3. Ali Imran · Ajeti 120 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:113–3:120

Ithtarët e librit nuk ishin njësoj: disa prej tyre nuk u larguan prej rrugës së drejtë, besuan Zotin një, shpalljet, të dërguarit, ditën e gjykimit dhe jetën e tyre e orientuan sipas shpalljes dhe pejgamberit të fundit. Allahu nuk i humb mundin askujt, por veprat që kryhen sa për sy e faqe, e jo për hirë të Zotit, ato janë të gjykuara të shkatërrohen porsi të mbjellat e një populli, i cili ka lëshuar rrugën, të cilat i shkatërron breshëri si masë ndëshkuese kundër fajit të tyre.

Myslimanëve u tërhiqet vërejtja që kurrsesi të mos mashtrohen e të miqësohen me tradhtarët, sepse ata kurrë nuk ua dëshirojnë të mirën.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:118–3:120

- O ju që keni besuar! Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, sepse ata nuk do të pushojnë së vepruari në dëmin tuaj dhe dëshirojnë gjithçka që ju mundon . - Allahu i Lartësuar i porosit robërit e Tij besimtarë, që të mos i zënë miq munafikët, të tillë që t’u tregojnë atyre planet e tyre të fshehta dhe gjithçka që njeriu zakonisht e mban të fshehtë nga armiku i vet. Besimtarëve u jepet kjo porosi, me qëllim që ata të jenë të ruajtur nga munafikët, të cilët përpiqen me të gjitha forcat që t’i dëmtojnë besimtarët. Ata duan të shkatërrojnë çdo plan dhe qëllim të besimtarëve, me çdo mënyrë. Ata thurin intriga dhe kurthe të vazhdueshme, të cilat shkaktojnë mundime për besimtarët. Ata i futin besimtarët gjithmonë në situata të vështira. - “Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj ...”, pra, të tjerët, që nuk janë prej jush. Mos zini miq të ngushtë e aleatë nga radhët e të tjerëve, që nuk janë nga feja juaj. Miqtë e afërt të një njeriu janë familja e tij dhe njerëzit të cilëve ai u tregon të fshehtat e veta, si dhe këshillohet me ta për çdo çështje. Buhariu dhe Nesaiu sjellin hadithin nga Ebu Saidi se Profeti ﷺ ka thënë: 551. “Çdo profeti që ka dërguar dhe çdo prijësi që e ka vendosur të udhëheqë, Allahu i ka vendosur pranë dy lloje shoqëruesish të ngushtë: njerëz që i rrinë afër, e urdhërojnë dhe e nxisin për të mirë, dhe njerëz që i rrinë afër, por e urdhërojnë dhe e nxisin për ligësi. I ruajturi është ai që Allahu e ka ruajtur.” Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Ebi Dahkanete, i cili tregon: “I treguan njëherë Umer Ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për një djalë të Hajras, që ai e ruante sekretin dhe dinte të shkruante dhe më pas i sugjeruan: “Po sikur ta merrje si shkrues pranë teje?” Umeri tha: “Kjo do të thotë që unë të konsideroj miq të afërt e të ngushtë, njerëz të tjerë, përveç besimtarëve.” Nga kjo thënie e Umerit dhe nga ky ajet kuptojmë se njerëzit e feve të tjera, që jetojnë brenda shtetit islam, në sajë të sigurisë që shteti u ofron, nuk lejohet që t’i marrësh në punë në pozicionin e shkruesit, sekretarit e të tjera si këto, pasi në pozicione të tilla, ata mund të vëzhgojnë çfarë bëhet me muslimanët dhe çfarë ndodh në punët e tyre të brendshme. Më pas, ata i përhapin të tilla sekrete dhe ua tregojnë armiqve të Islamit dhe të muslimanëve. - “...sepse ata nuk do të pushojnë së vepruari në dëmin tuaj dhe dëshirojnë gjithçka që ju mundon .” - Pra, ata gjithmonë synojnë e planifikojnë gjithçka që ju dëmton dhe jua vështirëson punët. Duke i përshkruar ata, Allahu i Lartësuar thotë: - Urrejtja kundër jush shfaqet nga goja e tyre, por ajo që fshehin në gjoksin e tyre është edhe më e madhe. - Amiqësia e tyre shfaqet në fytyrat plot urrejtje dhe në fjalët që u shpëtojnë nga gjuha, përveç urrejtjes së madhe që fshehin në zemër. Këto janë detaje, të cilat nuk mund t’i fshihen dikujt që është i mprehtë, i logjikshëm dhe i urtë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: - Ne, pa dyshim, jua kemi sqaruar argumentet, që ju t’i kuptoni . - Allahu i Lartësuar më pas thotë: - Ju i doni ata, ndërsa ata nuk ju duan ju - Pra, ju i doni ata dhe ua shfaqni dashurinë, sepse ata ju shfaqin juve imanin dhe hiqen sikur janë besimtarë. Ndërsa ata, në fakt,

nuk ju duan juve, as së jashtmi dhe as së brendshmi, me zemër. - dhe ju i besoni të gjithë librat (kurse ata jo). - Ju nuk keni dyshime për asnjë nga librat dhe shpalljet e Allahut të Lartësuar. Për shpjegimin e këtij ajeti, Ibn Abasi ka thënë: “Domethënë, ju besoni në Librin tuaj dhe në Librin e tyre. Ju i besoni të gjithë librat që janë shpallur nga Zoti në të shkuarën. Ndërsa ata e mohojnë dhe nuk e pranojnë Librin që ju zbrit juve. Për këtë arsye, ju e keni hak që t’i urreni më shumë, sesa ata ju urrejnë ju.” Pastaj i Madhëruari thotë: - Kur ata ju takojnë, thonë: “Ne kemi besuar.” Por kur veçohen, ata kafshojnë majat e gishtërinjve nga mllefi kundër jush. - El enamil quhen majat e gishtave dhe thonjve. E tillë është sjellja e munafikëve. Ata shfaqen sikur janë besimtarë dhe se i duan besimtarët, por në fakt, ata fshehin mohimin dhe urrejtjen ndaj besimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Por kur veçohen, ata kafshojnë majat e gishtërinjve nga mllefi kundër jush.” Kjo tregon për urrejtjen e madhe në zemrat e tyre kundër besimtarëve. “Thuaju: “Vdisni me mllefin tuaj!” Allahu e di shumë mirë se çfarë mbajnë ata në zemrat e tyre.” - Nëse imani i sinqertë dhe korrekt i besimtarëve, ashtu siç e ka porositur Allahu, ju trishton dhe ju shkakton dhimbje dhe mllef brenda shpirtit tuaj, atëherë dijeni se Allahu ka për ta ngritur Fjalën e Tij dhe do ta bëjë të triumfojë fenë e Tij mbi të gjitha fetë dhe besimet në këtë botë; e këtë do ta bëjë pikërisht me duart e atyre besimtarëve, prandaj vdisni nga urrejtja dhe dhimbja që ndieni në shpirt. Por jini të sigurt se Allahu e di mirë se çfarë urrejtjeje dhe armiqësie kundër besimtarëve fshihni ju në zemër. Ai do t’ju “shpërblejë” duke ju poshtëruar dhe duke u dhënë fitoren besimtarëve në këtë jetë. Ndërsa në ahiret, juve ju pret ndëshkimi përvëlues, që do të vazhdojë përgjithmonë e pandërprerë. - Nëse ju gëzoni ndonjë të mirë, kjo i dëshpëron ata, e nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për këtë. - Ky është tregues i armiqësisë së ashpër që ata kanë për besimtarët. Kur besimtarët arrijnë ndonjë fitore ose sukses, kjo i dëshpëron dhe i bën ata të ndihen keq. Kur besimtarët goditen nga ndonjë ndonjë disfatë – gjë që përsëri ndodh me urtësinë e Zotit, i Cili ka diturinë absolute, ashtu sikurse ndodhi në Betejën e Uhudit, - atëherë, munafikët gëzohen. Atëherë, Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve dhe u thotë: - Po në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe të devotshëm, dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak. Allahu përfshin me dijen dhe pushtetin e Tij gjithçka që ata punojnë . - Nëse ju i mbështeteni Allahut ashtu si duhet, që përfshin edhe marrjen e të gjitha masave dhe përpjekjet tuaja maksimale në përmbushjen e urdhëresave, atëherë kurthet dhe intrigat e tyre nuk kanë për t’ju prekur aspak, sepse ju jeni nën mbrojtjen e Allahut. Asgjë nuk mund të ndodhë pa caktimin dhe vullnetin e Allahut, dhe dihet se, Ai që i mbështetet Allahut si duhet, Allahu ka për t’i mjaftuar Atij. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon historinë e Uhudit, në të cilën Ai sprovoi besimtarët. Në këtë betejë, Ai bëri dallimin mes besimtarëve dhe munafikëve dhe nxori në pah të gjithë ata që ishin të durureshëm.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:118–3:120

- “O ju që keni besuar! Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, sepse ata nuk do të pushojnë së vepruari në dëmin tuaj dhe dëshirojnë gjithçka që ju mundon.” - Allahu i Lartësuar na ndalon që të bëjmë si miq të ngushtë dhe të afërt të tjerë veç muslimanëve. Nuk u lejohet muslimanëve që të miqësohen dhe afrohen me jomuslimanët, qofshin ata idhujtarë, ithtarë të Librit apo të tjerë, deri në atë gradë sa t’u besojnë atyre sekretet e veta. Nuk lejohet që atyre t’u lihen në dorë vepra të ndryshme që lidhen me çështjen islame. E si mund t’u besosh atyre çështje të tilla të rëndësishme, kur Allahu i Lartësuar thotë se ata nuk dëshirojnë kurrë të mirën dhe përparimin tonë, madje gjithmonë dëshirojnë gjithçka që ne na dëmton?! Allahu thotë se: “...ata nuk do të pushojnë së vepruari në dëmin tuaj”. Pra, ata janë aq të angazhuar që t’ju dëmtojnë, saqë nuk lejojnë t’u shpëtojë asnjë rast që u jepet për t’ju dëmtuar. Ata janë të papërtuar në çdo punë që ju shkakton dëmtime dhe gjithmonë ndihmojnë armiqtë tuaj kundër jush. E si mund t’u besosh të tillëve sekretet e tua dhe veprat e tjera më të rëndësishme?! Allahu i

Lartësuar i përshkruan ata me një cilësi mjaft të ulët: - “Urrejtja kundër jush shfaqet nga goja e tyre, por ajo që fshehin në gjoksin e tyre është edhe më e madhe. ” – Kuptimi: Zemrat e tyre janë aq të mbushura me armiqësi dhe urrejtje kundër jush, saqë kjo shfaqet edhe në fjalët që thonë me gojën e tyre. Megjithatë, ajo çfarë ata e mbajnë të fshehur në gjoks është edhe më e madhe sesa ajo që shprehin me fjalë. - “Ne, pa dyshim, jua kemi sqaruar argumentet, që ju t’i kuptoni. ” - Allahu i Lartësuar na i qartëson dispozitat e Tij, të cilat ruajnë të mirat e dynjasë dhe të ahiretit tonë. Dispozitat e Allahut i ruajnë të paprekshme mirësitë e muslimanit, qofshin ato mirësi të kësaj bote qofshin mirësi që lidhen me fenë dhe jetën tjetër. Këto dispozita, Allahu i Lartësuar i ka shpallur që ne t’i kuptojmë, dhe jo që t’i lëmë mënjanë dhe t'i shpërfillim. Ai i ka shpallur dispozitat e Tij që ne, në fillim, t’i kuptojmë e të meditojmë rreth tyre, dhe pastaj të jemi në gjendje të dallojmë të mirën nga e keqja, mikun nga armiku, kujt t’i besojmë e kujt jo, sepse jo çdokujt lejohet t'i besosh për çështjet e tua të rëndësishme. Nëse muslimani është i detyruar që të jetojë mes mohuesve dhe idhujtarëve, nuk lejohet t’u hapet atyre për çështjet e tij të brendshme, edhe nëse ata shfaqen sikur janë miqtë e tij më të ngushtë. Për t’i paralajmëruar besimtarët rreth rrezikut të këtij veprimi, Allahu i Lartësuar tregon disa detaje rreth këtyre armiqve të poshtër dhe tinzarë. Ai thotë: - “Ja, ju i doni ata, ndërsa ata nuk ju duan ju dhe ju i besoni të gjitha librat (kurse ata jo).” – Kuptimi: Ju, me pastërtinë tuaj, tregoni mëshirë dhe dashuri për ta, ndërsa ata kurrë nuk mund t’ju duan. Ju i besoni të gjithë librat e shpallur nga Zoti, ndërsa ata nuk e besojnë dhe nuk e respektojnë Librin e zbritur nga Zoti juaj, edhe nëse shfaqen se e besojnë atë para jush. - “Kur ata ju takojnë, thonë: “Ne kemi besuar.” Por kur veçohen, ata kafshojnë majat e gishtërinjve nga mllefi kundër jush.” – Kuptimi: Ata janë aq të poshtër, saqë para jush shtiren sikur e besojnë Shpalljen tuaj, por kur veçohen me njëri - tjetrin, nga marazi dhe urrejtja e madhe për ju, ata kafshojnë mollëzat e gishtërinjve. - “Thuaju: “Vdisni me mllefin tuaj!” Allahu e di shumë mirë se çfarë mbajnë ata në zemrat e tyre. ” - Ky ishte një përgëzim për besimtarët: çdokush që do të mundohet t'i dëmtojë ata, do t’ia bëjë të keqen vetes së tij. Kështu, kuptimi i ajetit është: Me marazin që ata kanë në shpirtin e tyre, kurrë nuk do të jenë në gjendje që t’ju dëmtojnë ju. Mllefi i tyre do të vazhdojë gjithmonë t'i trazojë dhe torturojë zemrat e tyre, derisa t’u vijë vdekja e hidhur, dhe pastaj të kalojnë për të vuajtur të plotë edhe ndëshkimin e përjetshëm të ahiretit. - “Nëse ju gëzoni ndonjë të mirë, kjo i dëshpëron ata, e nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për këtë. ” - Nëse besimtarëve u zbret ndonjë e mirë, siç janë fitoret kundër armiqve apo suksese të tjera

në jetë, ata trishtohen. Ndërsa kur ndodh e kundërta, ata gëzohen. Megjithatë, Allahu i Lartësuar na mëson diçka shumë të rëndësishme : - “Po në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe të devotshëm, dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak. Allahu përfshin me dijen dhe pushtetin e Tij gjithçka që ata punojnë. ” – Pra, nëse ne do të bëjmë përpjekjet tona, për të cilat Allahu ka premtuar fitoren dhe suksesin, ne do të jemi të sigurt prej kurtheve të tyre. Por cilat janë ato shkaqe për të cilat Zoti ka premtuar fitoren dhe suksesin?! Ato janë durimi dhe devotshmëria. Pra, nëse jemi të durueshëm dhe nëse kemi devotshmëri, kurthet e tyre nuk do të na dëmtojnë aspak, përkundrazi, ato do të godasin vetë thurësit e tyre.

← Ali Imran 3:120