29. Ankebut · Ajeti 50 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:46–29:63

Në disa ajete para këtyre u përshkrua rruga krejtësisht e gabuar e atyre, që veç Zotit adhurojnë edhe ndonjë send tjetër, si idhuj ose ndonjë krijesë të çfarëdoshme. Adhuruesit e sendeve të tjera, e zotave të tjerë, prej të cilëve shpresojnë e presin ndonjë të mirë, t'i mbrojnë prej ndonjë të keqeje dhe mbështeten në ta, janë të dobët si shtëpia e marimangës, sepse ata nuk kanë kurrgjë në dorë, e ai që mbështetet në ta është si të mbështetet në rrjetën e marimangës, sikurse të kërkojë shpëtim nga pëlhura e saj.

Në këto ajete pas tyre, Pejgamberi dhe besimtarët e tij urdhërohen të sillen më butë me ithtarët e librit, kuptohet I me ata prej të cilëve priten shpresa se do ta pranojnë Kur'anin dhe Muhammedin, ndërsa me ata që qëndrojnë kundër, I nuk ka butësi ndaj tyre. Atyre duhet treguar realitetin islam sipas të cilit besimtarët e tij i pranojnë të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet, e derisa edhe ata besojnë Zotin një, atëherë do të duhej ta pranojnë edhe Pejgamberin e fundit. Ithtarët e librit, të cilët sinqerisht e lexuan librin e vet, i besuan Muhammedit, si Abdullah bin Selami, prijës fetar i jehudive, Selman Farisiu, persian dhe disa nga arabët idhujtarë.

Muhammedi jetoi sa vjet në mesin e popullit të vet, as nuk lexonte ndonjë libër e as nuk shkruante. Populli i vet e dinte se ai nuk ishte i shkolluar. Për këtë cilësi të Muhammedit shkruanin edhe librat e mëparshëm. Kur nisi t'i shpallej Kur'ani, ai filloi të lexojë, e dihej se ato citate të pamposhtura, ato tregime të panjohura për popujt e lashtë, ato çështje sekrete që i zbulonin ato, nuk ishin prodhim i aftësisë së Muhammedit të pashkolluar, por thënie të të madhit Zot që edhe pejgamberëve para tij u shpalli libra, pra nuk kishte vend për ndonjë dyshim për Kur'anin se ishte shpallje e Zotit, por ishte çështja e injorancës së atij populli. Pejgamberi ynë ka qenë dhe ka mbetur i tillë, që nuk ka shkruar me dorën e vet, për shkrimin e Kur'anit i kishte njerëzit e posaçëm.

Derisa mohuesit e Kur'anit të shpallur prej Zotit, nuk kishin kurrfarë argumenti për dyshim, Zoti u tërhoqi vërejtjen i për ndëshkimin e ashpër, të cilin do ta përjetojnë, e besimtarëve u tha: Ju jeni robët e mi të dashur, mos keni frikë për idare, e as prej vdekjes, pse vdekja është dukuri e pashmangshme. Kudo që të jeshë, në vendlindje ose në mërgim, I ajo e godit secilin njeri, e për sa i përket idares, ju duhet të kuptoni se ka shumë gjallesa që nuk dinë të mendojnë për të, e nuk e sigurojnë ate as nuk janë të afta ta sigurojnë, po Allahu i furnizon të gjitha ato, pra edhe juve, andaj mos iu frikësoni varfërisë.

Idhujtarët e dinin për Allahun, por adhuronin edhe idhuj, duke menduar se ata do t'i afrojnë dhe ndërmjetësojnë te Zoti.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:50–29:52

- “Ata thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij ndonjë shenjë nga Zoti i tij?!” - Allahu i Madhëruar na tregon rreth idhujtarëve, që, me kokëfortësinë e tyre për të refuzuar të vërtetën, kërkonin shenja të posaçme. Ata thoshin: “Nëse është e vërtetë se Muhamedi është Profeti i Allahut, atëherë le të sjellë një shenjë, ashtu si Salihu, që solli devenë.” Allahu i Madhëruar e udhëzoi Profetin e Tij si t’u përgjigjej këtyre kryeneçëve: - “Thuaj: “Çështja e shenjave është vetëm në dorë të Allahut! ” - Thuaju atyre, o Muhamed, se çështja e sjelljes së mreku - llive ose jo është e gjitha në dorë të Allahut. Nëse Allahu do të shihte tek ju dëshirën për të gjetur dhe pranuar të vërtetën me sjelljen e mrekullive, do t’i përgjigjej kërkesës suaj, dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun e Madhëruar. Por Ai e di mirë se me të tilla kërkesa, ju kërkoni thjesht të refuzoni ftesën e Profetit, prandaj nuk ju përgjigjet. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim shenja, por popujt e parë i mohuan ato. Ne i dhamë Themudit devenë si një shenjë të qartë, por ata e mohuan atë. Ne i dërgojmë shenjat si paralajmërim.” [Isra 59]. - “... dhe unë jam veçse një paralajmë - rues i qartë. ” - Unë jam dërguar thjesht si një paralajmërues përpara dënimit që po afron. Detyra ime është thjesht të kumtoj mesazhin e Zotit tim. Pastaj: “Atë që e udhëzon Allahu, ai është i udhëzuar dhe atë që Ai e lë në humbje, ti nuk do të gjesh për të asnjë mbështetës, që do ta çonte në Rrugën e Drejtë.” [Kehf 17]. I Lartësuari thotë gjithashtu: “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do. ...” [Bekare 272]. Në vijim, i Lartësuari na tregon injorancën e thellë dhe mendjelehtësinë e pashembullt të tyre. Mendoni pak me kujdes. Ata vazhdonin t’i kërkonin Muhamedit shenja e mrekulli, ndërkohë që mrekullinë e kishin para syve. Muhamedi u solli prej Zotit këtë libër madhështor, të cilit nuk mund t’i afrohet e pavërteta nga asnjë anë, shpallje e Atij që është i Urti dhe i Lavdëruari. Kjo shpallje është më e madhe se çdo mrekulli, sepse Allahu i sfidoi të sjellin një tekst të ngjashëm me Kuranin, ose dhjetë sure si ai, apo edhe një sure të vetme si ai, dhe oratorët më të zotë ishin të pafuqishëm për ta bërë. - “Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm ty një Libër, i cili u këndohet? ”

- A nuk u mjafton atyre si mrekulli fakti që Ne të shpallëm këtë Libër madhështor, në të cilin ndodhen rrëfimet për popujt e shkuar dhe të atyre që do të vijnë më pas, si edhe gjykimi i drejtë mes tyre? A nuk mendojnë ata në faktin se, edhe pse ti nuk dije shkrim e lexim dhe nuk pate mësuar prej ndonjë dijetari nga ithtarët e Librit, në Kuran u solle tekste që ndodheshin në shpalljet e shkuara, qartësove të vërtetën e atyre çështjeve, për të cilat kishin mospajtime, duke u sjellë të vërtetën e qartë e të pastër? I Lartësuari thotë: “A nuk ishte argument për ata (për jobesimtarët mekas) , se atë (Kuranin) e dinin edhe dijetarët e bijve të Israilit?” [Shuara 197]. Ose: “Ata thonë: “Përse nuk na sjell ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk u erdhi atyre (në Kuran) argument i qartë për gjithçka që qe në Librat e mëparshëm të shpalljeve?”.” [Ta ha 133]. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Hurejra: 2053. “Çdo profeti të Allahut i është dhënë si mrekulli diçka e mjaftue - shme, që njerëzit ta besojnë. Ajo që m'u dha mua ishte Shpallja, që Allahu ma zbriti, prandaj shpresoj se unë do të jem Profeti me më shumë pasues.” - “Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e këshillë për njerëzit që besojnë. ” - Në Kuran gjendet mëshira, pra, qartësimi i të vërtetës dhe shkatërrimi i të kotës. Ai ka, gjithashtu, këshilla e përkujtime për ato gjëra që sjellin zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut. Ai rrëfen për ndëshkimet e atyre që mohojnë të vërtetën dhe zhyten në poshtërsi e gjynahe, larg bindjes ndaj Allahut të Madhëruar. - “Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush ...” - Allahu di mirë çdo vepër e kotësi tuajën, duke vazhduar të mohoni dhe të mos e pranoni të vërtetën. Ai di mirë edhe çdo fjalë që unë ju përcjell prej Tij, se është Ai që më dërgoi ndër ju me mesazh të qartë dhe argument të prerë. Nëse do të isha mashtrues, Ai do të më ndëshkonte për këtë padrejtësi, siç thotë i Lartësuari: “Unë betohem në atë që e shihni dhe në atë që nuk e shihni, se, me të vërtetë ai (Kurani) është Fjalë, që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, e pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës dhe askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kurani) është këshillë për të devotshmit.” [Hakka 44 - 47]. Unë jam i vërtetë në çdo gjë që ju përcjell rreth Tij, prandaj dhe Ai më mbështeti me mrekulli të shumta e të qarta dhe me argumente të pakundërshtueshme. - “Ai e di ç’ka në qiej e në Tokë. ” - Atij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë. - “Ata që besuan të kotën e nuk besuan Allahun, pikërisht ata janë të humburit. ” - Në Ditën e Premtuar, Ai do t’i japë çdokujt shpërblimin e merituar për ato që kanë bërë. Atyre që mohojnë të vërtetën dhe pasojnë të kotën, duke refuzuar profetët, me gjithë argumentet e pacenueshme, që

tregonin vërtetësinë e tyre dhe të Shpalljes që sollën nga Zoti i tyre dhe besojnë kotësirat pa pasur asnjë argument, Ai ka për t’i shpërblyer ashtu si e meritojnë. Ai është i Urtë dhe i Gjithëditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:50–29:52

- Ata thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë shenjë (mrekulli) nga Zoti i tij?” - Edhe këta mohues të padrejtë, që mohuan profetët dhe shpalljet që ata sollën prej Zotit, kërkojnë shenja dhe mrekulli, me mendjet e qëllimet e tyre të prishura. Kjo i ngjan fjalës së Allahut, kur tregon për ata që thonë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa - copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu! ” A mos, vallë, jam gjë tjetër unë, përveçse një njeri profet?!” [Isra 90 – 93]. Kështu, përcaktimi i shenjave dhe mrekullive nuk është në dorën e tyre dhe as të profetëve. Kjo kërkesë ishte ndërhyrje në kompetencat e Zotit. Duke qenë e tillë, atëherë kërkesa e tyre ishte e kotë dhe një shmangie nga e vërteta: - Thuaj: “Çështja e shenjave (mrekullive) është vetëm në dorë të Allahut...” - Nëse dëshiron, Ai i zbret ato e nëse nuk dëshiron, nuk i zbret. - ...dhe unë nuk jam tjetër, përveçse paralajmërues i qartë. - Unë nuk pretendoj të jem sipër kësaj grade. Nëse unë kam për qëllim dhe detyrë që të dalë në pah e vërteta dhe të dallohet nga e kota, atëherë kjo është realizuar me dërgimin tim dhe Shpalljen, që Zoti solli nëpërmjet meje. Me fjalë të tjera, nëse ajo që synohet është qartësimi i të vërtetës nga e kota, me çfarëdo mënyre që të bëhet ajo, atëherë kërkimi i shenjave e mrekullive të caktuara është një padrejtësi e dukshme dhe shprehje e mendjemadhësisë para Zotit dhe refuzim i padrejtë i së vërtetës. Por edhe sikur të vendoste Zoti që t’i zbriste ato shenja që ju i kërkoni dhe propozoni, ky nuk do të ishte një iman i vërtetë dhe i pranueshëm, që në momentin që ju e kushtëzoni besimin tuaj me to. Ky nuk është iman i vërtetë dhe i saktë, por është thjesht ndjekje e epshit dhe dëshirës tuaj, pra, jo sepse ai është i vërtetë dhe sepse e meriton. Kështu, edhe sikur të supozohej që ju do të besonit pas zbritjes së shenjave, ai do të ishte një iman jo korrekt dhe solid, sepse nuk do të ishte i ndërtuar mbi njohjen dhe pranimin me bindje të së vërtetës, por për shkak të shenjave të dukshme. Duke qenë se qëllimi me dërgimin e profetëve është qartësimi i së vërtetës, Allahu i Madhëruar vijon që të na tregojë rrugën e saktë të arritjes së këtij qëllimi të madh. Ai thotë: - Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm ty një libër, që u këndohet atyre (besnikërisht)? - A nuk u mjafton atyre për të gjykuar drejt për besnikërinë tënde dhe vërtetësinë e Shpalljes që t’u dha ty, fakti që ne u kemi zbritur një libër madhështor, që u lexohet atyre me besnikëri nga ana jote? Ky ajet është shumë i gjerë, me kuptime e kumte shumë të rëndësishme, edhe pse i

shkurtër. Në të ka argumente madhështore dhe një mesazh të mrekullueshëm. Sikurse e thamë më sipër, thjesht fakti që Profeti (a.s) ishte umij (nuk dinte shkrim e lexim) dhe solli një libër të tillë, kjo do të ishte shenja më e madhe që tregon për sinqeritetin e tij. Pastaj, ata u treguan të pafuqishëm për t’iu kundërpërgjigjur sfidës për të sjellë një Kur'an ose qoftë një sure si ai. Pastaj le të mendojnë se si Profeti a.s. e shfaqi haptazi këtë Kur'an ndër njerëz, që ta dëgjonin të gjithë, edhe pse mbështetësit e tij ishin të pakët. Profeti (a.s) kurrë nuk u thye dhe as nuk u spraps, me gjithë armiqtë e shumtë që e luftonin. Ai e ngriti zërin duke ua lexuar këtë Kur'an haptazi, duke deklaruar se “ky është Libri dhe Fjala e Zotit tim”. Ai i sfidoi të gjithë duke thënë: A ka ndonjë që ka mundësi që ta kundërshtojë e të sjellë një fjalë të ngjashme me të, apo ta hedhë poshtë? Pastaj mendo pak për historitë e shumta të popujve të shkuar dhe të fshehtat e shumta të së shkuarës dhe së ardhmes, që ky Kur'an përmend dhe që janë tërësisht në përputhje me realitetin. Gjithashtu, mendo për saktësimin që ai u bën librave dhe shpalljeve të shkuara, duke pohuar atë që është e saktë e ka mbetur e tillë ndër ta dhe duke qartësuar atë që është ndryshuar dhe tjetërsuar nga duart e njerëzve. Shiko udhëzimin e drejtë që ai ofron në çdo fushë e drejtim! Kur ai urdhëron për diçka, është e pamundur që mendja të thotë “Ah, sikur të mos urdhëronte për këtë!” Edhe kur ndalon nga diçka, është e pamundur që mendja e shëndoshë dhe natyra e pastër dhe e papërlyer të thotë: “Ah, sikur të mos kishte ndaluar nga kjo!” Çdo ligj e dispozitë e vendosur nga Ai është me drejtësi e barazi, është në përputhje të plotë me urtësinë, që arrijnë ta logjikojnë dhe pranojnë mendjet e pastra, të cilat shohin dhe gjykojnë drejt. Mendja e shëndetshme dhe natyra e pastër gjykon me bindje se ligjet dhe udhëzimet e ofruara nga Kur'ani janë të vetme ligje e udhëzime që rregullojnë çështjet e krijesave në çdo vend e kohë. Çështjet e tyre rregullohen veçse nëpërmjet tyre. Të gjitha këto janë mëse të mjaftueshme për atë që dëshiron dhe synon të gjejë, të pranojë e të besojë të vërtetën, si dhe do sinqerisht për ta zbuluar dhe kuptuar atë. Allahu mos e kënaqtë kurrë atë që nuk i mjafton Kur'ani dhe mos e shëroftë atë që nuk e shëron Kur'ani, dalluesi i së vërtetës nga e kota! Ai që udhëzohet me këtë Kur'an, ka për t’i mjaftuar ai, sepse ai është më i mirë se çdo gjë tjetër. - Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e këshillë për njerëzit që besojnë. - Kjo do të ndodhë për shkak se në të do të gjejnë dituri e mirësi të mëdha, pastrim për zemrat dhe shpirtrat, pastrim e rregullim të besimit, plotësim të moralit të lartë dhe frymëzim të madh nga vetë Zoti, që do t’u japë dritë të kuptojnë shumë të fshehta dhe udhëzime, që të tjerët nuk arrijnë t’i kuptojnë. - Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush. " - Unë kam sjellë Zotin si dëshmitar dhe gjykues mes nesh, prandaj nëse unë do të isha gënjeshtar, atëherë mbi mua do të godiste dënimi i Tij. Por duke qenë se Ai më ndihmon e më mbështet mua, duke më bërë të triumfoj mbi armiqtë e mij dhe m’i lehtëson të gjitha çështjet e mia, a nuk mjafton kjo si dëshmi nga vetë Zoti, të cilën Ai e tregon me mënyrën se si më trajton? Nëse pretendoni se ju nuk e keni dëgjuar e as e keni parë dëshminë e Zotit, dijeni se kjo nuk ju mjafton si argument për qëndrimin tuaj mohues, sepse: - Ai e di ç’ka në qiej e në tokë. - Nuk ka dyshim se Atij nuk i fshihet gjendja ime dhe gjendja juaj, si dhe kjo që po ju them rreth mbështetjes dhe ndihmës që Ai më ofron. Nëse Ai dëgjon që unë them diçka të tillë padrejtësisht, Ai kurrë nuk do të më linte pa ndëshkuar, sepse Ai është i Plotpushtetshëm dhe lënia e ndëshkimit të një mashtruesi do të ishte cenim i diturisë, pushtetit dhe urtësisë së Tij. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës, e askush prej jush nuk do të mund

të ndërhynte për mbrojtjen e tij. " [Haka 44 – 47]. - Ata që besojnë të kotën e nuk besojnë në Allahun, pikërisht ata janë të humburit. - Sepse ata nuk kanë iman të saktë për Allahun, melekët, librat, profetët e Tij dhe Ditën e Fundit. Kështu atyre iu ikin përfundimisht mirësitë e përjetshme të Xhenetit. Ata janë të humbur se për çdo të vërtetë të mohuar ata sprovohen me kotësinë, që i mbulon me shëmtinë e saj. Për çdo mirësi që iu ikën prej duarsh, i pret një dënim i dhembshëm, e kështu shkatërrojnë dhe humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Gjykimit.

← Ankebut 29:50