25. Furkan · Ajeti 41 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 25:35–25:49

"As-habur ressi" - banorët e Resit ishin një popull që i adhuronin idhujt. Zoti e dërgoi tek ata Shuajbin, por ata nuk i besuan dhe duke qenë ata rreth atij pusi të parrethuar me mur, u shemb toka edhe e përmbysi tërë atë vend. Ka mendime se ai vend ishte në Entakije ku e mbytën Habib En Nexharin, apo se ishte diku në Azerbejxhan etj.

Arabëve iu ishte mëshiruar besimi ndaj idhujve, andaj ishte vështirë të binden se ai ishte besim i kotë, sepse kishte edhe të atillë që kur shihte ndonjë gur të mirë, e përvetësonte si zot për vete. Ata nuk dëgjonin me vëmendje Kur'anin, e as nuk e studionin domethënien e tij, ata ishin si kafshët, prandaj Pejgamberit i thuhet se ti nuk je përgjegjës për rrugën e tyre të gabuar.

Të mirat e dhuruara prej Zotit siç janë: hija, dielli, nata, gjumi, dita, shiu etj. përpos që dokumentojnë për Krijuesin e madhëruar, meritojnë të jenë shkas për mirënjohje e falënderim ndaj Fuqiplotit, por vazhdimësia dhe përsëritja e të mirave, bën që dikush të mos i vlerësojë sa duhet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 25:41–25:44

- “E kur të shohin ty, të marrin vetëm për tallje: “Vallë, ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” - Allahu i Lartësuar na tregon për talljet dhe nënçmimin që shfaqnin idhujtarët për Profetin e Tij, siç thotë edhe në një ajet tjetër: “E kur të shohin ty ata që nuk besojnë, fillojnë dhe tallen: “Ky është ai që përgojon zotat tuaj?” [Enbija 36]. Kështu, ata përçmonin figurën e Profetit, - Allahu i mallkoftë dhe i shëmtoftë fytyrat e tyre! - “Ai gati do të na kishte sprapsur prej zotave tanë, sikur të mos kishim qenë qëndrestarë e besnikë ndaj tyre. ” - Ata donin të thoshin me këto fjalë se Profeti gati i devijoi, gati i bëri ata që të hiqnin dorë nga adhurimi i idhujve të tyre, nëse ata nuk do të bënin durim dhe nuk do të ishin këmbëngulës në rrugën e të parëve të tyre. Por Allahu i Lartësuar, duke i kërcënuar ata, thotë: - “Shumë shpejt, kur ta shohin qartë dënimin, do ta mësojnë se kush ishte më larg së vërtetës! ” - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “A e ke parë ti atë që ka zgjedhur si zot pasionin e vet? ” - Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar i qartëson Profetit të Tij të dashur faktin se, atë të cilin Ai e ka shkruar që të jetë fatzi, që do të zhytet në humbje, askush tjetër, veç Atij, nuk ka mundësi dhe forcë që ta udhëzojë, t’ia hapë sytë dhe ta drejtojë. Allahu i Lartësuar do t’ia zbukurojë e do

t’ia bëjë të dashur robit atë që vetë ai, me zgjedhjen e tij të lirë, do ta dëshirojë dhe pasojë. Kështu, robi do ta konsiderojë atë rrugë të zgjedhur nga vetë ai, si një fe dhe besim, që nuk ka për t’iu ndarë asnjëherë, siç thotë i Lartësuari në këtë ajet: “Atëherë, a është i njëjtë ai të cilin e joshin veprat e këqija dhe i sheh ato si të mira me atë, që e sheh qartë të vërtetën? Allahu e lë në humbje atë që dëshiron dhe e udhëzon atë që dëshiron. Prandaj ti mos u dëshpëro për ta! Allahu e di mirë atë që bëjnë ata.” [Fatir 8]. I tillë është edhe ai i cili e lëshon veten pas epsheve pa fre dhe pa menduar gjatë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e ndëshkon atë, për shkak të punëve të tij të ulëta, dhe kështu e lë atë në humbje, pikërisht ashtu siç e meriton, me zgjedhjen që bëri. - “Mos vallë, ti do të bëhesh mbrojtës për të?!” - Ti nuk mund të jesh kurrsesi kujdestar, ndihmës apo ai që mund ta drejtojë dhe udhëzojë atë. - “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë si bagëti. Madje ata janë edhe më të humbur nga Udha e Drejtë. ” - Ata janë në gjendje shumë më të keqe se bagëtite e kullotës, sepse ata i shoqërojnë Allahut idhuj si të barabartë me Të, edhe pse u ka ardhur argument i qartë kundër këtij besimi të kotë, edhe pse u janë dërguar profetët, që t’i udhëzojnë në rrugën e drejtë. Atyre u është kumtuar qartë mesazhi i Zotit, tërësisht i kuptueshëm dhe thjeshtësisht i kapshëm dhe i zbatueshëm.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 25:41–25:44

- E kur të shohin ty, të marin vetëm për tallje: “A ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” - Kur mohuesit e së vërtetës dhe armiqtë e shpalljeve të Allahut, të cilët sillen me arrogancë dhe mendjemadhësii në tokë, të shohin ty, ata fillojnë të tallen dhe të nënçmojnë, duke thënë: “A ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” Pra, sikur thoshin: është e papërshtatshme dhe jo e gjetur që Zoti të dërgojë profet një njeri si Muhamedi (a.s.). Por ky ishte produkt i padrejtësisë dhe inatit të madh që kishte mbushur zemrat e tyre, saqë çdo gjë e shihnin mbrapsht. Sipas mendimit të tyre, - Allahu i poshtëroftë! - Profeti ishte shumë i përçmuar dhe i pavlerë, prandaj dhënia e profetësisë dikujt tjetër do të ishte më e përshtatshme. Në një ajet tjetër thuhet: "Pastaj (mohuesit kurejshë) thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kur'an një njeriu të madh (me famë) në këto dy qytete (Meke dhe Taif)?!” Mos, vallë, janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri -tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata." [Zuhruf 31]. Sigurisht, këto lloj fjalësh burojnë nga njerëzit më injorantë dhe të padrejtë, ose nga ata që janë të mbushur me inat dhe shpërfillin të drejtën, duke pasur si synim të vetëm cenimin e së vërtetës dhe mbizotërimin e kotësisë. Nëse do të mendonin pak për cilësitë dhe sjelljen e Muhamed ibn Abdullahit (a.s), do ta shihnin qartë se ai ishte një burrë i madh plot vlera dhe virtyte të larta, i pakrahasueshëm në logjikë, në arsyen e shëndoshë e mendjen e mprehtë, i pashembullt dhe i paarritshëm në moralin e lartë dhe shijen e hollë, i rrallë në ndershmërinë, trimërinë dhe bujarinë e tij. Ai i kishte të gjitha cilësitë e vyera. Atë mund ta urrente dhe përçmonte veçse një injorant dhe dështak i pashembullt, një mendjelehtë e kontradiktor, një i padrejtë dhe armiqësor. Mjafton si tregues i injorancës së dikujt fakti që ai cenon dhe nënçmon figurën e këtij Profeti madhështor, të urtë, të nderuar dhe fisnik. Në fakt, qëllimi i tyre me talljen dhe përçmimin e Profetit ishte këmbëngulja dhe ngurtësia në kotësinë e tyre dhe mashtrimi i mendjelehtëve, për t’i larguar nga rruga e tij (a.s).

- Ai gati do të na kishte zmbrapsur prej zotave tanë sikur të mos kishim qenë qëndrestarë e besnikë ndaj tyre.” - Kuptimi: Po të mos bënim durim, ky njeri do të na devijonte nga zotat tanë. Allahu i shëmtoftë! Ftesën e Profetit për të njësuar Zotin si një të vetëm dhe të pashoq e konsideronin si devijim nga rruga e mirë. Sipas tyre, idhujtaria ishte rruga e drejtë, nga e cila nuk duhej të largoheshin për asnjë arsye, ndërsa teuhidi i Zotit ishte devijim dhe largim nga rruga e drejtë, gjë e cila kërkonte durim e këmbëngulje që të mos ndodhte, prandaj dhe këshillonin njëri tjetrin për durim, siç thuhet në këtë ajet: "Paria nga mesi i tyre vijuan duke i thënë njëri-tjetrit: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, sepse kjo është një gjë e kurdisur." [Sad 6]. Ndërsa këtu thuhet: “Ai gati do të na kishte zmbrapsur prej zotave tanë sikur të mos kishim qenë qëndrestarë e besnikë ndaj tyre.” Në fakt, durimi është i lavdërueshëm në çdo rast tjetër, përveç këtij, sepse ky është durim në kotësi dhe në punë që sjellin zemërimin e Allahut dhe shkak për t’u bërë lëndë djegëse e Xhehenemit. Ndërsa besimtarët bëjnë durim në përhapjen e së vërtetës, sikurse thotë i Lartësuari: "Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri -tjetrin për të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim." [Asr 3]. Me këto fjalë, idhujtarët mëtonin se ata ishin në rrugë të drejtë, kurse Profeti ishte në të kotën. Duke qenë se ata e refuzonin besimin e drejtë, Allahu i Lartësuar i kërcënoi me ndëshkim dhe njoftoi se kur ai ndëshkim të vijë, ata do ta kuptojnë se kush ishte më larg të vërtetës: - (Të mjerët!) Shpejt do ta mësojnë, kur ta shohin qartazi dënimin, se kush ishte më larg së vërtetës. - Ata do ta mësojnë me siguri të plotë: "... se kush ishte më larg së vërtetës." Allahu i përshkruan ata kështu: "Atë ditë, keqbërësi do të kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “Oh, i mjeri unë! Sikur të kisha ndjekur udhën e drejtë së bashku me Profetin!”Ah! I mjeri unë! Sikur të mos e kisha bërë mik aksh njeri! Në të vërtetë, ai më largoi mua prej udhës së drejtë (të Zotit) pasi më pati ardhur (qartësisht dhe plotësisht). Shejtani është veçse tradhëtar për njeriun." [Furkan 27 – 29]. E ku ka më të humbur sesa ai që, si zot të vetin, që e adhuron dhe i nënshtrohet, ka epshin, që e çon vetëm në shkatërrim! Prandaj i Lartësuari thotë: - A e ke parë ti atë, që si të adhuruarin e tij ka zgjedhur pasionin e vet? - A nuk çuditesh nga gjendja dhe humbja ku ai është zhytur? Por ajo që është më e çuditshme është fakti se një i tillë e gjykon veten sikur është në gradat më të larta. - Mos vallë, ti do të bëhesh mbrojtës për të?! - Pra, ti nuk mund të jesh imponues dhe përgjegjës për ta. Detyra jote është vetëm qortimi e këshillimi i qartë. Në fakt, ti e ke kryer detyrën tënde dhe tashmë llogaria e tij është tek Zoti. - A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë si bagëti. Madje ata janë edhe më të humbur nga Udha e Drejtë. - Allahu i Madhëruar na tregon edhe një aspekt tjetër të humbjes së tyre: faktin që Ai i ka privuar nga aftësia për të dëgjuar dhe logjikuar të mirën. Ai i përgjason ata, në aspektin e humbjes dhe devijimit të tyre, me bagëtitë, të cilat dëgjojnë veçsen zëra dhe thirrje. Ata janë shurdhë, memecë e të verbër, që nuk logjikojnë aspak. Madje ata janë edhe më të humbur se bagëtitë, sepse ato të paktën i drejton bariu dhe ato marrin udhën që ai u tregon, duke u ruajtur nga rreziqet. Gjithashtu, përfundimi i tyre është më i paqtë sesa i këtyre të mjerëve. Nga të gjitha këto kuptohet qartë se ai që shpif dhe nënçmon Profetin e Zotit e meriton vërtet për t’u përçmuar dhe përshkruar me të tilla cilësi të ulta. Madje çdo bagëti është në gjendje më të mirë sesa të tilë njerëz të humbur.

← Furkan 25:41