherë ai është keqbërës dhe nuk ka asnjë lloj të drejte.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Por, nëse e drejta u takon atyre, ata i shkojnë atij krejt të bindur e me respekt.” - Nëse shohin se e drejta u takon atyre, ata shpejtojnë që të dëgjojnë gjykimin dhe t’i binden atij, pra, gjykimit të Profetit ﷺ dhe të Sheriatit. Ky është kuptimi i fjalës:

“mudh’inin”, pra, të gatshëm për t’u bindur në rastin kur gjykimi është pro tyre. Por nëse gjykimi është kundër tyre, ata e refuzojnë dhe kërkojnë që të gjykohen me ligj të padrejtë. Ata kërkojnë që ta marrin gjykimin tjetërkund, dhe jo te Profeti ﷺ ,me qëllim që të realizojnë padrejtësinë e tyre. Duhet theksuar se edhe pranimi i gjykimit në fillim, kur është në favor të tyre, nuk bëhet në formë nënshtrimi për të zbatuar ligjin e Zotit, por thjesht sepse përputhet me dëshirat dhe interesat e tyre. Ndërsa kur gjykimi bie ndesh me interesat e tyre, ata menjëherë i shmangen dhe kërkojnë gjykim tjetër. - “A thua kanë sëmundje në zemrat e tyre? Apo mos dyshojnë, vallë?! Apo mos kanë frikë se Allahu dhe i Dërguari i Tij do të gjykojnë padrejtësisht kundër tyre?!” - Çështja e tyre vetëm kështu mund të kuptohet. Pra, mundësia e parë është që në zemrat e tyre ka sëmundje, e cila nuk largohet asnjëherë. Mundësia e dytë është që në zemrat e tyre ka dyshime për vërte - tësinë dhe drejtësinë e kësaj feje. Mundësia e tretë është që ata frikësohen se mos Allahu dhe Profeti i Tij bëjnë padrejtësi me gjykimin e tyre. Secila nga këto qoftë në zemrat e tyre, ato janë shprehje e mohimit të pastër dhe të qartë. Allahu është i gjithëditur për secilin prej tyre dhe për çdo qëllim që kanë në zemër. - “Por jo! Ata dhe pikërisht ata janë vetë të padrejtët! ” - Ata janë të padrejtët, ndërsa Allahu dhe Profeti i Tij janë të pastër e larg nga të gjitha këto hamëndësime dhe trillime të tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon cilësitë e besimtarëve, të cilët i përgjigjen Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ata të cilët nuk kërkojnë fe e gjykim tjetër, veç Librit të Allahut dhe urtësisë së Profetit të Tij. - “Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i Dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi!” - Ata dëgjojnë dhe binden, prandaj Allahu i Lartësuar thotë se ata kanë arritur çdo të mirë dhe kanë shpëtuar nga çdo e keqe. - “Ata janë të shpëtuarit.” - Katadja thotë: “Na kanë treguar se Ebu Darda ka thënë: “Nuk ka Islam ndryshe, por veçse me bindje ndaj Allahut, dhe nuk ka mirësi ndryshe, veçse me përkushtim për të qenë me xhematin e muslimanëve, me përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve me Zotin e me Profetin e Tij, me këshillimin dhe përmirësimin e krijesave dhe besimtarëve në përgjithësi dhe të udhëheqësve në veçanti.” - “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, ai do të jetë fitimtari.” - Katadja shpjegon: “Janë ata që i binden Allahut dhe Profetit të Tij në zbatimin e gjithçkaje që ata urdhërojnë dhe në largimin nga çdo gjë që ata na ndalojnë; ata që i frikësohen Allahut për gjynahet e tyre të shkuara dhe që janë të kujdesshëm në gjithçka që veprojnë më pas. Pikërisht për këta bën fjalë ky ajet. Allahu i Lartësuar thotë: “ata do të jenë fitimtarët”, pra, ata që fitojnë çdo të mirë dhe janë të shp ëtuar nga çdo e keqe, qoftë në dynja, qoftë në ahiret.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:51–24:52

- Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi. ” - Besimtarët e vërtetë janë ata të cilët e shprehin imanin nëpërmjet veprave të tyre. Një nga cilësitë e tyre është edhe bindja dhe nënshtrimi i plotë e pa rezerva ndaj ligjit dhe gjykimit të Zotit dhe Profetit të tij, në çdo rast, qoftë kur është pro dëshirave të tyre, qoftë kur është kundër. Kur ata ftohen që mes tyre të gjykojë Allahu e Profeti i Tij, "...e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi.” Domethënë, e dëgjuam me respekt ligjin dhe gjykimin e Zotit dhe të Profetit dhe iu përgjigjëm e iu bindëm atij që na fton në zbatimin e tij. Ne i bindemi tërësisht e pa asnjë rezervë këtij gjykimi. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë: - Ata janë të shpëtuarit. - Allahun e përkufizon el felahu -n vetëm tek ata. El felahu është fitorja dhe realizimi i gjithçkaje të mirë që njeriu e synon dhe shpëtimi nga çdo gjë së cilës i druhet në të dyja botët. Askush nuk mund ta arrijë këtë mirësi,

veçse atyre që gjykohen përmes ligjit të Allahut dhe Profetit, duke qenë të bindur dhe të kënaqur me të. Pasi përmendi vlerën dhe shpërblimin e madh të atyre që i binden dhe nënshtrohen ligjit dhe gjykimit të Zotit dhe Profetit në rastet që kërkojnë gjykim, i Lartësuari tregon shpërblimin e madh të atyre që i binden Atij dhe Profetit përgjithësisht, në të gjitha gjendjet dhe veprat. Ai thotë: - Kush i bindet Allahun dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë). - Këta i besojnë mesazhet dhe kumtet e Zotit dhe Profetit si të vërteta dhe u përmbahen me korrektësi dhe sinqeritet urdhëresave dhe ndalesave të tyre. Ata gjithashtu ia kanë frikën Allahut. Ata i frikësohen Zotit me një frikërespekt që buron nga njohuria e thellë për Të dhe madhështinë e Tij, me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Kjo frikë dhe njohuri e plotë i bën që gjithmonë të jenë të kujdesshëm në çdo ndalesë të Zotit dhe ta frenojnë veten, prandaj Allahu thotë: "...dhe i përmbahet udhëzimit të Tij." Ata i ruhen dhe i druhen zemërimit dhe dënimit të Zotit të tyre, që e njohin mirë, duke lënë çdo gjë të ndaluar. Termi “ takua” (devotshmëri), kur përmendet i vetëm në një tekst Sheriati, nënkupton kryerjen e urdhëresave dhe lënien e ndalesave. Ndërsa kur përmenden së bashku me terma të tjerë, si birru (bamirësi) dhe ta’atu (bindje), atëherë takua nënkupton lënien e poshtërsive e ndalesave të Zotit, ndërsa bamirësia e bindja nënkuptojnë kryerjen e urdhëresave. Ata fatlumë të cilët i kanë të dyja këto cilësi, bindjen ndaj Zotit e Profetit (kryerjen e urdhëresave) dhe frikën ndaj Tij, dituri dhe takua, ata janë el faizunë - të shpëtuarit. El feuzu është shpëtimi nga ndëshkimi. Ata janë të shpëtuar nga ndëshkimi, sepse bëjnë atë që konsiderohet si mburojë nga ndëshkimi, pra: 1. " El hashije ", që është frika nga Zoti, e cila ndërtohet nga njohuria e plotë për Të dhe 2. El takua, që është ruajtja nga gjynahet e ndalesat. Ata arritën gjithashtu edhe shpërblimin, sepse bëjnë atë që është shkak për të, pra, realizojnë bindjen ndaj Zotit e Profetit, duke kryer urdhëresat e tyre me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin dhe korrektësisht siç janë urdhëruar. Prandaj el feuzu është i kufizuar veç për ta. Ndërsa ata që nuk janë përshkruar me cilësitë e këtyre të zgjedhurve, nuk e arrijnë kurrë ‘ el feuzi’-n, për shkak të neglizhimit dhe cenimit të atyre cilësive të lavdërueshme (el hashije, el takua). Në këtë ajet përmendet një e drejtë që njerëzit duhet ta plotësojnë, në lidhje me Zotin dhe Profetin, dhe një e drejtë të veçantë vetëm ndaj Zotit. E drejta e përbashkët ndaj Zotit dhe Profetit është bindja e plotë në atë që ata urdhërojnë e ndalojnë dhe të gjykuarit sipas ligjeve të Sheriatit. Në varësi të kësaj bindjeje është edhe grada e imanit, sepse imani e presupozon bindjen ndaj Zotit dhe Profetit. Ndërsa haku i veçantë vetëm për Zotin është el hashijetu, - pra, frika ndaj Zotit, si pasojë e diturisë për madhështinë e Tij, dhe el takua - pra ruajtja nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Ndërsa për sa i përket të drejtës që ka Profeti në mënyrë të veçantë, ai është respektimi dhe nderimi i figurës së tij. Të trija këto lloj të drejtash Allahu i Madhëruar i ka përmendur në suren Fet'h (ajetet 8, 9), kur thotë: "Ne të dërguam ty si dëshmitar, si përgëzues dhe paralajmërues. Që ju (o njerëz) ta besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilin ta përkrahni e ta respektoni, dhe që ta lartësoni (Allahun) mëngjes e mbrëmje.". Pra, e drejta e Zotit dhe Profetit është besimi në Zotin dhe Profetin me iman korrekt e të plotë, që presupozon gjithashtu edhe bindjen e nënshtrimin. E drejta e Profetit në mënyrë të veçantë është të ndihmojmë, t’i qëndrojmë në krah dhe ta respektojmë figurën e tij. E drejta e Zotit në mënyrë të veçantë është: t’i bëjmë lavde mëngjes e mbrëmje, ta lavdërojmë përmes emrave, cilësive e veprave të tij dhe ta dëlirësojmë e të

dëshmojmë se është i pastër nga çdo mangësi dhe e metë.

← Nur 24:52