3. Ali Imran · Ajeti 122 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:121–3:122

Lufta që u përmend në këto ajete ishte ajo në "Uhud" që ndodhi në vitin e tretë të Hixhres dhe rreth gjashtëdhjetë ajete në vazhdim, bëjnë fjalë për atë luftë.

Uhud quhet një kodër rreth pesë kilometra larg Medinës. Pas disfatës që një vit më parë patën idhujtarët në Bedr, vendosën që atë vit të hakmerren kundër myslimanëve. Tre mijë idhujtarë, të udhëhequr në krye me Ebu Sufjanin, u vendosën në Uhud. Myslimanët ishin njëmijë kur dolën prej Medinës, mirëpo meqë treqind tradhtarë në krye me Ibni Ubejin kthehen, mbetën shtatë qind. U luhatën edhe dy grupe të tjera, Benu Seleme e fisit Hazrexh dhe Benu Harith e fisit Evs, po ata nuk u kthyen.:

Në mesin e këtyre ajeteve vijuese flitet edhe për ndihmën e Zotit që u pat dhuruar myslimanëve në Bedr, ashtu që të përkujtojnë të mirat.

Edhe më parë Zoti u pat tërhequr vërejtjen myslimanëve për rrezikun që u kanoset prej hipokritëve, e në këtë luftë ai rrezik shprehet në mënyrë praktike, ngase përveç munafikëve, gati u kthyen edhe dy grupe të besimtarëve. Më gjerësisht për këtë dhe luftërat e tjera flet historia.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:121–3:123

Sipas shumicës së dijetarëve, këto ajete i referohen luftës së Uhudit. I këtij mendimi

është Ibn Abasi dhe të tjerë. Kjo ka ndodhur një ditë të shtunë, në muajin sheuval, në vitin 3 të hixhrit. Shkaku i kësaj beteje ishte synimi i idhujtarëve për të marrë hak për të vrarët në betejën e mëparshme të Bedrit. Atyre u kishte mbetur ende një pjesë e pasurisë dhe mallit të tregtisë, që kishin arritur ta shpëtonin në Bedër, bashkë me Ebu Sufjanin. Kështu, kjo pasuri nuk ra në dorë të muslimanëve. Ata mblodhën dhe veçuan pasuri, për t’u përgatitur për luftën kundër Muhamedit ﷺ .Bijtë e idhujtarëve që ishin vrarë në betejën e Bedrit vendosën ta mblidhnin dhe ta shpenzonin këtë pasuri pikërisht në këtë drejtim. Ata mblodhën luftëtarë nga drejtime të ndryshme dhe arritën të formonin një ushtri prej 3 mijë lufëtarësh. Kështu, u nisën në udhëtim, derisa zbritën dhe u dislokuan afër Uhudit, në drejtim të Medinës. Nga ana tjetër, Profeti ﷺ ,pasi mbaroi namazin e xhumasë, filloi të këshillohej me njerëzit nëse ishte më mirë të dilte dhe t’i luftonte ata jashtë apo të qëndronte dhe t’i priste brenda Medines dhe t’i luftonte brenda saj? Abdullah Ibn Ubeji, kreu i munafikëve, dha mendimin për të qëndruar brenda Medinës, ndërsa të tjerët, sidomos sahabët të cilët nuk kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit, dhanë mendimin për të dalë dhe për t’i pritur jashtë Medinës. Atëherë, kur erdhi koha, Profeti ﷺ hyri brenda në shtëpi, veshi armaturën e tij dhe doli jashtë. Kur e panë të veshur, një pjesë e tyre u penduan dhe thanë: “Mos ndoshta e detyruam Profetin e Allahut që të merrte këtë vendim?!” Pastaj, thanë: “O i Dërguari i Allahut! Nëse dëshiron që të qëndrojmë brenda, e bëjmë, e nuk ka përse të dalim dhe t’i presim jashtë.” Atëherë, Profeti i Allahut tha: 552. “ Nuk i takon asnjë profeti që, pasi të veshë armaturën e tij, të kthehet pas, derisa Allahu të vendosë se çfarë do të bëjë me të.” Kështu, Profeti ﷺ u nis në krye të një mijë vetave. Kur ishin diku afër Esh -Sheutit, Abdullah Ibn Ubeji u kthye e dezertoi së bashku me një të tretën e ushtrisë, duke u ankuar që përse nuk e kishin pranuar mendimin e tij për të qëndruar në Medinë. Megjithatë, Profeti ﷺ vazhdoi udhëtimin, derisa mbërriti në një luginë afër Uhudit, pra, në pjesën e lartë të luginës. Tashmë ushtria u vendos në fund të luginës dhe mbas shpinës së saj ishte mali i Uhudit. Profeti ﷺ tha: 553. “Askush të mos e nisë luftën derisa unë të urdhëroj për këtë!” Ushtria e besimtarëve përbëhej nga shtatëqind luftëtarë. Në krye të harkëtarëve, Profeti vendosi Abdullah Ibn Xhubejrin. Ishin 50 harkëtarë që Profeti vendosi në majën e malit Uhud, për të mbrojtur shpinën e ushtrisë. Profeti i Allahut u tha atyre: 554. “Ruani me kujdes, që kalorësia e armikut të mos na vijë nga pas shpine! Qëndroni në pozicionin që ju kam vendosur, e mos u largoni nga ky pozicion, pavarësisht nëse jemi ne apo armiku ynë në epërsi dhe fitore! Edhe nëse na shikoni që na shqyejnë zogjtë, mos u largoni nga pozicioni ku ju kam vendosur!” Ai ia dha flamurin e luftës Musab Ibn Umejrit. Në këtë luftë ai i lejoi disa prej djemve të rinj që të merrnin pjesë, por disa të tjerë nuk i lejoi. Kurejshët, nga ana tjetër, tashmë ishin përgatitur dhe ishin bërë tre mijë luftëtarë. Ata kishin me vete 100 kuaj dhe kalorës, të armatosur gjer në dhëmbë. Në krahun e djathtë të kalorësisë vendosën Halid Ibn Uelidin, ndërsa në krahun e majtë Ikrime Ibn Ebi Xhehlin. Ndërsa flamurin e tyre, idhujtarët ia dhanë bijve të fisit Abdid -dar. Pastaj mes dy grupeve ndodhi ajo që do të tregohet më pas e shtjelluar, në dashtë Allahu i Lartësuar. - “Kujto atë mëngjes, kur dole herët nga shtëpia jote, që t’u përcaktoje besimtarëve pozicionet e luftës!” - Dole për t’i vendosur ata në pozicionet e tyre, për t’i vendosur djathtas dhe majtas, në krye dhe në prapavijë. - Allahu dëgjon dhe di gjithçka. - Ai di gjithçka që ju flisni me gjuhën tuaj dhe gjithçka që e mendoni dhe fshihni në shpirtin tuaj. Një grup nga ju gati ra në spovë. - Dy grupe të tjerë gati u sprapsën, por Allahu ishte Kujdestari i tyre. Për këtë

arsye, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! - Buhariu sjell rrëfimin nga Xhabir Ibn Abdullahi, i cili thotë: “Ky ajet ka zbritur për ne, atëherë kur dy grupe nga tanët tentuan që të dezertonin. Dy grupet për të cilat aludon ajeti, ishin fiset Benu Harithe dhe Benu Seleme, por Allahu ishte miku, i dashuri dhe ndihmëtari i tyre.” - Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur ju ishit të paktë në numër. - Allahu ju ndihmoi në Bedër. Atëherë ishte ditë e xhuma, që përkonte me ditën e 17 -të të Ramazanit, në vitin e dytë të hixhretit. Ajo konsiderohet si (jeumul Furkan ) Dita e Dallimit, pra, e dallimit të së mirës nga e keqja, kur Allahu i Lartësuar krenoi dhe e bëri të ngadhënjejnë Islamin dhe muslimanët. Ajo ishte dita kur Allahu e dërrmoi fort idhujtarinë, vendin e saj dhe njerëzit e saj. Kështu ndodhi, edhe pse muslimanët ishin pak në numër atë ditë, vetëm 313. Me ta ishin veç dy kalorës me kuaj dhe 70 deve, ndërsa pjesa tjetër ishin të gjithë këmbësorë. Përgatitja dhe armatimi i tyre ishte i varfër. Ndërsa armiqtë shkonin nëntëqind deri në një mijë luftëtarë, të veshur deri në dhëmbë me hekur dhe pazmore, të hipur në kuaj të stërvitur për luftë. Allahu i Madhëruar ndihmoi Profetin, lartësoi Shpalljen dhe i dhuroi fitoren palës së Tij, që luftonte pikërisht në rrugën e Tij. Ndërsa pala tjetër ishte pala e shejtanit të mallkuar dhe pasuesit e rrugës së tij. Për këtë arsye, duke u treguar mirësinë që i dhuroi palës së Tij të besimtarëve të devotshëm, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur ju ishit të paktë në numër .” Ai ju dhuroi fitoren, edhe pse numri juaj në këtë luftë ishte i vogël, që ta mësoni mirë se fitorja dhe suksesi vjen veçse nga Allahu i Lartësuar dhe jo prej numrit të madh të luftëtarëve, prej përgatitjes dhe armatosjes së tyre. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në Hunejn, kur ju u mahnitët nga numri juaj i madh, por që nuk ju vlejti aspak. Toka ju duk e ngushtë, me tërë atë gjerësi dhe më pas ju u tërhoqët. Por Allahu zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin dhe mbi besimtarët. Ai zbriti një ushtri (melekësh), që ju nuk e patë, dhe i dënoi jobesimtarët. Ky qe “shpërblimi” i mohuesve.” [Teube 25, 26]. - Atëherë frikësojuni Zotit, për të treguar mirënjohje ndaj Tij! - Sepse frika ndaj Allahut do t'ju bëjë që ju të përpiqeni dhe të angazhoheni për bindje ndaj Tij. Bedri është një vend diku mes Mekës dhe Medinës. Ky vend është i njohur për pusin e tij, pikërisht Bedrin, që mban emrin e njeriut që e gërmoi dhe hapi atë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:121–3:122

Këto ajete flasin rreth betejës së Uhudit. Kjo histori është shumë e njohur dhe e trajtuar në librat e historisë dhe kronikave. Urtësia e përmendjes së saj në këtë vend, bashkë me ngjarjen e betejës së Bedrit, ndoshta mund të jetë vërtetimi i premtimit të Allahut të Lartësuar që, nëse besimtarët bëjnë durim dhe ruhen prej të këqijave, gjithmonë do të dalin të fituar dhe do të shpëtojnë nga kurthet dhe intrigat e armiqve të tyre. Ky është një rregull i padiskutueshëm, nëse plotësohen kushtet për realizimin e tij. Kështu, në betejën e Bedrit, kur besimtarët treguan durim, qëndrueshmëri dhe devotshmëri të plotë, Allahu i Lartësuar u dhuroi fitoren e madhe, edhe pse ishin të pakët në numër dhe përgatitje. Ndërsa në luftën e Uhudit, kur ata cenuan devotshmërinë, duke bërë lëshime në disa urdhra të Profetit (s.a.u.s.), ata provuan dis fatën, trishtimin dhe dhimbjen. Allahu i Lartësuar i ka përmendur pranë njëra tjetrës këto dy ngjarje të mëdha edhe për një urtësi tjetër. Allahu i Lartësuar dëshiron prej adhuruesve të Tij që, kur t’i godasë ndonjë e keqe, ata të rikujtojnë të mirat e shumta që Ai u dhuron vazhdimisht. Kjo sigurisht që do t’ua lehtësojë atyre dhimbjen. Nëse ata kujtojnë të mirat e pakufishme që Allahu i Lartësuar u dhuron të dashurve të Tij, atëherë sprovat që kalojnë, që, në të vërtetë, përsëri sjellin mirësi për ta, do t'u duken shumë të vogla. Kjo jo vetëm që do t'ua lehtësojë dhimbjet dhe trishtimin për të keqen që i ka prekur, por do të nxisë tek ta ndjenjën e fortë të mirënjohjes dhe falënderimit për Allahun e Urtë dhe Bujar. Kjo është urtësia e Allahut të Lartësuar kur thotë: “ Në qoftë se ju përjetuat dhembje (në Uhud) , të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër). Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve, që Allahu ti nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë. Allahu nuk i do të padrejtët. Kështu Allahu i pastron besimtarët dhe i shkatërron jobesimtarët. A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij) dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?!” [Al Imran 140, 141, 142]. Ose në ajetet e tjera: “Kur një disfatë e vetme ju goditi, ndërkohë që ju ia patët shkaktuar më parë dyfish armikut tuaj, thatë: “Si ndodhi kjo?”. Thuaj: “Ajo ndodhi nga vetë ju.” S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. Ajo që ju goditi ditën e ballafaqimit të dy ushtrive ndodhi me lejen e Allahut, për të sprovuar besimtarët e sinqertë dhe për t’i nxjerrë në pah munafikët.” [Al Imran 165, 16 7]. Lufta e Uhudit erdhi si dëshirë e idhujtarëve për hakmarrje. Pasi u kthyen nga beteja e Bedrit të dërrmuar e të shpartalluar, ata nisën që të përgatiteshin fort për të marrë hak për të vrarët në Bedër, ngjarje kjo që kishte ndodhur në vitin e dytë të hixhretit. Kështu, ata mblodhën të gjitha forcat për të arritur

atë që donin: shërimin e plagës dhe dhimbjes për të humburit në Bedër. Me një ushtri prej 3000 luftëtarësh, ata u nisën prej Mekës dhe u vendosën pranë Medinës. Profeti (a.s.), nga ana e tij, pas këshillimit me sahabët, doli nga Medina me 1000 luftëtarë për t’u ballafaquar me armikun. Por, gjatë rrugës për në sheshbetejë, në Uhud, një e treta e ushtrisë, e cila përbëhej nga munafikë, me në krye Ibn Ubej Ibn Selulin, u kthye mbrapsht në Medinë. Madje, kthimin e tentuan edhe dy grupe besimtarësh të sinqertë: fisi Benu Seleme dhe fisi Benu Harithe. Por Allahu i Lartësuar i forcoi dhe përqëndroi zemrat e tyre dhe, përfundimisht, ata nuk iu larguan luftës. Pasi mbërritën në Uhud, Profeti (a.s.) i rreshtoi besimtarët në formacione lufte. Ata u vendosën në një pozicion të tillë që malin e Uhudit ta kishin pas shpine dhe armikun para tyre. Për të ruajtur shpinën e ushtrisë, Profeti (a.s.) vendosi mbi Uhud një skuadër prej 50 harkëtarësh dhe i urdhëroi që të mos e linin pozicionin e tyre në asnjë rast. Në fillim të betejës, u duk se muslimanët po arrinin një fitore të habitshme dhe të rrufeshme kundër idhujtarëve. Ata depërtuan deri në prapavijën e armikut dhe vazhduan të korrnin me shpatat e tyre idhujtarët dhe të robëronin shumë prej tyre. Në këto çaste, kur harkëtarët mbi Uhud po shihin fitoren e rrufeshme të muslimanëve, i thanë njëri - tjetrit: “Filloi plaçka e luftës, vëllezër! Përse të qëndrojmë këtu, kur idhujtarët u mundën tashmë?!” Komandanti i kësaj skuadre, Abdullah Ibn Xhubejri u kujtoi urdhrin e Profetit (a.s.) që të mos lëviznin prej vendit, por ata nuk e dëgjuan fjalën e tij. Kështu, pasi shumica e tyre u largua dhe kur në pozicion mbeti veçse një grup i vogël, filloi disfata. Kalorësit idhujtarë u lëshuan mbi muslimanët pa mëshirë. Muslimanët, të çoroditur, filluan të shpërndaheshin dhe të largoheshin. Në përfundim, muslimanët pësuan një humbje shumë të rëndë, me të cilën Allahu i Lartësuar ua fali gabimin e mosbindjes dhe i bëri që të nxirrnin mësime. Ai i bëri kështu të provonin shijen e hidhur të mosbindjes ndaj Tij dhe ndaj Profetit (a.s.). Pastaj besimtarët u tërhoqën diku në majë të malit të Uhudit. Allahu i Lartësuar i pengoi idhujtarët që të vazhdonin luftën më tej dhe, më pas, të dyja palët u kthyen në vendet e tyre përkatëse. Kështu, Profeti (a.s.) dhe shokët e tij u kthyen në Medinë. Thotë i Madhëruari në ajet: - “Kujto atë mëngjes, kur dole herët nga shtëpia jote, që t’u përcaktoje besimtarëve pozicionet e luftës! ” - Profeti (a.s.) u nis për në Uhud, pasi fali njëherë namazin e xhumasë, dhe u përcaktoi atje ushtarëve pozicionet e tyre të luftës. Angazhimi personal i vetë Profetit (a.s.) në marrjen e masave për luftë tregon për dijen dhe aftësitë e tij në organizimin e të gjitha çështjeve. Ai tregon, gjithashtu, guximin e tij të madh - paqja e Zotit qoftë mbi të! - “Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka. ” - Allahu dëgjon gjithçka. Ai dëgjon fjalët e besimtarëve, edhe fjalët e munafikëve. Të gjithë ata flasin dhe tregojnë atë që mbajnë në zemrat e tyre. Por Allahu i di edhe qëllimet e njerëzve, të cilët Ai do t’i shpërblejë me drejtësi. Allahu i Lartësuar është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur dhe përkujdeset për çështjet e besimtarëve. Është Ai që i ndihmon ata për të patur sukses. Në ajete të tjera, në suret Ta Ha, Murselat etj., Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam me ju të dy, dëgjoj dhe shikoj.”. Allahu i Lartësuar është i Dashur, i Mëshirshëm dhe i Butë me besimtarët. Kjo del shumë qartë kur Ai thotë: - “Dy grupe prej jush gati u sprapsën...” - Kur dy grupet e besimtarëve, përkatësisht nga fiset Benu Seleme dhe Benu Harithe, gati sa nuk dezertuan, Allahu i Lartësuar i forcoi ata dhe u dha durim. Kjo ishte një mirësi e madhe e dhuruar prej Tij. Ajo ishte një mirësi për ato dy fise dhe për të gjithë besimtarët e tjerë, gjë kjo që tregonte përkujdesjen e Tij të posaçme për ta. Prandaj Allahu e thekson këtë fakt shumë të rëndësishëm kur thotë:

- “...por Allahu ishte Kujdestari i tyre ...” – Pra, është Allahu Ai që, me butësinë dhe mëshirën e Tij, tregon përkujdesje të veçantë ndaj tyre, duke u dhënë sukses për arritjen e çdo të mire dhe për ruajtjen nga çdo e keqe. Edhe në këtë rast u shfaq qartë përkujdesja e Tij ndaj besimtarëve. Kur ata donin të linin fushëbetejën dhe të braktisnin Profetin (a.s.), Allahu i Lartësuar i ruajti ata nga kjo poshtërsi e madhe, sepse në zemrat e tyre kishte iman të fortë dhe Allahu përkujdeset për ata që besojnë, siç thotë në një ajet tjetër: “ Allahu është Mbrojtësi (i dashur) i atyre që besojnë dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. Për ata që nuk besojnë kujdestarë janë shejtanët, të cilët i nxjerrin ata prej drite për t'i futur në errësira. Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht. ” [Bekare, 257]. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon të jap një urdhër shumë të rëndësishëm. - “Prandaj vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët. ” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na urdhëron për një vepër të zemrës, që quhet ‘ teuekkul’, mbështetje. Teuekkul do të thotë: mbështetja e zemrës tek Allahu i Lartësuar për të arritur të mirën dhe për t’i shpëtuar të këqijave dhe çdo gjëje të dëmshme, duke pasur besim të plotë dhe të palëkundur në ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Allahut. Mbështetja e adhuruesve tek Allahu i Lartësuar është në varësi të besimit të tyre tek Ai. Besimtarët janë njerëzit më të denjë që t'i mbështeten Allahut të Lartësuar. Kjo del më e qartë në momentet e vështirësisë ose gjatë luftës, kur ata e ndiejnë më tepër nevojën që t'i mbështeten Zotit të tyre për çlirimin nga e keqja dhe për arritjen e fitores. Besimtarët i mbështeten vetëm Atij, dhe jo tek forca e tyre, që Ai t'u dhurojë fitoren. Ata vërtet japin maksimumin e tyre, por mbështetja dhe shpresa e zemrave të tyre lidhet vetëm me Allahun e Lartësuar, me forcën, pushtetin dhe suksesin e dhuruar prej Tij. Me këtë mbështetje të sinqertë, ata e meritojnë përkujdesjen e Allahut dhe suksesin e dhuruar prej Tij. Kështu largohen fatkeqësitë dhe kështu vjen çlirimi dhe mirësia.

← Ali Imran 3:122