29. Ankebut · Ajeti 63 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:46–29:63

Në disa ajete para këtyre u përshkrua rruga krejtësisht e gabuar e atyre, që veç Zotit adhurojnë edhe ndonjë send tjetër, si idhuj ose ndonjë krijesë të çfarëdoshme. Adhuruesit e sendeve të tjera, e zotave të tjerë, prej të cilëve shpresojnë e presin ndonjë të mirë, t'i mbrojnë prej ndonjë të keqeje dhe mbështeten në ta, janë të dobët si shtëpia e marimangës, sepse ata nuk kanë kurrgjë në dorë, e ai që mbështetet në ta është si të mbështetet në rrjetën e marimangës, sikurse të kërkojë shpëtim nga pëlhura e saj.

Në këto ajete pas tyre, Pejgamberi dhe besimtarët e tij urdhërohen të sillen më butë me ithtarët e librit, kuptohet I me ata prej të cilëve priten shpresa se do ta pranojnë Kur'anin dhe Muhammedin, ndërsa me ata që qëndrojnë kundër, I nuk ka butësi ndaj tyre. Atyre duhet treguar realitetin islam sipas të cilit besimtarët e tij i pranojnë të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet, e derisa edhe ata besojnë Zotin një, atëherë do të duhej ta pranojnë edhe Pejgamberin e fundit. Ithtarët e librit, të cilët sinqerisht e lexuan librin e vet, i besuan Muhammedit, si Abdullah bin Selami, prijës fetar i jehudive, Selman Farisiu, persian dhe disa nga arabët idhujtarë.

Muhammedi jetoi sa vjet në mesin e popullit të vet, as nuk lexonte ndonjë libër e as nuk shkruante. Populli i vet e dinte se ai nuk ishte i shkolluar. Për këtë cilësi të Muhammedit shkruanin edhe librat e mëparshëm. Kur nisi t'i shpallej Kur'ani, ai filloi të lexojë, e dihej se ato citate të pamposhtura, ato tregime të panjohura për popujt e lashtë, ato çështje sekrete që i zbulonin ato, nuk ishin prodhim i aftësisë së Muhammedit të pashkolluar, por thënie të të madhit Zot që edhe pejgamberëve para tij u shpalli libra, pra nuk kishte vend për ndonjë dyshim për Kur'anin se ishte shpallje e Zotit, por ishte çështja e injorancës së atij populli. Pejgamberi ynë ka qenë dhe ka mbetur i tillë, që nuk ka shkruar me dorën e vet, për shkrimin e Kur'anit i kishte njerëzit e posaçëm.

Derisa mohuesit e Kur'anit të shpallur prej Zotit, nuk kishin kurrfarë argumenti për dyshim, Zoti u tërhoqi vërejtjen i për ndëshkimin e ashpër, të cilin do ta përjetojnë, e besimtarëve u tha: Ju jeni robët e mi të dashur, mos keni frikë për idare, e as prej vdekjes, pse vdekja është dukuri e pashmangshme. Kudo që të jeshë, në vendlindje ose në mërgim, I ajo e godit secilin njeri, e për sa i përket idares, ju duhet të kuptoni se ka shumë gjallesa që nuk dinë të mendojnë për të, e nuk e sigurojnë ate as nuk janë të afta ta sigurojnë, po Allahu i furnizon të gjitha ato, pra edhe juve, andaj mos iu frikësoni varfërisë.

Idhujtarët e dinin për Allahun, por adhuronin edhe idhuj, duke menduar se ata do t'i afrojnë dhe ndërmjetësojnë te Zoti.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:61–29:63

Allahu i Madhëruar na tregon dhe vërteton se edhe idhujtarët e pranojnë se Ai është i vetmi Krijues, që krijoi qiejt dhe Tokën, Diellin dhe Hënën. Allahu është i vetmi, në dorën e të Cilit është furnizimi i krijesave dhe përcaktimi i jetës dhe vdekjes së tyre. Ai është i gjithëditur se çfarë është e dobishme dhe e dëmshme për gjithësecilin prej tyre. Ata e besojnë se Allahu është i vetëm në pushtetin për të krijuar dhe administruar të gjitha çështjet e krijesave. Nëse çështja qëndron kështu, atëherë përse ata adhurojnë dikë tjetër veç Tij dhe përse i mbështeten e kërkojnë ndihmë prej dikujt tjetër? Ashtu siç e besojmë se Allahu është një i vetëm në pushtetin e mbretërimin e Tij, po të tillë, pra, një e të vetëm duhet edhe ta adhurojmë, duke e dashur dhe madhëruar. Kështu, mund të themi se pohimi i faktit se Allahu është një i vetëm si Krijues, Pronar dhe Administruesi i çështjeve të krijesave, nuk mjafton, nëse nuk dëshmon dhe nuk beson me bindje se Ai është një dhe i vetëm edhe në meritën e të gjitha adhurimeve të krijesave. Pikërisht për të besuar këtë u dërgua më i miri i krijesave, Muhamedi ﷺ dhe të gjithë profetët përpara tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:61–29:63

Në vijim, Allahu i Lartësuar sjell këto ajete si një argumentim për ata që refuzojnë të pranojnë njësimin e Tij në uluhije (meritën e adhurimit), duke i ftuar ata të meditojnë në diçka, që edhe vetë e pranojnë: në faktin se Allahu është i vetmi në rububije. Kështu, nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e Tokën kush i nënshtroi Diellin dhe Hënën, kush e lëshon shiun nga qielli dhe me të e ngjall tokën pasi është e shkretuar dhe në dorën e kujt është çdo çështje, Ata do të thonë: “Allahu! Një dhe i vetëm është Ai që i ka në dorë të gjitha këto! Ne dëshmojmë të bindur se idhujt nuk kanë në dorë asgjë nga këto!” Sa e çuditshme është gjendja e tyre e mjerë! Trillojnë e shpifin, duke adhuruar dikë që edhe vetë e besojnë se është i pafuqishëm dhe nuk ka asgjë në dorë. Dije, pra, se janë pa mend në kokë këta të mjerë, që adhurojnë veç Allahut gjëra që nuk kanë asnjë gjë në dorë. Ata janë mendjelehtë dhe pa logjikë. A mund të gjesh më truthtarë se ai njeri që i afrohet një guri, varri etj., që e di mirë që nuk ka asgjë në dorë, as dobi e as dëm, nuk mund të krijojë as të japë rizk, dhe sërish i përkushtohet atij me sinqeritet e përunjësi, me adhurime e dedikime të kulluara, duke e bërë kështu shok e partner me Zotin, që është i vetmi Krijues e Furnizues, i vetmi që ka në dorë dobinë dhe dëmin?! Kur të shohësh të tillë kokëboshë e trutharë, thuaj: "I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili e qartësoi udhëzimin nga devijimi dhe humbja! I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai, që e qartësoi kotësinë e rrugës së idhujtarisë, për t’i paralajmëruar dhe ndriçuar rrugën e besimtarëve të mirë, që i zgjodhi për veten e Tij. I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili krijoi botën e sipërme dhe atë të poshtme dhe kujdeset vetë për rizkun e krijesave dhe për çdo çështje të tyre!” Allahu ia shton rizkun atij që Ai do dhe ia ngushton atij që Ai do, dhe këtë e bën me urtësinë e Tij, sepse Ai e di mirë se çfarë është e mirë dhe i rregullon robërit e Tij. Ai e di mirë për çfarë kanë nevojë ata.

← Ankebut 29:63