28. Kasas · Ajeti 37 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:14–28:37
Pasi u rrit Musai dhe Zoti e pajisi me dituri, e kuptoi se rruga e besimit të atij populli ishte I e gabuar, por për atë qëndrim të tij iu tërhoq vërejtja, andaj nuk kishte guxim të dukej në qytet. Në një çast, i pahetuar, hyn në qytet dhe has në dy njerëz që ishin ngatërruar ndërmjet vete, njëri kibtij e tjetri beni israil dhe ky i fundit kërkon ndihmë prej Musait. Pa ndonjë qëllim të caktuar, Musai pendohet shumë për atë rast dh Musai e shtyn me grusht kibtin dhe ai vdes në vend. Musai pendohet shumë për atë rast dhe, kërkon prej Zotit falje, sepse me anën e të mirave që ia dhuroi Zoti, ai bëri gabim, por Zoti ia fali.. Pas atij momenti Musai rri i fshehur, por zbulohet kur ditën tjetër i njëjti person nga beni israilët ngatërrohet me një tjetër dhe e thërret për ndihmë Musain. Një besimtar e lajmëron Musain për konsultimet e parisë së shtetit të faraonit kundër tij dhe e këshillon të ikën. Musai ik kah Medjeni e në rrugë has në një pus ku barinjtë u jepnin ujë kafshëve. Më larg, dy vajza kishin menjanuar kafshët e tyre e prisnin të largohen barinjtë dhe pastaj t'u jipnin ujë bagëtive të veta. Pusi ishte i mbuluar me një rrasë guri që me vështirësi hiqej, por pasi që i ati i tyre ishte i shtyrë në moshë, ato duhej ta kryenin atë punë. Nga mëshira, Musai u ndihmoi, e pastaj shkoi te një hije, ishte i lodhur, por edhe shumë i uritur, sepse kishte shtatë ditë që nuk kishte pasur ç'te hajë, përveç barishteve, andaj e luti Zotin ta ndihmojë. Merre me mend, njëri ndër më të zgjedhurit nga krijesat e Zotit është sprovuar deri në atë masë.
Vajzat kthehen në shtëpi, i tregojnë të atit për ndihmën e një njeriu, e ai e dërgon njërën vajzë ta ftojë për shpërblim. Vajza e ndershme, përpiqej t'i mbuloje pjesët e trupit. Por Musai ishte edhe më i ndershëm, e urdhëron vajzën të ecë prapa tij dhe t'i tregojë për rrugën.
Kur arriti tek i zoti i shtëpisë, ai plak kishte qenë Shuajbi, e Musai i tregoi për rastin e vet dhe ai i tha se ishte i shpëtuar prej atij populli zullumqarë. Shuajbi bisedoi me Musain për shërbim si bari dhe Musai pranoi. E martoi me njërën nga vajzat e veta. Si duket Musai qëndroi aty si bari dhjetë vjet, e pastaj e mësyu Egjiptin. Rrugës iu dha shpallja e parë, përmes Zotit u njoftua i për dy mrekullitë dhe iu dha shenjë se e vërteta do të shkëlqejë si dora e tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:36–28:37
- “Kur Musai shkoi tek ata me argu - mentet Tona të qarta, ata thanë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse një magji e sajuar. Ne nuk kemi dëgjuar kurrë për këtë nga etërit tanë të hershëm.” - Allahu i Lartësuar na tregon për përballjen e Musait dhe vëllait të tij, Harunit, me Faraonin dhe
palën e tij, me paraqitjen e ajeteve, shenjave dhe mrekullive të jashtëzakonshme, që Allahu i Lartësuar u dha atyre. Ato ishin argumente të forta, të pathyeshme, mpo - shtëse të çdo kryeneçi. Ato dëshmonin vërtetësinë e tyre si profetë dhe vërtetësinë e mesazhit që ata përcillnin nga Allahu Krenar dhe i Lartësuar. Ata kumtuan se Allahu është i vetëm në meritën e adhurimit dhe kërkon që të zbatohen urdhëresat e Tij. Megjithatë, Faraoni së bashku me njerëzit e tij, edhe pasi u bindën për vërtetësinë e asaj që u erdhi prej Zotit përmes Musait, iu shmangën të vërtetës dhe zgjodhën kalimin e kufijve. Ata u treguan kryeneçë dhe arrogantë. Ata e refuzuan me forcë të vërtetën. Ata thanë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse një magji e trilluar.” Sipas tyre, ajo ishte një magji e stisur nga Musai. Ata tentuan që t’i kundërviheshin të vërtetës me marifete, duke shfrytëzuar pushtetin dhe ndikimin e tyre ndër njerëz, për t’i penguar nga besimi i drejtë, por nuk ia arritën qëllimit. Ata thanë: “Ne nuk kemi dëgjuar asgjë për këtë nga etërit tanë të hershëm. Pra, nuk kemi dëgjuar që të adhurohet vetëm një Zot i vetëm dhe pa ortak. Të parët tanë gjithmonë kanë adhuruar disa zota.” Atëherë, Musai (a.s) u tha: - “Zoti im e di më së miri kush është ai që vjen me udhëzim të qartë prej Tij ...” - Allahu i Lartësuar është më i ditur, se cili sjell udhëzimin e drejtë dhe të vërtetë. Ai ka për të bërë ndarjen e drejtë: - “... se kujt do t’i takojë fundi më i mirë.” - Zoti është më i ditur se kujt do t’i jepet ndihma e Tij dhe fitorja. - “Keqbërësit nuk do të kenë asnjë shpëtim.” - Nuk do të ketë shpëtim për idhujtarët, të cilët adhurojnë zota të tjerë, përveç Allahut Krenar dhe të Lartësuar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:36–28:43
- Kur Musai shkoi tek ata me argumentet Tona të qarta, ata thanë: “Kjo nuk është asgjë është tjetër, veçse një magji e trilluar...” - Ato ishin argumente të qarta në atë që tregonin dhe në vërtetësinë e asaj që Musai po u kumtonte. Ato ishin argumente pa asnjë mangësi, por duke bërë padrejtësi dhe me inat e armiqësi ndaj të vërtetës, ata thanë: “Kjo nuk është asgjë është tjetër veçse një magji e trilluar dhe kurrë nuk kemi dëgjuar gjë për këtë nga etërit tanë të hershëm.” Këto ishin fjalët e Faraonit në momentet kur u shfaq qartazi e vërteta dhe triumfoi mbi të kotën, duke e shkatërruar fare atë. Ai tiran i poshtër i refuzoi shenjat e Musait, edhe pse ekspertët dhe më të diturit njerëz rreth magjisë e besuan Musain dhe Zotin e tij. Ndërsa ai i mjeri tha: "...Ai (Musai) është prijësi juaj, që ju mësoi magjinë!" [Ta Ha 71]. Kështu u përgjigj ai duke e tepruar me intriga, mashtrim dhe padrejtësi, për të cilat Zoti na ka treguar në Kur'an. Allahu na tregon se ai mohoi Musain dhe shenjat e tij, edhe pse: "Ai (Musai) tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar.” [Isra 102]. Por ja që ligësia e kishte pushtuar dhe mbizotëruar atë. - ...dhe kurrë nuk kemi dëgjuar gjë për këtë nga etërit tanë të hershëm.” - Në fakt ata gënjenin, sepse Allahu i Madhëruar kishte dërguar Jusufin përpara Musait, sikurse ka thënë: "Më parë, ju erdhi Jusufi me argumente të qarta, por ju nuk rreshtët së dyshuari për mesazhin që ju solli ai. Më në fund, kur vdiq ai, ju thatë: “Allahu nuk do të dërgojë pas tij asnjë profet.” Kështu, Allahu e lë në humbje këdo që e tepron dhe jeton me dyshime." [Gafir 34]. - Musai tha: “Zoti im e di më së miri kush është ai që vjen me udhëzim të qartë prej Tij dhe se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë.” - Tha kështu pasi ata pretenduan se ai ishte magjistar dhe vepra e tij ishte magji, ndërsa ata ishin të mençurit dhe të udhëzuarit tek e mira. Musai u tha: “Zoti im e di më së miri kush është ai që vjen me udhëzim të qartë prej Tij dhe se kujt do t’i takojë fundi më i mirë. Nëse nuk ju bën dobi ftesa dhe këshilla, shenjat e qarta madhështore dhe ju refuzoni çdo udhëzim, duke dashur veç humbjen dhe kufrin tuaj, atëherë dijeni dhe kujtoni faktin se Allahu i Lartësuar e di mirë për ata që janë në udhë të drejtë dhe për ata që do të kenë përfundimin e mirë. Gjithashtu, dijeni mirë se:
- Keqbërësit me siguri nuk do të kenë shpëtim. - Ndërsa përfundimi i mirë ishte për Musain dhe pasuesit e tij. Fitimi i çdo mirësie dhe shpëtimi nga çdo e keqe ishte për ta. Kurse për Faraonin ishte përfundimi i keq dhe ndëshkimi i ashpër. - Faraoni tha: “O fisnikë! Unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër përveç meje!” - Kjo ishte paturpësi e Faraonit ndaj Zotit. Ai, duke mashtruar dhe manipuluar mendjet e popullit dhe pasuesve të tij, atyre mendjelehtëve dhe kokëboshëve, tha: “O fisnikë! Unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër përveç meje. Pra unë dhe vetëm unë jam zoti dha ai që duhet ta adhuroni, t'i trembeni dhe nënshtroheni. Nëse do të kishte ndonjë zot tjetër, unë do ta dija.” Shikojini këto fjalë të thata që u drejton tirani këtyre njerëzve pa mend në kokë, për t'u treguar se ai ishte një dijetar shumë i mençur, i cili çdo gjë që thotë e ka të vërtetë. Për çdo gjë që urdhëron ai, duhet që t’i bindesh dhe nënshtrohesh. Madje, ai i përzgjedh fjalët, që të mos thotë diçka të gabuar. Ai nuk tha: “... nuk ka ndonjë zot tjetër veç meje”, por tha: ”Unë nuk di për ju ndonjë zot tjetër, përveç meje”, që nënkuptonte se edhe mund të ketë ndonjë zot tjetër. Kështu, ai deshi që ta përforconte edhe më shumë mohimin e ekzistencës së një zoti tjetër, siç thoshte e mëtonte Musai. Ai urdhëroi për diçka, sikur donte të tregonte se çdo vendim e fjalë e thoshte vetëm pasi sigurohej, se ai ishte një i ditur dhe i mençur. Ai tha: - O Haman! Më ndiz një zjarr (për të pjekur tulla) e më ndërto një kullë të lartë, se ndoshta do të arrij ta shoh Zotin e Musait. - Më ndërto një kullë të madhe prej tullash të pjekura. - Unë mendoj se ai është gënjeshtar. - Unë mendoj se ai është mashtrues dhe do ta vërtetojmë këtë mendim. Shiko se çfarë paturpësie dhe padrejtësie të madhe bëri ky i poshtër dhe i shëmtuar! Askush nuk kishte bërë një krim të tillë. E quajti Musain gënjeshtar dhe pretendoi për vete se ishte zot. Mohoi se kishte ndonjë njohuri rreth një Zoti të vërtetë dhe pretendoi se, për të gjetur të vërtetën, kishte marrë të gjitha masat e nevojshme. Të gjitha këto ishin thjesht për të manipuluar mendjet e popullit dhe pasuesve të tij. Megjithatë, çudia më e madhe ishte me oborrin dhe rrethin e tij, të cilët pretendonin të ishin paria e mbretërisë dhe njerëzit që udhëhiqnin çështjet e njerëzve: Si ishte e mundur që ai burrë të luante me mendjet e tyre dhe të verbonte logjikën e tyre deri në atë masë sa ata t’i nënshtroheshin dhe ta pasonin në këtë çmenduri?! Sigurisht shkak për këtë ishte kalimi i kufijve në poshtërsi e tirani, që ishte bërë cilësi e pandashme për ta. Besimi dhe punët e tyre të prishura solli shkatërrimin e mendjes dhe aftësisë së tyre të arsyetimit. Të lutemi, o Zot, të na forcosh dhe ruash imanin tonë! “Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh.”. [Al Imran 8]. - Kështu, ai dhe ushtria e tij u treguan kryeneçë në tokë pa asnjë të drejtë - Ai u tregua arrogant e tiran me njerëzit, duke i bërë të vuajnë. Ai u tregua arrogant e mendjemadh me profetët e Zotit dhe refuzues i mrekullive të tyre. Ai së bashku me ndjekësit e tij i mohuan mesazhet dhe shenjat e Zotit dhe pretenduan se ajo që besonin ishte më e lartë dhe më e mirë. - ...dhe menduan se nuk do të kthehen te Ne. - Ky ishte shkaku që i bëri të merrnin guximin për këto padrejtësi. Nëse do të dinin ose të besonin me bindje se do të ktheheshin tek Zoti, kurrë nuk do të guxonin të bënin atë që bënë. Ata vazhduan në inatin e shfrenimin e tyre në kalimin e kufijve. - Prandaj Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe e hodhëm në det. Tani shiko se si qe përfundimi i keqbërësve! - Ai ishte përfundimi më i keq dhe më i dëshpëruar. Për ata filloi një ndëshkim që nuk do t’u ndërpritet dhe do të jetë i vazhdueshëm deri në në ahiret.
- Ne i bëmë ata (veçse)prijës që ftojnë për në zjarr - E bëmë Faraonin dhe rrethin e tij shembull për ata që ecin drejt vendit të poshtërimit dhe dëshpërimit. - dhe Ditën e Kijametit ata nuk do të ndihmohen. - Askush nuk do t’i ndihmojë të shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut. Ata janë shumë të dobët e të pafuqishëm që ta largojnë dënimin e Zotit nga vetja dhe nuk kanë për të gjetur ndonjë mik e ndihmëtar që do të mund t’i shpëtonte nga ai ndëshkim. Vetëm Allahu i ruan dhe shpëton ata që Ai dëshiron. - Edhe në këtë botë Ne i bëmë që t'i ndjekë mallkimi, - Kjo do t’i ndjekë e shoqërojë gjithmonë për t’ua shtuar edhe më shumë ndëshkimin dhe poshtërimin, që në këtë dynja. Ata janë të mallkuar dhe mallkohen nga të gjitha kirjesat. Ata përmenden për keq dhe plot urrejtje ndër njerëz, dhe kjo është diçka e dëshmuar për ta. Ata do të jenë në krye të të gjithë të mallkuarve në këtë dynja: - ... kurse Ditën e Kijametit ata do të jenë të përbuzur. - Të larguar, të dëbuar nga mëshira e Zotit, të shëmtuar dhe vepërkëqij. Aq të shëmtuara e të poshtra janë veprat e tyre, saqë mbi ta janë bashkuar urrejtja e Zotit, urrejtja e krijesave dhe urrejtja e vetë atyre për vetveten. - Pasi i shkatërruam popujt e mëparshëm, Ne i dhamë Musait Librin, - Ne i dhamë Musait Teuratin pas shkatërrimit të popujve, në fund të të cilëve ishte shkatërrimi i Faraonit dhe rrethit të ushtrisë së tij. Ky është argument që tregon se pas Shpalljes së Teuratit u ndërpre ndëshkimi shfarosës i përgjithshëm dhe u ligjërua xhihadi me shpatë kundër mohuesve. - ... që është dritë për njerëzit dhe Udhëzim e Mëshirë që ata të mund të marrin mësim. - Në librin që Zoti i shpalli Musait kishte fakte e argumente që njerëzit të shihnin të vërtetën e qartë. Ata kishin në Shpallje çdo gjë që u sjell dobi. Ata mësonin si të ruhehin nga çdo gjë që i dëmtonte. Në libër kishte argumente të mjaftueshme që asnjë gjynahqar të mos kishte justifikim tek Zoti. Besimtarët përfitonin nga drita e tij dhe ai ishte mëshirë për ta. Nëpërmjet tij, ata gjenin udhëzimin në rrugën e drejtë.