29. Ankebut · Ajeti 10 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:1–29:13
Eshtë ligj i Zotit xh. sh. që njerëzit të sprovohen, pse përndryshe nuk do të dihej i sinqerti prej atij që nuk është i sinqertë. Kjo lloj sprove është në të mirë të njerëzve, sepse ata do t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë. Allahut nuk i nevojitet një sprovë e tillë. Ai i di të gjitha të fshehtat, i di qëndrimet dhe qëllimet e njerëzve dhe pa i sprovuar ata fare. Besimtarët duhet t'i njohin ligjet e Zotit dhe të jenë të qëndrueshëm, të fortë në çdo rast sprovimi, pse ata e besojnë shpërblimin që i pret tek Allahu dhe e dinë se çdo përpjekje e tyre është në të mirë të tyre dhe mundi i tyre do të shpërblehet shumëfish. Urdhëri i Zotit për sjellje të mirë ndaj prindërve buron nga arsyeja se fëmijët nuk janë aq të prirur për respekt ndaj tyre, e Allahu i obligoi me atë që është kundër natyrës së tyre, ashtu që ai veprim të çmohet ibadet. Prindërit nuk duhet respektuar, nëse tentojnë të largojnë prej rrugës së drejtë. Ky ajet shpallet rreth Sad ibni ebi Vekas. Ai thotë: Isha respektues i denjë ndaj nënës, e kur pranova fenë islame më tha: ose lerë atë fe ose do të bëjë grevë urie deri sa të vdesë, e ti do të turpërohesh. Unë i thashë: Mos oj nënë, se unë nuk largohem kurrë prej asaj feje. Ajo filloi grevën, qëndroi një ditë e një natë, e luta ta ndërprejë grevën, por ajo vazhdoi edhe një ditë e një natë tjetër, kur pashë ashtu i thashë: Oj nënë, ta dijsh se edhe t'i kishe njëqind shpirtra e të dalin njëri pas tjetrit, unë kurr nuk do të largohem prej kësaj feje, në daç ha në daç mos ha! Kur e pa qëndrimin tim, filloi të hajë.
Sprovimet prej njerëzve sado që të jenë të rënda, ato nuk kanë peshën e dënimit të Zotit, andaj i ato nuk guxojnë të largojnë prej fesë, siç duhet larguar prej besimit të kotë nga droja e dënimit nga Allahu. i Kufarët u thonin besimtarëve, ejani në fenë tonë. Nëse me këtë beni mëkat, ne do ta bartim mëkatin tuaj për këtë, ata ishin gënjeshtarë. Por në ditën e kijametit ata vërtet do të bartin mëkatet e veta, ngase mashtruan njerëz dhe i futën në rrugë të gabuar, do të bartin edhe mëkate të tjera.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:10–29:11
Allahu i Lartësuar na tregon rreth cilësive të disa njerëzve, që refuzojnë të vërtetën. Ata janë mashtrues dhe shtiracakë. Edhe pse pretendojnë se kanë besim në zemër, e vërteta është se besimi nuk ka zënë vend ende në zemrat e tyre. Të tillë janë këta njerëz. Kur i kap ndonjë fatkeqësi, ata e shohin si ndëshkim nga Zoti, pikërisht për shkak të fesë që ata pranojnë, prandaj heqin dorë shpejt prej Islamit:
- “Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë shtypjen e njeriut si dënim nga Allahu ...” - Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Ka njerëz që e adhurojnë Allahun luhatshëm. Nëse u vjen ndonjë e mirë, ata qetësohen me të. Por nëse u vjen ndonjë sprovë, ata kthehen në fytyrën e vet të vërtetë dhe e humbasin edhe dynjanë, edhe ahiretin. Kjo është humbja e qartë.” [Haxh 11]. - “... ndërsa kur u vjen ndihma prej Zotit tënd, ata thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju”. - Kur ty, o Muhamed, të vjen ndonjë sukses nga Zoti ose të dhurohet plaçkë e madhe lufte, do t’i shohësh ata të nxitojnë drejt teje e të thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju. Ne jemi vëllezërit tuaj në fe dhe në besim.” Ngjashëm, i Madhëruari thotë në ajetin tjetër: “Ata (hipokritët) presin se çfarë do të bëhet me ju. Nëse, me ndihmën e Allahut, ju ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?” E, nëse jobesimtarët arrijnë ndonjë fitore, hipokritët u thonë atyre: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?” Por Allahu do t’ju gjykojë në Ditën e Gjykimit. Allahu nuk do t’u japë kurrë jobesimtarëve epërsi të plotë mbi besimtarët.” [Nisa 141]. Ose: “Ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje, ti do t'i shohësh të rendin drejt tyre (jehudëve) duke thënë: “Kemi frikë se mos po na godet ndonjë e keqe.”. Por Allahu do të sjellë fitoren (për muslimanët) ose ndonjë urdhër nga ana e Tij, e atëherë, ata do të pendohen për atë që e mbanin fshehtë në zemrat e tyre.” [Maide 52]. Ndërsa në këtë ajet, i Madhëruari na tregon për fjalët e tyre: “Ndërsa, kur u vjen ndihma prej Zotit tënd, ata thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju”.” Me këtë, ata synonin që të përfitonin nga plaçka e luftës. - “Vallë, a nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt? ” - Pra, a nuk e di Allahu atë që fshehin në shpirtin e tyre, edhe pse shfaqen si mbështetësit tuaj? - “Sigurisht, Allahu i di mirë ata që kanë besuar dhe i njeh mirë hipokritët. ” – Allahu i Madhëruar dhe i Urtë ka për t’i vënë në provë robërit, përmes mirësive dhe fatkeqësive. Përmes këtyre sprovave dalin në pah ata të cilët i binden dhe e adhurojnë Zotin si në kohë mirësie, ashtu edhe në kohë vështirësie, nga ata që e adhurojnë veçse kur u përshtatet dëshirave të tyre. I Lartësuari thotë, gjithashtu: “Ne do t’ju sprovojmë, me qëllim që të dalin në pah luftëtarët nga mesi juaj dhe durimtarët. Ne kemi për t’ju vënë në provë (për sinqeritetin) në veprat tuaja.” [Muhamed 31]. Po kështu, pas luftës së Uhudit, ku ndodhën shumë nga këto sprova, i Madhëruari tha: “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri. Allahu nuk do t'ju lejonte juve t'i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai). Por Allahu zgjedh atë që do nga të dërguarit e Tij (për t'ia zbuluar të fshehtat). Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij. Nëse besoni dhe ruheni, do të keni një shpërblim të madh.” [A Imran 179]. Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:10–29:11
- Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë në Allahun”. - Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar na qartëson se Ai ka për ta sprovuar këdo që pretendon se ka iman, për të dalluar të sinqertin nga gënjeshtari. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se ka njerëz që nuk tregojnë durim përballë sprovave dhe janë të paqëndrueshëm ndaj tronditjeve. Ai thotë: - Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut... - Domethënë, nëse për shkak të besimit vuajnë rrahje, marrje pasurie, shpifje e intriga për t’i kthyer nga feja dhe për të përqafuar të kotën... - ...e quajnë shtypjen e njeriut sikur të ishte dënim nga Allahu. - Për shkak të këtyre, pra, e braktisin imanin dhe bazat e tij. - Ndërsa kur u vjen ndihma prej Zotit tënd, ata thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju”. - Sepse kjo u shkon sipas dëshirave. Këta lloj njerëzish janë ata për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë: "Ka njerëz nga ata që e adhurojnë Allahun luhatshëm. Nëse u vjen ndonjë e mirë, ata qetësohen me të. Por nëse u vjen ndonjë sprovë, ata kthehen në fytyrën e vet të vërtetë dhe kështu humbasin edhe dynjanë, edhe ahiretin. Kjo është humbja e qartë. ” [Haxh 11]. Ndërsa këtu thotë: - Vallë, a nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt? - Ai ju njoftoi për këtë grup me këto cilësi, që ta dini mirë se sa e plotë dhe absolute është dija e Zotit dhe sa e gjerë është urtësia e Tij. - Sigurisht, Allahu i di mirë ata që kanë besuar dhe i di mirë hipokritët. - Ai përcaktoi sprova të shumta për robërit e Tij, që t’i shpërblejë dhe ndëshkojë njerëzit, sipas asaj që do të shfaqin me veprat e tyre, e jo thjesht me diturinë e Tij, sepse ata mund të arsyetohen dhe të thonë se, nëse do të sprovoheshin, do të bënim durim.