26. Shuara · Ajeti 192 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:192–26:209

Kur'ani është fjalë e Zotit, i komunikuar Muhammedit përmes Xhibrilit, i shprehur në gjuhën e pastër arabe, ashtu që ta kuptojnë I më lehtë. Dijetarët e beni israilve e kanë ditur se do të jetë edhe një shpallje për pejgamberin e fundit, ngase përmendej në librat e mëparshëm. Po edhe sikur t'ia bënim të mundshme ndonjë joarabi,- thotë Zoti,- t'ua lexonte kufarëve mekas në gjuhën e pastër arabe, e të dukej mrekullia e atij njeriu dhe e Kur'anit, ata, nga kokëfortësia e tyre nuk do të besonin deri sa ta shihnin me sy dënimin nga Zoti. Atëherë do të kërkojnë i t'u jepet afat e të besojnë, e harrojnë se vetë ata i thonin pejgamberit na sill atë dënim me të cilin po na kërcënohesh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:192–26:195

- “Pa dyshim, kjo është shpallje e Zotit të botëve. - Allahu i Lartësuar na tregon për Librin që ia zbriti adhuruesit dhe profetit të Tij të zg jedhur dhe të dashur, Muhamedit . Ky Kuran është shpallje e Zotit të botëve, është libër, që Zoti ia zbriti Muhamedit ﷺ . - “Atë e solli Shpirti Besnik ...” - Ai ishte Xhibrili, - paqja e Zotit qoftë me të! - “... në zemrën tënde, për t’u bërë paralaj-mërues ...” - Xhibrili e solli Kuranin, këtë fjalë madhështore, nga Allahu i Lartësuar në zemrën tënde, ashtu të pacenuar dhe të ruajtur nga çdo lloj shtese apo pakësimi. Ai e zbriti me qëllim që, nëpërmjet këtij libri, të paralajmërosh njerëzit që të ruhen nga zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut, të paralajmërosh dhe qortosh të gjithë ata të cilët i kundërvihen dhe e mohojnë këtë shpallje, si edhe të përgëzosh me një shpërblim të madh nga Zoti të gjithë besimtarët, të cilët e pasojnë këtë libër. - “… me një me gjuhë të kulluar arabe.” - Ne e zbritëm Kuranin në gjuhën arabe, në gjuhë të pastër dhe të stilit të lartë, që ai të jetë një libër i qartë në mesazhet dhe kumtet që përcjell. Ky libër madhështor zhvleftëson çdo lloj justifikimi që mund të nxjerrin krijesat, sepse ai është i prerë dhe udhëzues i qartë, pa lënë asnjë lloj dyshimi dhe paqartësie rreth saj. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibrahim et Tejmi, i cili përcjell nga i ati, se kur Profeti i Allahut ishte njëherë së bashku me shokët e tij, i thanë: 2015. “O i Dërguari i Allahut, sa e lartë është oratoria jote! Nuk kam parë ndonjë më orator se ty!” - “E si të mos jetë kështu - tha Profeti ﷺ - kur Kurani zbrit në gjuhën time. Allahu i Lartësuar thotë: “... me një me gjuhë të kulluar arabe.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:192–26:203

- Pa dyshim, ky (Kur'ani) është shpallje e Zotit të botëve. - Ai që e zbriti këtë Libër është Shpikësi e Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që kujdeset për të gjithë botën, si atë qiellore, ashtu edhe atë tokësore. Ashtu siç kujdeset për ta duke u dhënë mirësitë e dynjasë dhe trupit të tyre, po ashtu kujdeset që t’u japë atyre udhëzimin, që të rregullojnë ahiretin e tyre. Pa dyshim që mirësia më e madhe që tregon përkujdesin e Tij madhështor është zbritja e këtij libri të mrekullueshëm. Në Kur'an ka mirësi e begati të pamata. Ai është një udhëzim i plotë dhe i qartë për të arritur mirësitë e të dy botëve dhe për të arritur gradën më të lartë të moralit më të mirë dhe të zgjedhur. Udhëzimet dhe dituria që gjenden në këtë Libër nuk mund të gjenden diku tjetër. Vërej me kujdes! Allahu thotë: “Pa dyshim, ai (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve." Kjo tregon për madhështinë e këtij Libri dhe është gjithashtu një nxitje e madhe për ta respektuar dhe nderuar këtë Shpallje, sepse është vetë Zoti i botëve që e ka folur dhe shpallur Atë. Është vetë Krijuesi që e shpalli këtë Libër e jo dikush tjetër, me qëllimin që të na udhëzojë drejt mirësive dhe të na begatojë me çdo të mirë në të dyja botët. - Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed), për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës) ... - Ai është Xhibrili (a.s). Ai është absolutisht më i miri i melekëve, më i fuqishmi dhe madhështori. Allahu i Lartësuar e ka përshkruar atë si El Emin - Besnik. Pra, ky melek kurrë nuk mund të shtojë ose pakësojë gjë prej Shpalljes. Është ky melek i nderuar që e zbriti këtë libër "...në zemrën tënde, o Muhamed, për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës) , që nëpërmjet këtij libri - mrekulli të udhëzosh në rrugën e drejtë dhe të mirësisë e drejtësisë, si dhe të largosh e paralajmërosh njerëzit që të largohen nga rruga e humbjes dhe dëshpërimit. - ...me një me gjuhë të kulluar arabe. - Arabishtja është më e mira e gjuhëve të botës. Ai e zbriti në këtë gjuhë, që të kuptohet mirë nga populli mes të cilëve u zgjodh, që ata ta kuptonin ftesën e tij përmes kësaj gjuhe të qartë. Mendohu pak se si janë mbledhur gjithë këto veçori dhe mirësi në këtë Libër mrekulli. 1. Ai është më i miri i librave. 2. Atë e solli nga Zoti tek Muhamedi (a.s) më i miri i melekëve, Xhibrili (a.s). 3. Ky Libër ju dhurua më të mirit të krijesave, Muhamedit (a.s). 4. Ky libër u zbrit drejt e në pjesën më të pastër dhe të zgjedhur të këtij Profeti madhështor, në zemrën e tij. 5. Ky Libër iu la në trashëgim popullit më të mirë të nxjerrë ndonjëherë për njerëzit, muslimanëve. 6. Ky Libër u zbrit në gjuhën arabe, më të mirën dhe më të kuptueshme gjuhë të botës, më të gjerën dhe më të pasurën. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:

- Pa dyshim, ai (Kur'ani) është i përmendur edhe në librat e mëparshëm. - Shpalljet e mëparshme kanë paralajmëruar dhe përgëzuar për ardhjen e tij, si dhe kanë dëshmuar për vërtetësinë dhe rëndësinë e madhe të tij. Kur u shpall ky Libër, ishte plotësisht ashtu siç kishin paralajmëruar shpallje të hershme. Nga ana tjetër, edhe Kur'ani vërtetoi lajmet e vërteta që gjendeshin në shpalljet e mëparshme, si edhe besnikërinë e profetëve të Zotit. - A nuk ishte provë për ata (për jobesimtarët mekas) , se atë (Kur'anin) e dinin edhe dijetarët e bijve të Izraelit? - A nuk u mjafton atyre si shenja dhe argument për të treguar saktësinë e kësaj shpalljeje dhe se është prej Zotit, fakti që: "...atë (Kur'anin) e dinin edhe dijetarët e bijve të Izraelit?" Ata ishin njerëzit më të ditur në atë kohë rreth këtyre çështjeve. Në çdo çështje që ka paqartësira e dyshime, njerëzit duhet të kthehen në njerëzit e specializuar në njohuritë përkatëse, dhe fjala e tyre merret për bazë. Kështu, edhe në kohën e Musait, magjistarët që ishin të specializuar në njohurinë e magjisë, dëshmuan se ajo që solli Musai nuk ishte magji, por mrekulli nga Zoti. Ata ishin ekspertë dhe dhanë atë dëshmi, që ishte e pranueshme, ndërsa fjalët e të tjerëve ishin të kota dhe nuk merreshin për bazë. - Sikur Ne t’ia kishim shpallur atë (Kur'anin) ndonjë joarabi dhe ai t’ua lexonte atyre, ata nuk do t’i besonin atij. - Sikur Ne t’ia kishim shpallur K ur'anin ndonjë joarabi dhe ai t’ua lexonte atyre të cilët nuk e kuptonin dhe nuk e flisnin gjuhën e tij, ".. ata nuk do t’i besonin atij." Ata nuk do të besonin dhe do të thoshin: “Ne nuk e kuptojmë çfarë thotë dhe nuk e dimë se në çfarë po na fton.” Atëherë, le ta falenderojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre që ua solli këtë shpallje të mrekullueshme në gjuhën më të qartë dhe të gjerë, profetit më elokuent dhe më oratorit të krijesave, Muhamedit (a.s). Ai ju qartëson qëllimet e larta të fesë, me shprehjet dhe artikulimet më të pastra. Ai është dashamirësi, që synon rregullimin e çështjeve tuaja dhe ju fton në mirësi me shprehjet më të zgjedhura, dhe kjo duhet t’ju bëjë që ju të nxitoni për ta pranuar dhe besuar atë, për t’u nënshtruar dhe dorëzuar në fenë e tij. Ndërsa mohimi dhe refuzimi i tij pa asnjë shkak e me paqartësi, nuk është gjë tjetër veçse tregues i kufrit dhe inatit, një cilësi që mohuesit e kanë trashëguar brez pas brezi nga njëri tjetri. - Kështu e futim atë (mohimin e Kur'anit) në zemrat e keqbërësve... - Kështu e fusim mohimin, që të mos u ndahet zemrave të keqbërësve. Mohimi hyri në zemrat e tyre si fija e perit në vrimën e gjilpërës dhe ato zemra u mësuan me të. E gjitha kjo ndodhi për shkak të padrejtësisë së tyre dhe shfrenimit të tyre në ligësi e prapësi. - ...prandaj ata nuk do të besojnë në të (Kuran), derisa ta shohin dënimin e dhembshëm... - Ata nuk kanë për të ndryshuar, por do të mbeten të zhytur e të harruar në kufër, derisa ta shohin dënimin e dhembshëm. - ...që do t’u vijë befas dhe pa e ndier. - Ai do t’u vijë kur ata të jenë të shkujdesur dhe të pavëmendshëm, pa e ndier fare, kështu që do të jetë një ndëshkim më i ashpër dhe i më dhembshëm. - Atëherë, ata do të thonë: “A do të na jepet afat?” - Ata do të kërkojnë që t’u jepet leje e të afatizohen, por tashmë ka kaluar koha e afatizimit. Mbi ta ka rënë ndëshkimi, që kurrë nuk ka për t’u larguar dhe as ka për t’u pakësuar.

← Shuara 26:192