29. Ankebut · Ajeti 45 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:28–29:45
Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme.
Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:44–29:45
- “Allahu i krijoi qiejt dhe tokën me një (qëllim) urtësi të madhe. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për pushtetin e Tij madhështor. Ai i krijoi qiejt dhe tokën me një urtësi dhe qëllim të madh, pra, jo kot e pa qëllim. I Lartësuari thotë: “... që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë.” [Ta Ha 10]. Ose: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” [Nexhm 31]. Ose: “Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi të madhe, me qëllim që çdo njeri të shpërblehet për veprat e veta. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” [Xhathije 22]. - “Këtu ka argumente për ata që besojnë.” - Ka argumente të qarta e bindëse rreth faktit se Allahu është i Vetëm e pa ortak në pushtetin për të krijuar, administruar çështjet e krijesave dhe në meritën e të gjitha adhurimeve vetëm për Të. Në vijim, i Lartësuari urdhëron Profetin e Tij dhe besimtarët për ‘ tilâueti el Kuran’, pra, leximin e Kuranit dhe kumtimin e përhapjen e tij qartësisht ndër njerëz. Ai i urdhëron edhe për të përkryer namazin, këtë adhurim të rëndësishëm: - “Kumtoje atë që po të shpallet nga Libri dhe fale namazin! Me të vërtetë, namazi të largon nga punët e këqija dhe padrejtësitë.” - Namazi duhet kuptuar dhe kryer me kujdes dhe përkushtim, me frikë - respekt dhe përulësi ndaj Zotit, duke përmbushur ato fjalë, vepra e ndjenja, që janë themel i namazit, ato që janë të detyrueshme dhe ato që janë të pëlqyeshme, duke medituar në çdo fjalë e vepër gjatë tij; dhe të gjitha këto duhet të jenë me sinqeritet vetëm për Zotin. Një namaz i tillë të largon nga punët e këqija, padrejtësitë dhe poshtërsitë. Ky lloj namazi konsiderohet si përmendje e Zotit në formën më të lartë, gjatë të cilit marrin pjesë zemra, gjuha dhe gjymtyrët. Kjo e dyta është pjesa më e rëndësishme e tij. Përmes tij arrihet çdo e mirë dhe largimi nga çdo e keqe. - “Përmendja e Allahut është më e madhja ...” - Domethënë, më e madhe se dobia e parë. Ebu el Alije në lidhje me fjalën e Allahut “Me të vërtetë, namazi të largon nga punët e këqija dhe padrejtësitë.” ka thënë: “Namazi duhet të përmbajë tri gjëra të domosdoshme. Ai namaz që nuk ka asnjërën nga këto, nuk është namaz: qëllimi i pastër vetëm për Zotin, frikë -respekti dhe përmendja e Allahut gjatë kryerjes së tij. Sinqeriteti e shtyn robin tek çdo e mirë, frikë-respekti e ndalon nga veprat e këqija dhe padrejtësitë, kurse me leximin e ajeteve të Kuranit urdhërohesh për çdo të mirë dhe ndalohesh nga çdo e keqe.” Ndërsa Ibn Aun
el Ensari sjell një shpjegim tjetër: “Kur ti je duke falur namaz, je duke bërë punë të mirë dhe njëkohësisht, duke u angazhuar me namaz, kjo të ka larguar nga të këqijat dhe padrejtësitë. Por ajo gjendje në të cilën ndodhesh, pra, përmendja e Allahut gjatë namazit është më madhështore dhe më e rëndësishmja mirësi.” - “Allahu i di të gjitha veprat që bëni ju.” - Ai i di mirë të gjitha fjalët dhe veprat tuaja, i di edhe qëllimet dhe motivet tuaja dhe ka për t’ju shpërblyer me formën më të plotë. Hafidh Ebu Bekër el Bezzari sjell hadithin nga Xhabiri - ose nga një sahab tjetër - se, njëherë, i thanë Profetit ﷺ :2051. “Një burrë falet natën, por kur agon mëngjesi, ai vjedh.” Profeti tha: “Namazi do ta ndalojë nga ajo gjë.” Ibn Ebu Hatimi përcjell nga Ibn Abasi se, duke folur për fjalën e Allahut: “Përmendja e Allahut është më e madhja...”, ka thënë se për këtë kanë ardhur dy shpjegime: përmendja e Allahut për t’iu larguar ndalesave të Tij duhet të jetë më e madhja. Ndërsa kuptimi tjetër është: Allahu ju kujton ju shumë më tepër sesa e përkujtoni ju Atë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:45
- Kumtoje (e pasoje me përpikmëri) atë që po të shpallet nga libri (Kur'ani) dhe fale (rregullisht) namazin! - Allahu i Madhëruar na urdhëron për të lexuar e pasuar Shpalljen e Tij, këtë libër madhështor. Ai porosit që të përmbushim urdhëresat e Tij dhe të largohemi nga ndalesat e Tij. Na urdhëron që të ndjekim udhëzimet e Tij dhe të shohim rrugën përmes dritës së Tij. Ne duhet t’i besojmë ato që janë thënë në të, t’i lexojmë me kujdes fjalët e Tij dhe të meditojmë thellë në kumtet e Tij. Ne jemi urdhëruar të lexojmë librin e Tij dhe të jetojmë sipas kumteve e urdhëresave të Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend konkretisht disa nga urdhëresat e Tij, duke treguar kështu rëndësinë dhe vlerën e madhe të tyre dhe për përfundimin e mirë që ato sjellin tek robi. Ai thotë: - Me të vërtetë, namazi të largon nga gjynahet (e mëdha) dhe ligësitë. Përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve). - Namazi sjell shumë dobi e mirësi për robin. Ai të ndalon nga dy gjëra: 1. El-fahshau, pra, nga gjynahet e mëdha dhe dëshirat e shfrenuara, që shpirti i dëshiron t'i kryejë. 2. El-munker - të këqijat ose të gjtha ato gjynahe që konsiderohen të tilla nga natyra e pastër dhe mendja e shëndoshë. Por si është e mundur që namazi të ndalojë dhe ta ruajë robin nga këto të dyja? Nëse robi e përkryen namazin duke kompletuar shtyllat, kushtet e saktësisë së tij, si dhe frikërespektin për Zotin gjatë kryerjes së tij, atëherë zemra i ndriçohet dhe shpirti i pastrohet e dëlirësohet. Kështu, atij i shtohet imani dhe i shtohet dëshira, ambicia dhe vullneti për të bërë edhe më shumë mirësi. Nga ana tjetër, pakësohet ose zhduket dëshira për ligësinë. Në këtë mënyrë, ai që e përkryhen vazhdimisht namazin në këtë formë, atëherë ai namaz do ta ndalojë nga veprat e shfrenuara dhe ligësitë. Dhe pikërisht ky është nga qëllimet kryesore të namazit. Këto janë fryte të pashmangshme të një namazi të përkryer e të plotësuar. Por në namaz gjendet një qëllim, i cili është shumë më i madh dhe më i rëndësishëm se të gjitha këto: përmendja e Allahut gjatë tij. Gjatë namazit përmendet Zoti me zemër, me gjuhë, dhe me gjymtyrë. Allahu i Lartësuar i krijoi krijesat veçse që ta adhurojnë Atë dhe adhurimi më i përkryer dhe më madhështor që i përkushtohet Atij është pikërisht namazi. Në këtë lloj adhurimi janë bashkuar të gjitha gjymtyrët e robit për të shprehur adhurimin, përulësinë ndaj Allahut të Lartësuar dhe madhërimin e Tij. Për këtë arsye, Allahu thotë: “Përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)." Sipas një mendimi tjetër, ka mundësi që me këto fjalë të jetë pasur për qëllim përmendja e Allahut jashtë namazit. Sipas këtij mendimi, pasi Allahu i Madhëruar përmendi urdhrin për namazin dhe na tregoi rëndësinë e tij, vijoi të përmendë dhikrin pas namazit dhe na tregoi se ai është më i rëndësishëm dhe më i dobishëm sesa thjesht namazi. Shumë mufesirë e kanë parapëlqyer këtë qëndrim, por mendimi i parë është më i pranueshëm dhe i saktë, sepse nuk ka asnjë dyshim që falja e namazit është më e mirë dhe e rëndësishme sesa dhikri jashtë namazit. Arsye tjetër është se vetë namazi është mënyra më madhështore e përmendjes, adhurimit dhe madhërimit të Allahut. - Allahu i di të gjitha veprat që bëni ju. Ai i di të gjitha gjërat që i bëni ju, si të mirat, ashtu edhe të këqijat dhe ka për t’ju
dhënë shpërblimin më të plotë për gjithçka që keni bërë.