26. Shuara · Ajeti 227 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:210–26:227

Kur'ani nuk është i tillë që mund t'i afrohen djajt, sepse ai është dritë, udhërrëfyes, mrekulli e madhe, kurse djajt janë shkatërrimtarë e të humbur. Ai është i mbrojtur ngase qiejt janë përplot engjëj dhe Xhibrili është sigurues i ti,ndërsa djajt janë të ndjekur prej qiejve, andaj as që mund të dëgjojnë asnjë shkronjë.

Pejgamberi urdhërohet t'i thërrasë të afërmit, edhe pse ndër ta kishte mjaft kundërshtarë të rreptë, e Zoti i garanton se Ai është me të edhe kur është i vetmuar edhe kur është në grup, në xhematë.

Djajt u sjellin falltorëve gënjeshtra, me të cilat i mashtrojnë njerëzit mendjelehtë.

Poetët janë të pavendosur, e lavdërojnë atë që më parë e kanë përqeshur, madhërojnë atë që më parë e kanë nënçmuar, pra nuk zgjedhin rrugë të drejtë, pos atyre poetëve që ishin besimtarë dhe u kundërviheshin me poezinë e tyre armiqve, ata ishin të lavdishëm.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kësaj kaptine. Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:221–26:227

Allahu i Lartësuar u drejtohet idhujtarëve, të cilët pretendojnë se mesazhi që Muhamedi solli nuk është i vërtetë dhe as shpallje prej Zotit, por është thjesht një trillim i mendjes së tij, ose është diçka që atij ia ka inspiruar ndonjë xhind (siç ndodh me fallxhorët). Por Allahu i Madhëruar dëshmon pastërtinë e figurës së Profetit të Tij të dashur nga të tilla shpifje të i dhujtarëve. Përkundrazi, ajo që Muhamedi ﷺ solli ndër njerëz është Shpallje prej Zotit të gjithësisë, Shpallje të cilën Ai ia zbriti Muhamedit ﷺ nëpërmjet melekut madhështor, Xhibrilit, i cilësuar si Besniku, Fuqiforti. Kurani kurrsesi nuk mund të jetë fjalë shejtanësh. Ata nuk janë të prirur e as nuk mund të pajtohen me mësimet e tij dhe as nuk mund t’u afrohen njerëzve të pastër e të mirë, të zgjedhurve nga Zoti. Ata u afrohen atyre që janë të ngjashëm me ta dhe që ndjekin prapësitë e tyre, siç janë fallxhorët e magjistarët, këta mashtrues të mëdhenj e të njohur. - “A t’ju tregoj (o njerëz) se kujt i vijnë shejtanët? Ata i vijnë çdo gënjeshtari e çdo të mbushuri me gjynahe. ” - Ata u shkojnë atyre që Zoti i përshkruan si ‘ effâk’, pra, gënjeshtarë të mëdhenj në fjalët e tyre dhe ‘ ethim’, pra, keqbërës e të prishur në veprat e tyre. Të tillë njerëzve u vijnë shejtanët. Të tillë janë fallxhorët, sharlata - nët, magjistarët dhe keqbërës të shfrenuar të ngjashëm, sepse edhe shejtanët janë gënjeshtarë e keqbërës të prishur e kalues të çdo kufiri. - “Bëhen sy e veshë (për çdo gjë) dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë. ” - Ata përgjojnë, që të marrin ndonjë fjalë nga dituria e fshehtë e qiellit. Nëse arrijnë të marrin diçka të vërtetë, ata e përziejnë me njëqind gënjeshtra dhe ua përcjellin miqve të tyre fallxhorë e magjistarë. Kështu, njerëzit u besojnë fjalëve të tyre, për shkak të atij lajmi të vërtetë. Buhariu përcjell nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila rrëfen: 2020. “Disa persona e pyetën të Dërguarin e Allahut rreth falltarëve. Ai tha: “Ata nuk janë asgjë” - “O i Dërguari i

Allahut, por nganjëherë ndodh që ata të tregojnë diçka, e cila, pas një kohe, realizohet!” - thanë ata. - “Ajo që ndodh është një fjalë e vërtetë, të cilën ndonjë xhind e grabit dhe e përcjell në veshin e mikut të tij, i cili pastaj e përzien atë me njëqind gënjeshtra”, - u përgjigj i Dërguari i Allahut.” - “Dhe poetët (gënjeshtarë) pasohen nga ata që janë të humbur. ” - Poetët që nuk besojnë Zotin me besimin e drejtë, pasohen veçse nga ata njerëz e xhindë që kanë humbur udhën e Zotit. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi. Ndërsa Ikrima ka thënë: “Poetët konkurronin njëri -tjetrin duke recituar poezitë e tyre, edhe admiruesit ndaheshin në grupe sipas të parapëlqyerve të tyre. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Dhe poetët (gënjeshtarë) pasohen nga ata që janë të humbur.” Kurse Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seidi, i cili rrëfen: “Njëherë, kur ishim duke ecur së bashku me Profetin në El Arxh, erdhi një poet e filloi të recitonte disa vargje. Profeti i Allahut tha: 2021. “Merreni shejtanin (ose tha: “Kapeni e largojeni atë shejtanin”)! Më mirë t’ju mbushet gjoksi me qelb, sesa të mbushej me (të tilla) poezi.” Në Sahih-un e Buhariut vjen një hadith nga Ebu Hurejra, se Profeti a.s. ka thënë: “Kur Allahu i Lartësuar vendos diçka në qiell, melekët rrahin flatrat e tyre në shenjë përunjësie për fjalën e vendimin e Zotit. Ajo (fjalë) dëgjohet si një zhurmë zinxhirësh të hekurt, që godasin mbi një shkëmb të lëmuar.” Kështu e ka përcjellë Aliu. Ndërsa të tjerët, pas fjalës “në një shkëmb të lëmuar...”, kanë shtuar: “... kështu e bën (Allahu), që të dëgjohet (ajo fjalë) ndër ta.” Pastaj, - vazhdon hadithi, - pasi zemrat e tyre çlirohen (nga frika), ata pyesin: “Çfarë tha Zoti juaj?” Thonë (Xhibrili dhe melekët më të afërt): “Tha të vërtetën Ai, që është i Lartësuari dhe i Madhëruari.” Kështu dëgjojnë (diçka) ata që tentojnë të dëgjojnë lajme nga qielli. Ata që tentojnë të dëgjojnë vjedhurazi lajme nga qielli janë kështu, njëri mbi tjetrin ... - dhe Sufjani bëri shenjë me dorë, duke hapur gishtat e dorës së djathë dhe duke i vendosur duart njëra mbi tjetrën - . Ndodh që shkëndija e zjartë ta godasë atë që rrëmben diçka prej lajmeve të qiellit dhe ta përvëlojë, përpara se ai ta hedhë atë lajm tek tjetri. Por mund të ndodhë edhe që të mos e godasë, derisa ai t’ia përcjellë lajmin një tjetri poshtë tij, e ky tjetrit poshtë tij, derisa ta zbresin në tokë.” Ndoshta Sufjani tha: “... derisa të zbresë në tokë e t’i jepet magjistarit apo fallxhorit, i cili e përzien me njëqind gënjeshtra dhe njerëzit e besojnë, duke thënë: “A nuk na njoftoi se në këtë ditë e në këtë vend do të ndodhë kështu e ashtu, dhe vërtet ashtu ndodhi?” Dhe është pikërisht ajo e vërtetë që u dëgjua nga lajmet e qiellit.” Sërish Buhariu sjell hadithin nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti ﷺ ka thënë: “Melekët mbi re bisedojnë rreth çështjeve (të paracaktuara qiellore) që do të ndodhin në Tokë, kurse shejtanët dëgjojnë ndonjë fjalë vjedhurazi dhe ua pëshpëritin falltarëve në vesh, si kur zbrazet diçka nga kavanozi, duke i shtuar edhe njëqind gënjeshtra (nga vetvetja).” - “A nuk e sheh ti se ata hidhen në çdo anë ...” - domethënë, ata marrin pjesë në çdo lloj kotësie dhe kuvendi pa vlerë, herë lëvdojnë dikë e herë e shajnë atë. Edhe kur shajnë, edhe kur lëvdojnë , e bëjnë pa të drejtë. Në shumicën e fjalëve të tyre ata gënjejnë e trillojnë. Ata lëvdohen e mburren me vargjet e tyre dhe për bëma që nuk janë të tyret. Dijetarët kanë diskutuar në lidhje me fjalët e pohimet e poetëve për veten e tyre, a penalizohen ata për ato lloj fjalësh të cilat kanë ndëshkim në Sheriat, sepse ata zakonisht gënjejnë. Ata e kanë zakon që të pohojnë gjëra, që në fakt janë të pavërteta. Mendimi më i saktë është se ata ndëshkohen vetëm nëse vërtetohet me dëshmi e fakte të tjera, që vërtet ata e kanë vepruar atë që pohojnë në poezitë e tyre. Njëherë, Umerit i çuan lajm se i emëruari i tij në Mejsan, në tokat e Basras, kishte thurur një poezi, ku thoshte se ishte dehur duke pirë e duke dëgjuar këngë. Umeri thjesht u mjaftua me shkarkimin e tij, por nuk ekzekutoi mbi të

dënimin për dehjen, pasi u sigurua se ai nuk e kishte vepruar atë që thoshte në vargjet e tij. Kur e sollën përpara Umerit, ai tha: “Për Zotin, o udhëheqësi i besimtarëve, kurrë nuk kam pirë, por ishte thjesht fjalë, që e thashë.” Umeri tha: “Kështu mendova edhe unë, por vallahi, pas atyre fjalëve, kurrë nuk ke për të punuar më për mua!” Qëllimi këtu është për të treguar se atij të cilit i zbriti ky Kuran, është Profeti i Allahut, që nuk është as falltar e as poet. Pozita e tij është shumë larg cilësive të tyre, siç thotë i Lartësuari: “Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë dhe ajo as nuk është për të. Ky (Libër) është veçse një Mesazh dhe një Kuran i qartë, për të paralajmëruar këdo që është i gjallë dhe që të përmbushet fjala e Tij për jobesimtarët.” [Ja sin 69]. Ose: “Unë betohem në atë që e shihni, edhe në atë që nuk e shihni, se, me të vërtetë ai (Kurani) është Fjalë, që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është shpallje prej Zotit të botëve.” [Haka 38 - 43]. Po kështu thotë edhe në këtë sure: “Pa dyshim, ky (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed), për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës) , me një me gjuhë të kulluar arabe.” “Atë nuk e kanë zbritur shejtanët. Atyre as nuk u takon (kjo mirësi) e as nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Dhe ata janë penguar edhe për ta dëgjuar atë.” “A t’ju tregoj (o njerëz) se kujt i vijnë shejtanët? Ata i vijnë çdo gënjeshtari e çdo të mbushuri me gjynahe. Bëhen sy e veshë (për çdo gjë) dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë. Dhe poetët (gënjeshtarë) pasohen nga ata që janë të humbur. A nuk e sheh ti se ata hidhen në çdo anë dhe flasin atë që nuk e bëjnë?” - Përveç atyre që besojnë, që bëjnë vepra të mira, që e përmendin shumë Allahun - Ky është një përjashtim nga ajo që u përmend më sipër, në lidhje me poetët. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Ikrima, Muxhahidi e të tjerë. Sigurisht që në këtë përjashtim bën pjesë çdo poet musliman, edhe nëse në të shkuarën ai ka qenë idhujtar. Çdokush që ka besim të pastër, është penduar dhe kthyer tek Zoti, duke hequr dorë nga çdo padrejtësi në fjalë dhe në vepra, që është përmirësuar e bën vepra të mira, përmend Zotin e ndjen keqardhje për çdo fjalë e padrejtësi të kryer më parë, dije që nuk ka dyshim se veprat e mira i fshijnë të këqijat, sidomos kur këta poetë lëvdojnë besimtarët, besimin e pastër dhe vihen në ndihmë të rrugës së Zotit, duke mbështetur dhe rregulluar kështu atë që më parë e luftonin dhe e kundërshtonin. - dhe që mbrohen kur u bëhet padrejtësi. - Ibn Abasi shpjegon: “Thurin vargje kundër mohuesve, të cilët sulmojnë e fyejnë Islamin dhe muslimanët”. Kështu e kanë shpjeguar edhe Muxhahidi me Kataden. Në hadith të saktë është përmendur se Profeti i Allahut i tha (poetit të tij) Hasan Ibn Thabit: 2022. “Sulmoji ata (me poezinë tënde), se Xhibrili është me ty!” Imam Ahmedi transmeton nga Keab Ibn Malik se i ati i ka thënë njëherë Profetit: 2023. “Allahu Krenar dhe i Lartësuar zbriti çfarë zbriti në suren Shuara, (në lidhje me poetët). - Profeti i tha: “Besimtari lufton me shpatën dhe me fjalën e tij. Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim, se me fjalën tuaj, ju i godisni njëlloj si t’i shponi me breshërinë e shigjetave tuaja.” - Ata që bëjnë padrejtësi, do ta kuptojnë shpejt fundin që i pret. - Ky ajet është i përgjithshëm dhe përfshin çdo lloj padrejtësie, qoftë nga poetët, qoftë nga të tjerët. Në një hadith të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: 2024. “Largojuni padrejtësive, sepse çdo padrejtësi është errësirë në Ditën e Kijametit.”” Këtu përfundon shkurtesa e tefsirit të sures Shuara dhe vetëm Allahut i takon mirënjohja dhe të gjitha lavdërimet. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Muhamedin, më të zgjedhurin e profetëve të Zotit

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:221–26:227

- A t’ju tregoj (o njerëz) se kujt i vijnë shejtanët? - Kjo vjen si përgjigje ndaj atyre që, duke dashur të mohojnë dhe refuzojnë Profetin (a.s), thanë se atij i vijnë shejtanët, që ia sjellin Kur'anin. Ata thonë se ai është poet, por Allahu thotë: "A t’ju tregoj se kujt i vijnë shejtanët?" A t’ju njoftoj me këtë lajm të sigurt të vërtetë dhe të padyshimtë? A doni t'ju tregoj cilësitë e veçanta të atyre që u zbresin shejtanët? - Ata i vijnë çdo gënjeshtari e çdo të mbushuri me gjynahe. - Pra, cilësia e tyre bazë është mashtrimi dhe shpifja. Këtyre u zbresin shejtanët, sepse gjendja e tyre është e ngjashme me gjendjen e shejtanëve. - Bëhen sy e veshë (për çdo gjë)... - Hapin veshët për të dëgjuar ndonjë lajm nga qielli. - ... dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë. - Shumica e lajmeve që sjellin shejtanët janë gënjeshtra dhe ndonjë në të rrallë është e vërtetë. Një të vërtetë në 100 gënjeshtra, kështu e përziejnë të vërtetën me të kotën. Ajo e vërtetë zhduket në kotësinë e madhe, sepse është e pakët dhe e rrallë. Këto janë cilësitë e atyre që u zbresin shejtanët dhe i tillë është frymëzimi që shejtanët u ofrojnë atyre. Ndërsa Muhamedi (a.s) ndyshon shumë nga gjendja e këtyre mashtruesve. Ai njihej nga të gjithë si i Sinqerti e Besniku. Ai ishte njeri bamirës, i urtë dhe i mençur. Ai kishte një zemër bamirëse dhe një gjuhë e pastër, larg gënjeshtrës. Gjymtyrët e tij ishin larg haramit dhe ligësisë. Shpallja i vinte prej Allahut me mbrojtje të përforcuar. Shpallja sillte të vërtetën e sigurt dhe madhështore, që nuk të linte asnjë dyshim. Mendoni, atëherë, o njerëz të mençur dhe të urtë, a janë njëlloj këto dy raste? Ato mund të ngatërrohen veçse nga një i humbur, që nuk di të dallojë mes gjërave. Pasi e deklaroi Profetin e Tij si të ruajtur nga shejtanët, Allahu i Madhëruar pastron figurën e tij nga akuzat se ishte poet mashtrues e hipokrit. Ai thotë:

- Poetët (gënjeshtarë) pasohen nga ata që janë të humbur. - A t’ju tregoj për gjendjen dhe cilësitë e poetëve hipokritë e gënjeshtarë? Ata lloj njerëzish pasohen veçse nga të humburit, që kanë devijuar nga rruga e drejtë. Ata vetë janë të humbur prandaj edhe pasuesit e tyre janë të humbur, të prishur e keqbërës. - A nuk e sheh ti se ata hidhen në çdo anë (herë lavdërojnë, e herë përqeshin) - Nga humbja dhe devijimi i tyre, hallakaten sa në një anë, në tjetrën. Herë lavdërojnë si hipokritë, e herë të tjera shajnë dhe fyejnë. Herë mbështesin të vërtetën, dhe herë gënjeshtrën dhe kotësinë. Herë thurin himne e lëvdata, dhe herë të tjera tallen e përqeshin. Këtu i sheh të gëzuar, më pas të dëshpëruar. Ata nuk mbajnë një qëndrim të vetëm parimor e të drejtë. - ....dhe flasin atë që nuk e bëjnë? - Ky është përshkrimi i poetëve hipokritë. Fjalët e tyre janë ndryshe nga veprat e tyre. Kur i dëgjon të këndojnë vargje prekëse, të duket sikur ata janë njerëzit më të përvuajtur, por në të vërtetë ata veçse shtiren. Kur i dëgjon që lavdërojnë ose shajnë, mendon se fjalët e tyre janë të vërteta dhe të besueshme, por në fakt është thjesht mashtrim. Ata vetëlëvdohen, sikur kanë bërë vepra që, në fakt, nuk i kanë bërë, ose kanë lënë vepra që, në fakt, nuk i kanë lënë, ose sikur janë treguar bujarë, ose guximtarë e trima, por, në fakt, janë frikacakët më të pashembullt. Të tillë janë ata. Shih me kujdes! A i afrohet ky përshkrim Muhamedit (a.s), atij burri bamirës dhe bujar, të udhëzuar dhe të urtë, të cilin e pasojnë të gjithë njerëzit e urtë dhe të mençur? Ai ishte i udhëzuar në rrugën e drejtë dhe larg nga çdo ligësi e paudhësi. Veprat e tij nuk ishin kontradiktore me fjalët e tij, por vërtetuese të njëra tjetrës. Ai udhëzonte veçse për mirësi dhe ndalonte veçse nga paudhësia dhe ligësitë. Çdo lajm që ka sjellë është i vërtetë. Çdo urdhër që ka dhënë, e ka zbatuar vetë i pari dhe çdo ndalesë që ka ligjëruar, është larguar vetë i pari nga ajo. Atëherë, si mund të krahasohet gjendja e tij me atë të poetëve hipokritë të fjalëve boshe?! Gjendja e tij ishte krejtësisht ndryshe nga gjendja e këtyre të mjerëve. Paqja dhe përshëndetjet më të përzemërta qofshin për këtë Profet të kompletuar dhe punëtor bamirës, përjetësisht e pa fund! I pastër është ai nga shpifjet e mohuesve! Ai nuk ishte as poet, as magjistar e as i çmendur, por ishte njeriu më i plotë, me virtytet më të larta. Allahu i Madhëruar, pasi i përshkroi poetët me ato cilësi, vijon duke përjashtuar një kategori të caktuar, duke thënë: - Përveç atyre që besojnë, që bëjnë vepra të mira, që e përmendin shumë Allahun dhe që mbrohen kur u bëhet padrejtësi. - Është fjala për ata që besojnë Allahun dhe në Profetin e Tij, bëjnë punë të mira dhe e kujtojnë shumë Allahun. Gjithashtu, ata e marrin të drejtën e tyre kur u shkelet dhe kur u bëhet padrejtësi. Këta janë njerëz të mirë, madje edhe poezitë e tyre konsiderohen si gjë e mirë dhe në mbrojtje të mirësisë. Ato poezi dhe fjalë të zgjedhura janë gjurmë dhe fryte të imanit të tyre, sepse ata lavdërojnë besimtarët dhe luftojnë për të mbrojtur të drejtën kundër idhujtarëve dhe mohuesve. Ata mbrojnë përmes fjalës fenë e Zotit dhe qartësojnë me kujdes njohuritë e dobishme. Ata nxisin për moral të lartë. - Ata që bëjnë padrejtësi, do ta kuptojnë shpejt fundin që i pret. - Ai që i pret është qëndrimi para Zotit për llogarinë me drejtësi. Atë ditë do të dalë në shesh çdo vepër e vogël apo e madhe dhe e drejta do të shkojë në vend. Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut, Zotit të botëve!

← Shuara 26:227