27. Neml · Ajeti 87 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 27:82–27:93
Kur do të jetë afër koha e ndëshkimit të atyre që nuk besuan dhe koha e kijametit, do të dalë një shtazë nga toka - "dabetul erdi", e cila do t'u flasë njerëzve, do t'i mallkojë ata që nuk besuan argumentet e Zotit. Sipas hadithit që e shënon imami Ahmed në musnedin e vet: kijameti, katastrofa e përgjithshme, nuk do të ndodhë para se të paralajmërohen dhjetë shenja... e në mesin e tyre e numëron edhe "dabetul erdin"'... Po ashtu edhe Muslimi e shënon në Sahihun e vet me disa ndryshime në vetë citatin e hadithit.
Në ditën e tubimit pas ringjalljes, do të tubohen në grupe të gjithë ata që nuk pranuan mësimet e Zotit, do të jenë të rrethuar dhe të shtrënguar e të shtyrë me rrëmbim drejt vendit ku do të përgjigjen për veprat e bëra, do t'u thuhet se i mohuat faktet e Allahut, duke mos i studiuar ato, dhe ata, pa e folur asnjë fjalë, i kap dënimi.
Kur do t'i fryhet surit, do të trishtohet nga frika çdo kush, përpos pejgamberëve, shehidëve dhe engjëjve, e pastaj të gjithë me respekt do t'i paraqiten Zotit. Ka mendime se surit (bririt) do t'i fryhet tri herë: njëherë për frikësim, herën tjetër për shkatërrimin e çdo gjëje dhe për vdekjen e gjallesave, dhe herën e fundit për ringjallje.
Çdo vepër e mirë do të shpërblehet shumëfish. Vepra e keqe për të cilën flitet në këtë ajet, është kufri, mosbesimi, e jo vepër e keqe e ndonjë besimtari, ngase ndëshkimi që përmendet për të: hudhjen në xhehenem me fytyra të përmbysura, e pësojnë vetëm idhujtarët, por jo edhe besimtarët mëkatarë.
Në fund, Pejgamberi urdhërohet të deklarohet haptazi për drejtimin e vet në besim, për detyrën që e ka ndaj njerëzve dhe ta falënderojë Allahun për pozitën e lartë, të cilën ia dhuroi si mëshirë për mbarë botën.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "En Nemlu"'. falënderuar je prej meje o i Madhërishëm!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 27:87–27:90
- “Ditën kur do t'i fryhet surit, do t'u hyjë lemeria atyre që janë në qiej dhe atyre që janë në tokë ...” - Allahu i Lartësuar na tregon për tmerrin e ditës kur t’i fryhet Surit e të ndodhë ajo që quhet “nefhatul fezei” - fryrja e lemerisë. Sikurse ka ardhur në hadith, Suri është një bri i madh, të cilit do t’i fryjë një melek. Në hadithin e gjatë përmendet se është meleku Israfil ai që e kryen këtë detyrë. Pra, fillimisht, ai do të bëjë fryrjen e lemerisë, që do të jetë një zë i tmerrshëm dhe i zgjatur dhe që do të ndodhë në fundin e kësaj bote. Ajo është Dita e Kijametit, që do të ndodhë mbi krijesat më të këqija të kësaj bote, qe ende do të jenë gjallë në atë kohë. Nga kjo fryrje në Sur, do t'u hyjë lemeria atyre që janë në qiej dhe atyre që janë në tokë. - “... përveç atyre që do Allahu ...” - Këta janë dëshmorët, për të cilët na është njoftuar se janë të gjallë tek Zoti i tyre, duke përjetuar të mirat e dhuratat e Tij. Imam Muslimi sjell një hadith, në të cilin thuhet: 2033. “Një njeri erdhi tek Abdullah Ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tha: Çfarë është ky hadith që po tregon? Po thua se Kijameti do të ndodhë tek këta e tek ata!” Atëherë, Abdullahi tha: “ Subhanallah, - ose tha: “ La ilahe il’Allah” apo diçka të ngjashme - pata vendosur që të mos i tregoj kurrë ndokujt ndonjë hadith. Në të vërtetë, unë kam thënë: ‘Pas pak do të shihni një gjë shumë të madhe, ku do të digjet Qabja e do të ndodhë kështu e ashtu.’” Pastaj Abdullahu tha: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Dexhali do të shfaqet në umetin tim dhe do të qëndrojë dyzet, porse nuk e di: dyzet ditë, dyzet muaj apo dyzet vite. Pastaj Allahu do të dërgojë Isain ﷺ të birin e Merjemes, që i ngjason Ur ue Ibn Mesudit. Isai ﷺ do t’i vihet pas Dexhalit dhe do ta vrasë atë. Pas kësaj, njerëzit do të kalojnë shtatë vjet, kohë gjatë së cilës nuk do të ketë armiqësi mes tyre. Pastaj Allahu do të dërgojë një erë të ftohtë prej Shamit, e cila nuk do të lërë asnjë njeri që ka mirësi ose iman, qoftë edhe sa një thërmijë e vogël, pa ia marrë shpirtin. Edhe sikur dikush të futet në zemër të malit, era do të hyjë tek ai, e do t’ia marrë shpirtin.” Abdullahi shtoi: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Do të mbesin njerëzit më të këqij, që i largohen të mirës (rrugës së drejtë) me shpejtësinë të shpendëve (kur tremben) e që janë mendjelehtë si kafshët. Ata nuk e njohin të mirën e as nuk ndalojnë nga e keqja. Atyre do t’u shfaqet shejtani e do t’u thotë: “A nuk po përgjigjeni?!” - “Çfarë na urdhëron?” - i thonë ata. Kështu shejtani i urdhëron të adhurojnë idhujt, edhe pse në këtë kohë atyre u vjen rizku me mbushulli dhe kanë jetë të mirë. Pastaj do t'i fryhet Surit. Të gjithë do ta dëgjojnë atë dhe (nga tmerri i madh) çdokush do ta shtrijë njërën anë të qafës (në tokë) e do të ngrejë anën tjetër lart (për të dëgjuar Surin). I pari që do ta dëgjojë, do të jetë një njeri, i cili do të jetë duke e rregulluar hauzin e deveve. Do të vdesë ai dhe do të vdesin të gjithë njerëzit. Pastaj Allahu dërgon një shi - apo tha: zbret një shi - të lehtë, prej të cilit do të
mbijnë trupat e njerëzve. Pastaj sërish i fryhet Surit, dhe njerëzit do të ngrihen (prej varreve), duke shikuar. Pastaj do të thuhet: “O njerëz, ejani (tek Zoti juaj)!” Ndalojini, sepse ata do të merren në pyetje!” Pastaj do të thuhet: “Nxirrini (nga pasardhësit e Ademit) ata që do të hyjnë në Zjarr!” Do të pyesin: “Sa do të jenë në zjarr?” Do të thonë: “Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit). Kjo është dita kur fëmija do të thinjet, kjo është dita e tmerrshme, kur do të zbulohet Kërciri (i Allahut).” Në këtë hadith thuhet: “Pastaj do t'i fryhet Surit. Të gjithë do ta dëgjojnë atë dhe (nga tmerri i madh) çdokush do ta shtrijë njërën anë të qafës (në tokë) e anën tjetër do ta mbajë lart (për të dëgjuar fryrjen e Surit).” Kjo është fryrja e tmerrit. Pastaj vjen fryrja e vdekjes. Herën e tretë do t’i fryhet surit për ringjalljen e krijesave nga varret dhe mbledhjen e tyre përpara Zotit të botëve.131 - “... dhe të gjithë do të vinë para Atij të përulur.” - Të nënshtruar dhe të bindur. Askush nuk mund t’i bëjë bisht këtij urdhri të Zotit, siç ka thënë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Ditën, kur Ai t'ju thërrasë dhe ju t'i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar, do t'ju duket se qëndruat (në dynja) veçse për pak kohë.” [Isra 52]. Ose: “... Pastaj, kur Ai t’ju drejtojë thirrjen e Tij (për ringjallje), ju menjëherë do të dilni prej tokës.” [Rum 25]. Në hadithin e Surit përmendet se, në fryrjen e tretë, Allahu i Madhëruar urdhëron shpirtrat dhe ata vendosen në një nga vrimat e Surit. Atëherë, Israfili i fryn Surit pasi trupat të jenë riformuar në tokë, në varret e tyre ose në vendet ku ishin vendosur dhe shpirtrat fluturojnë drejt trupave të tyre. Shpirtrat e besimtarëve vezullojnë si drita, ndërsa shpirtrat e mohuesve nxijnë. Atë - herë, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: “Betohem në krenarinë dhe madhështinë Time, çdo shpirt do të kthehet në trupin e vet!” Kështu, shpirtrat vijnë në trupat përkatës dhe hyjnë në to ashtu si helmi në trupin e kafshuarit nga gjarpri. Pastaj ata do të ngrihen duke shkundur prej trupit dheun e varrit. I Lartësuari thotë: “Ditën kur, duke u ngutur, do të dalin prej varreve, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve të tyre. Të përulura do jenë shikimet e tyre. Ata do t’i ketë kapluar poshtërimi. Kjo është dita që u është premtuar.” [Mearixh 43]. - “I sheh malet dhe mendon se ato janë të palëvizshme, por ato lëvizin, siç lëvizin retë.” - Kur i sheh malet, të duken si të palëvizshëm dhe se kurrë nuk do të lëvizin nga vendi i tyre. Por do të vijë një ditë, kur ata të lëvizin ashtu si retë, pra, do të fluturojnë në ajër, siç ka thënë i Lavdëruari: “Atë ditë, qielli do të lëkundet fuqishëm e malet do të shkulen nga vendi e do të lëvizin.” [Tur 9, 10]. “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur. Vendin e tyre do ta bëjë rrafsh e pa asnjë bimësi. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta ha 105 - 107]. Ose: “Një ditë, Ne do t'i shkulim malet dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) dhe Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas.” [Kehf 47].
- “Ky është krijimi i Allahut, që e ka përkryer çdo gjë. ” - Këtë e ka bërë me pushtetin e Tij të plotë e të pacenueshëm. Me këtë fuqi, Ai ka përkryer çdo gjë. Allahu ka përkryer çdo gjë që ka krijuar, duke shfaqur në to shumë prej urtësive të Tij. - “Ai e di mirë gjithçka që bëni ju. ” - Ai është i Gjitëditur rreth veprave të robërve të Tij, qofshin ato të mira apo të këqija dhe ka për t’u dhënë shpërblimin më të plotë e drejtë për to. Në vijim, i Lartësuari na tregon gjendjen e fatlumëve dhe fatzinjve atë ditë: - “Kush ka bërë mirë, atij do t’i takojë një shpërblim edhe më i mirë se ajo që ka bërë ...” - E mira për të cilën aludohet këtu është pikërisht fjala: Lâ ilâhe il -l’Allah”, pra, kjo dëshmi madhështore dhe të jetuarit sipas saj. - “... dhe ata do të jenë të sigurt prej tmerrit të asaj dite. ” - Siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “... Si mendoni, a është më i mirë ai që hidhet në Zjarr, apo ai që në Ditën e Gjykimit vjen i sigurt? ...” [Fusilet 40]. Ose: “Nuk janë pasuria juaj dhe as fëmijët tuaj që mund t'ju afrojnë te Ne. Afër Nesh janë vetëm ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira.”. Këta janë ata që do të shpërblehen shumëfish për veprat e tyre dhe ata janë në banesa të larta, të sigurt (e të shpëtuar) nga çdo e keqe.” [Sebe’ 37]. - “Kush ka bërë të këqija, do të hidhet përmbys me fytyrë drejt Zjarrit. “Ju do të shpërbleheni veçse me atë që keni fituar me veprat që keni bërë.” - Ata që vijnë para Allahut si keqbërës dhe nuk kanë asnjë të mirë, ose kanë më shumë të këqija sesa të mira, secili do të marrë aq sa i takon. Në lidhje me fjalën “të këqija”, dijetarët kanë thënë se bëhet fjalë për shirkun, sepse i Lartësuari thotë: “... do të hidhet përmbys me fytyrë drejt Zjarrit.” Sidoqoftë, çdokush do të shpërblehet sipas punëve të paraqitura.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 27:87–27:90
Allahu i Lartësuar i frikëson robërit me atë që i pret në Ditën e Gjykimit, duke përmendur tmeret dhe gjendjet nëpër të cilat do të kalojnë e do të përballen. - Ditën kur t'i fryhet Bririt, do t'u hyjë lemeria atyre që janë në qiej dhe atyre që janë në tokë... - Nga zëri i Bririt, do të tmerrohen, prandaj do të hipin mbi njëri tjetrin, si valët e detit të trazuar. Kjo është frika prej llogarisë e qëndrimit para Zotit. - ...përveç atyre që do Allahu... - Këta janë ata që Zoti i ka zgjedhur për t’i nderuar, forcuar dhe ruajtur nga frika e asaj dite. - ...dhe të gjithë do të vijnë para Atij të përulur. - Kur t’i fryhet Bririt, të gjitha krijesat do të vijnë të nënshtruar, të përulur e nevojtarë për faljen dhe mëshirën e Allahut, siç thotë Ai në një ajet tjetër: "Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob." [Merjem 93]. Atë ditë të gjithë do të jenë njëlloj dhe të barabartë, udhëheqësit dhe populli i thjeshtë. Të gjithë janë të nënshtruar dhe nevojtarë, syulur para Atij, në dorën e të Cilit është i gjithë sundimi e mbretërimi. - I sheh malet dhe mendon se ato janë të palëvizshme... - Nga tmerret e Ditës së Kijametit është edhe kjo pamje. Kur sheh malet, mendon se ato do të mbeten siç janë, nga madhështia e tyre, por tronditja e asaj dite është aq e madhe, saqë ato malet do të thërrmohen e bëhen pluhur, sa do të mjaftonte një erë e lehtë që t’i shpërndante në ajër. - ...por ato lëvizin, siç lëvizin retë. - nga tmerri dhe tronditja e asaj dite. - Ky është krijimi i Allahut, që ka përkryer çdo gjë. Ai e di mirë gjithçka që bëni ju. - Ai do t’ju shpërblejë me drejtësi për punët tuaja. Pastaj i Madhëruari përmend mënyrën se si do t’i shpërblejë: - Kush ka bërë mirë, atij do t’i takojë një shpërblim edhe më i mirë se ajo që ka bërë... - Kjo përfshin çdo fjalë e punë të mirë ose edhe ndjenja të mira. Pra, për çdo të mirë, ai do të marrë një shpërblim edhe më të mirë. Kjo është grada më e vogël e shpërblimit të Zotit. - ..dhe do të jetë i sigurt (e të ruajtur) prej tmerrit të asaj dite. - Ata janë të sigurt kur të tjerët do të tmerrohen. Edhe ata do t’i përfshijë frika e përgjithshme, por Zoti premton se këta të zgjedhur do të jenë të shpëtuar dhe do të dalin faqebardhë. - Kush ka bërë keq, do të hidhet përmbys me fytyrë nga Zjarri. - Kush ka bërë çdo lloj të keqeje. - (Atyre do t'u thuhet:) Ju do të shpërbleheni veçse me atë që keni fituar me veprat që keni bërë. - Këta do të flaken në zjarr me fytyrat e tyre dhe u thuhet: