27. Neml · Ajeti 76 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 27:67–27:81

Mushrikët mekas ishin këmbëngulës në pamundshmërinë e ringjalljes pas vdekjes dhe nuk mendonin i se Ai, i cili solli këtë jetë duke mos qenë ata fare, ka fuqi t'i rikthejë në jetë sërish. Për atë mosbesim të tyre u drejtohet kërcënimi se do t'i gjejë edhe ata çka i gjeti mosbesimtarët e mëparshëm.

Muhammedi porositet që të mos shqetësohet pse ata nuk besojnë, e as të mos u vërë veshin intrigave të i tyre, se Zoti është në mbrojtje të tij. Për pyetjen që i bënin se kur do të jetë ai ndëshkim kundër tyre, Kur'ani u thotë se një pjesë e tij tashmë i ka goditur në luftën e Bedrit, e do t'ju godasë edhe më vonë, por Zoti është shumë mëshirues e bëmirës, andaj nuk ua ngut ndëshkimin edhe pse bëjnë mëkate. Megjithatë, Ai i di të gjitha të fshehtat, si në zemrat e njerëzve, ashtu edhe në gjithësi.

Ithtarët e librit do të duhej ta besonin Kur'anin që iu shpall Muhammedit, e edhe Muhammedin të dërguar të Zotit, pse Kur'ani u sqaroi të vërtetën për mospajtimet e tyre rreth fesë, e veçanërisht rreth çështjes së Isait. Këtë të vërtetë të Kur'anit do ta gjejnë pranë Zotit në ditën e kijametit, kur Ai do të gjykojë mes tyre për mospajtimet në këtë jetë.

Termat: të vdekur, të shurdhët, të verbër janë në alegori, mexhazë e aludohet në ata njerëz, që nuk i studiojnë faktet që i parashtron Kur'ani, që nuk duan të dëgjojnë këshillat e bukura, që nuk marrin përvojë nga ngjarjet e popujve të mëparshëm, andaj për ta nuk ka shpresë se do të gjejnë rrugën e vërtetë. Vetëm besimtarët dëgjojnë me vëmendje dhe përfitojnë nga mësimet e Kur'anit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 27:76–27:81

- “Vërtet, ky Kuran u tregon Bijve të Izraelit më të shumtën e asaj, për të cilën ata u përçanë. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për Librin e Tij madhështor, rreth diturisë së madhe dhe udhëzimit të qartë në të. Nëpërmjet këtij libri, Ai bën të mundur dallimin e të vërtetës nga e kota, të drejtës nga e gabuara. Nëpërmjet Kuranit, Allahu i Lartësuar u tregon bijve të Izraelit, - të cilëve u ishte dhënë Teurati më parë dhe Ungjilli më pas: “ ... më të shumtën e asaj, për të cilën ata u përçanë.” Kështu, ata u kundërshtuan rreth Isait. Nga njëra anë, jehudët, të cilët shpifën rreth Isait dhe nënës së tij, duke mos e besuar Isain si Profet të Zotit dhe duke shpifur fjalë të shëmtuara për ta. Ndërsa nga ana tjetër, të krishterët, të cilët e tepruan dhe e tejkaluan masën, në lidhje me besimin tek Isai (a.s). Kurani vjen me një qëndrim të mesëm, që është e vërteta, e drejta dhe që tregon se Isai ishte rob dhe adhurues i Allahut. Ai ishte prej adhuruesve të zgjedhur të Allahut dhe prej profetëve të Tij të nderuar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin me ta! Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është e vërteta për Isain, birin e Merjemes, për të cilën ata rragaten (polemizojnë). Nuk i shkon (madhështisë së) Allahut që të ketë bir! I pastër është Ai (nga çdo mangësi) ! Kur Ai vendos për një çështje, vetëm thotë: Bëhu!”, dhe ajo bëhet. (Isai i tha popullit të vet:) Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhuroni! Kjo është rruga e drejtë. Por grupet e kundërshtojnë njëri-tjetrin (rreth Isait) . Mjerë ata që nuk besojnë se ç'kanë për të parë në Ditën e Madhe! Sa mirë do të dëgjojnë dhe do të shohin ata, ditën kur do të vijnë te Ne! Por sot (në këtë jetë) keqbërësit janë në humbje të thellë.” [Merjem 34 - 38]. - “Pa dyshim, ai është udhërrëfyes e mëshirë për besimtarët. ” - Ai është udhëzim për zemrat e besimtarëve dhe mëshirë për ta, në çdo punë të tyre. - “Zoti yt do t’i gjykojë ata me drejtësinë e Tij; Ai është i Gjithfuqishmi, i Gjithëdituri.” - Bëhet fjalë për Ditën e Kijametit, kur Allahu i Lartësuar do të bëjë gjykimin e Tij të drejtë. Ai e përshkruan Veten si: El Aziz , - Ngadhënjimtari, i Pamposhturi, Nënshtruesi i gjithçkaje. Ai është Krenar në ndëshkimin e Tij dhe i Gjithëditur rreth fjalëve e veprave të robërve të Tij. - “Prandaj, mbështetu tërësisht dhe vetëm tek Allahu ...” - Mbështetju vetëm Atij në të gjitha çështjet e tua, si edhe në kumtimin e qartë të mesazhit të Tij! - “... sepse ti je në të vërtetën e sigurt! ” – Ti je në të vërtetën e qartë dhe të padiskutueshme, edhe nëse të kundërvihen mohuesit, të cilët nuk besojnë udhëzimin e drejtë dhe shpalljet e Zotit. Ata nuk do të besonin të vërtetën tënde, edhe sikur atyre t’u sillej çdo lloj argumenti dhe mrekullie. - “Ti nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë …” - E tillë është gjendja e tyre, në aspektin e dëgjimit ose jo të të vërtetës. Ajo i ngjan gjendjes së të vdekurve. Ti nuk mund t’i bësh ata të dëgjojnë diçka, që mund t’u sjellë dobi, sepse janë të vdekur dhe nuk mund të përfitojnë nga këshillat e as të mund të reflektojnë e të ndryshojnë. Kështu janë edhe këta: zemrat e tyre janë të mbyllura dhe të vulosura. Veshët i kanë të shurdhër; shurdhëri, që e shkakton kufri, refuzimi i besimit të vërtetë. I Lartësuari

thotë: “Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”. [Fusilet 44]. Prandaj i Lartësuari tha: - “... e as nuk mund t’i bësh të shurdhërit të dëgjojnë thirrjen, (sidomos) kur ata të kthejnë shpinën. Ti nuk mund të jesh udhërrëfyes për të verbërit e t'i largosh nga humbja e tyre. Ti nuk mund ta bësh të dëgjojë asnjë tjetër, përveç atyre që besojnë në argumentet Tona dhe ata janë muslimanë.” - Në fakt, ata që i përgjigjen ftesës tënde janë pikërisht ata të cilëve u sjell dobi dëgjimi i tyre, shikimi i tyre dhe janë pikërisht ata njerëz, të cilët i nënshtrohen Allahut me përulësi, për të zbatuar atë që ka shpallur Ai, përmes gjuhës së profetëve; - paqja dhe bekimet e Allahut qofshin me Profetin tonë dhe me të gjithë profetët e dërguar prej Tij!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 27:76–27:78

- Vërtet, ky Kur'an u tregon bijve të Izraelit më të shumtën e asaj, për të cilën ata u përçanë. - Ky ajet flet për sqarimin e plotë që ky Kur'an u bën shpalljeve të mëparshme dhe për faktin se ai është kriteri i së vërtetës dhe themeli bazë për të dalluar të vërtetën që gjendet në ato shpallje. Çdo paqartësi në ato libra dhe çdo kundërshtim që kanë patur njerëzit rreth shpalljeve të shkuara sqarohet plotësisht nga ky Kur'an madhështor, dhe kështu ai largon çdo dyshim rreth së vërtetës. Ai tregon të vërtetën rreth çdo çështjeje, që të parët ranë në kundërshtim dhe u përçanë. Duke qenë se ai është një libër i qartë dhe sqarues i çdo kundërshtie, atëherë kjo e bën atë mirësinë më të madhe që Allahu u ka dhënë botës dhe robve. Por jo çdokush tregon mirënjohje për këto, prandaj dhe Allahu na tregon se mirësia, drita dhe udhëzimi i këtij Kur'ani u bën dobi veçse beimtarëve dhe pasuesve të mësimeve të tij. Ai tha: - Dhe, pa dyshim, ai është udhërrëfyes e mëshirë për besimtarët. – Kur'ani është udhëzues dhe udhërrëfyes për të dalë e shpëtuar nga humbja, dyshimet e të gjitha pasiguritë. Ai është gjithashtu mëshirë, me të cilën freskohen zemrat e besimtarëve dhe rregullohen çështjet e fesë dhe të dynjasë së tyre. Por kjo është vetëm për besimtarët, të cilët besojnë në vërtetësinë e këtij libri që vjen prej Zotit. Ata pranojnë gjithçka që vjen nga Kur'ani dhe përkushtohen në meditimin dhe kuptimin e saktë të mesazheve të tij. Vetëm këtyre u jepet drita e udhëzimit për të ecur në rrugën e drejtë të Zotit. Vetëm këtyre u jepet forcë dhe i përfshin mëshira e Zotit, e cila u mundëson lumturinë, fitoren e çdo të mire dhe shpëtimin nga çdo e keqe. - Zoti yt do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij... - Allahu i Lartësuar do të bëjë ndërmjetësimin dhe gjykimin e drejtë e me barazi të plotë, mes të gjithë kundërshtarëve. Në dynja mund të ndodhë që të ketë paqartësi dhe padrejtësi mes kundërshtarëve, sepse provat mund të mungojnë edhe nga keqdashja e njerëzve kundrejt njëri tjetrit. Por në ahiret është Allahu që di çdo të fshehtë dhe që do ta nxjerrë në shesh të vërtetën e sigurt. - ...dhe Ai është i Gjithëfuqishmi e i Gjithëdituri. - Allahu është El Aziz - Krenari dhe Ngadhënjimtari, që ka nënshtruar të gjithë krijesat dhe të gjithë i janë përulur Atij. Ai është El Alim - i Gjithëdituri, që di të gjitha gjërat. Ai i di mirë të gjitha fjalët e kundërshtarëve dhe palëve në konflikt, përse ato i kanë thënë

dhe motivet e tyre të fshehta. Ai do t’i japë çdokujt shpërblimin e merituar për atë që ka bërë dhe ka synuar.

← Neml 27:76