27. Neml · Ajeti 71 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 27:67–27:81

Mushrikët mekas ishin këmbëngulës në pamundshmërinë e ringjalljes pas vdekjes dhe nuk mendonin i se Ai, i cili solli këtë jetë duke mos qenë ata fare, ka fuqi t'i rikthejë në jetë sërish. Për atë mosbesim të tyre u drejtohet kërcënimi se do t'i gjejë edhe ata çka i gjeti mosbesimtarët e mëparshëm.

Muhammedi porositet që të mos shqetësohet pse ata nuk besojnë, e as të mos u vërë veshin intrigave të i tyre, se Zoti është në mbrojtje të tij. Për pyetjen që i bënin se kur do të jetë ai ndëshkim kundër tyre, Kur'ani u thotë se një pjesë e tij tashmë i ka goditur në luftën e Bedrit, e do t'ju godasë edhe më vonë, por Zoti është shumë mëshirues e bëmirës, andaj nuk ua ngut ndëshkimin edhe pse bëjnë mëkate. Megjithatë, Ai i di të gjitha të fshehtat, si në zemrat e njerëzve, ashtu edhe në gjithësi.

Ithtarët e librit do të duhej ta besonin Kur'anin që iu shpall Muhammedit, e edhe Muhammedin të dërguar të Zotit, pse Kur'ani u sqaroi të vërtetën për mospajtimet e tyre rreth fesë, e veçanërisht rreth çështjes së Isait. Këtë të vërtetë të Kur'anit do ta gjejnë pranë Zotit në ditën e kijametit, kur Ai do të gjykojë mes tyre për mospajtimet në këtë jetë.

Termat: të vdekur, të shurdhët, të verbër janë në alegori, mexhazë e aludohet në ata njerëz, që nuk i studiojnë faktet që i parashtron Kur'ani, që nuk duan të dëgjojnë këshillat e bukura, që nuk marrin përvojë nga ngjarjet e popujve të mëparshëm, andaj për ta nuk ka shpresë se do të gjejnë rrugën e vërtetë. Vetëm besimtarët dëgjojnë me vëmendje dhe përfitojnë nga mësimet e Kur'anit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 27:71–27:75

Allahu i Lartësuar na tregon rreth idhujtarëve dhe pyetjeve të tyre për Ditën e Kijametit, pyetje të cilat ata i bënin për të

treguar mosbesimin se ato mund të ndodhnin. I Lartësuari thotë: - “Ata thonë, gjithashtu: “E kur do të përmbushet ky premtim? Thuajeni, nëse jeni ju të vërtetët?” - Atëherë, ai u përgjigjet, duke thënë: - “Tanimë, ju është afruar një pjesë e atij premtimi, që ju kërkoni t'ju vijë shpejt.” - Pra, thuaju, o Muhamed, se: “Tanimë, ju është afruar një pjesë e atij premtimi, që ju kërkoni t'ju vijë shpejt.” Ibn Abasi shpjegon: “Pra, është afër diçka nga ai që ju, - në shenjë mosbesimi se mund të ndodhë, - e kërkoni që t’ju vijë sa më shpejt.” Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “... Por ata do të tundin kokën e do të thonë: “Kur do të ndodhë ajo (Ringjallja)?” Thuaj: “Ndoshta është afër.”” [Isra 51]. Ose: “Ata kërkojnë shpejtimin e dënimit (dhe ai do t'u vijë) . Dhe, sigurisht, Xhehenemi ka për t’i rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët.” [Ankebut 54]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Me të vërtetë, Zoti yt është shumë bamirës ndaj njerëzve. ” - Ai është Bamirësi, q ë u jep të mira robërve vazhdimisht, me gjithë padrejtësitë që ata i bëjnë vetes. Allahu i Lartësuar sjell një argument, që tregon për bamirësinë dhe mirësinë e madhe të Tij mbi ta. Megjithatë, shumë pak prej tyre janë mirënjohës. - “Megjithatë, shumica e tyre nuk janë mirënjohës.” - Vetëm pak njerëz i shprehin Atij mirënjohjen për mirësitë që dhuron. - “Nuk ka dyshim se Zoti yt e di mirë çfarë fshehin zemrat e tyre dhe çfarë shfaqin haptazi. ” - Ai e di atë që fshihet brenda gjoksit dhe shpirtit të tyre, ashtu sikurse e di atë që shfaqet. Ky është si ajeti tjetër, ku i Lartësuari thotë: “Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën.” [Rad 9, 10]. Ose: “Edhe nëse ti e ngre zërin (në lutjet e tua), Ai e di të fshehtën dhe atë që është më e fshehtë (se e fshehta) .” [Ta Ha 7]. Ose: “Shih si përpiqen ta mbulojnë çfarë mbajnë në kraharor, si për t’u fshehur nga Ai! Le ta dinë se edhe kur mbulohen me rroba, Ai e di se çfarë fshehin dhe çfarë shfaqin. Sepse Ai e di mirë çfarë fshihet në gjoks.” [Hud 5]. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Nuk ka asgjë të fshehur në qiell e as në Tokë, që të mos jetë e shënuar në Librin e saktë.” - Çdo gjë që robërit nuk e njohin, në qiej qoft apo në Tokë, Allahu i Lartësuar e di plotsisht dhe diturisë së Tij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë e vogël nga të gjitha ato gjëra. Ibn Abasi shpjegon se ajeti: “Nuk ka asgjë prej krijesave që janë në qiell dhe në Tokë, që të mos jetë e shënuar në Librin e saktë” i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “A nuk e ke ditur se Allahu di për gjithçka që është në qiell e në tokë? E gjithë kjo është e shënuar në Libër, dhe kjo është shumë lehtë për Allahun.” [Haxh 70].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 27:70–27:72

- Po ti (o Muhamed) mos u trishto për ta dhe as mos u ngushto nga komplotet që ata bëjnë! - Mos u trishto, o Muhamed, për mosbesimin e këtyre njerëzve, që të refuzojnë dhe të mohojnë. Nëse do të dije ligësinë që fshehin brenda vetes dhe faktin se ata nuk e meritojnë të mirën dhe besimin, nuk do të trishtoheshe dhe nuk do të ndieje aspak atë keqardhje për ata. Zemra jote nuk do të ngushtohej dhe shpirti nuk do të shqetësohej aspak nga intrigat dhe kurthet e tyre, sepse të gjitha ato do t'u kthehen kundër: "Ata bënin kurthe, por edhe Allahu u ngrinte kurthe. Allahu është më i miri planifikues." [Enfal 30]. Mohuesit e profetëve që nuk i besojnë shpalljet e Zotit, duke kërkuar në formë sfide përshpejtimin e ndëshkimit, thonë: - Ata thonë, gjithashtu: “E kur do të përmbushet ky premtim? Thuajeni, nëse jeni në të vërtetën?” - Kjo tregon për mendjelehtësinë dhe logjikën e tyre të dobët, sepse dihet mirë se Allahu i Lartësuar ka përcaktuar një afat dhe kohë të caktuar se kur do të ndodhë Kijameti ose ndëshkimi i tyre. Pra, fakti që Ai nuk po ua përshpejton nuk tregon vërtetësinë e pretendimeve të tyre. Megjithatë, duke i paralajmëruar se realizimi i kërcënimit mund të jetë afër, Allahu i Lartësuar thotë: - Thuaju: “Tanimë ju është afruar një pjesë e atij premtimi që ju kërkoni t'ju vijë shpejt.” - Ai mund të jetë shumë afër jush dhe gati që t’ju godasë. Pra, një pjesë e atij ndëshkimi që ju e kërkoni shpejt, tashmë mund t'ju jetë afruar dhe është gati t'ju godasë.

← Neml 27:71