3. Ali Imran · Ajeti 112 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:104–3:112

Dijetarët dhe njerëzit autoritativë janë të obliguar nga Zoti ta udhëheqin masën në rrugë të drejtë, ta këshillojnë për punë e sjellje të mira dhe ta pengojnë prej të këqiave. Myslimanët nuk guxojnë të ndahen në grupe e të përçahen as në çështje të fesë e as të jetës siç bënë ithtarët e librit. Pejgamberi ka thënë: "Kush largohet prej bashkësisë vetëm sa një pëllëmbë, atij i hiqet prej qafe kresha (simboli) Islami"

Zbardhja ose nxirja e fytyrave do të jetë në ditën e kijametit. Kur u prezentohen njerëzve veprat e tyre, nga gëzimi për vepra të mira atyre u shndrisin fytyrat, ndërsa nga dëshprimi për veprat e këqia, u nxihen.

Ymeti i Muhammedit është ymeti më i dobishëm për mbarë njerëzinë, sepse është i obliguar të mbajë drejtësinë si në çështjet e jetës materiale e fizike, ashtu edhe në jetën shpirtërore Nuk favorizon asnjerën në dëm të tjetrës, siç është vepruar te popujt e mëparshëm. Eshtë ymeti më i mirë ngase Pejgamberi i tij është mëshirë për tërë botën.

Për shkak të sjelljeve të shëmtuara, Allahu i ka dënuar jehuditë të jenë të nënshtruar, të poshtëruar e të shtypur edhe në këtë jetë. E, derisa Allahu i ka përbuzur, ata janë të përbuzur edhe prej njerëzve të botës.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:110–3:112

Allahu i Lartësuar thotë se ky umet është më i miri i popujve që kanë dalë mbi faqen e dheut: - Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. - Buhariu shënon se Ebu Hurejra ka thënë se: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve”, domethënë që, ju jeni njerëzit më të mirë të sjellë për të mirën e njerëzimit. Ju i tërhiqni njerëzit zvarrë, prej zinxhirit në qafën e tyre, derisa të hyjnë në Islam.” Kështu ka thënë Ibn Abasi dhe një grup tabiinët. Pra, ky është më i miri i të gjithë popujve dhe këta janë njerëzit më të dobishëm për njerëzimin. Arsyeja është: - Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Durratu bint Ebi Lehebi, që ka thënë: 543.”Një burrë iu drejtua Profetit të Allahut kur ai ishte në minber, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Cili është njeriu më i mirë?” Profeti ﷺ tha: “Njeriu më i mirë është më i dituri dhe më i devotshmi ndaj Allahut; ai që urdhëron më së shumti për të mira dhe që ndalon më së shumti nga të këqijat; si dhe ai që i ruan më shumë lidhjet farefisnore.” Ky është një ajet i përgjithshëm, që i përfshin të gjithë umetin dhe çdo brez të tij, sipas vlerave që kanë. Nuk ka dyshim se brezi më i mirë është ai në të cilin u dërgua Profeti i Allahut, pastaj brezi që erdhi pas tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë në një ajet tjetër: “Dhe kështu, Ne ju bëmë një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” [Bekare 143]. Në dy Sahih-ët vjen transmetimi i Zuhriut nga Seid Ibn Musejibi, se Ebu Hurejra i ka treguar: 544. “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: Në Xhenet do të hyjnë nga umeti im një grup prej 70 -mijë vetësh, fytyrat e të cilëve do të ndriçojnë, ashtu siç ndriçon hëna e plotë.” Ndërkohë, - thotë Ebu Hurejra - u ngrit Ukashe Ibn Muhsin

El-Esdij dhe, duke ngritur një rrobë me vija, tha: “O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun qe të më bëjë mua prej tyre!” Profeti ﷺ tha: “O Zot, bëje atë prej tyre!”. Pastaj u ngrit një ensar dhe tha të njëjtën gjë. Por Profeti ﷺ i tha: “Ta kaloi Ukashja!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdurahman Ibn Ebu Bekri, se Profeti i Allahut ka thënë: 545. “Zoti im më dha mua (përgëzim për) 70 mijë nga umeti im, që do të hynë në Xhenet pa llogari.” Umeri i tha: “O i Dërguari i Allahut! A nuk kërkove që të shtohej edhe më shumë ky numër?” - “I kërkova shtesë Zotit tim, dhe Ai më dha që, për çdo një mijë (nga ata 70 mijë), të futen 70 -mijë të tjerë.” Umeri tha: “A nuk kërkove që të shtoheshin edhe më shumë?” - “I kërkova më shumë, dhe Ai më dha më shumë.” Abdurahman Ibn Ebu Bekri, që sjell hadithin, i hapi të dy krahët dhe - thotë Abdullahi - i shtriu dhe filloi t’i lëvizte.” Hashimi tha: “Kjo është mirësi prej Allahut! Nuk dihet se sa është numri i tyre.” Domethënë numri i tyre është shumë i madh. Taberaniu sjell hadithin nga Umran Ibn Husejni, se Profeti ﷺ ka th ënë: 546. “Prej umetit tim, do të hynë në Xhenet 70 mijë besimtarë pa llogari dhe pa dënim.” - “E cilët janë ata?” - e pyetën. Ai tha: “Ata të cilët nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, ata q ë nuk kurohen me hekur të nxehtë (kauterizim); nuk kan ë besëtytnira të kota dhe vetëm Zotit të tyre i mbështeten.” Muslimi e sjell hadithin përmes rrugës së Hisham Ibn Hasanit. Muslimi sjell hadithin nga Husejn Ibn Abdurrahmani, i cili tregon: 547. “Isha njëherë tek Seid Ibn Xhubejri, kur ai tha: “Kush nga ju e pa meteorin, që ra mbrëmë?” - “Unë e pashë!” i thashë. Pastaj shtova: “Unë nuk isha duke falur namaz, porse ngaqë në atë kohë më thumboi një akrep.” - “E çfarë bëre (për thumbimin)?” - “I kërkova dikujt të më bënte rukje.” - “E përse?” - “Sepse është një hadith, që na e ka treguar Sha'biju.” - “Çfarë ka treguar Sha'biju? - pyeti ai. Unë i thashë: “Na tregoi një hadith nga Burejde el Husejn el Eslemij, që thotë: “Rukjet nuk lejohen, përveçse për mësyshin, ose helmimet (el humma).” - “Sa mirë ka vepruar ai që i qëndron besnik asaj që ka dëgjuar!” - tha ai. Por ne na ka treguar Ibn Abasi, se Profeti ﷺ ka thënë: “M’u paraqitën të gjithë popujt, kur pashë një profet, me të cilin ishte një grup i vogël ndjekësish. Pashë një profet tjetër me të cilin ishin një ose dy ndjekës. Pashë edhe një profet, që nuk kishte asnjë ndjekës, por i vetëm fare. Kur më pas, përpara meje del një turmë e madhe, që nxinte (në horizont), dhe mendova se ishin të umetit tim. Atëherë, më thanë: “Ky është Musai me popullin e tij, por shiko drejt horizontit!” Unë vështrova andej, ku u shfaq një turmë gjigante, që nxinte horizontin. Më thanë sërish: “Shiko në këtë anën tjetër!” Dhe përsëri një turmë e madhe që nxinte tutje. “Ja, ky është umeti yt, dhe së bashku me ta do të jenë 70 mijë vetë, të cilët do të hynë në Xhenet pa llogari dhe pa dënim.” Pastaj Profeti ﷺ u ngrit dhe hyri në shtëpinë e tij. Njerëzit filluan të flisnin dhe diskutonin se cilët do të jenë ata që do të hynë në Xhenet pa llogari dhe pa dënim. Disa thoshin: “Ndoshta janë ata (sahabët) të cilët kanë shoqëruar Profetin ﷺ ”.Disa të tjerë thoshin: “Ndoshta janë ata të cilët janë lindur në Islam dhe nuk i kanë bërë kurrë shirk Zotit.” Dhe kështu u hodhën edhe mendime të tjera. Atëherë, Profeti i Allahut doli tek ata dhe tha: Ç’është ky diskutim që keni hapur?!” Pasi i treguan, ai tha: “Janë ata të cilët nuk bëjnë rukje dhe nuk kërkojnë t’iu bëhet rukje; nuk shërohen me hekur të nxehtë; nuk pasojnë ( tetajjur) besëtytnira të kota dhe të pabaza, dhe vetëm Zotit të tyre i mbështeten.” Ukashe Ibn Muhsin u ngrit dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë mua prej tyre!” Profeti tha: “Po, ti je prej tyre .” Pastaj u ngrit një burrë tjetër dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë edhe mua prej tyre!” Por Profeti i tha: “Ta kaloi Ukashja!” Këtë hadith e ka përnxjerrë edhe Buhariu, por në versionin e sjellë prej tij, nuk ndodhet pjesa “nuk bëjnë rukje ”. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Abdullah Ibn Mesudi: “Njëherë, Profeti i Allahut na tha: 548. “A nuk jeni të

kënaqur që ju të jeni çereku i banorëve të Xhenetit?!” Ne thirrëm: “Allahu Ekber!” Pastaj Profeti tha: “A nuk jeni të kënaqur që të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit?!” Ne thamë përsëri: “Allahu Ekber!” Pastaj tha: “Unë shpresoj që ju të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Taberaniu sjell hadithin nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: 549. “Kur zbriti fjala e Allahut të Madhëruar: “...Ata janë shumë nga të hershmit e shumë nga më të vonshmit.” [Uakia 39, 40], Profeti i Allahut tha: “Ju do të jeni çereku i banorëve të Xhenetit.” Pastaj tha: “Ju do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.” Pastaj tha përsëri: “Ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” E në fund tha: “Ju do të jeni dy të tretat e banorëve të Xhenetit.” Abdurrezaku sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se Profeti i Allahut ka thënë: 550. “Ne jemi të fundmit dhe të parët në Ditën e Gjykimit. Ne jemi njerëzit e parë që do të hyjnë në Xhenet, edhe pse atyre u është dhënë libri më përpara dhe neve më pas. Allahu na udhëzoi për çështjet e të vërtetës, që ata grindeshin e kishin mospajtime. Kjo (e xhumaja) është dita për të cilën ata kishin mospajtime. Ndaj, disa na ndjekin të nesërmen e kësaj dite (pra, të shtunën), dhe kjo është për jehudët, ndërsa për të krishterët është e pasnesërmja (e diela).” Këto hadithe japin të njëjtin mesazh si fjala e Allahut të Lartësuar, që thotë: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.” Kështu, çdo pjesëtar i këtij umeti që ka të tilla cilësi, e përfshin ky ajet i Allahut të Lartësuar dhe lëvdimi që Ai bën. Katadja ka thënë: “Na është përcjellë se Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në një prej haxheve që kreu, vërejti tek njerëzit diçka, ndaj lexoi këtë ajet: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve...”. Pastaj tha: “Kush dëshiron që të jetë pjesë e këtij umeti, atëherë le të përmbushë kushtin që Allahu ka përmendur në këtë ajet!” Hadithin e sjell Ibn Xheriri. Kështu, ai i cili nuk i ka këto cilësi që janë përmendur në ajet, i përngjan ithtarëve të Librit, të cilët Allahu i Madhëruar i qorton kur thotë: “Ata nuk e ndalonin njëri -tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre! “ [Maide 79]. - Sikur ithtarët e Librit të besonin (Islamin), do të ishte shumë më mirë për ta. Disa prej tyre bëhen besimtarë (muslimanë), po shumica e tyre janë shkelës së kufijve të Zotit. - Pak prej tyre janë besimtarë. Shumica janë ose fare mohues të Allahut të Lartësuar ose fasikun, pra, njerëz që shkelin të gjithë kufijtë e Allahut, që nuk i nënshtrohen dhe binden Atij. Pastaj Allahu i Lartësuar përgëzon robërit e Tij besimtarë të sinqertë, duke u thënë se do t’u japë fitore mbi ithtarët e Librit dhe mohuesit, që refuzojnë Allahun e Lartësuar, shpalljet dhe profetët e Tij: - Ata nuk mund t’ju sjellin ndonjë dëm, përveç ndonjë shqetësimi të vogël. Por, edhe në ju luftofshin, ata do të sprapsen prej jush dhe kurrë nuk do të ndihmohen. - Dhe kështu ndodhi. Allahu i Lartësuar i poshtëroi ata në luftën e Hajberit. Përpara tyre poshtëroi dhe shkatërroi fiset Benu Kajnuka, Benu Nadir dhe Benu Kurejdha. Ata u poshtëruan që në këtë jetë. Po kështu ndodhi me të krishterët e Shamit, të cilët u mposhtën nga sahabët, të cilët ua morën pushtetin nga duart përgjithmonë. Kështu do të vazhdojnë besimtarët e Shamit të qëndrojnë të palëkundur në Islam, derisa të zbresë Isai, i biri i Merjemes. 157 Ata do të vazhdojnë të gjykojnë me Islamin dhe me ligjin e Muhamedit ﷺ .Kur të zbresë Isai (a.s), do të thyejë kryqet, do të vrasë derrat, do të zhvlerësojë xhizjen dhe nuk do të pranojë asnjë besim tjetër veç Islamit. - Ata do të jenë të poshtëruar kudo që të gjenden, veç nëse kapen pas “litarit” të Allahut ose nëse hyjnë në besën e njerëzve. - Allahu i Lartësuar ka bërë që atyre të mos u ndahet poshtërimi dhe nënshtrimi, kudo që të jenë. Ata nuk do të gjejnë paqe dhe qetësi, përveçse me dy

kushte: 1. Nëse kapen pas “litarit” të Allahut, pra, nëse hyjnë në marrëveshje me muslimanët, duke paguar xhizjen dhe duke iu përmbajtur ligjeve të shtetit islam. 2. Nëse hyjnë në besën e njerëzve dhe u përmbahen marrëveshjeve që lidhin me njerëzit. - Ata kanë shkaktuar kundër vetes zemërimin e Allahut dhe do t'i kaplojë mjerimi. - Ata e meritojnë zemërimin e Allahut të Lartësuar. Kjo do t’i shoqërojë e përndjekë gjithmonë ata, qoftë në aspektin e kaderit të Allahut, qoftë edhe në ligjet që Allahu i Lartësuar ka përcaktuar për ta. - Kjo, për shkak se ata kanë mohuar argumentet e Allahut dhe kanë vrarë profetët pa asnjë të drejtë. - Shkaqet janë kryeneçësia, armiqësia, kalimi i kufijve, haseti dhe urrejtja e tyre. Si rrjedhojë, u erdhi poshtërimi, nënçmimi dhe mjerimi. Kjo do t’i shoqërojë në mënyrë të vazhdueshme, deri në ahiret. - Ata kanë qenë të pabindur dhe i kanë tejkaluar kufijtë me armiqësi. - Ata e meritojnë këtë ndëshkim, sepse mohojnë shpalljet e Allahut dhe vrasin profetët e Tij. Ata zhyten në poshtërsi dhe në mosbindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ata shprehin armiqësi kundër ligjeve të Zotit dhe atyre që i përhapin ato ndër njerëz. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Ka ndodhur që bijtë e Izraelit të vrisnin brenda ditës 300 profetë, dhe pastaj, në fund të ditës, të dilnin në treg për të shitur perime (sikur të mos kishte ndodhur gjë)”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:110–3:112

- “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.” - Allahu i Lartësuar e lëvdon këtë umet, duke na treguar se është populli më i mirë që Ai ka nxjerrë në jetën e njerëzimit. Por a ka një shkak që i bën ata të tillë? Po, ata e meritojnë këtë gradë, sepse plotësojnë disa kushte mjaft të rëndësishme. Kështu, ata e përsosin veten e vet duke u pajisur me besim të sinqertë, që i shtyn ata të zbatojnë çdo gjë për të cilën i urdhëron Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij. Ata punojnë, gjithashtu, që të përmirësojnë edhe të tjerët, duke i urdhëruar për të mira dhe duke i ndaluar nga të këqijat. Ata bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i ftuar krijesat në rrugën e mëshirës dhe për t’i larguar ata nga rruga e mosbindjes dhe mashtrimit. Me këtë pikësynim, ata luftojnë në rrugën e Allahut me të gjitha mënyrat që mund të luftohet. Për të gjitha këto cilësi, ata janë populli më i mirë që ka dalë ndonjëherë për të mirën e njerëzimit. Disa ajete më lart, Allahu i Lartësuar i urdhëronte muslimanët që t’i thërrasin të tjerët për tek e mira dhe të ndalojnë nga të këqijat: “Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira dhe ndalon nga e keqja.

Këta janë të shpëtuarit.” Por i urdhëruari mund ta zbatojë urdhrin ose mund ta shpërfillë dhe braktisë atë . Por në këtë ajet Allahu i Lartësuar na tregon se ky popull e zbaton plotësisht këtë detyrë. Ata e përmbushin urdhrin e Zotit të tyre, prandaj e meritojnë nderimin mbi të gjithë popujt. - “Sikur ithtarët e Librit të besonin (Islamin), do të ishte shumë më mirë për ta.” - Kjo është një ftesë e bukur dhe me një stil shumë të butë, që ithtarët e Librit të besojnë të vërtetën e sjellë prej Zotit nëpërmjet Muhamedit (s.a.u.s.). Por jo të gjithë e pranuan këtë ftesë nga i Mëshirshmi: - “Disa prej tyre bëhen besimtarë (muslimanë), po shumica e tyre janë shkelës së kufijve të Zotit. ” – Në fakt, të paktë janë ata që e pranojnë ftesën. Shumica e tyre preferojnë të qëndrojnë në zullumin e tyre, jashtë kufijve dhe urdhrave të Zotit. Ata parapëlqejnë mosbindjen ndaj Profetit të mëshirës dhe armiqësinë me të dashurit e Zotit dhe të zgjedhurit e Tij. Ata përpiqen me të gjitha mënyrat për të dëmtuar të dashurit e Zotit të bindurit ndaj Tij. Por Allahu i Lartësuar është shumë më i dashur dhe i mëshirshëm me të dashurit e Tij, prandaj kurrë nuk do t’i braktisë e t’i lërë viktima të armiqve të tyre. Kurthet e tyre tinzare nuk do t’i dëmtojnë kurrë besimtarët, siç thotë i Lartësuari: - “Ata nuk mund t’ju sjellin ndonjë dëm, përveç ndonjë shqetësimi të vogël. ” - Me kurthet e tyre, ata nuk do t’ia arrijnë kurrë që t’i dëmtojnë muslimanët, qoftë fizikisht apo fetarisht. E shumta që mund të arrijnë është thjesht lëndimi me fjalët e tyre. Nëse ata guxojnë që të fillojnë luftën kundër të dashurve të Allahut dhe të përzgjedhurve të tij, do të ndodhë sikurse e ka përshkruar i Madhëruari: - “Por, edhe në ju luftofshin, ata do të sprapsen prej jush dhe kurrë nuk do të ndihmohen.” – Sa herë që të përpiqen të hapin luftë me besimtarët, do ta kthejnë shpinën të poshtëruar, dhe ky poshtërim do t’i ndjekë gjithmonë nga pas. Ata nuk kanë për t’u ndihmuar asnjëherë, përkundrazi: - “Ata do të jenë të poshtëruar kudo që të gjenden,...” – Pra, ata janë të poshtëruar në shpirtin e tyre. Ndërsa fjala “ el meskeneh ” tregon që edhe pamja e jashtme e tyre do të jetë e përvuajtur dhe e poshtëruar. - “...veç nëse kapen pas “litarit” të Allahut ose nëse hyjnë në besën e njerëzve.” - Çifutët nuk do të mund të gjejnë kurrë stabilitet, përveçse në këto dy raste: Së pari, kur i mbron shteti Islam. Nëse ata paguajnë xhizjen në shtetin Islam, ata kanë të siguruar jetën, nderin dhe pasurinë e tyre. Ky është kuptimi i thënies së Allahut të Lartësuar: “ il-lâ bi ĥablim - minell-llâhi” veç nëse kapen pas “litarit” të Allahut. Mundësia e dytë për ta që të gjejnë stabilitet dhe qetësi është pakti që mund të bëjnë me të krishterët. Edhe në këtë rast ata mund ta arrijnë qëllimin e tyre, por, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: - “Ata kanë shkaktuar kundër vetes zemërimin e Allahut dhe do t'i kaplojë mjerimi.” - Pra, ata meritojnë zemërimin e Allahut të Lartësuar, dhe ky është

ndëshkimi më i rëndë për ta. Shkakun e këtij ndëshkimi, Allahu i Lartësuar e tregon në vijim: - “Kjo, për shkak se ata kanë mohuar argumentet e Allahut ...” – Pra, ata mohojnë ajetet e Allahut, të cilat Ai ia shpalli Profetit të mëshirës, Muhamedit (a.s.). Ata mohojnë Librin e ndritur, Kur’ânin, që përmban të vërtetën e padiskutueshme dhe që është i vetmi burim dhe ushqyes i imanit. Këtë gjë e bëjnë të nxitur nga urrejtja dhe armiqësia, të cilat kanë pushtuar zemrat e tyre. - “...dhe kanë vrarë profetët pa kurëfarë të drejte. Ata kanë qenë të pabindur dhe i kanë tejkaluar kufijtë me armiqësi. ” – Me profetët, të cilët i sollën njerëzimit mirësinë më të madhe prej Zotit, ata u sollën në mënyrën më brutale e më kriminale të mundshme, pra, duke i vrarë ata. A ka ndonjë krim më të madh se ky?! Gjithçka qe pasojë e armiqësisë, poshtërsisë dhe mosbindjes së tyre.

← Ali Imran 3:112