25. Furkan · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 25:1–25:14

"Tebareke" rjedh nga fjala: bereket, begati e madhe, gjithëdobi, bollëk, famë, madhëri, lartësi. Të gjitha këto janë cilësi të Zotit të madhëruar, i cili e shpalli Kur'anin për të ndarë njëherë e përgjithmonë të mirën prej të keqes. Zoti i cili nuk ka nevojë as për fëmijë, as për ndihmës, i cili me mjeshtëri të përsosur krijoi çdo send dhe në mënyrë precize e me maturi të saktë caktoi i zhvillimin e tij, pra Ai është dirigjues i çdo sendi në qiej e në tokë. Ai ia zbriti Kuranin Muhammedit që t'i tregojë gjithë njerëzimit i për përgjegjësinë që do ta kenë para madhërisë së Tij.

Megjithkëtë, disa njerëz naivë adhuruan sende të tjera që nuk ishin asgjë, madje ata nuk deshën ta pranojnë as Kur'anin që ishte shpallje e Zotit, po e konsideruan trillim të vetë Muhammedit dhe të disa njerëzve të tjerë, të cilët i ndihmuan, ia shkruan dhe ia lexuan vazhdimisht Muhammedit. Sipas tyre pejgamberi nuk do të duhej të ushqehej dhe të ecë si njerëzit e tjerë, por ai do të duhej të ketë me vete edhe një melaqe, t'i ketë zbritur ndonjë kapital nga qielli, të ketë ndonjë kopsht, e edhe më keq, i thanë se është njeri që e ka zënë magjia. Këtë e thonin jobesimtarët, kufarët. E sikur ndonjëherë ta kishte zënë magjia Pejgamberin, atëherë do të vërtetohej kjo thënie e tyre e kjo do të shkonte në favor të kufarve mohues.

Të gjitha këto shpifje që ia bënin Pejgamberit, buronin jo nga ndonjë dyshim që kishin ndaj tij, por u vinte rëndë të pranojnë se në ditën e gjykimit do të duhej dalë para Zotit dhe do të duhej përgjegjur para Tij për veprat e bëra. E ata do të ringjallen, do të futen në xhehenem dhe do të kërkojnë të vdesin e të zhduken njëherë e përgjithmonë, pra ata nuk do të zhduken, por vazhdimisht do ta përjetojnë atë dënim të merituar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 25:7–25:14

Allahu i Lartësuar na tregon përkryeneçë - sinë, urrejtjen dhe inatin që shprehin mohuesit e të vërtetës. Ata e mohojnë të vërtetën, pa u bazuar në asnjë argument dhe fakt të qartë, por thjesht duke sjellë arsyetime boshe, të kota dhe të pavlera. Allahu i Lartësuar na tregon fjalët e tyre: - “Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?!” - Ata çuditen që Profeti që Zoti zgjodhi ndër ta ha ushqim, sikurse dhe ata, dhe ka nevoja njerëzore, ashtu si ata. Gjithashtu, ai ecën nëpër tregje, duke kërkuar të tregtojë dhe të fitojë, duke bërë jetë normale, si të gjithë njerëzit e tjerë. Kjo është e çuditshme për mendjet e tyre dhe vlen si arsyetim për ta refuzuar atë. - “Përse nuk i kanë dërguar një melek dhe të bëhet paralajmërues bashkë me të?!” - Përse nuk i vjen një melek prej Allahut, që të dëshmojë për sinqeritetin dhe vërtetësinë e tij si profet dhe për vërtetësinë e gjithçkaje që ai pretendon se i shpallet prej Zotit? Po ta vëresh me kujdes, janë të njëjtat fjalë, që Faraoni tha për Musain, siç na tregon Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Atëherë, cili është më i mirë? A nuk jam unë, apo është ai qyqar, që mezi flet?! Përse nuk i janë dhënë atij bylyzykë floriri? Përse nuk kanë ardhur melekë bashkë me të, si shoqërues?” [Zuhruf 53]. Fjalët e tyre janë të njëjta, sepse të ngjashme ishin edhe zemrat e tyre. - “Përse nuk i kanë zbritur një thesar?” - Përse nuk i japin një thesar të madh, që ai ta ketë e ta shpenzojë? - “Përse nuk ka një kopsht, ku të kënaqet?!” - Një kopsht me prodhime të shumta, që t’i kishte kudo që të shkonte, pasi kjo është shumë e thjeshtë për Allahun. Megjithatë, Allahut i takon urtësia e plotë dhe argumenti i pakundërshtueshëm. Ai vendosi me urtësi që të mos ua përmbushte kërkesat kryeneçëve inaçorë, që dinin vetëm të refuzonin të vërtetën që u ofrohej. - “Të ligjtë thonë: “Ju po shkoni pas një njeriu të magjepsur.” Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! ” - Ata trillojnë rreth teje, duke të quajtur mashtrues, magjistar ose i magjepsur, i zaptuar dhe i çmendur, poet etj. Pa dyshim, të gjitha këto nuk kanë lidhje me figurën e pastër të Profetit të zgjedhur dhe janë të pavërteta, prandaj:

- “... ata humbën ...” - Ata e humbën rrugën e drejtë të udhëzimit, sepse nuk e pranuan atë dhe kurrë nuk kanë për ta gjetur më. - “... dhe ata nuk mund ta gjejnë kurrë rrugën e drejtë. ” - Kështu do të ndodhë, sepse kushdo që refuzon rrugën e drejtë dhe udhëzimin e qartë të ofruar nga Zoti, ai ka për të qenë i humbur, i devijuar, ngado që të kthehet dhe kudo që të shkojë. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - “I Lartësuar është Ai, i Cili, po të dëshironte, mund të të jepte mirësi më të mëdha nga ç’thonë ata: kopshte, në të cilat rrjedhin lumenj. Ai mund të të dhuronte edhe kështjella të shumta. ” - Sufjan el Theuriu përcjell hadithin nga Hajtheme: 1988. “Njëherë, Profetit ﷺ iu tha: “Po të duash, mund të të japim të gjitha thesaret e botës, të gjithë çelësat e begative të saj dhe shumë mirësi, që nuk ia kemi dhënë asnjë profeti përpara teje dhe nuk do t’ia jepnim askujt pas teje, pa t’u ulur aspak grada jote dhe pa t’u pakësuar mirësitë e shumta që do të kesh tek Allahu.” Por ai tha: “M’i mblidhni të gjitha këto mirësi për në ahiret.” Atëherë, Allahu i Lartësuar Krenar dhe i Madhëruar zbriti: “I Lartësuar është Ai, i Cili, po të dëshironte, mund të të jepte mirësi më të mëdha nga ç’thonë ata: kopshte në të cilat rrjedhin lumenj. Ai mund të të dhuronte edhe kështjella të shumta.” - Jo. Ata nuk e besojnë Ditën e Gjykimit ... - Domethënë, të gjitha këto shpifje dhe arsyetime boshe rreth Profetit ata i nxorën të nxitur nga inati dhe aspak për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën, sepse ata nuk duan të besojnë ringjalljen dhe faktin se një ditë do të japin llogari para Zotit. - “Ne kemi përgatitur zjarr flakërues, për ata që nuk e besojnë Ditën e Gjyki - mit.” - Për të gjithë ata që e quajnë mashtrim ringjalljen, Kijametin dhe llogarinë e drejtë para Zotit, kemi përgatitur një ndëshkim përvëlues. - “Kur ai t'i shohë ata prej një vendi të largët, ata do të dëgjojnë furinë dhe zërin e tij.” - Bëhet fjalë për Ditën e Ringjalljes, kur të tubohen të gjithë dhe të ringjallen para Zotit. Atë ditë plot tmerre, kur Xhehe - nemi t’i shohë ata prej së largu, ata do të dëgjojnë furinë dhe zërin e tij, për t’ua shtuar dhimbjen mbytëse dhe dëshpëruese, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Kur të hidhen në të, ata do të dëgjojnë oshëtimën e vlimit të tij. Nga zemërimi që ka, ai (Xhehennemi) gati sa nuk shpërthen!” [Mulk 7, 8]. Pra, zjarri i Xhehenemit gati sa nuk shpërthen, nga zemërimi me ata që mohuan Allahun e Lartësuar, që refuzuan urdhrat e Tij dhe që nuk iu nënshtruan Atij. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Halid Ibn Durejku, me isnadin e tij nga një sahab, se Profeti i Allahut ka thënë: 1989. “Ai që më mvesh mua diçka që nuk e kam thënë, ai që (me vetëdije zgjedh të) thirret jo në emër të prindërve të vet, ai që meritën e çlirimit të tij nga skllavëria ua njeh të tjerëve, e jo atyre që paguajnë çlirimin e tij, le të përgatitet për vendin e tij në Zjarr. (Sipas një transmetimi tjetër: “... le të përgatisë vendin e tij mes dy syve të Xhehenemit. Njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut, vërtet ka dy sy Xhehenemi?!” Ai tha: “A nuk e keni dëgjuar Allahun të thotë: “Kur ai t'i shohë ata prej një vendi të largët, ata do të dëgjojnë furinë dhe zërin e tij.”” . - “E kur të flaken në të, në një vend të ngushtë të lidhur me pranga ...” - Abdullah Ibn Uehb Ibn Jahja Ibn Ebu Usejdi sjell një hadith merfu, pra, që i atribuohet Profetit të Allahut, i cili, kur u pyet njëherë rreth këtij ajeti të Allahut, tha: 1990. “Betohem për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Pa dyshim që ata do të shtyhen (me forcë) për të hyrë në zjarr, njëlloj siç mbërthehet druri në mur.” Ata do të jenë të prangosur në mënyrë të tmerrshme. - “... aty do të luten për shkatërrimin e tyre ...” - Ata do të thërrasin duke kërkuar shkatërrimin dhe duke shprehur dëshpërim, hidhërim, dhimbje dhe humbje. - “Këtë ditë, mos u lutni për shkatërrimin vetëm një herë, por lutuni shumë herë!” - Ibn Abasi shpjegon: “Mos u lusni këtë ditë

vetëm për një shkatërrim, por lutuni për shumë shkatërrime!” Ndërsa Dahaku shpje - gon: “El thubur (fjala e përdorur në ajet) që ata kërkojnë është “ el helaku”, - pra, shkatërrimi, asgjësimi, vdekja dhe zhdukja përfundimtare. Megjithatë, më e dukshmja është se el thubur përmbledh bashkë shkatërrimin, hidhërimin, dësh përimin, mjerimin, etj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 25:7–25:16

- Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?! – Ky është një nga arsyetimet më boshe që përdornin mohuesit e Profetit, nëpërmjet të cilit kërkonin të justifikonin mohimin e tyre dhe mospranimin e Shpalljes së tij. Pra, sikur ata thoshin: Përse të mos ishte ky profet një melek, ose të ishte mbret, ose të dërgohej së bashku me ndonjë melek, që ta ndihmonte dhe ne ta shihnim haptas?!” Kështu, ata thonë: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?!” Duke u tallur, thonë: “Ç’është me këtë njeri që pretendon se është profet dhe pastaj ha ushqim?! Kjo është veçori e njerëzve, prandaj pse të mos ishte melek, që nuk ha ushqim dhe të mos ketë nevojë për ato gjëra që njerëzit kanë nevojë?! Ky, gjithashtu, ecën nëpër tregje, shet dhe ble!” Kjo, sipas tyre, është diçka që bie ndesh me të qenurit profet. Por Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ne edhe para teje çuam të dërguar, por edhe ata ishin njerëz që hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje. Ne ju bëmë të jeni sprovë për njëri -tjetrin: A do të jeni të durueshëm? Allahu është Ai që sheh çdo gjë." [Furkan 20]. Ndërsa këtu thonë: - Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! - Përse të mos zbriste së bashku me të një melek, që ta ndihmonte dhe t'i qëndronte në krah? Sipas tyre, Profeti (a.s.) ishte i paaftë për të përballuar peshën e Shpalljes dhe nuk kishte mundësi që, i vetëm, të kryente misionin e vet. Një tjetër kërkesë e tyre e pakuptimtë si kusht për të qenë profet, është edhe kjo: - Ose, përse nuk i është zbritur një thesar... - Përse të mos i jepej atij një thesar. Këtu thesari nënkupton pasurinë e mbledhur pa lodhje. - ose përse nuk ka një kopësht për t'u kënaqur me të?! - T’i jepej ndonjë kopsht ose pronë, dhe kështu të mos kishte nevojë të ecte nëpër tregje për të kërkuar rrizkun? Por Allahu i Lartësuar i hedh poshtë të gjitha këto kërkesa dhe kushtëzime të padrejta dhe thotë: - Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. - Pra, të tilla fjalë ata i thonë nga padrejtësia e tyre dhe jo se ishin të paqartë apo me qëllim për të gjetur të vërtetën dhe të drejtën. Ata trillojnë kur thonë se Muhamedi (a.s) ishte një njeri nën efektin e magjisë, edhe pse janë tërësisht të sigurt dhe të bindur për faktin se ai kishte logjikë të saktë, ishte fjalëmbël dhe i pastër nga të gjitha shpifjet dhe cilësitë e ulëta. - Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty. - Këto janë modelet e tyre. Përse të mos ishte melek? Më mirë të mos kishte cilësi njerëzore! Përse, të paktën, të mos shoqërohej nga ndonjë melek, sepse i vetëm ai është i pafuqishëm për këtë detyrë që pretendon (profetësinë)?! Përse të mos i jepej atij ndonjë thesar, ose t’i jepej ndonjë kopsht plot begati, që të ishte i pasur dhe të mos kishte nevojë të dilte nëpër tregje si njerëzit e tjerë?! Ai është një njeri i magjepsur dhe i çmendur. Këto ishin disa nga trillimet e tyre, për të justifikuar mosbesimin në këtë Profet dhe në Shpalljen e tij. - Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë. - Të gjitha këto janë fjalë e pretendime kontradiktore, që tregojnë për injorancën e tyre të thellë, mendjelehtësinë e pashembullt dhe devijimin e largët nga e vërteta. Në të gjitha këto pretendime e trillime nuk duket asnjë fije udhëzim dhe dëshirë për të gjetur rrugën e drejtë dhe për të pranuar të vërtetën. Madje, ato nuk vlejnë as si dyshime që mund të merren për bazë nga mendja e shëndoshë. E si mund të cenosh profetësinë e këtij njeriu të zgjedhur me të tilla pretekste boshe e qesharake? Mjafton t’i shohësh me një shikim të shpejtë për të kuptuar se sa të kota dhe të pavlera janë ato pretekste, për t’i refuzuar ato. Prandaj i Madhëruari i solli në Kur'an këto pretekste të mohuesve dhe na urdhëroi që të meditojmë në to dhe të gjykojmë me

qetësi: a tregojnë ato cenim të profetësisë e besnikërisë së Profetit dhe a e cenojnë vërtetësinë e Shpalljes? A mund të përdoren si pretekst për të mos besuar Shpalljen dhe për të mos ndjekur Profetin Besnik? Sidoqoftë, përveç kësaj, i Lartësuari na njofton se Ai është i Plotpushtetshëm që t'i japë Profetit të TIj mirësi të shumta në këtë botë. Ai thotë: - I lartësuar qoftë Ai, i cili po të dëshironte mund të të jepte ty mirësi më të mëdha nga ç’thonë ata - Ai mund të të japë edhe më mirë e më shumë mirësi sesa thonë ata. Pastaj e shtjelloi këtë duke thënë: - .... - kopshte në të cilat rrjedhin lumenj; Ai mund të të dhuronte edhe kështjella të shumta (e madhështore). - Ai mund t’i bëjë edhe kështjella të larta dhe të stolisura. Pushteti i Allahut është shumë më i madh se këto mirësi, por kjo botë dhe gjithë stolitë e saj janë shumë të pavlera tek Zoti, prandaj Ai u jep profetëve dhe të dashurve të Tij aq sa Ai e gjykon të drejtë, me urtësinë e Tij. Kështu, kërkesa dhe pretendimi i të paditurve se Zoti duhet t’u japë profetëve pasuri të madhe është i padrejtë dhe një cenim i urtësisë së Zotit, në përcaktimet e Tij. Fjalët e tyre dihet që janë të kota dhe të padrejta dhe Allahu i Madhëruar na njofton se ato nuk thuhen me qëllimin për të gjetur të vërtetën, por thuhen nga inati, mendjemadhësia dhe kur janë padrejtësisht të nxitur nga urrejtja për të vërtetën. Kështu, ata shprehin atë mohim që fshihet në zemrat e tyre. Prandaj i Lartësuari thotë për ta, duke ua nxjerë në pah dhe haptaz atë që e fshehin në zemra dhe e shprehin me fjalë e kërkesa të pakuptimta dhe kontradiktore. - Jo. Ata nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. - Arroganti, i padrejti dhe ai që nuk ka asnjë qëllim që të gjejë të vërtetën, është i privuar nga udhëzimi në rrugën e drejtë. Ai nuk mund të shpëtojë nëpërmjet polemikave boshe. Asnjë rrugë nuk hapet para tyre, përveç rrugës së dënimit. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: - Dhe Ne kemi përgatitur zjarr flakërues, për ata që nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. - Ai është një zjarr i madh, i ndezur fort dhe që është i mbushur plot urrejtje dhe zemërim për ata që do të hidhen brenda tij. - Kur ai (Xhehenemi) t'i shohë ata (mohuesit e Zotit) prej një vendi të largët, ata do të dëgjojnë furinë (e xhehenemit) dhe zërin e tij (të tmershëm). - Që para se të hyjnë në të dhe para se Xhehenemi t’i gllabërojë, ata do t’ia dëgjojnë zhurmën, që shpërthen si zemërim kundër tyre. Nga ajo zhurmë do t’u dridhen zemrat dhe mbushen me tmerr shpirtrat. Ata do të vdisnin nga tmerri që i pushton, por nuk ka më vdekje. Zjarri është zemëruar për shkak të zemërimit të Allahut. Flakërimi i tij shtohet për shkak të mohimit dhe ligësisë së tyre. - E kur të flaken në të, në një vend të ngushtë të lidhur në pranga (zjarri), aty do të luten për shkatërrimin e tyre (do luten për t'u asgjësuar) . - Gjatë kohës kur ata të jenë duke u ndëshkuar, në mes të zjarrit do të përjetojnë me një dhimbje mbytëse ngushtinë e vendit, të ndëshkimit të ashpër dhe prangave e zinxhirëve, që do t’ua marrë frymën. Kur të arrijnë në atë vend të ngushtë dhe torturues, pikërisht atje: "... do të luten për shkatërrimin e tyre." Do të luten e mallkojnë veten për poshtërim e shkatërrim përfundimtar, se tashmë e dinë mirë se kanë qenë të padrejtë dhe urryes të së vërtetës. Ky është një ndëshkim mëse i drejtë nga Krijuesi i tyre. Ai i vendos në atë vend ndëshkimi që e meritojnë me veprat e tyre. Megjithatë, lutjet e përgjërimet nuk kanë për t’i ndihmuar aspak që t’i shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut: - Këtë Ditë, mos u lutni për shkatërrimin vetëm një herë, por lutuni shumë herë! – Edhe sikur t’i shtoni e shumëfishoni lutjet e përgjërimet tuaja, nuk kanë për t’ju sjellë ndonjë ndryshim dhe nuk kanë për t’ju shpëtuar nga dëshpërimi e frika, nga ndëshkimi e vuajtja. - Thuaj: “A është më i mirë zjarri i xhehenemit apo Xheneti i përjetshëm, i cili u është premtuar si shpërblim të devotshmëve?!” – Thuaju atyre, o

Muhamed, duke u vënë në dukje zgjedhjen e tyre të keqe, kur preferuan të dëmshmen kundrejt të dobishmes: “Ai është më i mirë..." Pra, ky ndëshkim që u përshkrua është më i mirë apo Xheneti i përjetshëm, i cili u është premtuar si shpërblim të devotshmëve?! Furnizimi për rrugën drejt këtij vendi të mrekullueshëm është devotshmëria e frika nga Zoti. Ai që i ruhet zemërimit dhe ndëshkimit të Tij, duke zbatuar urdhëresat e qëndruar brenda kufijve të Tij, ai ka këtë premtim të mrekullueshëm. - Ai është përgatitur si shpërblim dhe ai do të jetë vendqëndrimi i tyre (i përjetshëm). - Ky është shpërblimi i devotshmërisë, Xheneti i përjetësisë, ku do të qëndrojnë pafundësisht mes mirësive të pashembullta. - Ata do të kenë në të gjithçka që dëshirojnë, e aty do të banojnë përjetë. - Atje do të kenë gjithçka që dëshirojnë dhe ëndërrojnë ta shijojnë, si ushqime të shijshme e pije të këndshme, veshje të bukura, bashkëshorte të hijshme, kështjella të larta, kopshte e pyje të lulëzuara, fruta të cilat të kënaqin me pamjen dhe me shijen e tyre nga bukuria dhe larmishmëria e tyre, lumenj që rrjedhin përmes pyjeve dhe kopshteve, ku dhe kur ata të dëshirojnë. Ata janë lumenj prej uji që nuk prishet e as merr erë të keqe, lumenj prej qumështi, që nuk i ndryshon shija ose të prishet, lumenj prej pijesh shumë të këndshme për ata që i pijnë, dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të jenë mes aromash të papërshkrueshme dhe të pashembullta dhe mes vendbanimeve të zbukuruara. Gjatë gjithë kohës dhe kur të dëshirojnë, ata do të dëgjojnë tingujt e zërave të bukur, që këndojnë në Xhenet, që nga bukuria e tyre, do t’ua rrëmbejnë zemrat. Atje ata do të vizitojnë vëllezërit dhe të dashurit e tyre, dhe do të kënaqen me këto takime. Por mbi të gjitha këto kënaqësi qëndron kënaqësia e shikimit në fytyrën e Zotit Mëshirëplotë dhe dëgjimit të Fjalës së Tij drejtuar me dashuri banorëve të Xhenetit. Ata fatlumë do të hedhin hapat pranë Zotit të botëve në afërsi të Tij, do të kenë një lumturi të papërshkrueshme kur Ai të njoftojë se është i kënaqur prej tyre dhe se kurrë nuk ka për t’u zemëruar më nga ata. Të gjitha këto mirësi do të jenë të vazhdueshme dhe gjithmonë në shtim e zbukurim të përjetshëm, me kalimin e kohës në përjetësi. Mbërritja dhe hyrja në këto kopshte dhe mirësi është një premtim që Zoti nuk e thyen. - Ky është, për Zotit tënd, një premtim (i rëndësishëm) që nuk e thyen. - Është një përjetim i sigurt dhe për të cilin duhet të lutesh e të përgjërohesh shumë. Për të i janë lutur Allahut robërit e Tij të devotshëm me të dyja mënyrat e lutjes, me gjuhën e gjendjes dhe veprave të tyre dhe me gjuhën e fjalëve dhe lutjeve të sinqerta. Mendohuni, o njerëz, cili prej këtyre dy vendeve duhet të preferohet? Punëtorët e cilës botë janë më të logjikshëm dhe të nderuar? Gjykoni, ju të urtë e të mençur! Tashmë është qartësuar e vërteta dhe është ndriçuar rruga, kurse mospërfillësit e saj nuk kanë më asnjë justifikim, nëse nuk pyesin më argumentet dhe Shpalljen e Zotit dhe nuk respektojnë ftesën e Tij bujare. Të lutemi dhe vetëm tek Ti shpresojmë, o Zot. Ti i ke gjykuar me drejtësinë Tënde shumë popuj për të qenë të humbur dhe, me Mëshirën e bamirësinë Tënde, shumë të tjerë i ke bërë të lumtur, duke u dhënë Xhenetin, dhe, më shumë se kaq, shikimin në fytyrën Tënde dhe kënaqësinë ndaj tyre! O Zoti ynë! Ty të përgjërohemi të na ruash nga gjendja e fatzinjve të humbur dhe të lutemi të na shpëtosh nga zemërimi yt e të na dhurosh mëshirën dhe Xhenetin Tënd!

← Furkan 25:7