29. Ankebut · Ajeti 41 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:28–29:45

Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme.

Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:41–29:43

- “Shëmbëllimi i atyre që i shohin idhujt si mbrojtës, veç Allahut, është meri - manga, që thur shtëpinë e vet. Por më e dobëta shtëpi është e ajo e merimangës, po ta dinin. ” - Ky është një shembull, që Allahu i Madhëruar na jep për idhujtarët dhe adhurimet e tyre. Ata shpresojnë të kenë ndihmën dhe mbështetjen e idhujve, shpresojnë furnizimin prej tyre dhe u drejtohen me lutje kur janë në vështirësi. Allahu i Madhëruar na tregon se mbështetja dhe shpresat e tyre ngjajnë rrjetës së merimangës, që është aq e dobët, e brishtë dhe e paqëndrueshme. Edhe kët a të mjerë, kur i lidhin shpresat me idhujt e tyre dhe shpresojnë ndonjë të mirë nga ata, janë si ai që i var shpresat në shtëpinë e merimangës, e cila nuk mund të ofrojë asnjë siguri e mbrojtje. Nëse do të mendonin mirë mbi varfërinë dhe dobësinë e krijesave, kurrë nuk do të merrnin për miq dhe kurrë nuk do t’ua besonin çështjet e tyre ndokujt tjetër, veç Allahut. Ndërsa besimtari është i dorëzuar në adhurimin e Allahut. Zemra e

tij i takon vetëm Allahut dhe është e lidhur veçse me Të. Përveç kësaj, jeton me përpikmëri sipas ligjeve dhe rregullave të Zotit dhe kapet fort pas këtij udhëzimi dhe drite. Ai është kapur pas litarit më të fortë, që nuk këputet kurrë, sepse është i fortë dhe i qëndrueshë m. Në vijim, Allahu i Madhë - ruar sjell një kërcënim për ata që adhurojnë idhuj dhe që i shoqërojnë Atij ortakë. - “Allahu e di çfarë adhurojnë ata veç Tij. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti. ” - Allahu i Madhëruar di mirë dhe hollësisht çdo gjë që ata flasin dhe veprojnë. Ai i di mirë për idhujtarinë e tyre dhe për ata idhujt, ku ata mbështeten dhe shpresojnë dhe ka për t’u dhënë atë që meritojnë për veprat e tyre. Ai është i Urti dhe i Gjithëdituri. - “Këta janë shembuj që Ne i sjellim për njerëzit, por vetëm ata që kanë dituri i kuptojnë.” - Ata që i kuptojnë janë të thelluarit në dituri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:41–29:43

- Shembulli i atyre që marrin idhujt për mbrojtës veç Allahut, është ajo merimanga, që thur (për vete) një shtëpi. - Ky është një shembull rreth atyre që adhurojnë idhuj veç Allahut të Lartësuar, për të gjetur krenari, mbështeje dhe dobi. Ai na tregon se çështja është tërësisht ndryshe. Ai i shëmbëlleu ata me një merimangë që ndërton shtëpinë prej rrjete. Por a mund të të shërbejë një shtëpi e tillë për t’u ruajtur nga e nxehta, e ftohta dhe rreziqet? Dihet se: - Por më e dobëta shtëpi është ajo e merimangës, nëse do ta dinin. - Merimanga është nga krijesat më të dobëta dhe shtëpia që ajo thur është nga më të dobëtat. Ajo veçse ia shton asaj dobësinë. Të tillë janë ata që zgjedhin për veten mbrojtës e të adhuruar të tjerë veç Allahut. Ata vetë, dhe po kështu edhe idhujt e tyre, janë të varfër, të dobët e të pafuqishëm në të gjitha aspektet. Duke qenë se ata zgjedhin të dobëtit për mbështetës dhe mbrojtës, kjo ka për t'u shtuar veçse dobësinë dhe poshtërimin. Këta të mjerë mbështeten dhe i varin shpresat tek ato krijesa të dobëta në shumë çështje, që i duan dhe synojnë që t’i arrijnë. Ata ua lënë tërësisht në dorë çështjet atyre krijesave të dobëta e të varfra, duke menduar se ata do t’i ndihmojnë dhe do t’i përmbushin ato, por befasohen kur ata i tradhtojnë dhe i lënë në baltë. Kështu nuk arrijnë të përmbushin asgjë nga ato që synojnë dhe nuk marrin asnjë ndihmë që shpresonin. Sikur të shihnin me dije e urtësi gjendjen dhe dobësinë e vetvetes dhe të atyre që i marrin si mbështetës dhe ndihmës, kurrë nuk do të mbështeteshin tek ata. Përkundrazi, do të rrinin sa më larg tyre dhe do t’i mbështeteshin vetëm Zotit të Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë, i Cili, nëse robi e zgjedh si mbështetësin dhe mbrojtësin e tij dhe i mbështet plotësisht Atij, Ai ka për t’i mjaftuar për çështjet e dynjasë dhe të fesë. Allahu ka për t’ia shtuar fuqinë, mbi fuqinë që i ka dhënë. Do t’ia shtojë fuqinë trupore e shpirtërore dhe do t'ia bekojë veprat të tij. Më pas, i Lartësuari na tregon se idhujt e idhujtarët janë shumë më të dobët sesa u përmend më sipër, madje tregon se ata janë një hiç. - Allahu e di çfarë (kotësirash) adhurojnë ata veç Tij. - Ata idhuj janë thjesht emra të vendosura nga ata vetë dhe iluzione, që ata i krijojnë me mendje. Por nëse robi mendohet me kujdes, del në pah kotësia dhe fakti se ata janë të pavërtetë. Allahu i Lartësuar është Ai që di të fshehtën dhe atë që shfaqet dhe Ai e di mirë se ata janë duke iu lutur diçkaje që nuk ekziston, siç thotë në një ajet tjetër: “Ata (idhujt) nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i keni caktuar. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse u ka ardhur udhëzimi i qartë prej Zotit të tyre." [Nexhm 23]. - Ai është Ngadhënjimtari e i Urti. - Atij i takon i gjithë pushteti dhe fuqia dhe me pushtetin e Tij Ai ka ngadhënjyer mbi të gjitha krijesat. Ai është i Urti, i cili i vendos gjërat në vendin e vet. Ai e ka përkryer krijimin e vet dhe e ka bërë në formën më të bukur. Çdo urdhër e ligj i Tij është drejtësi e mirësi. - Këta janë shëmbuj që Ne i sjellim për njerëzit, por vetëm ata që kanë dije i kuptojnë ato. - Shëmbuj për të mirën e njohuritë. Ato i sjellin çështjet konceptuale më pranë shqisave dhe i bëjnë më të dukshme dhe të kuptueshme ato. Nëpërmjet tyre merret kuptimi i synuar. Ato janë nga rrugët më të dobishme të kuptimit të saktë të njohurive për të gjithë njerëzit. Sjellja e

shembujve është mënyra më e mirë e të kuptuarit. Por ata që i kuptojnë vërtet me zemër janë vetëm ata që Zoti i quan: “alimun”, të diturit, që dituria iu ka hyrë thellë në zemra. Ky ajet është një tregues i rëndësisë dhe dobisë së madhe të këtyre shembujve që Allahu i Madhëruar sjell në Kur'an dhe një nxitës për të medituar rreth tyre. Gjithashtu, ajeti është edhe një lëvdatë për ata që meditojnë dhe i logjikojnë drejt këta shembuj. Të medituarit dhe nxjerrja e mësimeve nga këto shembuj është tregues se ata janë dijetarë. Po ashtu, nga kjo kuptohet se ata që nuk i kuptojnë e nuk logjikojnë rreth tyre nuk janë dijetarë. Shkak për këtë konstatim është fakti që Allahu i Lartësuar i ka sjellë këto shembuj në Kur'an, për të treguar çështje madhore dhe shumë të rëndësishme prej qëllimeve të larta. Dhe ata që janë të ditur e kuptojnë se të tilla çështje janë më të rëndësishme se çështjet e tjera, për të cilat nuk janë sjellë shembuj. Rëndësia duket në faktin që Allahu i Madhëruar i ka dhënë më shumë shpjegim e trajtim se të tjerat dhe ka nxitur që ato të meditohen dhe logjikohen me kujdes. Madje ka urdhëruar që robërit të shpenzojnë çdo kapacitet mendor për të mësuar mesazhin e kumtuar. Kështu, ata që nuk logjikojnë dhe as meditojnë rreth këtyre shembujve, me gjithë këtë rëndësi të madhe, tregojnë me neglizhencën e tyre se ata nuk janë dijetarë. Nëse ata nuk njohin çështjet më të rëndësishme, atëherë për çështjet e tjera do të jenë më të paditur. Po të meditosh me kujdes, e kupton se shumica e çështjeve për të cilat Zoti ka sjellë shembuj në Kur'an janë rreth bazave më të rëndësishme të fesë dhe besimit.

← Ankebut 29:41