وَلَئِن سَأَلۡتَهُم مَّن نَّزَّلَ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءٗ فَأَحۡيَا بِهِ ٱلۡأَرۡضَ مِنۢ بَعۡدِ مَوۡتِهَا لَيَقُولُنَّ ٱللَّهُۚ قُلِ ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِۚ بَلۡ أَكۡثَرُهُمۡ لَا يَعۡقِلُونَ
Dhe nëse ti i pyet ata: "Kush e lëshon shiun nga qielli dhe me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj?" Ata thonë: "All-llahu!" Thuaj: "Falënderimi i qoftë All-llahut, por shumica e tyre nuk mendojnë".*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në disa ajete para këtyre u përshkrua rruga krejtësisht e gabuar e atyre, që veç Zotit adhurojnë edhe ndonjë send tjetër, si idhuj ose ndonjë krijesë të çfarëdoshme. Adhur - uesit e sendeve të tjera, e zotave të tjerë, prej të cilëve shpresojnë e presin ndonjë të mirë, t’i mbrojnë prej ndonjë të keqeje dhe mbështeten në ta janë të dobët si shtëpia e merimangës, sepse ata nuk kanë kurrgjë në dorë, e ai që mbështetet në ta është si të mbështetet në rrjetën e merimangës, sikurse të kërkojë shpëtim nga pëlhura e saj. Në këto ajete pas tyre Pejgamberi dhe besimtarët e tij urdhërohen të sillen më butë me Ithtarët e Librit, kuptohet me ata prej të cilëve ka shpresa, se do ta pranojnë Kuranin dhe Muhamedin a.s., ndërsa me ata që qëndrojnë kundër, nuk ka butësi ndaj tyre. Atyre iu duhet treguar realiteti islam, sipas të cilit besimtarët e tij i pranojnë të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet, e derisa edhe ata besojnë Zotin një, atëherë do të duhej ta pranojnë edhe Pejgamberin e fundit. Ithtarët e Librit, të cilët e lexuan sinqerisht librin e vet, i besuan Muhamedit a.s., si Abdullah bin Selami, prijës fetar i jehudive, Selman Farisiu, persian dhe disa nga arabët idhujtarë. Muhamedi a.s. jetoi sa vjet në mesin e popullit të vet, as nuk lexonte ndonjë libër, e as nuk iu shkruante. Populli i vet e dinte, se ai nuk ishte i shkolluar. Për këtë cilësi të Muhamedit shkruanin edhe librat e mëparshëm. Kur nisi t’i shpallej Kurani ai filloi të lexojë, e dihej se ato citate të pamposhtura, ato tregime të panjohura për popujt e lashtë, ato çështje sekrete që i zbulonin ato, nuk ishin prodhim i aftësisë së Muhamedit të pashkolluar, por thënie të të madhit Zot, që edhe pejgamberëve para tij iu shpalli libra, pra nuk kishte vend për ndonjë dyshim për Kuranin, se ishte shpallje e Zotit, por ishte çështja e injorancës së atij populli. Pejgamberi ynë ka qenë dhe ka mbetur i tillë, që nuk ka shkruar me dorën e vet, për shkrimin e Kuranit ai kishte njerëz të posaçëm. Mohuesit e Kuranit të shpallur prej Zotit, nuk kishin kurrfarë argumenti për dyshim, e atyre Zoti ua tërhoqi vërejtjen për ndëshkimin e ashpër, që do të përjetojnë, e besimtarëve iu tha: Ju jeni robërit e mi të dashur, mos kini frikë për furnizim, e as prej vdekjes, pse vdekja është dukuri e pashmangshme. Kudo që të jesh, në vendlindje ose në mërgim ajo godit këdo, e për sa i përket furnizimit ju duhet të kuptoni, se ka shumë gjallesa që nuk dinë të mendojnë për të, e nuk e sigurojnë atë, as nuk janë të afta ta sigurojnë, po Allahu i furnizon të gjitha ato, pra edhe juve, prandaj mos iu frikësoni varfërisë. Idhujtarët e dinin për Allahun, por adhuronin edhe idhuj, duke menduar se ata do t’i afrojnë dhe ndërmjetësojnë te Zoti.