29. Ankebut · Ajeti 27 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:14–29:27
Tregimi për pejgamberin Nuh dhe Ibrahim dhe i të gjitha ngjarjeve e ndodhive në jetën e tyre, është i lidhur me konstatimin në fillim të kaptinës. Sprovat në jetën e kësaj bote janë të paevitueshme, janë ligj i Zotit që mbretëron gjithnjë, prandaj, si Pejgamberi Muhammed, ashtu edhe ymeti i tij besimtarë, duhet kuptuar se rruga për në fqinjësi të këndshme e të kënaqshme pranë Zotit, kërkon durim, qëndrueshmëri dhe moral të lartë. Ky lloj sprovimi i ka goditur njerëzit më të dashur të Zotit, po me qëndrimet e tyre ata mbetën shembëlltyrë e kësaj bote, e do të jenë më fatlumët në botën tjetër. Si duket Nuhu ishte njeriu me jetë shumë të gjatë në këtë botë, e për kalendarin e viteve të asaj kohe e di vetëm Zoti xh. sh., por duhet kuptuar se shtrembërimi i besimit të drejtë, paraqitet në popullin e Nuhut, andaj dërgohet Nuhu për rikthimin e besimit të drejtë në një Zot dhe pas tij e vazhdojnë të gjithë pejgamberët me rradhë.
Ibrahimi në këshillimet e veta që ia bën popullit, i vë bazat më të shëndosha të besimit të drejtë, largon të gjitha bestytnitë e mundshme nga kokat e njerëzve, sakrifikon edhe jetën e vet, pra Zoti e shpërbleu edhe në dynja, derisa të gjithë pejgamberët rrjedhin prej origjinës së tij, të gjitha librat e shenjtë u jepen pasardhësve të tij. Në moshën e tij të shtyrë të pleqërisë, e katërmbëdhjetë vjet pas djalit të tij Ismailit, prej të cilit rrjedh Pejgamberi ynë Muhammedi, Zoti ia fal Is-hakun dhe djalin e djalit Jakubin e të tjerë me radhë. Nuk ka dyshim se ai ishte i dashuri i Zotit, halilull Llahi, e kuptohet çfarë do të ketë në botën tjetër.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:26–29:27
- “Luti e besoi atë ...” - Allahu i Madhëruar na tregon se Luti e besoi Ibrahimin (a.s.). Thuhet se ai ishte djali i vëllait të Ibrahimit, pra, Luti, ishte biri i Haranit, e ky biri i Azerit. Nga populli i tij nuk e besoi Ibrahimin askush, veçse Luti dhe gruaja e Ibrahimit, Sara. Në një hadith përmendet një fjalë e Ibrahimit gjatë kohës kur ai u përball me një tiran. Në këtë hadith, ndër të tjera, thuhet se Ibrahimi shkoi tek Sara dhe i tha: “Ky tiran më pyeti për ty dhe unë i thashë se ti je motra ime. Kështu, mos më nxirr gënjeshtar para tij, sepse ti je motra ime në Librin e Allahut (në besim). Me të vërtetë, sot, në Tokë nuk ka asnjë musliman (të dorëzuar ndaj Zotit), përveç meje dhe teje.” Atëherë si mund të harmonizojmë këtë hadith, e pikërisht fjalën e tij “Me të vërtetë, sot, në Tokë nuk ka asnjë musliman (të dorëzuar ndaj Zotit), përveç meje dhe teje”, dhe këtij ajeti, ku thuhet se Luti e besoi Ibrahimin? Allahu e di më mirë, por mbase qëllimi i Ibrahimit ishte të pohonte se nuk kishte në tokë bashkëshortë muslimanë përveç atyre të dyve.137 Me këtë kuptim nuk përjashtohet fakti që Luti e besoi Ibrahimin, madje mërgoi së bashku me Ibrahimin në viset e Shamit. Më pas, gjatë kohës kur Ibrahimi ishte ende gjallë, Luti (a.s.) u dërgua si profet në popullin e Sodomës e viset përreth, dhe ndodhi ajo që është përmendur e do të përmendet sërish më pas. - “Ai (Ibrahimi) tha: “Unë do të mërgoj atje ku më udhëzoi Zoti im”. - Unë do të largohem nga populli im idhujtar, duke shkuar në një vend, ku të kem mundësinë e lirinë të shfaq haptazi, të praktikoj dhe të jetoj sipas fesë së urdhëruar nga Zoti im. - “Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.” - Atij i takon krenaria e plotë e ngadhënjimi, gjithashtu, profeti t të Tij dhe besimtarëve. Ai është i Urti në fjalët dhe veprat e Tij, në ligjet e krijimit e funksionimit të kësaj bote dhe në ligjet e adhurimit, besimit dhe fesë, që caktoi për krijesat e tij. - “Ne i dhuruam Ibrahimit Is’hakun dhe Jakubin ...” - Po kështu thuhet edhe në një ajet tjetër: “Pasi u largua prej tyre dhe prej asaj që ata adhuronin përveç Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.” [Merjem 49]. Pra, kur Ibrahimi u nda prej popullit të vet idhujtar, Allahu i Lartësuar ia qetësoi zemrën dhe sytë me një djalë të mirë, që do të ishte profet, të cilit gjithashtu do t’i jepej një djalë, kur gjyshërit e tij ishin ende në jetë. I Lartësuari thotë: “Ne i falëm atij Is’hakun dhe më pas edhe Jakubin, si dhuratë. Që të gjithë i bëmë të mirë.” [Enbija 72]. Pra, mirësi mbi mirësi. I Madhëruari thotë gjithashtu: “E shoqja, që rrinte në këmbë, qeshi. Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut, me Jakubin.” [Hud 71]. Domethënë, e përgëzoi për lindjen e Ishakut, si edhe që Is’hakut do t’i lindte një djalë, Jakubi, ndërkohë që Ibrahimi dhe Sara do të ishin ende në jetë, duke parë këtë nip të tyre e duke u kënaqur kështu sytë dhe zemrat e tyre. Është fakt i sigurt dhe i pakundërshtueshëm se Is’haku është djali i Ibrahimit, ndërsa Jakubi është djali i Is’hakut. Për këtë tregojnë ajete dhe hadithe të sakta. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, para se të vdiste, u tha bijve të vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu - të Ibrahimit, të Ismailit dhe të Is’hakut , që është Një Zot i Vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi.” [Bekare 133]. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Umeri, se Profeti i Allahut e ka quajtur Jusufin: “Fisniku, i biri i fisnikut, i biri i fisnikut, i biri i fisnikut. Jusufi ishte i biri i Jakubit, që ishte biri i Is’hakut, e ky biri i Ibrahimit.” Këtë hadith e ka përnxjerrë vetëm Buhariu. - “... dhe ndër pasardhësit e tij i zgjo - dhëm profetët dhe shpallëm Librat e Shenjtë.” - Ky është një nderim madhështor për Ibrahimin (a.s.). Pasi Allahu i Madhë - ruar e zgjodhi Ibrahimin për ta bërë të dashurin e Tij të zgjedhur, pasi e bëri udhëheqës dhe prijës të gjithë të devotshmëve besimdrejtë, Ai bëri që të gjithë profetët që do të vinin më pas të ishin
pa përjashtim nga pasardhësit e tij. Kështu, të gjithë profetët e bijve të Izraelit erdhën nga pasrdhësit e Jakubit birit të Is ’hakut, birit të Ibrahimit. Zinxhiri i profetëve të tyre përfundoi me Isain, birin e Merjemes. Ai u ngrit mes bijve të Izraelit, për t’u dhënë lajmin e mirë për dërgimin e Profetit kurejsh nga fisi Hashimij. Muhamedi do të ishte vula e të gjithë të dërguarve të Zotit, zotëria e më i zgjedhuri i pasardhësve të Ademit, në dynja dhe në ahiret. Allahu e zgjodhi këtë Profet të fundit nga mesi i arabëve, pasardhës të Ismailit, birit të Ibrahimit. Nga pasardhësit e Ismailit nuk u dërgua asnjë profet tjetër, përveç Muhamedit ﷺ. - “Ne i dhamë atij shpërblimin në këtë botë, ndërsa në botën tjetër ai do të jetë ndër më të mirët. ” - Kështu, Allahu i dhuroi atij lumturinë në të dyja jetët. Në jetën e kësaj bote, Ai i dhuroi Ibrahimit rizk të bollshëm dhe begati të shumta, shtëpi të gjerë e të mirë, të ardhura të mira e të këndshme, bashkëshorte të bukur dhe të mirë e besimtare të dalluar, emër të mirë ndër njerëz e lëvdata e respekt të madh, aq sa çdo kush e do atë Profet të madh. Kështu kanë thënë Ibn Abasi, Muxhahidi, Katade etj. Përveç këtyre mirësive, ai u bë i përkushtuar e durimtar në bindjen ndaj Zotit, në të gjitha urdhëresat e porositë që Ai i dha , sikurse e përshkruan i lartësuari : “... dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi të gjitha detyrimet (e Zotit)” [Nexhm 37]. Pra, ai i zbatoi të gjitha urdhëresat e Zotit. Po kështu, i Lartësuari thotë: “Vërtet, Ibrahimi ishte shembull i së mirës, adhurues i Allahut, besimdrejtë (monoteist) dhe nuk ka qenë kurrë nga idhujtarët. Ai ishte mirënjohës për të mirat e Tij (e Allahut) . Allahu e dalloi atë (si profet) dhe e udhëzoi në Rrugën e Drejtë. Ne e bekuam atë me shumë të mira në këtë botë dhe në botën tjetër ai është me më të mirët. Prandaj, Ne të shpallëm ty “Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit! Ai nuk ka qenë kurrë prej idhujtarëve.” [Nahl 120 - 123].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:26–29:27
- Luti e besoi atë (Ibrahimin), që tha: “Unë do të mërgoj për atje ku më udhëzoi Zoti im. - Ibrahimi vazhdoi të ftonte popullin e tij, por ata vazhduan me inatin dhe mosbesimin e tyre. Ftesës së tij iu përgjigj Luti (a.s), të cilin Allahu e zgjodhi për ta bërë profet dhe e dërgoi te populli i vet. Ibrahimi (a.s), kur vërejti se ftesa e tij nuk po sillte ndonjë dobi te populli i vet, tha: "Unë do të mërgoj për atje ku më udhëzoi Zoti im." Ai u largua nga ai vend i keq, për të shkuar në tokën e bekuar, në tokën e Shamit. - Ai është i Gjithëfuqishmi e i Urti”. - Ai është Ngadhënjimëtar dhe e ka gjithë pushtetin që t'ju udhëzojë ju. Por Ai është edhe Hakim - i Urtë, dhe prej urtësisë së Tij nuk deshi që t’ju udhëzojë. Pasi Ibrahimi u largua prej atij populli, Allahu i Lartësuar nuk përmend se i shkatërroi ata. Këtu përmendet veçse largimi i Ibrahimit (a.s). Për sa i përket izraeliateve, që tregojnë se Zoti u hapi atyre një portë dënimi me mushkonja, të cilat u pinin gjakun dhe i hanin mishin, duke u shfarosur nga i pari tek i fundit, këto nuk mund t’i themi, derisa të kemi argument nga Sheriati të besueshëm, por që faktikisht nuk ka. Nëse Allahu i Lartësuar do ta kishte shfarosur me ndonjë dënim, do ta kishte përmendur diçka të tillë, ashtu siç ka përmendur shkatërrimin e popujve të shkuar. Mbase shkak për këtë mund të jetë fakti që Ibrahimi ishte i dashuri më i afërt i Allahut dhe, si i tillë, ishte njeriu më i mëshirshëm, më i miri, më i zgjedhuri dhe i dhembshuri, prandaj edhe ai nuk u lut kundër tyre, ashtu siç u lutën profetët e tjerë. Rrjedhimisht, Allahu i Lartësuar nuk zbriti ndëshkim gjithëpërfshirës në këtë rast. Për diçka të tillë tregon edhe fakti që ai filloi të fliste me melekët edhe rreth mundësisë për të mos e dënuar popullin e Lutit. Megjithatë, Allahu është më i ditur për atë që ndodhi. - Ne i dhuruam Ibrahimit Is’hakun dhe Jakubin - Pasi u shpërngul dhe emigroi për në Sham. - dhe ndër pasardhësit e tij zgjodhëm profetët dhe shpallëm Librat e Shenjtë. - Pas Ibrahimit, të gjithë profetët ishin pasardhës të tij. Zinxhiri i profetëve u mbyll me profetin e fundit, Muhamedin (a.s). Kjo është nga mirësitë më të mëdha e prestigj, pra, që Allahu i Lartësuar të kufizojë mbartësit e udhëzimit, mëshirës, lumturisë e shpëtimit të njerëzve në pasardhësit e tu. Në duart e tyre u udhëzuan njerëzit, besuan besimtarët dhe bënë punë të mira bamirësit. - Ne i dhamë atij shpërblimin në këtë botë, ndërsa në botën tjetër ai do të jetë ndër më të mirët. - Allahu i dhuroi një grua shumë të bukur, furnizim të bollshëm dhe gradë të lartë. Madje, ai dhe Muhamedi (a.s) ishin më të mirët adhurues të Zotit dhe në gradat më të larta. Kështu, Allahu i Madhëruar bashkoi tek ai lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit. Ai i dhuroi fëmijë, që t’ia kënaqte sytë dhe zemrën. I mundësoi të njihte Allahun dhe ta donte atë, të kthehej tek Ai me adhurime e përkushtime e të ishte i bindur ndaj Tij.