وَإِنَّ رَبَّكَ لَهُوَ ٱلۡعَزِيزُ ٱلرَّحِيمُ
Nuk ka dyshim se Zoti yt është i gjithfuqishëm dhe i mëshirshëm.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Faraoni, pas disfatës në atë tubim me magjistarët filloi ndëshkime të ashpra kundër popullit Beni Israil. Prandaj pas një kohe Zoti e urdhëroi Musain, që me besimtarët e vet të iki natën nga Egjipti. Kur dëgjoi faraoni për ikjen e tyre çoi e thirri njerëz, që t’u vihen prapa, t’i zënë dhe t’i ndëshkojnë. U vunë prapa tyre dhe në kohën kur lindte dielli i zunë. Beni Israilët u frikësuan, pse detin e kishin para, kurse armikun në numër shumë të madh prapa, por Musai i bindur në ndihmën e Zotit i trimëroi, se Zoti do t’i mbrojë. Në atë çast Zoti e urdhëroi Musain t’i bjerë me shkop detit. Ai i ra në dymbëdhjetë vende, dhe u hapën dymbëdhjetë rrugë nëpër të cilat kaluan Beni Israilët, që ishin me Musain, e uji i detit qëndroi i ndarë si të ishin kodra. Edhe faraoni me popullin e vet u fut nëpër ato rrugë, por uji u lëshua dhe i përmbyti që të gjithë.