25. Furkan · Ajeti 68 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 25:61–25:76

Në këto ajete përshkruhen disa nga virtytet e robërve të Zotit. Të gjithë njerëzit janë robër të Zotit, meqë janë krijesa të Tij, por këtu është fjala për robërit që i do Zoti, që meritojnë të quhen robër të Zotit, të cilët janë të pajisur me cilësi të mira. Sipas Kurtubis, "Tbadur Rrahman", këta janë cilësuar me njëmbëdhjetë virtyte: janë të matur në ecje, janë të butë, falen natën, i kanë frikën zjarrit të xhehenemit, nuk janë shkapërderdhës në shpenzime e as dorështrënguar, nuk adhurojnë tjetër pos Allahut, ruhen prej zinasë dhe mbytjes, pendohen prej punëve të këqia, i ikin rrenës, pranojnë këshillën dhe vazhdimisht i luten Allahut. Në fund shpjegohet se shpërblimi i tyre është vendi më i lartë i xhennetit.

Lutja e vazhdueshme ndaj Allahut është: lutja që bashkëshortja, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të jenë në rrugë të drejtë, në rurgën që e caktoi Allahu, të jenë në besim të drejtë dhe të jenë vepërmirë, sepse vetëm atëherë ekziston shpresa se së bashku do të kënaqen në xhennet, pra nuk ka kënaqësi më të madhe për njeriun se kur familja e tij është në rrugë të drejtë, lutja për të qenë shembull i të mirave tërheq pas vete shpërblim edhe prej veprave të tjerëve, të cilët veprojnë mirë sipas shembullit të tij. Në suren el Hadid, flitet për bashkimin e fëmijëve me prindërit për hir të besimit...

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Furkan", 1 qoftë lavdërimi prej meje Allahut të Gjithëmëshirshëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 25:68–25:71

- “Janë ata që veç Allahut, nuk i luten asnjë zoti tjetër dhe nuk e vrasin atë, të cilin Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe nuk bëjnë imoralitet. ” - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi: 2002. “I Dërguari i Allahut u pyet njëherë: “Cili është gjynahu më i madh tek Zoti?” Ai tha: “T’i bësh Zotit shok në adhurim, kur është Ai që të ka krijuar.” - “Po pastaj?” - Të vrasësh fëmijën tënd, nga frika se mos ushqehet me ty.” - “Po pastaj?” - “Të bësh imoralitet me gruan e fqinjit tënd.” Abdullahi rrëfen: “Allahu i Lartësuar zbriti ajetin që e përforcon këtë fjalë: “Janë ata që veç Allahut, nuk i luten asnjë zoti tjetër...”. Ky është varianti i Nesaiut. Megjithatë, hadithin e kanë sjellë edhe Buhariu me Muslimin, në versionin e të cilëve thuhet se ishte Ibn Mesudi, i cili pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cili është gjynahu më i madh tek Zoti?...” Nesaiu sjell hadithin nga Seleme Ibn Kajsi, se në Haxhin e Lamtumirës, Profeti ﷺ tha: 2003. “Janë 4 gjëra, që duhet t’i zbatoni...” Betohem në Allah (thotë Seleme), që, kur i kam dëgjuar ato prej Profetit ﷺ ,nuk ka patur gjë tjetër për të cilat kam qenë më i përkushtuar për t’i zbatuar. Ai tha: “Mos i shoqëroni asgjë Allahut në adhurim, mos vrisni askënd që Allahu e ka ndaluar, veç sipas ligjit; mos bëni zina dhe mos vidhni!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Mikdad Ibn Esuedi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti i Allahut u tha njëherë shokëve të tij: 2004. “Çfarë mund të thoni në lidhje me imoralitetin?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë haram, e kështu imoraliteti do të jetë haram deri në Ditën e Kijametit.” Atëherë, Profeti ﷺ u tha shokëve të tij: “Nëse një burrë bën zina me 10 gra të ndryshme, është më e lehtë tek Zoti, sesa të bëjë zina me gruan e komshiut të Tij.” Pastaj tha: “Çfarë mund të thoni në lidhje me vjedhjen?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë haram, prandaj vjedhja është haram.”. Profeti ﷺ tha: “Nëse dikush vjedh 10 shtëpi të ndryshme, është më e lehtë sesa të vjedhë shtëpinë e komshiut të vet.” Ebu Bekër Ibn Dunja sjell hadithin nga Hejthem Ibn Malik et Tai se Profeti ﷺ ka thënë: 2005. “Pas idhujtarisë, nuk ka gjynah me të madh tek Allahu sesa kur një burrë hedh farën e vet në një bark që nuk i lejohet.” Ibn Xhurejxhi sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili tregon: 2006. “Disa idhujtarë kishin vrarë shumë njerëz duke e tepruar dhe kishin bërë imoralitet duke e tepruar. Pastaj shkuan tek Muhamedi ﷺ dhe i thanë: “Në të vërtetë, ajo në të cilën na fton është shumë e bukur dhe e mirë, nëse do të na premtoje se për çdo punë të keqe që kemi bërë më parë ka falje.” Atëherë, zbritën ajetet: “Janë ata që, veç Allahut, nuk i luten asnjë zoti tjetër...”. Po ashtu edhe ajeti: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Dhe, kthehuni te Zoti juaj (me pendim dhe bindje) dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni më të mirës që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e ndjeni. ” [Zumer 53 - 55]. Na kanë thënë se Lukmani i urtë i thoshte shpesh të birit: “O biri im, kujdes dhe ruaju nga imoraliteti, sepse në fillim sjell frikë, kurse në fund është dëshpërim.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Kush i bën këto, e pret ndëshkimi ( el ethâm).” - Abdullah Ibn Amri ka thënë: “ El

ethâm është një luginë në Xhehenem.” Ndërsa Ikrima ka thënë që “ el ethâm” janë shumë lugina në Xhehenem, ku ndëshkohen imoralët.” - “Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kijametit ...” - Domethënë, i shumëfi - shohet e i ashpërsohet ndëshkimi. - “... dhe aty mbetet përgjithmonë i poshtëruar.” - Domethënë, i përulur, i përbuzur, i përçmuar. - “Përveçse nëse pendohet, beson dhe bën vepra të mira. ” - Allahu i Lartësuar na tregon se ata që bëjnë të tilla vepra të shëmtuara do të ndëshkohen, përveç atyre që janë penduar në këtë botë, kur pendimi ende është i pranueshëm. Ajeti tregon qartë se edhe ai që ka kryer krimin e vrasjes është e mundur të pendohet sinqerisht dhe t’i pranohet pendimi. Në suren Nisa, Allahu i Lartësuar thotë: “Çdokush që vret një besimtar qëllimisht, dënimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është zemëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe ka përgatitur për të dënim të rëndë.” [Nisa 93]. Disa mund të mëtojnë se mes këtyre dy ajeteve ka kontradiktë. Në të vërtetë, nuk është ashtu, sepse ajeti i sures Nisa është përgjithësues, ndërsa ajeti në suren Furkan është më i specfikuar dhe tregon se pendimi i vrasësit është i mundur dhe ka mundësi të pranohet. Ajeti i sures Nisa, edhe pse është zbritur në Medinë (pra, nuk është i shfuqizuar), ai është një ajet i përgjithshëm, i cili mund të specifikohet me ajete te tjera. Kështu, mund të themi se ai ajet bën fjalë për ata të cilët bëjnë këtë vepër të tmerrshme dhe nuk pendohen. Pra, ai i cili vret një besimtar me qëllim, dhe pastaj nuk pendohet tek Allahu i Lartësuar, kërcënohet me ndëshkimin e përmendur në suren Nisa. Në këtë mënyrë, edhe pse është një ajet i përgjithshëm, ai është posaçëruar me ajete të tjera, siç është ajeti në fjalë. Madje, po në suren Nisa vijnë ajete, që tregojnë se pendimi i sinqertë pranohet, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu nuk fal t’i shoqërohet Atij shok; ndërsa të tjerat, përveç këtij (gjynahu), ia fal atij që Ai dëshiron. Ai që i përshkruan Allahut shok, ka humbur shumë larg (nga rruga e drejtë) .” [Nisa 116]. 116 Po kështu, ka edhe hadithe, ku tregohet se pendimi i vrasësit është i pranueshëm, si hadithi në dy Sahih-ët i atij që kishte vrarë 10 njerëz dhe donte të pendohej.117 - “Këtyre Allahu ua shndërron të këqijat në të mira. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Për këtë ajet ka dy mendime dhe më i sakti është ai që thotë se: të gjitha veprat e këqija që janë kryer në të shkuarën, shndërrohen, nëpërmjet pendimit të sinqertë e të vërtetë, në sevape dhe punë të mira. Nuk është e çuditshme të ndodhë diçka e tillë, nëse kuptojmë se, sa herë që njeriu kujton gjynahet e shkuara të tij, ai shpreh keqardhje dhe i kërkon vazhdimisht falje Allahut të Lartësuar. Në këtë mënyrë, gjynahet e shkuara bëhen shkak që robi të bëjë një punë të mirë, siç është kërkimi i faljes, keqardhja për gjynahet e shkuara dhe pendimi i sinqertë, të cilat janë shprehje e bindjes ndaj Allahut të Lartësuar. Në këtë këndvështrim, punë e këqija shndërrohen në sevape. Kështu, Ditën e Kijametit, edhe nëse robi i gjen të shkruara ato gjynahe të shkuara, ato nuk kanë për ta dëmtuar aspak, madje do të shndërrohen në punë të mira. Në Sunet dhe nga selefët kanë ardhur shumë fjalë, në lidhje me këtë çështje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut tha njëherë: 2007. “Unë e njoh banorin e fundit që do të hyjë në Xhenet, i cili është njëkohësisht banori i fundit që do të dalë nga Zjarri. Ai është një burrë që do të sillet Ditën e Kijametit dhe do të thuhet: ‘Shfaqjani gjynahet e vogla, kurse të mëdhatë mos ia shfaqni!’ Kur i shfaqen gjynahet e vogla, i thuhet: ‘Në filan ditë ke vepruar kështu e kështu. E në filan ditë ke vepruar kështu e kështu.’ - ‘Po’, - thotë ai dhe nuk mund t'i mohojë, por njëkohësisht frikësohet se mos i shfaqen edhe gjynahet e mëdha. Pastaj i thuhet: ‘Për çdo vepër të keqe ke nga një të mirë.’ Ai thotë: “O Zot, kam bërë disa gjëra, që nuk

po i shoh këtu!” E pashë të Dërguarin e Allahut të qeshë, aq sa iu duken edhe dhëmballët.” Imam Muslimi është i vetmi në sjelljen e këtij hadithi. Hafidh Ebu Kasim Taberaniu përcjell nga Ebu Malik el Eshariu, se Profeti i Allahut ka thënë: 2008. “Kur biri i Ademit fle, meleku i thotë shejtanit të mallkuar: “Më jep librin tënd (ku gjenden të shkruara gjynahet e robit)!’ Pasi ai ia jep, sa herë që meleku gjen në librin e vet (të veprave të mira) ndonjë punë të mirë të robit, i fshin nëpërmjet saj 10 vepra të këqija që gjenden në librin e shejtanit dhe i shkruan ato si vepra të mira. Nëse dikush nga ju shkon që të flejë, le të thotë “Allahu ekber” 33 herë, “El hamdu lillâh” 34 herë dhe “ Subĥanallah” 33 herë. Kështu bëhen plot njëqind.” 118 Taberaniu sjell hadithin nga Feruete, që rrëfen se ai shkoi te Profeti i Allahut dhe i tha: 2009. “Çfarë thua për një person, i cili i ka bërë të gjitha llojet e gjynaheve, pa lënë as të madhe dhe as të vogël pa bërë, a ka pendim për të?” I Dërguari i tha: “A e pranove Islamin?” Ai tha: “Po!” Atëherë Profeti ﷺ tha: “Tani bëj punë të mira dhe lëri të këqijat, se Allahu ka për t’i kthyer ato të gjitha mirësi për ty.” Ai e pyeti: “Po tradhtitë dhe poshtërsitë që kam bërë, edhe ato do të m’i kthejë në të mira?” Profeti ﷺ tha: “Po!” Atëherë, ai filloi të bënte tekbire, derisa u largua dhe humbi nga sytë e Profetit ﷺ ”.Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon rreth mëshirës gjithëpërfshirëse të Tij. Ai na njofton se, çdokush që pendohet sinqerisht, Ai ka për t’ia pranuar pendimin për të gjitha gjynahet, qofshin të mëdha apo të vogla, të rëndësishme apo të parëndësi - shme, në dukje. Allahu i Lartësuar thotë: - “Kushdo që pendohet dhe bën vepra të mira, ai është kthyer, me të vërtetë tek Allahu me një pendim të sinqertë. ” - Allahu i Lartësuar e pranon pendimin e tij. Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten me padrejtësi, pastaj kërkon falje tek Allahu, do ta gjejë Allahun Falës e Mëshirëplotë.” [Nisa 110], ose: “A nuk e dinin ata se Allahu i pranon pendimin e robërve të Vet dhe sadakatë e tyre, dhe se është Allahu Ai që e pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë?” [Teube 104]. Ose: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Dhe, kthehuni te Zoti juaj (me pendim dhe bindje) dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni më të mirës që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e ndjeni.” [Zumer 53 - 55]. 119

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 25:63–25:77

- Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin nëpër Tokë të qetë,... - Nënshtrimi ndaj Zotit është dy llojesh: 1. Nënshtrim ndaj rububijes së Tij. Këtë lloj nënshtrimi e kanë të gjitha krijesat, si muslimanët, ashtu edhe mohuesit, të mirët dhe të këqijtë. Pra, të gjithë janë rob dhe të nënshtruar ndaj Allahut, nën kujdesin dhe sundimin e Tij. Zoti thotë: "Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob." [Merjem 93]. 2. Nënshtrim ndaj uluhijes, pra, të qenurit rob dhe i nënshtruar për të adhuruar Zotin dhe për të kërkuar mëshirën e Tij. Ky lloj nenshtrimi dhe adhurimi është nënshtrimi i profetëve dhe evlijave të Zotit. Është pikërisht ky lloj nënshtrimi dhe përunjësie që përmendet në këto ajete. Allahu i Madhëruar i quan ata ‘rob e të nënshtruar në adhurimin ndaj Rahmanit’, pra, rob të Rahmanit, për të treguar se ata arritën në këtë gradë nëpërmjet mëshirës së Tij. Ai thotë se cilësitë e tyre janë më të mirat. Ja si i përshkruan Ai robërit e Tij në një ajet tjetër: "... janë ata të cilët ecin nëpër tokë të qetë." Janë të qetë, modestë, të përulur ndaj Allahut dhe të sjellshëm dhe të mirë me krijesat e Tij. Ky është përshkrimi dhe pamja e tyre: ata janë plot fisnikëri, qetësi e modesti si në sjellen me Zotin, ashtu edhe në sjelljen me krijesat. - ... e kur injorantët u drejtohen atyre me fjalë (fyese), ata thonë: “Paqe (selâm)!””- Kur njerëzit u drejtohen me fjalë injorantësh dhe të padrejtësh, ata thonë: ‘ Selam’. Pra, u thonë fjalë që nuk të ngarkojnë me gjynah dhe fjalë që nuk janë të njëjta me fjalët e injorantëve. Kjo është një lëvdatë për ta, sepse i përshkruan si të dhembsur, të mëshirshëm e të butë. Janë aq të butë e tolerantë, saqë edhe keqbërësve u përgjigjen me bamirësi dhe falje. Ata i karakterizon një logjikë e shumë ekulibruar dhe maturi e pashembullt. Janë pikërisht maturia dhe mençuria e tyre që i bën të sillen në këtë mënyrë të vetëpërmbajtur. - Janë ata, që për hir të Zotit të tyre, natën e kalojnë duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (duke falur namaz). - Ata falin shumë namaze gjatë natës, me përunjësi dhe sinqeritet për Zotin e tyre. Allahu i latërsuar thotë: "Trupat e tyre largohen prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre me frikërrespekt dhe me shpresë dhe nga ajo me të cilën i kemi begatuar, ata japin." [Sexhde 16]. - Janë ata që thonë: “O Zoti ynë! Largoje prej nesh vuajtjen e Xhehenemit...” - Largoje atë prej nesh, duke na ruajtur nga çdo vepër që të afron pranë tij dhe duke na i

falur dhe mbuluar ato gjëra që i kemi bërë dhe për të cilat meritojmë dënimin. - ... sepse vuajtja në të është, vërtet gjëja më e rëndë!”. - Ndëshkimi është i pandashëm nga banorët e Zjarrit, ashtu siç nuk i ndahet borxhdhënësi borxhliut, sepse kërkon hakun e vet. - Shumë i keq është, vërtet ai (Xhehenemi), si vendbanim dhe vendqëndrim. - Kjo është shprehje përunjësie dhe lutje me përgjërim, që ia drejtojnë Zotit. Ata i qahen Atij dhe i thonë se nuk mund të përballojnë atë ndëshkim. Por e thonë edhe për të kujtuar mirësitë e Allahut ndaj tyre, sepse mirësia e largimit të së keqes është në varësi të asaj të keqeje dhe përmasave të saj. Sa më e madhe të jetë e keqja që është larguar, aq më i madh është gëzimi dhe lumturia për të. - (Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit) Janë ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar,... - Këtu përfshihen shpenzimet e detyrueshme dhe ato të pëlqyeshme. Pra, edhe në drejtim të shpenzimeve ata janë të ekuilibruar. Ata nuk e teprojnë duke shpenzuar vend e pa vend, duke hyrë në sërën e shpërdoruesve dhe të atyre që cenojnë detyrimet. Gjithashtu, ata "...nuk janë dorështrënguar...", pra, nuk bëhen kopracë, që të mos plotësojnë detyrimet financiare. Ata gjejnë një të mesme të artë. - ...por mbajnë mesataren e janë të matur. - Ata nuk e teprojnë dhe nuk i përflasin shpenzimet e tyre. Allahu i përshkruan si kauama - të matur. Pra, ata shpenzojnë për plotësimin e detyrimeve, duke dhënë zekatin, duke kryer kompensimet dhe detyrimet financiare në formën e duhur dhe korrekte, pa shkaktuar dëme dhe pa neglizhenca. Kjo tregon për drejtësinë dhe për mirëmenaxhimin e pasurisë nga ana e tyre. - Janë ata që veç Allahut, nuk i luten asnjë zoti tjetër... - Ata e adhurojnë Alahun si një e të vetëm, me sinqeritet e korrektësi, duke zbatuar fenë e drejtë e të vërtetë. Ata i përkushtohen dhe dedikohen tërësisht Atij dhe heqin dorë nga gjithçka tjetër që të paditurit adhurojnë. - ... dhe nuk e vrasin atë, të cilin Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e meriton në bazë të drejtësisë, - Atë që Zoti e ka ndaluar të vritet është muslimani, ose edhe jomuslimani që ka marrëveshje paqeje me muslimanët. Vrasja e tyre lejohet veçse në raste të veçanta, të përcaktuara nga ligji i Zotit, si p.sh. në rastin e dënimit për krimin e vrasjes, ose të imoralitetit të atij që është i martuar ose kur e ka lejuar Zoti në ligjin e Tij. - ... dhe nuk bëjnë imoralitet. - Ata e ruajnë vendturpin, nderin dhe dëlirësinë e tyre, siç thotë i Madhëruari: "...edhe ata që e ruajnë ndershmërinë e vet dhe shkojnë veç me gratë e veta ose me robëreshat që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajësohen. Ndërsa ata që kërkojnë më tepër, ata janë të shfrenuarit." [Mu'minun 5 -7]. - Kush i bën këto, e pret ndëshkimi. - Ai që bën këto krime, si idhujtaria, vrasja e padrejtë dhe imoraliteti, "e pret ndëshkimi" Atë e presin dënime të shumta. Më pas, Allahu e përforcon këtë, duke thënë: - Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kjametit dhe aty mbetet përgjithmonë i poshtëruar. - Ata do të marrin ndëshkim poshtërues të përjetshëm. Ky ajet duhet kuptuar mirë. Ndëshkimi i përjetshëm në Xhehenem është i padiskutueshëm dhe i sigurt për atë që i bën të gjitha këto krime, si shirkun, vrasjen etj. Po kështu, ka ndëshkim të përjetshëm edhe ai që bën shirk edhe sikur të mos bëjë asnjë nga gjynahet e tjera të përmendura në ajet. Allahu ka kërcënuar me këtë ndëshkim të ashpër çdo njeri që bën një nga këto krime, ose për shkak të shirkut, ose për shkak se bën një nga gjynahet e mëdha që e bëjnë të meritueshëm këtë kërcënim. Por a e përjetësohet në Xhehenem vrasësi dhe imorali (nëse nuk bëjnë shirk)? Përgjigjja është jo. Ata nuk i përfshin përjetësimi në Xhehenem, sepse këtë e tregojnë shumë tekste të sakta nga Kur'ani dhe Suneti. Ato tregojnë se asnjë besimtar nuk do të

përjetësohet në zjarrin e Xhehenemit, edhe sikur të bëjë shumë gjynahe. Allahu i Lartësuar ka përmendur në mënyrë të veçantë këto tri gjynahe, sepse ato janë gjynahet më të mëdha. Shirku shkatërron fenë dhe besimin, prandaj të përjetëson në Xhehenem, ndërsa vrasja dhe imoraliteti janë përkatësisht cenimi i jetës dhe i nderit të njerëzve. - Përveçse nëse pendohet, beson (me besimin e drejtë) dhe bën vepra të mira.... - Ata që pendohen nga këto gjynahe e të tjera dhe heqin dorë menjëherë nga ato, duke shprehur pendesë për atë që ka shkuar dhe kanë vendosur që të mos u kthehen më atyre gjynaheve. Së dyti, "...besojnë". Pra, ata besojnë Allahun me një besim korrekt dhe të saktë, gjë që nënkupton largimin nga gjynahet dhe përmbushjen e urdhrave të Zotit. Së treti: "... bëjnë vepra të mira...". Të tilla janë veçse ato punë që i ka urdhëruar Sheriati të kryhen, duke synuar veçse kënaqësinë e Zotit. Këtyre njerëzve, Allahu i Lartësuar u premton diçka të mrekullueshme: - Këtyre Allahu ua shndërron të këqijat në të mira. - Veprat dhe fjalët e tyre, që ishin gjynahe, tashmë shndërrohen në fjalë dhe vepra të mira, që sjellin sevape dhe bindje ndaj Zotit. Kështu, shirku i tyre shndërrohet në iman të pastër e korrekt, veprat e këqija e mosbindja shndërrohen në mirësi dhe bindje ndaj Zotit. Gjithashtu, të gjitha punët e këqija u shndërrohen në të mira, nëse për çdo punë të keqe që robi ka bërë është penduar dhe ka bërë punë të tjera të mira, të cilat i fshijnë të këqijat. Kjo kuptohet qartë nga ajeti. Në këtë lloj kuptimi është sjellë edhe një hadith, ku flitet për një burrë, të cilin Zoti e mori në llogari për disa nga gjynahet e Tij dhe ia numëroi ato. Pastaj ia zëvendësoi çdo punë të keqe me një punë të mirë. Atëherë njeriu i thotë: “O Zoti im! Unë kam bërë të këqija, të cilat nuk i shoh këtu!” Allahu është më i ditur për gjithçka. - Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Ai është Gafuran - Falësi më i Madh. Allahu i fal të gjitha gjynahet, edhe ato më të mëdhatë, nëse robi pendohet e nënshtrohet të kthehet tek Ai. Allahu është Rrahim - Mëshirëplotë, për robërit e Tij adhurues, sepse i fton ata që të pendohen, edhe pse ata e kanë tepruar me gjynahe të mëdha, pastaj u jep sukses që të pendohen, dhe pastaj e pranon pendimin e tyre. - Dhe kushdo që pendohet dhe bë n vepra të mira, , ai është kthyer, me të vërtetë tek Allahu me një pendim të sinqertë. - Le ta dinë këta fatlumë se pendimi i tyre është tërësisht i plotë, pasi është tregues i kthimit në një rrugë që të çon tek Allahu. Kjo është vetë lumturia, sepse është arritje e çdo të mire dhe shpëtim nga çdo e keqe. Prandaj, le të pendohet gjithmonë njeriu dhe të bëjë vepra të mira, duke patur të pastër qëllimin dhe sinqeritetin e tij. Qëllimi këtu është nxitja për ta bërë pendesën në formën më të plotë, sepse ajo do t’i paraqitet Allahut, i Cili do të shpërblejë në varësi të shkallës së kësaj pendese. - (Adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë duke gënjyer dhe, kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e shmangur me dinjitet. - Këta nuk iu afrohen fjalëve dhe veprave të ndaluara. Ata iu largohen të gjitha vendeve dhe përzierjeve me fjalë dhe vepra të ndaluara. Të tilla janë p.sh., tallja me ajetet e Allahut, polemika me kotësi kundër të vërtetës, përgojimi, përçarja mes muslimanëve, fyerja dhe shpifjet, tallja e përqeshja, muzika, pijet dehëse, shtrojet e mëndafshta, etj. Kur ata as që u afrohen këtyre gjynaheve, sigurisht që edhe nuk i flasin apo bëjnë. - Edhe ata që, kur këshillohen me Ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën sikur të ishin të shurdhër e të verbër. - Kur Ai i urdhëron që të dëgjojnë urdhëresat dhe të marrin udhëzim prej tyre, ata: "...nuk u kthejnë shpinën si të shurdhër e të verbër." Pra, nuk ua kthejnë shpinën ose të mbyllin veshët. I Lartësuari thotë: "Argumentet Tona i besojnë veç ata të cilët, kur këshillohen me to, bien me fytyrë në

tokë (bëjnë sexhde) , e madhërojnë dhe lëvdojnë Zotin e tyre me tesbiĥ dhe ata kurrë nuk bëjnë kryelartësi." [Sexhde 15]. Pra, ata i pranojnë me respekt dhe mirënjohje porositë dhe urdhëresat e Zotit të tyre, duke treguar varfërinë dhe nevojën e tyre të madhe për to, përkushtimin dhe impenjimin për t’i zbatuar, dorëzimin e plotë për të jetuar sipas tyre. Ata i dëgjojnë me vëmendje të plotë dhe zemrat e tyre i kuptojnë kumtet e Allahut, prandaj atyre u shtohet imani dhe u forcohet siguria. Atyre u shtohet vullneti dhe forca për punë të mira dhe ndiejnë kënaqësi dhe lumturi me gjallërinë që fitojnë në besimin e tyre. - Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë! Na dhuro kënaqësinë që gratë tona dhe pasardhësit tanë të jenë kënaqësia e syve tanë,...” - Na jep shoqëri, miqësi dhe bashkëshorte të mira! Na jep edhe pasardhës të mirë, që të na kënaqin sytë dhe shpirtin tonë! Nëse lexojmë mirë gjendjen e këtyre fatlumëve, i kuptojmë mirë ambiciet dhe vullnetin e tyre të lartë. Me këtë gradë të lartë të besimit, ata nuk qetësohen, derisa t’i shohin qartë miqtë dhe fëmijët e pasardhësit e tyre të bindur ndaj Zotit dhe adhurues të mirë. Ata duan t’i shohin të ditur dhe punëtorë të palodhur me diturinë e tyre. Në fakt, duke u lutur për miqtë, gratë dhe pasardhësit e tyre, ata luten edhe për veten e vet, sepse dobia e gjithë kësaj kthehet tek ata vetë. Prandaj po të vëresh me kujdes, kur u lutën për këtë, ata e konsideruan si dhuratë për vetë ata, prandaj thonë heb lena - Na dhuro kënaqësinë që gratë tona dhe pasardhësit tanë të jenë kënaqësia e syve tanë. Kjo dua është në dobi të të gjithë muslimanëve, sepse rregullimi i këtyre që u përmendën, është shkak që sjell rregullim edhe për të tjerët. - ... e na bëj udhëheqës të të devotshmëve! - Na ngrij, o Zoti ynë, në këtë gradë të lartë, në gradën e siddikinëve të sinqertëve dhe atyre adhuruesve që janë të kompletuar. Kjo është grada e imamit në fenë e Zotit dhe grada e të qenurit shembull për të devotshmit, në fjalë dhe vepra. Njerëzit marrin shembull nga veprat e tyre dhe gjejnë qetësi me fjalët e tyre. Njerëzit e mirë ecin pas tyre, gjejnë udhëzimin e drejtë dhe bëhen udhëzues të të tjerëve. Sigurisht që lutja për diçka është dhe lutja për gjithçka, pa të cilën ajo nuk mund të arrihet. Dhe kjo gradë, pra, grada e udhëheqësit në fenë e Zotit mund të arrihet veçse me sabër dhe jakin, siç thotë Zoti: "Prej tyre Ne bëmë prijës që, me urdhrin Tonë, udhëzojnë (në udhën e drejtë), pasi ata ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të sigurt. [Sexhde 24]. Pra, kjo është lutja që Zoti të të bëjë ty durimtar në bindjen ndaj Tij, durimtar që të ruhesh nga gjynahet dhe mosbindja, durimtar gjatë fatkeqësive dhe belave të caktuara nga Zoti. Është dua që Zoti të të japë diturinë e plotë që e çon robin në gradën e jakinit sigurisë së plotë. Këto cilësi dhe punët e mira i sjellin robit mirësi të shumta dhe dhurata të mëdha nga Zoti. Ata do të jenë në gradat më të larta që mund të arrijnë krijesat pas profetëve. Duke qenë se synimet dhe ambiciet e tyre ishin të larta,

Allahu i shpërbleu sipas punës së tyre me grada të larta në xhenet. Ai thotë: - Këta janë ata që do të shpërblehen me vendin më të lartë në qiell për shkak se ishin durimtarë... - Ato janë grada shumë të larta dhe vendbanime të bukura, në të cilat është mbledhur çdo kënaqësi që të kënaq sytë dhe shpirtin. Të gjitha këto shpërblime janë produkt i durimit të tyre, siç thotë i Lartësuari: "(Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum ! Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme!”[Ra'd 23, 24]. Prandaj këtu thotë: - dhe aty do të priten me përshëndetje dhe selam. - Selami u vjen prej Zotit, prej melekëve dhe prej njëri -tjetrit. Gjithashtu, ata janë në paqe dhe të sigurt për çdo gjë që i shqetëson nga lodhja e pakënaqësia. Janë në lumturi dhe prehje. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar adhuruesit e Tij të dashur me disa cilësi. Ata ecin të mbuluar nga qetësia dhe prehja, janë shumë me moral të lartë dhe edukatë të pashembullt, mëshirë e butësi, falje e tolerancë. Janë falës ndaj atyre që u bëjnë padrejtësi dhe që i fyejnë me fjalë, largohen plot finesë dhe mirësjellje nga ata injorantë, ata falen shumë gjatë natës me sinqeritet e pastërti për Zotin, janë të frikësuar nga zjarri i Xhehenemit, prandaj luten me përunjësi dhe përgjërim që të shpëtojnë nga ky ndëshkim. Ata japin nga pasuria e tyre, për shpenzime të detyrueshme ose të pëlqyeshme, por duke qenë të matur: ata nuk e teprojnë as duke dhënë e as duke mos dhënë. Atëherë, duke qenë të matur në këtë aspekt, - që zakonisht njerëzit e kanë të vështirë të jenë të matur, - në çështje të tjera janë edhe më të matur: ata janë të ruajtur nga gjynahet e mëdha dhe janë të kujdesshëm me sinqeritetin ndaj Zotit në të gjitha adhurimet. Ata ruhen nga derdhja e gjakut të pafajshëm dhe cenimi i nderit të ndokujt. Edhe nëse ndodh që të gabojnë, ata me të shpejtë pendohen dhe kthehen. Ata e ruajnë veten dhe nuk marrin pjesë në ato vende ku bëhen gjynahe qoftë me fjalë, qoftë me vepra, sepse ruhen që të mos i bëjnë vetë. Ata nuk thonë fjalë të ulta dhe nuk bëjnë vepra të shëmtuara ose të kota, në të cilat nuk ka mirësi. Kjo tregon për personalitetin, dinjitetin dhe humanizmin e tyre të plotë. Ata respektojnë dhe nderojnë veten duke u larguar nga çdo gjë e ulët, me fjalë apo me vepra. Ata i dëgjojnë me vëmendje dhe respekt ajetet e Allahut dhe përpiqen të kuptojnë drejt kumtet e tyre e t’i zbatojnë ato. Ata përpiqen me të gjitha mundësitë për të përmbushur ligjet që Zoti u ka ngarkuar. Ata dinë t’i drejtohen Zotit me lutjet më të përkryera dhe më të dobishme, lutje të cilat jo vetëm u sjellin dobi atyre, por edhe të tjerëve që janë të lidhur me ta. Nga këto lutje kanë dobi të gjithë muslimanët, sepse ato synojnë rregullimin e grave, miqve, fëmijëve e pasardhësve në përgjithësi. Këto lutje tregojnë, veç të tjerave, se ata përpiqen shumë për edukatën dhe mësimin e diturisë së dobishme fetare për gratë e pasardhësit e tyre. Gjithashtu, ata janë të vëmendshëm në këshillimin dhe përmirësimin e tyre. Në këtë mënyrë, kush kërkon të arrijë të mirën, duhet patjetër të përpiqet për atë dhe t’i lutet Allahut për t’ia mundësuar dhe ndihmuar, se kështu ka për t’ia arritur qëllimit. Edhe ata e lusin Allahun që t’i ngrejë në gradat më të larta të mundshme për ta, pra, që t’i bëjë imamë të të devotshmëve dhe në gradën e të sinqertëve. Subhanallah! Sa të larta janë këto cilësi! Sa të larta janë ambiciet dhe vullneti i këtyre njerëzve! Ata kanë, gjithashtu, qëllime të mira dhe shpirt të pastër. Ata janë më të zgjedhurit dhe më të dalluarit tek Zoti i tyre. - Aty (në kënaqësitë e përjetshme) do të jenë përgjithmonë. Eh sa vendbanim dhe vendqëndrim i mirë është ai! - Subhanallah! Sa e madhe është mirësia e Zotit për ta! Me bujarinë dhe mëshirën e Zotit, ata lartësohen. Me butësinë dhe përkujdesin e Tij, ata arrijnë gradat më të

larta. Subhanallah! Sa e madhe është mirësia e Zotit për të gjithë krijesat, kur u sqaron atyre ato cilësi me më të qartat fjalë. Ai tregon ambiciet dhe vullnetin e tyre të paepur për arritjen e qëllimeve të larta. Allahu na tregon shpërblimin për ta, që të përmallohemi dhe të përpiqemi t’i bëjmë tonat ato cilësi dhe të shpenzojmë çdo gjë të vyer për arritjen e tyre. Ai na udhëzon që edhe ne t’i lutemi Atij që i nderon dhe i lartëson këta të zgjedhur. Mirësia më e madhe në çdo kohë dhe vend është që të na udhëzojë ashtu siç udhëzoi ata dhe të përkujdeset në mënyrë të veçantë për ne, ashtu siç u përkujdes për ta. O Zoti ynë, Ty të takojnë të gjitha lavdërimet tek Ty ankohemi për dobësinë tonë! Vetëm Ty kërkojmë ndihmë dhe mbrojtje. Nuk ka fuqi dhe ndryshim të gjendjes pa forcën Tënde. O Zoti ynë! Ne nuk kemi në dorë as vetet tona, për të gjetur ndonjë dobi ose për të shpëtuar nga të këqijat. Ne nuk mund të arrijmë asnjë të mirë, nëse nuk na e lehtëson dhe nuk na e bën mbarë Ti. Ne jemi të dobët dhe të pafuqishëm në çdo drejtim. Ne dëshmojmë dhe jemi të bindur se, nëse na le të mbështetemi në forcat tona, na ke lënë të mbështetemi tek më i dobëti, prandaj do të biem në gabime. Nuk kemi besim në asgjë tjetër, por veçse në mëshirën Tënde, me të cilën na krijove e na furnizon dhe me të cilën na ke bekuar me mirësitë e dukshme dhe të fshehura. Me mëshirën Tënde, Ti ke larguar prej nesh çdo ligësi. Na mëshiro, o Zot, na fut në mëshirën Tënde, që të mos kemi nevojë për mëshirën e askujt tjetër veç Teje! Askush nuk u dëshpërua nga ata që t’u lutën dhe shpresuan tek Ti. Ata përshkruhen si rob adhurues të Rrahmanit, pra, rob të mëshirës së Tij. Allahu i dallon ata duke i ngritur në gradat më të larta të adhuruesve të sinqertë, për vetë vlerat dhe veçoritë e tyre. Në këtë kontekst, ndoshta dikush mund të hamendësojë dhe të pyesë: Po të tjerët, përse nuk quhen adhurues dhe rob të Zotit? Allahu i Lartësuar njofton se Ai nuk pyet për të tjerë, veç këtyre të zgjedhurve. Ai tregon se, sikur të mos ishte lutja e tyre me të dyja mënyrat, lutjet e adhurimet dhe lutjet e kërkesës, as nuk do të kujdesej për krijesat dhe nuk do t’i donte ata. Ai thotë: - Thuaju (mohuesve): “E si të kujdeset për ju Zoti im, nëse ju nuk i luteni Atij?! Por ju e keni mohuar Atë , prandaj dënimi do të jetë i pashmangshëm.”. - Do t’ju vijë një ndëshkim, që nuk do t’ju ndahet kurrë. Allahu do të bëjë ndarjen me drejtësi mes adhuruesve të Tij të sinqertë dhe të tjerëve. Këtu përfundon tefsiri i sures Furkan. Vetëm Allahut i takon lavdërimi, përlëvdimet dhe mirënjohja!

← Furkan 25:68