3. Ali Imran · Ajeti 13 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:10–3:13
Zoti xh. sh, ua tërhoqi vërejtjen idhujtarëve arabë, kundërshtarë të Kur'anit dhe të Muhammedit, duke u thënë se e vërteta do të triumfojë dhe ju do të mposhteni edhe në këtë jetë, ashtu siç u shkatërruan ithtarët e Faraonit, e nuk u vlejti as atyre dhe nuk do të ju vlejë as juve as pasuria as djemtë, Madje ju vetë do të jeni lëndë djegëse në xhehenem. Vendi i tyre në xhehenem është trajtuar si djep, e, ka për qëllim t'i njoftojë kundërshtarët mendjemëdhënj se do të jenë aq të paaftë, aq të dobët, sa që i përngjajnë foshnjes që nuk ka kurrfarë aftësi,e por të tjerët vëjnë aty ku të duan.
Konfrontimi ndërmjet dy grupeve luftarake ka të bëjë me luftën që u bë në vendin e quajtur: "Bedr". Kjo luftë u zhvillua ndërmjet myslimanëve dhe idhujtarëve mekas në vitin e dytë të hixhres. Numri i myslimanëve ishte 313 e i idhujtarëve afër një mijë, por me ndihmën e Zotit myslimanët i fituan, e armiku u mund dhe u mposht mu ashtu siç tha Kur'ani, dhe në historinë islame për herë të parë thyhet autoriteti idhujtaro-kurejshit, e ngritet ai islam. Fuqia fizika nuk është gjithçka, sikurse edhe fitorja nuk varet gjithnjë nga numri. Ndihma i e Zotit është ajo që ngrit moralin e lartë luftarak dhe realizon fitoren.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:12–3:13
- Thuaju (o Muhamed) atyre që nuk besojnë: “Do të jeni të mposhtur dhe do të hidheni në Xhehenem. Sa i shëmtuar është ai shtrat!”. - Muhamed Ibn Is'haku përmend se: 474. “Kur Profeti ﷺ triumfoi në Bedër dhe fitoi atë që fitoi atje, u kthye në Medinë, mblodhi jehudët dhe u tha: “O populli jehud! Dorëzojuni Allahut dhe pranoni Islamin, përpara se Allahu i Lartësuar t'ju godasë me atë që goditi Kurejshët. Ata i thanë: “O Muhamed! Mos u vetëmashtro nga fakti se dole fitimtar në luftën kundër një grupi kurejshësh, të cilët janë njerëz të thjeshtë dhe nuk dinë se ç’është lufta dhe strategjia e luftës. Betohemi në Zotin se, nëse lufton kundër nesh, do ta marrësh vesh se ne jemi njerëzit dhe luftëtarët më të sprovuar! Vetëm atëherë do ta kuptosh se nuk ke luftuar kurrë kundër ndokujt të ngjashëm me ne!” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Thuaju (o Muhamed) atyre që nuk besojnë: “Do të jeni të mposhtur dhe do të hidheni në Xhehenem! Sa i shëmtuar është ai shtrat!”. ...”. Pra, thuaju, o Muhamed, mohuesve: “Ju do të mposhteni në këtë dynja. Ndërsa në ahiret, në Ditën e Kijametit, do të grumbulloheni të gjithë në Xhehenem, që është vendqëndrimi më i keq.
- Për ju ishte një shenjë e madhe kur dy palët u përballën me njëra -tjetrën. - Pra, në dy grupet, të cilat luftuan kundër njëra tjetrës, ka për ju shenja të qarta, nga të cilat mund të merrni mësime të shumta. - Njëra palë luftonte në rrugën e Allahut, kurse pala tjetër ishin jobesimtarë. - Ditën e Bedrit, idhujtarët i shikonin muslimanët sikur të ishin sa dyfishi i tyre. Për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar: - Ata (qafirët) panë me sytë e tyre se të tjerët (besimtarët) ishin dy herë më shumë se ata. - Pra, idhujtarët i shihnin muslimanët sikur të ishin dy herë më të shumtë në numër. Allahu i Madhëruar e bëri këtë që të ndihmonte muslimanët. Kështu ka treguar Ibn Xheriri nga disa prej dijetarëve, që kanë shpjeguar këtë ajet. Ndërsa Muhamed Ibn Is'haku sjell hadithin nga Uruete Ibn Zubejri se: 475. “Profeti i Allahut pyeti një rob zezak nga fisi i Beni Haxhaxh rreth numrit të Kurejshëve dhe ai i tha që ata ishin shumë. Atëherë, Profeti e pyeti: “Sa deve therin në ditë për të ngrënë?” Ai i tha: “Një ditë therin nëntë dhe një ditë therin dhjetë.” - “Atëherë - tha Profeti - ushtria e tyre duhet të jetë mes 900 deri 1000 vetave.” Pra, me sa duket, Allahu i Lartësuar i bëri idhujtarët që të dukeshin pak në sytë e muslimanëve, siç bëri që edhe muslimanët të dukeshin pak në sytë e mohuesve. Por kjo ndodhi veçse në momentin kur ata u rreshtuan përballë njëri tjetrit, për të nisur lufttën. Allahu i Lartësuar thotë në suren Enfal: “Kur u përballët me armikun, Ai jua shfaqi në sytë tuaj sikur ishin pak; por edhe ju ju bëri të dukeshit pak në sytë e tyre, në mënyrë që Allahu ta përmbushte atë që ishte caktuar. Tek Allahu kthehen (për gjykim) të gjitha çështjet.” [Enfal 44]. Por kur dy ushtritë iu vërsulën njëra tjetrës, muslimanëve po iu dukeshin përsëri pak idhujtarët. Kështu e sjell hadithin Ebu Is'haku nga Abdullah Ibn Mesudi, i cili ka thënë: “Vërtet, ata dukeshin shumë pak në sytë tanë, aq sa unë i thashë një burri, që ishte pranë meje: “A mendon se janë më shumë se 70?” - “Unë shikoj se janë 100.” Kur ne kapëm rob një burrë nga ata dhe e pyetëm sa veta ishin, ai tha: “Janë një mijë”.” Ndërsa idhujtarët i shihnin muslimanët sikur të ishin sa dyfishi i numrit të tyre, në mënyrë që në zemrat e tyre të futej tmerri nga vdekja. Për këtë flet edhe fjala e Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Ata (qafirët) panë me sytë e tyre se të tjerët (besimtarët) ishin dy herë më shumë se ata.” Pra, ata, me sytë e tyre, i shihnin sikur të ishin 2 mijë. Kjo ishte një ndihmë e madhe nga Allahu i Lartësuar për besimtarët, që thotë: - Por Allahu përforcon atë që dëshiron me ndihmën e Vet. Vërtet, në atë ngjarje pati një mësim të madh për ata që janë të mençur. - Pra, Allahu i Madhëruar ua jep krenarinë dhe ngadhënjimin besimtarëve dhe i poshtëron qafirët. Në këtë ndihmë të Allahut të Lartësuar për besimtarët dhe poshtërimit të qafirëve, ka argument për ata që kanë aftësi të shohin e analizojnë faktet me kujdes dhe t’i kuptojnë mirë dhe drejt ato. Përmes të tilla fakteve, ata udhëzohen për të parë qartë gjykimin e Zotit, urtësinë në veprat e Tij dhe pushtetin e Tij absolut, i Cili është gjithmonë në ndihmë të robërve të Tij besimtarë, duke u dhuruar atyre fitoren. Ai është me ta jo vetëm në jetën e kësaj dynjaje, por edhe në jetën e perjetshme. Ai ka për t'u dhuruar atyre krenarinë dhe lartësimin edhe në ditën kur do të ngrihen dëshmitë, pra, Ditën e Gjykimit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:10–3:13
- “Atyre që nuk besojnë nuk do t’u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre.” - Allahu i Lartësuar tregon se ata që mohojnë Atë dhe profetët e Tij, ata që refuzojnë të binden dhe të pasojnë fenë dhe Librin e Tij ( Kur’ânin), meritojnë një ndëshkim të ashpër. Askush nuk mund t’i shpëtojë ata nga ky ndëshkim i merituar: as pasuria, as fëmijët e tyre, sepse këto nuk do t’u vlejnë aspak tek Allahu i Lartësuar. Në jetën e dynjasë, ndoshta, me pasurinë dhe fëmijët e tyre, ata mund të shpëtojnë prej rreziqeve që u kanosen. Për këtë arsye, ata thonë, sikurse tregon Allahu i Lartësuar në suren Sebe, ajetet 35 -37: “Ne kemi shumë pasuri dhe fëmijë, prandaj nuk do të ndëshkohemi apo të vuajmë ndonjëherë”. Porse Ditën e Gjykimit, ata do të përballen me diçka që kurrë nuk e kanë llogaritur dhe menduar, siç thotë Allahu në suren Zumer, ajetet 47 dhe 48: “Edhe sikur e tërë çka gjendet në tokë, plus edhe një herë aq, të ishte e jobesimtarëve, ata do ta jepnin të gjithën për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në Ditën e Kijametit. Ata do të kenë prej Allahut atë (lloj ndëshkimi) që nuk kanë mundur as ta mendojnë. Ata do të përballen me të këqijat që me duart e tyre i fituan. Për ta u bë i pashmangshëm dënimi, për shkak të talljeve që ata bëjnë.”. Tek Allahu nuk kanë asnjë vlerë pasuria dhe fëmijët e robit, por atje bëjnë dobi veçse besimi i sinqertë, i shoqëruar me vepra të mira. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “...Ata (jobesimtarët) do të jenë lënda djegëse e Zjarrit. ” - Dënimi i këtyre mohuesve do të jetë zjarri i Xhehenemit, madje ata do të jenë lënda djegëse e tij. Ata do të qëndrojnë në të përjetësisht e pandërprerë. - “Kështu ndodhi edhe me pasuesit e Faraonit dhe ata të mëhershmit. ” - Që pasuria dhe fëmijët nuk u bëjnë dobi qafirëve, ka qenë një ligj i pandryshueshëm
i Allahut të Lartësuar për të gjithë popujt. Kështu ishte për popullin e Faraonit, por edhe për të tjerët para e pas tyre. Të njëjtin përfundim do të kenë të gjithë ‘faraonët’ e çdo kohe, sado të fuqishëm qofshin në pushtetin e tyre, sado të mëdha të jenë pasuritë dhe pasuesit e tyre. Çdokush që mohon të vërtetën e shpallur nga Zoti, çdokush që nuk pranon t’i nënshtrohet rrugës së drejtë dhe të pasojë profetët e Zotit, do të ketë po atë përfundim. - “Ata i mohuan argumentet Tona. Për këtë arsye, Allahu i shkatërroi për fajet e tyre.” – Pra, Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkojë ata, për shkak të mosbesimit dhe mosbindjes së tyre, sepse Allahu i Lartësuar është i Drejtë. Ai nuk i bën padrejtësi askujt. Çdo gjykim i Tij është i drejtë dhe i pakundërshtueshëm. - “Allahu ndëshkon shumë ashpër.” - Allahu ka përgatitur ndëshkim të ashpër për këdo që përmbush shkaqet që e bëjnë të meritueshëm këtë ndëshkim. Shkaqet që sjellin ndëshkimin janë kufri dhe gjynahet, me të gjitha llojet dhe ngjyrat e tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Thuaju (o Muhamed) atyre që nuk besojnë: “Do të jeni të mposhtur dhe do të hidheni në Xhehenem. Sa i shëmtuar është ai shtrat!”. - Këto fjalë, nga njëra anë, u dhanë shpresë besimtarëve se fitorja dhe ndihma e Allahut do të ishte me ta dhe, nga ana tjetër, kërcënonin hapur mohuesit e Zotit, që luftonin të drejtën. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi. Allahu i Lartësuar i ndihmoi besimtarët dhe bëri që ushtria e të vërtetës të triumfonte mbi armiqtë e të vërtetës, që ishin mohues të kategorive të ndryshme, si idhujtarë, çifutë, të krishterë etj. Ndihma e Allahut do të vazhdojë të jetë me këtë popull të drejtë, me adhuruesit e Tij të sinqertë, me ushtarët e Tij besimtarë dhe besnikë. Allahu do të jetë me ta deri në Ditën e Gjykimit. Kjo profeci e Kur’ânit është një prej mrekullive të tij, e dëshmuar me sy prej njerëzve, që vërteton se ai Libër është fjalë e Zotit të gjithësisë. Më tej, Allahu i Lartësuar na tregon që, përveçse qafirët do të jenë gjithmonë të mposhtur në këtë jetë, në jetën tjetër ata do të tubohen në vendin e ndëshkimit dhe të vuajtjes së përjetshme, në zjarrin e Xhehenemit. Ai është një vend që ata vetë e përgatisin dhe e dëshirojnë për veten e tyre. Nuk ka vendqëndrim më të keq se ai i tyre dhe nuk ka ndëshkim më të rëndë se ndëshkimi i tyre. - “Për ju ishte një shenjë e madhe kur dy palët u përballën me njëra-tjetrën. Njëra palë luftonte në rrugën e Allahut, kurse pala tjetër ishin jobesimtarë. ” - Për ju ka shumë mësime nga përballja mes dy ushtrive në betejën e Bedrit. Dy ushtritë ishin: njëra që luftonte në rrugën e Allahut, ku ishte Profeti (a.s.) dhe shokët e tij; dhe tjetra ishte ushtria e qafirëve, të cilët refuzuan t’i bindeshin Zotit të tyre dhe të pasonin udhëzimin që solli Profeti i Tij. Këta dolën në luftë gjithë mendjemadhësi dhe plot urrejtje për Profetin e besimtarët. Ata dolën që të pengonin njerëzit nga rruga e Zotit, dhe këtë e bënin thjesht për të shitur mend dhe për të fituar famë. Allahu i Lartësuar përcaktoi që dy palët kundërshtare të përballeshin me njëra tjetrën në Bedër, ndërkohë që idhujtarët ishin disa herë më tepër në numër se besimtarët. Por Allahu i Lartësuar thotë: - “Ata (besimtarët) panë me sytë e tyre se të tjerët (qafirët) ishin dy herë më shumë se ata. Por Allahu përforcon atë që dëshiron me ndihmën e Vet. Vërtet, në atë ngjarje pati një mësim të madh për ata që janë të mençur. ” - Besimtarët e panë që numri i idhujtarëve të cilët vërsuleshin kundër tyre ishte shumë më i madh. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë fakt duke treguar se besimtarët e panë me sytë e ballit këtë pabarazi numerike. Megjithatë, Allahu i Lartësuar i ndihmoi besimtarët, duke u dhuruar fitoren kundër qafirëve. Besimtarët i mposhtën bindshëm idhujtarët, duke vrarë krerët e tyre dhe duke robëruar shumë të tjerë. Kjo fitore u mundësua veçse prej Allahut, i Cili ishte Ndihmëtari i tyre. Allahu i Lartësuar
ndihmon çdonjë që ndihmon fenë e Tij dhe mposht e shkatërron çdonjë që e mohon Atë dhe udhëzimin e sjellë nëpërmjet Profetit të Tij. Në këtë ngjarje ka mësime për ata që dinë të nxjerrin mësime, dhe ata që mund të nxjerrin mësime prej të tilla ngjarjeve janë veçse të mençurit. Kështu, të fituarit do të jenë gjithmonë ata që besojnë dhe pasojnë të vërtetën e sjellë prej Allahut dhe Profetit të Tij. Këta do të jenë pala e ndihmuar prej Allahut. Ndërsa të dëshpëruarit e të mundurit do të jenë gjithmonë ata që mohojnë të vërtetën dhe ndjekin të kotën, për të cilën nuk kanë asnjë bazë e argument të sigurt. Nëse do të merrnim në konsideratë forcat ushtarake dhe shkaqet materiale të fitores së një lufte, do ta shihnim si të pamundur fitoren e një ushtrie të vogël e të paarmatosur mirë, kundër një ushtrie të madhe në numër e të fuqishme në armatim. Por përballë këtij realiteti që ne jemi mësuar të shohim me sy dhe ta besojmë, ndodhet një realitet tjetër më i fuqishëm dhe më vendimtar se ai që shohim me shqisat tona. Këtë realitet mund ta ndiejnë dhe dëshmojnë veçse ata që shohin me dritën e imanit dhe që kanë mbështetje të plotë tek Allahu i Lartësuar. Ky realitet quhet: “ndihma e Allahut për besimtarët e Tij”. Allahu i Lartësuar i ndihmon gjithmonë dhe u dhuron fitore adhuruesve të Tij mbi çdo jobesimtar, sado i madh e i fuqishëm qoftë.