3. Ali Imran · Ajeti 100 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:98–3:103
Në këto disa ajete Kur'ani u drejtohet ithtarëve të librit duke u dhënë të kuptojnë se përpjekjet e tyre për të shkaktuar dyshim në të vërtetat e fesë së shpallur prej Zotit, janë të kota dhe se devijimet që përpiqen t'i bëjnë në librat e shenjta, nuk mund t'i shmangen dijes së Zotit., U drejtohet edhe besimtarëve myslimanë ngase në Medinën e atëhershme fiset më të mëdha dhe më të njohura ishin Evs dhe Hazrexh. Para se e kishin pranuar fenë islame, gjithnjë kishin qenë të gjakësuar ndërmjet vete. Me pranimin e fesë islame, Pejgamberi arriti t'i bashkojë dhe t'i vëllazërojë ndërmjet vete. Mirëpo, derisa këta thuajse bënin fuqinë kryesore të bashkësisë islame në Medine, jehuditë i mundoi bashkimi i tyre, andaj u përpoqën t'i përçajnë dhe në një rast luhatën marrëdhëniet ndërmjet tyre, por Pejgamberi me të shpejtë arriti t'i mënjanojë intrigat e jehudive dhe të vendosë unitetin në mesin e tyre. Kur'ani u tërhoq vërejtjen myslimanëve që të jenë të vetdijshëm për rrezikun që mund t'ua sjellin armiqtë, nëse u vënë veshin e bindjes intrigave të tyre.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:100–3:101
- O ju që keni besuar! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata, pas besimit tuaj, do t’ju kthejnë në jobesimtarë. - Allahu i Lartësuar i këshillon besimtarët e mirë që të jenë të kujdesshëm dhe të mos u binden një pjese të ithtarëve të Librit, të cilët janë të mbushur me smirë dhe urrejtje ndaj besimtarëve, për imanin e tyre të sinqertë dhe fenë, të cilën ua dhuroi i madhi Zot. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Shumë ithtarë të
Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthejnë në jobesimtarë, të shtyrë nga zilia e tyre, edhe pasi u ishte bërë e qartë e Vërteta. Falini dhe tolerojini ata, derisa Allahu të sjellë urdhrin e Vet! Allahu ka pushtet për gjithçka.” [Bekare 109]. - Si mund të mos besoni, kur juve po ju lexohen ajetet e Allahut, dhe në mesin tuaj gjendet i Dërguari i Tij?! - Kjo nuk duhet të ketë lidhje me ju! Domethënë, nuk duhet të bini kurrsesi në këtë poshtërsi! Ju jeni të urtë, të sinqertë e të ditur, të tillë që nuk mund të mohoni, ndërkohë që ajetet e Allahut i zbresin Profetit të Tij gjatë natës dhe ditës. Një ditë, Profeti ﷺ iu tha sahabëve të tij: 532. “Cili besim është më i habitshmi për ju?” Ata thanë: “Besimi i melekëve”. Por Profeti ﷺ tha: “E si të mos besojnë ata, ndërkohë që shpallja u zbret atyre?!” Kështu, ata thanë: “Atëherë është besimi ynë!” Profeti përsëri tha: “E si të mos besoni ju, ndërkohë që unë jam mes jush?!” Kështu, ata pyetën: “Atëherë, besimi i kujt është më i habitshmi?: Profeti tha: “Është imani i një populli, që do të vijnë pas jush, të cilët do të gjejnë fletë të shkruara dhe do të besojnë atë që është e shkruar në to.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - E kush i përmbahet fesë së Allahut, ai është udhëzuar në rrugën e drejtë. - Kapja fort pas besimit tek Allahu dhe mbështetja e plotë tek Allahu i Madhëruar janë shtyllat bazë, që e mbajnë udhëzimin të fortë në rrugën e drejtë dhe të gjallë në zemrën e besimtarit. Kjo është pikërisht mundësia për të gjetur rrugën e drejtë dhe për të ecur në fenë e saktë dhe të vërtetë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:98–3:101
- “Thuaj: “O ithtarë të Librit, përse i mohoni ajetet e Allahut, kur dihet se Allahu mbikqyr gjithçka që bëni?!” Thuaj: “O ithtarë të Librit! Përse i pengoni nga rruga e Allahut ata që besojnë, duke kërkuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërkohë që vetë ju jeni dëshmitarë (se ajo është rruga e vërtetë) ?” - Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve libra të ndritur e të shenjtë. Ata janë mëshirë për krijesat. Vetëm nëpërmjet tyre udhëzohen krijesat për të shkuar te Krijuesi i tyre. Nëpërmjet këtyre librave madhështorë, ata njohin qëllimet e jetës dhe përfitojnë dije të dobishme. Por ata që Zoti iu dha Libër, domethënë çifutët e të krishterët, nuk i trajtuan si duhet librat e Tij. Ata i mohuan dhe i shpërfillën argumentet e qarta dhe rrugën e drejtë, të sjellë si mëshirë nga Zoti i gjithësisë. Prandaj, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i qorton ata për këto padrejtësi. Çifutët e të krishterët bënë shumë të këqija njëherazi. Ata refuzuan udhëzimin e drejtë, të sjellë prej Allahut dhe Profetit të Tij. Jo vetëm kaq, por ata penguan besimtarët që ta pasonin rrugën e drejtë dhe të jetonin sipas saj. Çifutët dhe të krishterët e shtrembëruan të vërtetën, duke i dhënë asaj pamje dhe
drejtim tjetër nga autentikja. E keqja më e madhe është që, këto të këqija dhe padrejtësi, ata i kryenin me vetëdije të plotë. Ata ishin të ndërgjegjshëm për kufrin e madh që po kryenin, i cili meriton ndëshkimin e madh dhe me të cilin ata do të përballen një ditë. Prandaj i Madhëruari i kërcënon ata me fjalët: - “Allahu nuk është aspak i Pavëmendshëm ndaj asaj që ju bëni.” ” – Madje, Allahu është i Gjithëditur rreth asaj që ju punoni. Ai i di shumë mirë qëllimet dhe kurthet tuaja të zeza. Por, sigurisht, Ai ka për t’ju shpaguar me drejtësi për çdo gjë që keni bërë. Pas këtij kërcënimi të frikshëm, Allahu i Lartësuar flet për mëshirën dhe bamirësinë e Tij ndaj adhuruesve të sinqertë, që ata të mos mashtrohen dhe të mos bien viktima të kurtheve të mohuesve të Zotit. Thotë i Lartësuari: - “O ju që keni besuar! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata, pas besimit tuaj, do t’ju kthejnë në jobesimtarë.” - E çfarë mund të pritet tjetër prej smirëzinjve të mbushur plot urrejtje dhe armiqësi ndaj jush?! Ata janë të paduruar dhe ngulmues për t’ju devijuar nga rruga e drejtë ku ju ecni. Ata mezi presin që ju të braktisni udhëzimin hyjnor, me dritën e të cilit ecni të sigurt drejt kënaqësisë së Zotit tuaj, sikurse thotë i Madhëruari: “Shumë ithtarë të Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthejnë në jobesimtarë, të shtyrë nga zilia e tyre, edhe pasi u ishte bërë e qartë e Vërteta. Falini dhe tolerojini ata, derisa Allahu ta sjellë urdhrin e Vet! Allahu ka pushtet për gjithçka.” [Bekare 109]. Pastaj, Allahu i Lartësuar dhe Mëshir ëplotë, me butësinë dhe përkujdesin e Tij të pamatë, i udhëzon besimtarët, adhuruesit e Tij të sinqertë, në disa mënyra, nëpërmjet të cilave ata do të jenë të patundur në besimin e tyre dhe në ndjekjen e udhës të drejtë, që të çon drejt kënaqësisë së Tij. Nëse ata i shfrytëzojnë këto mënyra, atëherë devijimi dhe humbja e tyre nga rruga e drejtë do të ishte e pamundur. Prandaj thotë i Lartësuari: - “Si mund të mos besoni, kur juve po ju lexohen ajetet e Allahut, dhe në mesin tuaj gjendet i Dërguari i Tij?! ” - Profeti (a.s.) ju lexon juve ajetet e udhëzimet e Zotit tuaj vazhdimisht dhe është ende mes jush. Ajetet e sjella prej Tij janë shumë të qarta, prandaj duhet t’i besoni ato. Ju duhet, gjithashtu, të zbatoni çdo mësim të nxjerrë prej tyre. Nëpërmjet udhëzimit dhe dritës së sjellë prej Profetit tuaj nga Zoti i gjithësisë, ju keni marrë dijen e sigurt, që nuk pranon asnjë lloj dyshimi në asnjë aspekt të saj. Origjinalitetin dhe sigurinë e këtij udhëzimi e shton edhe më shumë fakti që transmetuesi dhe qartësuesi i saj është më i miri i krijesave dhe më i dituri i tyre rreth Zotit të gjithësisë, si edhe më oratori dhe më i afti mes tyre në qartësimin e çështjeve. Ai është vërtet njeriu më i butë, më i dashur dhe më i mëshirshëm me besimtarët, që e dëshiron udhëzimin dhe të mirën e adhuruesve të Zotit më shumë se çdo krijesë tjetër. Ai përpiqet me çdo mënyrë për të qartësuar dhe për të udhëzuar krijesat dr ejt adhurimit të Zotit të tyre. Paqja, mëshira dhe gjithë begatitë e Allahut qofshin mbi Muhamedin (a.s.)! Me të vërtetë, ai i dha njerëzimit këshillën më të qartë dhe e përcolli mesazhin e Zotit të tij te njerëzit me mënyrën më të bukur dhe më të ëmbël. Pas qartësimit të tij të plotë, nuk mbeti më vend për asnjë që të flasë dhe të kundërshtojë, ndërsa kërkuesve të rrugës së mirësisë nuk u mbeti gjë pa iu treguar dhe pa iu shpjeguar. - “E kush i përmbahet fesë së Allahut, ai është udhëzuar në rrugën e drejtë.” - Allahu i Lartësuar na mëson të përdorim këto armë të mrekullueshme, që të ruajmë besimin dhe udhëzimin e drejtë. Çdokush që kërkon ndihmë, strehim dhe mbrojtje tek Allahu i Lartësuar, çdokush që i mbështetet plotësisht të Plotpushtetshmit, çdokush që kërkon mbrojtje nga çdo e keqe tek i Plotfuqishmi dhe i Mëshirshmi, pa dyshim që është i udhëzuar në rrugën e drejtë.
Mundësia më e madhe që ka njeriu për të arritur qëllimet e tij është pajisja me këto dy armë të mrekullueshme: 1. Mbështjetja e plotë tek Allahu i Lartësuar, duke e kërkuar ndihmën, mbrojtjen dhe suksesin prej Tij. 2. Ndjekja e përpiktë e Profetit (a.s.) në fjalët, veprat dhe në të gjitha gjendjet e tij.