29. Ankebut · Ajeti 28 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:28–29:45

Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme.

Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:28–29:30

- “Kujtoni Lutin, i cili i tha popullit të vet: “Ju bëni një punë shumë të shëmtuar, që askush para jush nuk e ka bërë, në tërë botën.”. Allahu i Lartësuar na tregon për Profetin e Tij, Lutin (a.s.). Ai paralajmëroi dhe kërcënoi popullin e vet për ligësitë që bënin. - “Ju kontaktoni me meshkujt, sulmoni njerëzit në rrugë dhe në vendtubimet tuaja bëni punë të liga. ” - Burrat u afroheshin për marrëdhënie intime burrave.

Ata ishin të parët prej bijve të Ademit, që sollën një shëmti të tillë. Askush para tyre nuk e pati bërë këtë poshtërsi. Përveç kësaj, ata ishin mohues të besimit të vërtetë, iu kundërvunë profetit të tyre dhe e trajtuan si gënjeshtar. Ata ishin kusarë e armiqësorë, që u prisnin rrugën njerëzve, u grabisnin pasuritë e i vrisnin. Gjithashtu, “... në vendtubimet tuaja bëni punë të liga ...” , domethënë, thoshin fjalë të pahijshme dhe bënin veprime të shëmtuara dhe nuk e qortonin njëri-tjetrin për këto gjëra. Disa, si Muxhahidi, thonë se ata kryenin marrë - dhënie me njëri -tjetrin haptazi mes tyre. Të tjerë thonë se në mexhliset e tyre lëshonin gazra dhe talleshin në mënyrë të pështirë. Kështu ka shpjeguar Aishja dhe El Kasimu. Ndërsa të tjerë thonë se organizonin ndeshje mes deshinjve ose gjelave, duke i vënë të përplaseshin e të vriteshin me njëri -tjetrin. Ata i bënin të gjitha këto, madje edhe më keq se kaq. Imam Ahmedi sjell një transmetim Umu Hanit, e cila tregon: 2050. “E pyeta të Dërguarin e Allahut rreth shpjegimit të fjalës së Allahut: “... sulmoni njerëzit në rrugë dhe në vendtubimet tuaja bëni punë të liga”, dhe ai tha: “Ata sulmonin udhëtarët e kalimtarët dhe talleshin me ta. Këto ishin punët e liga që bënin në vendtubimet e tyre.” Hadithin e sjellin Tirmidhiu, Ibn Xheriri dhe Ibn Ebu Hatimi. Tirmidhiu e ka gjykuar si hasen. - “Ndërsa përgjigjja e popullit të tij ishte: “Na e sill dënimin nga Allahu, nëse thua të vërtetën!” - Kjo ishte pasojë e mohimit dhe kokëfortësisë së tyre, prandaj Profeti iu lut Zotit që ta ndihmonte kundër atij populli arrogant e inatçor: - “Ai tha: “O Zoti im! Më ndihmo kundër këtij populli, që ka kaluar çdo kufi!”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:28–29:35

Më parë u përmend se Luti (a.s) e besoi Ibrahimin (a.s) dhe u bë nga pasuesit e tij. Është përmendur se ai nuk ka qenë nga pasardhësit e Ibrahimit (a.s), por ishte djali i vëllait të Ibrahimit. Por si ta kuptojmë fjalën e Allahut kur tha: “...dhe ndër pasardhësit e tij i zgjodhëm profetët dhe shpallëm Librat e Shenjtë"? Ky ajet, edhe pse është i përgjithshëm e që përfshin të gjithë profetët pas Ibrahimit (a.s), ai nuk bie ndesh me faktin se Luti ishte profet, sepse ajeti është sjellë në një kontekst lavdërimi për Ibrahimin. Nga ana tjetër, Allahu na përmendi se Luti ishte nga ata që u udhëzuan në duart e Ibrahimit dhe, sigurisht, ai që u udhëzua në duart e Ibrahimit është më i plotë se ata që u udhëzuan në duart e pasardhësve të tij, në aspektin e gradës dhe rëndësisë së mësuesit e udhëzuesit të tyre. 24 Allahu është më i ditur! - Kujtoni gjithashtu Lutin! Ai i tha popullit të vet: “Ju bëni një punë shumë të shëmtuar, që askush para jush nuk e ka bërë në tërë botën....” - Kështu, Allahu i Madhëruar e dërgoi Lutin tek populli i tij. Përveç shirkut, ndër ta ishte përhapur poshtërsia e homoseksualitetit, grabitja, plaçkitja e pirateria. Në tubimet e tyre, ata bënin shumë turpe. Kështu, Luti (a.s) i këshilloi për këto turpe e poshtërsi që bënin. - Ju kontaktoni me meshkujt, sulmoni njerëzit në rrugë dhe në vendtubimet tuaja bëni punë të liga. - Ai u foli për të logjikuar, për të parë se sa të shëmtuara ishin ato punë që bënin dhe se dënimi ku po e zhysnin veten ishte shumë i dhembshëm, por ata nuk e dëgjuan dhe nuk morën mësim. - Por përgjigjja e popullit të tij ishte: “Na sill dënimin nga Allahu, nëse thua të vërtetën!” - Atëherë, kur Luti (a.s) e humbi shpresën se mund të udhëzoheshin dhe e kuptoi se ata e meritonin dënimin, duke u dëshpëruar për mohimin e tyre, u lut dhe tha: - Ai tha: “O Zoti im! Më ndihmo kundër këtij populli, që ka kaluar çdo kufi (në gjynahe)!” - Dhe Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së tij. - Kur të Dërguarit Tanë (melekët) i çuan Ibrahimit lajmin e mirë, i thanë: “Ne kemi për t'i shkatërruar banorët e këtij qyteti, sepse ata janë keqbërës. ” - Kështu, Allahu i Lartësuar dërgoi melekët për të shkatërruar popullin e Lutit. Para se të përmbushnin misionin, ata kaluan nga Ibrahimi (a.s) dhe e përgëzuan për lindjen e Is’hakut dhe më pas për lindjen e Jakubit (birit të Is’hakut). Ibrahimi i pyeti për ku ishin nisur, dhe ata i treguan se ishin nisur për të shkatërruar popullin e Lutit. Atëherë, Ibrahimi filloi të fliste me ta për ta larguar dënimin dhe u tha: - Ibrahimi tha: “Por aty është Luti!” Ata i thanë: “Ne e dimë më mirë se kush është aty. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, që do të mbetet me të zhdukurit”. - Melekët i

thanë: “Ne e dimë më mirë se kush është aty. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, që do të mbetet me të zhdukurit”. Pastaj ata vazhduan, derisa shkuan tek Luti, i cili u ndie ngushtë dhe i frikësuar për mbërritjen e tyre, sepse nuk i njihte ata. - Kur të dërguarit Tanë shkuan te Luti, ai u shqetësua dhe e ndjeu veten të pafuqishëm (për t'i mbrojtur ata). Por ata i thanë: “Mos ki frikë, as mos u trishto! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas sate, që do të mbetet me të dënuarit. ”. - Ai mendoi se ishin udhëtarë dhe pati frikë për ta nga sherri i popullit të tij. Por ata i thanë: “Mos ki frikë, as mos u trishto! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas sate, që do të mbetet me të dënuarit.” Pastaj e njoftuan se ata ishin të dërguarit e Zotit dhe i thanë: - Ne do të lëshojmë mbi banorët e këtij qyteti një dënim nga qielli, për shkak se ata bëjnë punë të liga. - Prandaj e urdhëruan Lutin që të nisej që herët në udhëtim së bashku me familjen e tij. Kur agoi dita, Allahu i Madhëruar e përmbysi atë vend dhe lëshoi mbi ta një shi të pandërprerë gurësh të ndezur, derisa i shfarosi. Ashtu mbetën si një histori për t’u treguar ndër njerëz dhe si mësim për ata që marrin mësim. - Ne kemi lënë një argument të qartë nga ai vend, për çdo popull që mendon. - Lamë gjurmë nga gërmadhat e vendbanimet e popullit të Lutit, gjurmë të qarta për njerëz që kuptojnë me zemrat e tyre dhe përfitojnë nga shenjat e Zotit. Siç thotë Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër: “Edhe ju (o banorë të Mekës) , me siguri kaloni aty pranë gjatë mëngjesit dhe në mbrëmje. A nuk po logjikoni, atëherë? [Safat 137, 138].

← Ankebut 29:28