29. Ankebut · Ajeti 16 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:14–29:27

Tregimi për pejgamberin Nuh dhe Ibrahim dhe i të gjitha ngjarjeve e ndodhive në jetën e tyre, është i lidhur me konstatimin në fillim të kaptinës. Sprovat në jetën e kësaj bote janë të paevitueshme, janë ligj i Zotit që mbretëron gjithnjë, prandaj, si Pejgamberi Muhammed, ashtu edhe ymeti i tij besimtarë, duhet kuptuar se rruga për në fqinjësi të këndshme e të kënaqshme pranë Zotit, kërkon durim, qëndrueshmëri dhe moral të lartë. Ky lloj sprovimi i ka goditur njerëzit më të dashur të Zotit, po me qëndrimet e tyre ata mbetën shembëlltyrë e kësaj bote, e do të jenë më fatlumët në botën tjetër. Si duket Nuhu ishte njeriu me jetë shumë të gjatë në këtë botë, e për kalendarin e viteve të asaj kohe e di vetëm Zoti xh. sh., por duhet kuptuar se shtrembërimi i besimit të drejtë, paraqitet në popullin e Nuhut, andaj dërgohet Nuhu për rikthimin e besimit të drejtë në një Zot dhe pas tij e vazhdojnë të gjithë pejgamberët me rradhë.

Ibrahimi në këshillimet e veta që ia bën popullit, i vë bazat më të shëndosha të besimit të drejtë, largon të gjitha bestytnitë e mundshme nga kokat e njerëzve, sakrifikon edhe jetën e vet, pra Zoti e shpërbleu edhe në dynja, derisa të gjithë pejgamberët rrjedhin prej origjinës së tij, të gjitha librat e shenjtë u jepen pasardhësve të tij. Në moshën e tij të shtyrë të pleqërisë, e katërmbëdhjetë vjet pas djalit të tij Ismailit, prej të cilit rrjedh Pejgamberi ynë Muhammedi, Zoti ia fal Is-hakun dhe djalin e djalit Jakubin e të tjerë me radhë. Nuk ka dyshim se ai ishte i dashuri i Zotit, halilull Llahi, e kuptohet çfarë do të ketë në botën tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:16–29:18

- “Edhe Ibrahimi, që i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun dhe kijeni frikë Atë!” - Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na tregon për të dashurin e tij të zgjedhur, Profetin e Tij të dalluar, imamin e të gjithë të devotshmëve besimdrejtë, që besojnë në një Zot të vetëm, larg besimeve të kota e çdo idhujtarie, Ibrahimin (a.s.). Ai e ftoi popullin e vet në adhurimin e Allahut si Një të vetëm e pa ortak dhe për të qenë të sinqertë në përpjekjet e tyre për devot - shmëri ndaj Tij. Ai i udhëzoi që vetëm Atij t’ia kërkonin rizkun dhe çdo begati të kësaj dynjaje dhe të ahiretit; vetëm me Atë ta lidhnin zemrën dhe shpresat e tyre; vetëm Allahut t’ia shprehnin mirënjohjen për mirësitë e dhuruara, sepse Ai është i vetëm në përkujdesin për krijesat dhe të gjitha mirësitë janë vetëm prej Tij. Ibrahimi iu drejtua popullit të vet dhe i tha: “Adhuroni Allahun dhe kijeni frikë Atë!” Pra, vetëm Atij përkushtojani adhurimet me sinqeritet të plotë dhe vetëm Atij t’ia kini frikën e të përpiqeni për t’iu ruajtur ndëshkimit të Tij. - “Kjo është më e mira për ju, nëse e kuptoni.” - Nëse e zbatoni këtë këshillë, atëherë keni për të arritur të mirat e dynjasë dhe të ahiretit dhe keni për të shpëtuar nga çdo sherr dhe ligësi në dynja dhe në ahiret. Më pas, Ibrahimi u tregoi se idhujt që ata i adhuronin veç Allahut, nuk zotëronin asnjë mirësi apo mbrojtje nga ndonjë e keqe. - “Përveç Allahut, ju jeni duke adhuruar idhuj dhe trilloni gënjeshtra. Nuk ka dyshim se ata që ju i adhuroni përveç Allahut, nuk kanë asgjë në dorë për rizkun tuaj. ” - Ata janë thjesht pjellë e trillimeve tuaja. Jeni ju që u keni vënë ata emra dhe i konsideroni si zota e të adhuruar. Ata nuk janë gjë tjetër veçse krijesa, njëlloj si edhe ju. Kështu e ka përcjellë Aufiu shpjegimin e Ibn Abasit. Po kështu e kanë shpjeguar edhe Muxhahidi me Sudijun. - “Prandaj vetëm tek Allahu kërkojeni rizkun, vetëm Atë adhuroni dhe vetëm Atë falënderoni! ” - Vetëm tek Allahu kërkojeni rizkun, vetëm Atë adhurojeni dhe t’i jeni mirënjohës, sepse krijesat nuk kanë në dorë asgjë prej rizkut. Prandaj, hani prej rizkut të Tij dhe adhurojeni Atë, duke i shprehur mirënjohjen. - “Tek Ai do të ktheheni të gjithë. ” - Ditën e Kijametit, tek Ai është kthimi juaj dhe Ai do t’ju shpërblejë për çfarë keni bërë në dynja, sipas asaj që meritoni. - “Por, nëse ju refuzoni, dijeni se edhe popuj para jush refuzuan ...” - Tashmë ju e dini mirë se çfarë ndodhi me ata të mjerë. Ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit goditi ashpër mbi ta, për shkak se iu kundërvunë

profetëve dhe ngaqë refuzuan ftesën dhe shpalljet e Tij. - “... dhe të dërguarit nuk i takon gjë tjetër përveç kumtimit të qartë. ” - Profetët kanë për detyrë veçse kumtimin e qartë e me besnikëri të Shpalljes së Zotit. Më pas, është Allahu i Madhëruar, i Vetmi e pa ortak, që vendos se kë do të udhëzojë në rrugën e drejtë dhe kë do të lërë në humbje e errësirë. Përpiquni sinqerisht për veten tuaj, për të qenë prej fatlumëve, që ndriçohen nga udhëzimi e drita e Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:16–29:22

- (Kujto) Edhe Ibrahimin, kur i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun...” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai e dërgoi të dashurin e Tij Ibrahimin tek populli i tij që t’i ftonte ata ta adhuronin si një të vetëm. Ai u tha atyre: “Adhurojeni Allahun dhe kijeni frikë Atë! Adhurojeni Allahun si një të vetëm dhe jini të sinqertë në adhurimin e Tij! Zbatojini ato që ju urdhëron Zoti. - dhe kijeni frikë Atë! - Kijeni frikë Allahun dhe ruajuni nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, duke iu larguar ndalesave të Tij. - Kjo është më e mira për ju... - Adhurimi, devotshmëra dhe frika nga Ai është më e mirë për ju. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se në lënien e adhurimit mund të ketë ndonjë të mirë. Allahu na tregon se adhurimi dhe devotshmëria ndaj Tij është më e mirë për njerëzit, sepse mirësia në dynja dhe në ahiret mund të arrihen veçse përmes kësaj rruge. Madje mund të themi se çdo mirësi që gjendet në këtë dynja dhe në ahiret është rezultat i adhurimeve ndaj Allahut dhe devotshmërisë së treguar ndaj Tij. - nëse e kuptoni. - Nëse e dini dhe e kuptoni këtë fakt, atëherë vendosni me urtësi dhe maturi se çfarë do të zgjidhni për veten tuaj. Pasi i urdhëroi për ta adhuruar Atë si një të vetëm dhe për devotshmëri, Allahu vijon t’i

ndalojë nga adhurimi i idhujve duke u qartësuar mangësinë e tyre dhe faktin që ata nuk i meritojnë adhurimet. Ai thotë: - Përveç Allahut ju jeni duke adhuruar idhuj dhe trilloni gënjeshtra. - Jeni ju që i gdhendni e krijoni ata idhuj me duart tuaja, u vendosni emra, i kurorëzoni si zota e hyjni, dhe pastaj trilloni urdhëresa për t’i adhururar ata. - Nuk ka dyshim se ata që ju i adhuroni përveç Allahut, nuk kanë asgjë në dorë për furnizimin tuaj... - Ata nuk zotërojnë asnjë lloj cilësie që t’ju bëjë që ti adhuroni e të meritojnë adhurimin tuaj. Ata: “...nuk kanë asgjë në dorë për furnizimin tuaj. "Me sa duket dikush mund të ketë thënë: Ne e dimë mirë se këta idhuj janë të mangët, të krijuar, që nuk kanë në dorë as dobi e as dëm; as jetë e as vdekje dhe as ringjallje. Ne e dimë mirë dhe e kemi të qartë se askush me të tilla cilësi nuk meriton asnjë grimë madhërimi. Por ja që zemrat kanë nevojë që të kenë dhe të zgjedhin diçka për ta adhuruar e për ta lidhur zemrën me të, t’i luten për nevojat dhe të bashkëbisedojë me të, në rast nevoje e vështirësie. Atëherë, Allahu i Madhëruar u jep një porosi për t’i udhëzuar drejt, atje ku duhet të drejtohen për adhurime, i drejton atje ku adhurimi është i meritueshëm. - ...prandaj vetëm tek Allahu kërkojeni furnizimin... - Dijeni se Allahu e meriton ta lidhni zemrën me Të dhe e lehtëson rizkun. Ai përcakton gjithçka në këtë gjithësi. Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që i luten për fenë, besimin dhe për dynjanë e tyre. - ...vetëm Atë adhuroni... - Vetëm Allahun adhurojeni si një dhe të vetëm, sepse Ai është i Vetmi i Plotë e Absolut, në cilësinë e të adhuruarit, se Ai ka në dorë të gjithë dobinë dhe dëmin. Vetëm në dorën e Tij është administrimi dhe rregullimi i çështjeve të krijesave. - dhe vetëm Atë falënderoni! - Vetëm Atij i takon mirënjohja dhe lavdërimet si një dhe i vetmi, sepse të gjitha të mirat që u janë dhënë krijesave, janë prej Tij. Çdo ligësi e largim nga ato është largim prej Tij, ndërkohë që Allahu është mbrojtësi i tyre. - Tek Ai do të ktheheni të gjithë. - Atë ditë, Ai do t’ju shpërblejë sipas veprave tuaja. Ai do t’ju njoftojë e keni nxjerrë haptazi atë që e shfaqët dhe atë që e mbajtët fshehur në dynja. Ruajuni dhe kijeni frikë Zotin që, kur të dilni para Tij, të mos dilni të përlyer me idhujtarinë tuaj. Punoni e nxitoni të bëni ato punë e adhurime që ju afrojnë tek Ai dhe ju mbushin me shpërblime, që do t’ju vlejnë për ditën kur do të ktheheni tek Ai. - Por, nëse ju mohoni, dijeni se edhe popuj para jush kanë mohuar, ndërsa të Dërguarit nuk i takon gjë tjetër, përveç kumtimit të qartë. - Nëse ju e mohoni dhe refuzoni ta besoni të dërguarin tonë Muhamedin (a.s) në atë që ju fton, atëherë dijeni se shumë popuj të tjerë para jush i mohuan profetët që u dërguan ndër ta dhe po kështu e refuzuan ftesën e tyre për të pasuar të vërtetën. Por mbi ta goditi dënimi i Allahut dhe zemërimi i Tij. Profeti ynë ka detyrë vetëm t'ju kumtojë qartë Shpalljen e Zotit, dhe ai e bëri këtë.23 - A nuk shohin ata se si e nis Allahu krijimin, e pastaj e përsërit atë? - Ai do ta rikthejë këtë në Ditën e Kijametit. - Pa dyshim, kjo është e lehtë për Allahun. - Sikurse ka thënë i Lartësuari: "Është Ai që e fillon krijimin, dhe pastaj e përsërit atë, e kjo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të. " [Rum 27]. Nëse ata tregojnë e shprehin ndonjë dyshim rreth krijimit të Zotit dhe fillimit të këtij krijimi, atëherë: - Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi! - Udhëtoni me trup dhe me shpirt. Dhe shikoni se si filloi krijimi. Ju do të zbuloni se kështu është jeta. Popullata njerëzish e kafshësh, që vijnë e ikin nga kjo botë; ata dalin në këtë jetë, rriten dalë ngadalë, dhe pastaj zhduken. Shiko se si edhe bimët dalin e zhduken e kjo përsëritet e përsëritet. Po kështu formohen retë, fryjnë erërat e ndodh çdo gjë në këtë dynja; ndodhin dhe rindodhin në mënyrë të

vazhdueshme. Çdo gjë fillon jetën, vazhdon, vdes dhe rifillon nga e para. Madje, mjafton të shohësh gjumin ose “vdekjen e vogël”. Nata i mbulon të gjithë, në errësirën e saj dhe ata bien në qetësi, reshtin lëvizjet, shuhen zërat dhe i sheh në strehët dhe shtretërit e tyre si të vdekur. Kështu vazhdojnë për gjithë natën, derisa çel agimi, kur ata përmenden nga ajo qetësi dhe ringjallen nga vdekja e tyre (e vogël), duke thënë: “ El hamdu lil -lahil-ledhi ahjana ba’de ma ematena ue ilejhin - nushur! - I gjithë lavdërimi i qoftë Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdisnim, dhe vetëm tek ai do të tubohemi”. Duke na udhëzuar të shohim rifillimin e krijimit në këtë dynja kohë pas kohe, Allahu na sjell argument për pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat Ditën e Gjykimit, prandaj thotë: - Kështu do ta bëjë Allahu krijimin tjetër (Ditën e Ringjalljes). - Atë ditë, Ai do të na ringjallë për herë të fundit, se nuk ka më vdekje ose gjumë më pas, por do të ketë përjetësi në Xhenet ose në Xhehenem. - Allahu ka fuqi për çdo gjë. - Asgjë nuk mund t’i shpëtojë dhe fshihet pushtetit të Tij. Ashtu siç është i Plotpushtetshëm që e filloi krijimin, po ashtu edhe rikthimi është nën pushtetin e Tij, madje kjo është edhe më e thjeshtë. - Ai ndëshkon atë që do dhe mëshiron atë që do - Ai është i Vetmi që ka në dorë ligjin e ndëshkimit. Sipas këtij ligji, Ai do t’i shpërblejë dhe do t’i mëshirojë të bindurit dhe, nga ana tjetër, do t’i ndëshkojë dhe lërë në dëshpërim të pabindurit. - dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë. - Do të ktheheni në jetën tjetër, kur do të zbatohen ligjet e ndëshkimit ose të mëshirës së Tij. Bëni, atëherë, punë në bindje ndaj Tij, bëni ato që Zoti i ka caktuar si shkak për arritjen e mëshirës së Tij dhe largohuni nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Tij, që ai i ka bërë shkaqe për ndëshkimin! - Ju nuk mund t'i shpëtoni Atij (Allahut) as në tokë e as në qiell - O ju që e keni mohuar të vërtetën! Kurrë mos mendoni se Allahu është i pavëmendshëm ndaj jush dhe poshtërsive tuaja dhe dijeni se kurrë nuk keni për t’i shpëtuar Allahut, as në Tokë dhe as në qiell! Mos ju mashtrojnë hilet, që ju janë zbukuruar në sytë tuaj, dhe forca juaj në këtë dynja! Asgjë nuk mund t’ju shpëtojë nga dënimi i Allahut dhe nuk keni për të gjetur vend për t’iu fshehur dënimit të Tij. - Dhe, përveç Allahut, nuk keni për të gjetur asnjë mbrojtës apo ndihmëtar. - Përveç Allahut, askush nuk do të mund t'ju bëhet ndihmëtar, që t’ju mundësojë ndonjë të mirë dynjaje ose fetare dhe as mbrojtës, që t'ju shpëtojë e ruajë nga ndonjë e keqe.

← Ankebut 29:16