26. Shuara · Ajeti 105 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:105–26:159

Edhe pse tregimet për pejgamberët duken sikur përsëriten, në të vërtetë, ata nuk janë përsëritje, por në secilin rast, tregimin duhet kundruar nga një këndvështrimi të veçantë për ta kuptuar përse sillet ai tregim.

Kur është fjala për tregimin e popullit të Nuhut, në këtë rast përfitojmë bindjen se paria, njerëzit e pozitës, vështirë pranojnë këshillat njerzore, pse tërë shpresën e kanë të lidhur për këtë jetë, andaj nuk duan të mendojnë se do të përgjigjen para Zotit për shfrenimet e tyre. Edhe ata, sikundër edhe paria kurejshite, kërkuan që Nuhu t'i largojë njerëzit që ishin të një shtrese më të ulët e që ishin besimtarë, por Nuhu si edhe Muhammedi më vonë, nuk pranoi një gjë të tillë.

Te populli i Hudit, te Adi, ishte karakteristikë e tyre mendjemadhësia, dominimi mbi të tjerët, vrazhdësia në sjellje, andaj edhe dënimi u vjen po i atij rangu, sepse në një mënyrë shumë të tmerrshme i rrëmben një furtunë e ftohët, i ngrit në ajër, e pastaj i lëshon me kokë për tokë.

Të populli i Salihut, te Themudi, ishte dominante lakmia për kënaqësi të jetës si për ngrënie, dëfrime, shtëpi të bukura etj. Edhe dënimi kundër tyre ishte ushtima e një tërmeti, i cili i gurëzoi edhe prej së larti, prej atyre pallateve të ndërtuara nëpër kodra dhe i lëshoi toka.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:105–26:110

- “Edhe populli i Nuhut i mohoi të dërguarit.” - Allahu na tregon një ndodhi me robin dhe të Dërguarin e tij, Nuhun (a.s.). Ai ishte Profeti i parë i dërguar nga Allahu për banorët e Tokës, pasi ndër ta u përhap shumë adhurimi i idhujve. Populli i tij e mohoi atë dhe vazhdoi në rrugën e idhjtarisë. Allahu i Madhëruar e konsideroi mohimin dhe refuzimin e Nuhut si refuzim dhe mohim të të gjithë të dërguarve të Tij, prandaj tha: “Edhe populli i Nuhut i mohoi të dërguarit.” - “Vëllai i tyre, Nuhu u tha: “A nuk e keni frikë (Allahun)?” - A nuk i frikësoheni Allahut, kur ju adhuroni diçka tjetër veç Tij? - “Unë jam një Profet i besuar i dërguar për ju.” - Unë jam me të vërtetë i dërguari i Allahut ndër ju dhe për këtë nuk duhet të dyshoni aspak. Unë jam besniku i Shpalljes së Tij, që as nuk shtoj e as nuk pakësoj prej saj. - “Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë. Shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të Botëve. ” - Unë nuk kërkoj asnjë shpërblim prej jush, për kumtimin e të vërtetës dhe mesazhit të Zotit dhe për përpjekjet e mia për të rregulluar gjendjen tuaj. Unë shpresoj që shpërblimin ta gjej vetëm tek Zoti im. - “Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! ” - Tashmë ju jeni të bindur për besnikërinë time dhe vërtetësinë e mesazhit që ju solla prej Zotit, për dëshirën e synimin tim të pastër për të përmirësuar gjendjen tuaj, prandaj frikësojuni Zotit dhe ndiqni rrugën time.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:105–26:122

Allahu i Madhëruar na tregon për ata që mohuan profetin Nuh dhe për mënyrën si iu përgjigjën ftesës së tij dhe se si i ftoi ai në rrugën e drejtë. Ai na tregon më pas për përfundimin e të gjithëve: - Edhe populli i Nuhut mohoi të dërguarit. - Vëreni me kujdes! Ai tha: “....mohoi të dërguarit”. Pra, në numrin shumës. Kështu, mohimin e Nuhut e konsideroi si mohim të të gjithë profetëve, sepse ata kanë qenë të gjithë unanimë në mesazhin e tyre. Kështu mohimi i çdo njërit prej tyre konsiderohet si mohimi i të gjithëve dhe i asaj që ata sollën prej Zotit. - Vëllai i tyre, Nuhu, u tha: “A nuk e keni frikë (Allahun)?” - Nuhu ishte vëllai i tyre nga gjaku dhe farefisnia. Zoti i zgjedh profetët nga mesi i popullit ku ata dërgohen, që bindja ndaj tyre të jetë më e thjeshtë. Ata, duke qenë se e njohin mirë prejardhjen e Profetit, nuk kanë nevojë të kërkojnë për të. Nuhu iu drejtua atyre me më të butat dhe të zgjedhurat fjalë, siç është zakon i të gjithë profetëve (paqja e Zotit qoftë mbi ta): “A nuk po i frikësoheni Allahut të Lartësuar dhe t’i largoheni adhurimit të idhujve? A nuk po i përkushtoheni Allahut me sinqeritet dhe të jeni me të shpëtuarit?” - Unë jam një Profet i besuar, i dërguar (veç) për ju. - Dërgimi i tij posaçërisht tek ju është shkak i mjaftueshëm që ju të respektoni dhe pranoni mesazhin e tij, të besoni në të dhe ta falenderoni Allahun, që ju dalloi duke ju dërguar këtë profet të nderuar. Përshkrimi i tij si ‘i besuar’ tregon e jep siguri se ai kurrë nuk flet të pavërteta për Zotin dhe as nuk shton dhe as nuk pakëson gjë në Shpalljen e Tij. Kjo duhet të bëjë që ju të besoni çdo lajm të sjellë prej tij dhe t’i bindeni çdo urdhërese të tij. - Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! - Frikësojuni Zotit dhe m’u bindni në urdhëresat që ju jap dhe në largimin nga ndalesat. Këto janë të detyrueshme, nëse e besoni se unë jam profet i dërguar tek ju. Duke qenë se unë jam profet i dërguar ndër ju dhe besnik i Shpalljes së Zotit, ju duhet t’i frikësoheni Zotit dhe të më bindeni në mesazhin tim prej Zotit. Pastaj, duke përmendur se nuk ka asnjë shkak ndalues për realizimin e urdhërimit të mësipërm, Allahu i Lartësuar thotë: - Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë. - Nëse do t’ju kërkoja ndonjë taksë e shpërblim për veten time, kjo do të shërbente si shkak që të thoshit se po rëndoheni nga taksat.

- Shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të Botëve. - Me detyrën si profet, që sjell mesazhin e Zotit ndër ju, unë shpresoj që të afrohem tek Zoti i botëve dhe shpresoj në shpërblimin e madh të Tij. Ndërsa në lidhje me ju, ajo që kam është thjesht këshilla për të rregulluar gjendjen dhe lidhjet tuaja me Zotin. Unë dëshiroj për ju thjesht që të merrni rrugën e drejtë të Zotit tuaj. - Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! - Nuhu e përsërit këtë frazë, gjë që tregon se ai qëndroi gjatë në popullin e vet për t’i ftuar, sikurse tregon Zoti: " Ne e dërguam Nuhun te populli i vet dhe ai qëndroi ndër ata një mijë vjet pa pesëdhjetë vjet; por ata i përfshiu përmbytja sepse ishin keqbërës." [Ankebut 14]. Ai tha: “ Ai tha: “O Zoti im! Unë e ftova popullin tim natën dhe ditën, Por ftesa ime vetëm sa ia shtoi largimin. Sa herë që unë i ftoja ata tek Ti, për t’ua falur gjynahet, ata i fusnin gishtat në veshë dhe mbulonin kokat me teshat e tyre, për të vazhduar në të tyren me një kryeneçësi të madhe. Unë i ftova ata haptazi. Ua drejtova thirrjen sheshazi e shumë herë edhe fshehurazi”. Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj! Ai vërtet është Falës i Madh...." [Nuh 5 – 10]. Siç shihet, ai gjithmonë i urdhëronte për këtë çështje të rëndësishme dhe të domosdoshme. Duke refuzuar ftesën e tij, ata u justifikuan me diçka që nuk vlen si arsye për të refuzuar ftesën e një profeti. - Ata i thanë: “E si të të besojmë ty, kur ty të pasojnë më të ulëtit?” - Si të të pranojmë, kur ne shohim se pasuesit e tu janë veçse njerëzit e rëndomtë dhe të parëndësishëm, madje më të përbuzurit e të varfërit?! Kjo tregon se ata thjesht synonin të refuzonin ftesën dhe të vërtetën. Ajo tregonte, gjithashtu, injorancën e tyre të thellë rreth realitetit të gjërave. Nëse ata vërtet do të kishin si synim njohjen e të vërtetës dhe sigurinë rreth saj dhe nëse do të kishin ndonjë paqartësi e dyshim në ftesën e profetit, do të thoshin: “Na e trego dhe vërteto saktësinë e asaj në të cilën na fton me forma të drejta të argumentimit dhe arsyetimit!” Nëse do ta mendonin mirë çështjen, ata do të dilnin në përfundimin se pasuesit e Nuhut ishin vërtet më të zgjedhurit, më të mirët, më të dalluarit, më të mençurit, më të edukuarit dhe me moralin më të lartë. Nga ana tjetër, ata do të kuptonin se më të përçmuarit janë ata që u është hequr aftësia e të logjikuarit drejt dhe që u duket i bukur adhurimi i idhujve e gurëve; janë pikërisht ata të mjerë që adhurojnë, u përulen dhe lusin sende pa jetë e pa fuqi; janë ata që refuzojnë ftesën e njerëzve të përkryer, pra, të profetëve të Zotit. Vetëm një shikim i shpejtë në ftesën e profetëve do të mjaftonte për të gjykuar se kush mbron të vërtetën dhe kush flet e mbron të kotën, pa pasur nevojë për fakte shtesë. Kështu, kur populli refuzoi ftesën e Nuhut me fjalët: “E si të të besojmë ty, kur ty të besojnë më të ultit?”, ne arrijmë të kuptojmë se ata ishin të humbur dhe e refuzonin Shpalljen e Zotit pa asnjë të drejtë. Logjika e tyre ishte tërësisht e gabuar dhe e pamjaftueshme për të hedhur poshtë ftesën e një profeti të Zotit. Fjalët e tyre janë mëse të mjaftueshme për ne që të gjykojmë drejt, edhe sikur të mos njihnim asnjë mrekulli të Nuhut dhe asnjë informacion rreth ftesës së tij madhështore dhe këmbëngulëse, të cilat forcojnë sigurinë për vërtetësinë e tij si profet dhe të mesazhit që ai solli prej Zotit. - Nuhu tha: “Unë nuk e di se çfarë kanë bërë ata (që ju i quani të ulët) ”. - Unë nuk di asgjë prej punëve të atyre njerëzve, që ju i quani të ultët dhe të përçmuar. Punët e tyre i di vetëm Zoti dhe është Ai që do t’i marrë në llogari. - Përgjegjësia e tyre është vetëm para Zotit tim, nëse kuptoni (këto që po ju them). - I dërguari ka detyrë vetëm kumtimi i qartë për të gjithë. Pra, ju mendoni vetëm për ftesën time. Nëse ajo është e vërtetë, atëherë nuk kemi punë me njerëzit e tjerë. Detyra juaj është e thjesht t’i nënshtroheni të vërtetës. Secili do të përgjigjet i vetëm përpara Zotit:

- Unë nuk kam për t’i përzënë kurrë ata që besojnë. - Me sa duket ata mohues, - Allahu i shëmtoftë! - i kërkuan Nuhut që t’i dëbonte të varfërit dhe "njerëzit e rëndomtë", siç i quanin. Me mendjemadhësi e arrogancë, ia vunë si kusht për të pranuar besimin, që ai të largonte të varfërit, por Nuhu u tha: “Unë nuk kam për t’i përzënë kurrë besimtarët." Ata nuk meritojnë dëbimin dhe poshtërimin, por meritojnë nderimin dhe vlerësimin me fjalë dhe me vepra, ashtu siç thotë Zoti: "Kur të vijnë tek ti ata që i besojnë ajetet Tona, thuaju: “Selamun alejkum! Zoti juaj ia bëri detyrë Vetes së Vet mëshirën. Nëse ndonjëri prej jush bën ndonjë të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë." [En'am 54]. - Unë jam dërguar vetëm si një paralajmërues i qartë. - Unë jam thjesht një paralajmërues dhe kumtues besnik i Shpalljes nga Zoti. Unë përpiqem me çdo mundësi të këshilloj njerëzit dhe të rregulloj gjendjen e tyre. Unë nuk kam në dorë asnjë pushtet. E gjithë çështja është në dorë të Allahut. Kështu vazhdoi Nuhu me ftesën e tij natën e ditën, fshehtaz dhe haptazi, por ajo nuk u shtoi atyre gjë tjetër, veç largimit dhe armiqësisë dhe thanë: - Ata thanë: “O Nuh! Nëse nuk heq dorë (nga kjo që po bën) , do të të vrasim me gurë.”. Nëse nuk ndalesh nga ftesa jote për të adhuruar një Zot të Vetëm, "...do të të vrasim me gurë.” Do të të vrasim me mënyrën më të keqen, me gurë, ashtu siç vrasim qentë. Allahu i mallkoftë, sa e shëmtuar ishte kjo përgjigje! Këshilluesit të mirë e besnik, që ishte më i dhembshuri për ta sesa ata për veten e tyre, i dhanë me të keqen përgjigje që mund të mendohet. Atëherë, nuk është çudi që, pas forcimit të kufrit dhe teprimit me padrejtësitë e tyre, Nuhu të bënte një mallkim, që do t’i përfshinte ata nga çdo anë. Ai tha: “Nuhu tha: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu (nga rruga e drejtë) dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”. ”. [Nuh 26 – 28]. Ndërsa këtu tha: - “O Zoti im! Populli im më ka mohuar. Gjyko, atëherë, me drejtësinë Tënde ndërmjet meje dhe atyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët që vijnë pas meje!” - Shkatërroji ata që i kanë kaluar kufijtë. Nuhu e dinte mirë se ishin ata mohues që i kishin kaluar kufijtë, prandaj dhe tha: “Gjyko me drejtësinë tënde ndërmjet meje dhe atyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët që vijnë pas meje!” - Dhe Ne i shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin me të në anijen e mbushur plot. - U shpëtuan Nuhun dhe ata që besimtarë të pakët që ishin me të, duke i mbartur në anijen e mbushur plot me krijesa të ndryshme, sipas urdhrit të Zotit. - Dhe i mbytëm në ujë ata që mbetën pas. - Pas Nuhut dhe besimtarëve që ishin me të, Zoti i përmbyti të gjithë të tjerët. - Vërtet, këtu ka fakte, por shumica e tyre nuk besojnë. - Në këtë histori, ku Zoti shpëtoi Nuhun dhe përmbyti mohuesit, ka shenja të qarta për vërtetësinë e profetëve Tanë dhe për saktësinë e mesazhit që ata sollën. Nga ana tjetër, ajo tregon edhe për kotësinë dhe përfundimin e keq të idhujtarisë dhe të atyre që mohojnë profetët e Zotit dhe shpalljet e tyre. - Nuk ka dyshim se Zoti yt, Ai është Ngadhënjimtari, Mëshirëploti. - Me krenarinë dhe forcën e tij, Allahu i poshtëroi e i mposhti mohuesit, duke i mbytur që të gjithë me atë tufan të pashembullt. Allahu është Mëshirëplotë për të dashurit e Tij, që i ka zgjedhur të kujdeset për ta. Ai e shpëtoi Nuhun dhe ata që besuan së bashku me të.

← Shuara 26:105