29. Ankebut · Ajeti 44 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:28–29:45
Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme.
Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:44–29:45
- “Allahu i krijoi qiejt dhe tokën me një (qëllim) urtësi të madhe. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për pushtetin e Tij madhështor. Ai i krijoi qiejt dhe tokën me një urtësi dhe qëllim të madh, pra, jo kot e pa qëllim. I Lartësuari thotë: “... që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë.” [Ta Ha 10]. Ose: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” [Nexhm 31]. Ose: “Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi të madhe, me qëllim që çdo njeri të shpërblehet për veprat e veta. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” [Xhathije 22]. - “Këtu ka argumente për ata që besojnë.” - Ka argumente të qarta e bindëse rreth faktit se Allahu është i Vetëm e pa ortak në pushtetin për të krijuar, administruar çështjet e krijesave dhe në meritën e të gjitha adhurimeve vetëm për Të. Në vijim, i Lartësuari urdhëron Profetin e Tij dhe besimtarët për ‘ tilâueti el Kuran’, pra, leximin e Kuranit dhe kumtimin e përhapjen e tij qartësisht ndër njerëz. Ai i urdhëron edhe për të përkryer namazin, këtë adhurim të rëndësishëm: - “Kumtoje atë që po të shpallet nga Libri dhe fale namazin! Me të vërtetë, namazi të largon nga punët e këqija dhe padrejtësitë.” - Namazi duhet kuptuar dhe kryer me kujdes dhe përkushtim, me frikë - respekt dhe përulësi ndaj Zotit, duke përmbushur ato fjalë, vepra e ndjenja, që janë themel i namazit, ato që janë të detyrueshme dhe ato që janë të pëlqyeshme, duke medituar në çdo fjalë e vepër gjatë tij; dhe të gjitha këto duhet të jenë me sinqeritet vetëm për Zotin. Një namaz i tillë të largon nga punët e këqija, padrejtësitë dhe poshtërsitë. Ky lloj namazi konsiderohet si përmendje e Zotit në formën më të lartë, gjatë të cilit marrin pjesë zemra, gjuha dhe gjymtyrët. Kjo e dyta është pjesa më e rëndësishme e tij. Përmes tij arrihet çdo e mirë dhe largimi nga çdo e keqe. - “Përmendja e Allahut është më e madhja ...” - Domethënë, më e madhe se dobia e parë. Ebu el Alije në lidhje me fjalën e Allahut “Me të vërtetë, namazi të largon nga punët e këqija dhe padrejtësitë.” ka thënë: “Namazi duhet të përmbajë tri gjëra të domosdoshme. Ai namaz që nuk ka asnjërën nga këto, nuk është namaz: qëllimi i pastër vetëm për Zotin, frikë -respekti dhe përmendja e Allahut gjatë kryerjes së tij. Sinqeriteti e shtyn robin tek çdo e mirë, frikë-respekti e ndalon nga veprat e këqija dhe padrejtësitë, kurse me leximin e ajeteve të Kuranit urdhërohesh për çdo të mirë dhe ndalohesh nga çdo e keqe.” Ndërsa Ibn Aun
el Ensari sjell një shpjegim tjetër: “Kur ti je duke falur namaz, je duke bërë punë të mirë dhe njëkohësisht, duke u angazhuar me namaz, kjo të ka larguar nga të këqijat dhe padrejtësitë. Por ajo gjendje në të cilën ndodhesh, pra, përmendja e Allahut gjatë namazit është më madhështore dhe më e rëndësishmja mirësi.” - “Allahu i di të gjitha veprat që bëni ju.” - Ai i di mirë të gjitha fjalët dhe veprat tuaja, i di edhe qëllimet dhe motivet tuaja dhe ka për t’ju shpërblyer me formën më të plotë. Hafidh Ebu Bekër el Bezzari sjell hadithin nga Xhabiri - ose nga një sahab tjetër - se, njëherë, i thanë Profetit ﷺ :2051. “Një burrë falet natën, por kur agon mëngjesi, ai vjedh.” Profeti tha: “Namazi do ta ndalojë nga ajo gjë.” Ibn Ebu Hatimi përcjell nga Ibn Abasi se, duke folur për fjalën e Allahut: “Përmendja e Allahut është më e madhja...”, ka thënë se për këtë kanë ardhur dy shpjegime: përmendja e Allahut për t’iu larguar ndalesave të Tij duhet të jetë më e madhja. Ndërsa kuptimi tjetër është: Allahu ju kujton ju shumë më tepër sesa e përkujtoni ju Atë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:44
- Allahu i krijoi qiejt dhe tokën me një (qëllim) urtësi të madhe. - Allahu i Lartësuar është i vetëm në krijimin e qiejve dhe të Tokës, me gjithë lartësinë, gjerësinë e thellësinë e tyre, me gjithë bukurinë dhe ato që ndodhen brenda dhe mes tyre, si Dielli, Hëna, yjet, melekët etj. Ai e krijoi edhe Tokën me gjithçka në të, malet, oqeanet, shkretëtirat, humnerat, pyjet e çdo gjallesë brenda saj. Të gjitha këto i krijoi me një qëllim dhe urtësi të madhe. Ai nuk i krijoi kot, pa ndonjë qëllim e pa ndonjë dobi, por i krijoi që në to të zbatohet ligji i krijimit dhe ligji i Sheriatit të Tij. Ai krijoi çdo gjë në funksion të mirësisë dhe kompletimit të saj për njerëzit. Ai e krijoi ketë madhështi që njerëzit të mund të shohin urtësinë, pushtetin dhe administrimin e Tij të çdo gjëje që ekziston dhe kështu të binden dhe të jenë të sigurt që Ai është i vetmi që meriton dashurinë e plotë dhe të gjitha adhurimet e përkushtimet e tyre. Vetëm Ai duhet të jetë i Adhuruari, të Cilit duhet t'i përulen dhe ta madhërojnë dhe sipas vullnetit dhe ligjit të Tij të jetojnë. - Në këtë (krijim) ka argumente për ata që besojnë. - Në të gjenden argumente të shumta për qëllimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të imanit. Nëse robi mediton
për to, ka për t'u bindur plotësisht në çështjet e besimit të pastër dhe njësimit të Zotit.