26. Shuara · Ajeti 217 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:210–26:227

Kur'ani nuk është i tillë që mund t'i afrohen djajt, sepse ai është dritë, udhërrëfyes, mrekulli e madhe, kurse djajt janë shkatërrimtarë e të humbur. Ai është i mbrojtur ngase qiejt janë përplot engjëj dhe Xhibrili është sigurues i ti,ndërsa djajt janë të ndjekur prej qiejve, andaj as që mund të dëgjojnë asnjë shkronjë.

Pejgamberi urdhërohet t'i thërrasë të afërmit, edhe pse ndër ta kishte mjaft kundërshtarë të rreptë, e Zoti i garanton se Ai është me të edhe kur është i vetmuar edhe kur është në grup, në xhematë.

Djajt u sjellin falltorëve gënjeshtra, me të cilat i mashtrojnë njerëzit mendjelehtë.

Poetët janë të pavendosur, e lavdërojnë atë që më parë e kanë përqeshur, madhërojnë atë që më parë e kanë nënçmuar, pra nuk zgjedhin rrugë të drejtë, pos atyre poetëve që ishin besimtarë dhe u kundërviheshin me poezinë e tyre armiqve, ata ishin të lavdishëm.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kësaj kaptine. Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:213–26:220

- “Prandaj, mos iu lut asnjë zoti tjetër përveç Allahut! Ndryshe do të jesh prej të dënuarve.” - Allahu i Lartësuar urdhëron që ta adhurojmë Atë si Një të vetëm dhe pa ortak. Ai na njofton se, çdokush që i shoqëron Atij diçka në këtë adhurim, Ai ka për ta ndëshkuar ashpër. - “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërt!” - Ai urdhëron Profetin e Tij të dashur që të paralajmërojë dhe këshillojë farefisin e tij të afërt, duke na bërë me dije se askush nuk ka për të shpëtuar nga ndëshkimi i Zotit, veçse përmes besimit të pastër. - “Ji i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” - Allahu i Madhëruar e porosit Profetin e Tij që të tregohet i butë, i dhembshur e i mëshirshëm me ata të cilët e besojnë dhe pasojnë rrugën e tij dhe të distancohet nga ata që nuk i binden Zotit dhe nuk ndjekin Shpalljen e Profetin e Tij, kushdo qofshin ata. - “Por, nëse ata nuk të binden, ti thuaj: “Unë distancohem nga ajo që bëni ju.”. - Ky urdhër për të paralajmëruar e ftuar në besim farefisin e afërt nuk duhet kuptuar gabim e të mendojmë se Muhamedi u

dërgua vetëm për të këshilluar farefisin e tij e jo për të gjithë botën. Në shumë ajete të tjera, ky urdhër është gjithëpërfshirës. Kështu, urdhri për të këshilluar farefisin e afërt është pjesë e urdhrit të përgjithshëm për të ftuar të gjithë njerëzit në Islam dhe në dorëzim të Plotë ndaj Zotit, siç thotë i Lartësuari: “Ti je në një rrugë të drejtë. Ajo është Shpallje e të Plotfuqishmit, Mëshirë - plotit që të mund të paralajmërosh një popull, të parët e të cilëve nuk qenë paralajmëruar dhe ata mbetën të pavëmend - shëm (ndaj argumenteve të Allahut).” [Ja sin 6]. Ose: “Paralajmëroji nëpërmjet tij (Kuranit) ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, me qëllim që të ruhen, sepse, veç Tij, ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës apo ndërmjetës.” [Enam 51]. Ose: “Kështu, Ne e bëmë atë (Kuranin) të lehtë në gjuhën tënde, që nëpërmjet tij t’i përgëzosh të devotshmit dhe t’i tërheqësh vërejtjen atyre, që janë (të devijuar) kryeneçë.” [Merjem 97]. Ose: “Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush. Mua më është shpallur ky Kuran, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. ...” [En’am 19]. Ose: “E kush mund të kraha - sohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij, i ndjekur nga dëshmues prej tij, me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! Këta e besojnë vërtet atë. Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar. Prandaj ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd, e megjithatë, shumë prej njerëzve nuk besojnë.” [Hud 17]. Në një hadith të saktë thuhet: 2016. “Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im! Çdo njeri nga ky umet, jehud ose i krishterë qoftë, që tashmë dëgjon për mua, dhe pastaj vdes pa më besuar (si profet i Zotit), ka për të hyrë në Zjarr!” [Muslimi] 123 Në lidhje me këtë ajet ka hadithe të shumta. Le të përmendim disa prej tyre. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili tregon: 2017. “Kur zbriti ajeti: “Tërhiqu vërejtjen farefisit tënd më të afërt ” (Shuara, 214), Profeti ﷺ hipi mbi Safa dhe thirri: “Uâ sabâhâ !” (një thirrje alarmi për të mbledhur njerëzit sa më shpejt). Njerëzit u tubuan me të shpejtë. Ai që nuk mundi të dilte, dërgoi dikë për të parë çfarë po ndodhte. Profeti tha: “O bijtë e Abdul Mutalibit! O bijtë e Fihrit! O bijtë e Luejit! Nëse unë ju them se një ushtri me kalorës ka për t’ju kapur në befasi në mëngjes dhe ka për t’ju luftuar, a do të më besonit?” Ata thanë: “Po !” Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Kështu, unë po ju paralajmëroj se përpara ju pret një ndëshkim i ashpër!” Atëherë, Ebu Lehebi iu drejtua: “Qofsh i shkatërruar përgjithmonë! Për këtë, vallë, na tubove?!” Për këtë rast zbriti edhe ajeti: “U thafshin duart e Ebu Lehebit, dhe u shkatërroftë! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet dhe as bëmat e tij.” (Mesed, 1 -2).] Imam Ahmedi sjell gjithashtu hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që ka thënë: 2018. “Kur zbriti ajeti: “Paralaj-mëroje farefisin tënd më të afërm.” (Shuara, 214), i Dërguari i Allahut i thirri kurejshët në përgjithësi, pastaj veçoi disa familje prej tyre dhe u tha: “O bijtë e Kab Ibn Luejit, shpëtojeni veten nga Zjarri! O bijtë e Murra Ibn Kabit, shpëtojeni veten nga Zjarri! O bijtë e Abdushemsit, shpëtojeni veten nga Zjarri! O bijtë e Abdumunafit, shpëtojeni veten nga Zjarri! O bijtë e Hashimit, shpëtojeni veten nga Zjarri! O bijtë e Abdulmutalibit, shpëtojeni veten nga Zjarri! Oj Fatime, shpëtoje veten nga Zjarri, ngase para Allahut nuk mund t’ju bëj asnjë dobi, por kemi vetëm lidhje farefisnore, të cilën do të përpiqem (në dynja) ta mbaj.” Hadithin e kanë sjellë Muslimi dhe Tirmidhiu. Ky hadith vjen edhe në dy Sahih-ët përmes Zuhriut, nga Seid Ibn Musejibi, ky nga Ebu Seleme Ibn Abdurahmani, e ky nga Ebu Hurejra. Imam Ahmedi sjell hadithin tjetër nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila rrëfen: 2019. “Kur zbriti ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm.” (Shuara, 214), i Dërguari i Allahut u ngjit në Safa dhe thirri: “Oj Fatime, e bija

e Muhamedit! Oj Safije, e bija e Abdulmutalibit! O bijtë e Abdulmutalibit! Para Allahut nuk mund t’ju ndihmoj aspak, kurse nga pasuria ime kërkoni ç'të doni!” Këtë hadith e ka sjellë vetëm Muslimi. - “Mbështetu tek i Plotfuqishmi, Mëshirëploti ...” - Mbështetu dhe kërkoje ndihmën dhe forcën veçse tek Zoti, në të gjitha çështjet e tua. Ai është Ndihmësi, Mbrojtësi yt, Dhuruesi i fitores e triumfit, lartësuesi i fjalës tënde dhe përhapësi i saj. - “... i Cili të sheh kur qëndron në këmbë ...” - Ai të sheh dhe kujdeset për ty, kur ngrihesh e qëndron në këmbë për të falur namaz. - “... dhe lëvizjet e tua në mesin e atyre që bien në sexhde ...” - Ai të sheh ty, qoftë kur falesh vetëm, qoftë kur falesh me shokët e tu. - “... sepse është Ai që dëgjon dhe di gjithçka.” - Allahu është gjithëdëgjues i fjalëve të robërve të Tij, i gjithëditur për çdo lëvizje e vepër të tyre. I Lartësuari thotë në ajetin tjetër: “Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kurani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në Tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë.” [Junus 61].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:217–26:220

- Mbështetu tek i Plotfuqishmi e Mëshirëploti, - Ndihma më e fortë dhe e madhe për robin, që të plotësojë urdhëresat e Zotit, është mbështetja tek Zoti i tij dhe kërkimi i ndihmës nga Ai, që është Kujdestari dhe Mbrojtësi më i dashur. Allahu është më i Mëshirshmi dhe i Dashuri, që e ndihmon robin për të përmbushur urdhëresat. Allahu i Lartësuar urdhëron që vetëm Atij t’i mbështeten. Etteuekul është mbështetja e plotë e zemrës tek Allahu i Lartësuar për të përmbushur të mirat dhe për t’u ruajtur nga të këqijat, me besimin e plotë se do t’ia arrish dhe me mendimin e mirë për Allahun se Ai do të të ndihmojë. Allahu është Krenari e Ngadhënimtari. Me krenarinë dhe pushtetin e Tij, ka vendosur që ta afrojë të mirën dhe ta largojë të keqen nga robi i Tij. Allahu është Mëshirëplotë, që me mëshirën e Tij e ndihmon robin të arrijë të mirat dhe të shpëtojë nga të këqijat. Pastaj Allahu i Madhëruar na kujton që të sjellim gjithmonë ndër mend afërsinë e Tij, që të mund të përmbushim në mënyrën më të

mirë el istiane -n, pra, kërkimin e ndihmës nga Ai. Allahu na nxit që të ngrihemi në gradën e ihsan-it, duke e ndier mbikëqyrjen dhe afërsinë e Tij: - i Cili të sheh kur qëndron në këmbë (për namaz) dhe lëvizjet e tua në mesin e atyre që bien në sexhde. - Allahu të sheh gjatë këtij adhurimi të mrekullueshëm. Ai të sheh kur je në këmbë dhe kur bie në ruku dhe në sexhde. Këta i përmendi në mënyrë të veçantë për vetë rëndësinë dhe vlerën e tyre të lartë. Kur kujton afërsinë e Zotit gjatë sexhdes, rukusë dhe qëndrimit në këmbë, sjell edhe më shumë përunjësi e frikërespekt. Këto veprime kryesore, që konsiderohen si shtylla të namazit, duhet të kompletohen dhe përkryhen. Kush përkryen namazin, ka për t’i përkryer edhe punët e tjera. Gjithashtu, me një namaz të përkryer, çdokush mund të kërkojë ndihmën më të mirë për çdo gjë tjetër. - Sepse është Ai që dëgjon dhe di gjithçka. - Allahu dëgjon të gjitha zërat, me gjithë ndryshimet dhe kërkesat e larmishme të krijesave. Allahu është El Alim - i Gjithëditur. Ai di ato që shfaqen dhe ato që fshihen, të fshehtat dhe të dukshmet. Nëse robi sjell në mend vazhdimisht shikimin e Zotit mbi të në çdo çast, dëgjimin e Tij të çdo fjale që flet dhe diturinë e Tij për gjithçka që ai fsheh prej shqetësimeve, planeve, qëllimeve e motiveve, të gjitha këto e ndihmojnë për të përmbushur gradën e ihsanit.

← Shuara 26:217