3. Ali Imran · Ajeti 139 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:137–3:148

Kur'ani i cili është sqarues i së vërtetës për të gjithë njerëzit, është këshillues e përkujtues për besimtarët, e parashtron goditjen që e pësuan besimtarët në Uhud si ngjarje të zakonshme në ligjet e Zotit, pse edhe armiku i tyre një vit më parë, pësoi një aso goditje.

Derisa grupi që ishte në roje, nuk ju përmbajt mësimeve dhe porosive të Pejgamberit, u manifestua drejtësia e ligjeve të Zotit, të cilat mbretërojnë ndër njerëz, andaj edhe thuhet se situata kalon prej një dore në dorën tjetër, kuptohet sipas përgatitjes dhe fuqisë.

Ndihma e Zotit nuk u manifestua, sepse ngjarja zhvillohoj ndërmjet dy grupeve të njerëzve, e jo ndërmjet besimtarëve dhe idhujtarve, sepse ata që e thyen urdhërin e Pejgamberit, nuk numëroheshin si besimtarë të kulluar. Megjithatë Kur'ani i këshillon besimtarët të jenë krenarë, sepse një goditje të tillë, e edhe më të rëndë e përjetoi edhe armiku në Bedr. Urtësia e Zotit ishte I që në atë luftë të sprovohen e të dihen besimtarët e sinqert, të shpërblehen disa me gradën dëshmor (shehid) dhe t'u shërbejë besimtarëve si përvojë në të ardhmen.

Në vlimin e luftës plagosët pak edhe vetë Pejgamberi, e armiku shfrytëzon rastin dhe hap propagandën se u vra Muhammedi, ashtu që disa besimtarë u hutuan. Zoti i porosit besimtarët, se, edhe nëse mbytet e vdes Pejgamberi, ata duhet ta vazhdojnë luftën në rrugën e Tij. Ashtu bënë besimtarët e mëparshëm me pejgamberët e tyre në raste të tilla, sepse vdekja është e caktuar në afatin e vet, ajo nuk vjen as më parë, as më vonë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:137–3:143

Allahu i Lartësuar i ngushëllon robërit e tij besimtarë për atë që i goditi në betejën e Uhudit, ku u vranë 70 burra prej tyre: - Përpara jush kanë kaluar shumë popuj. - E njëjta gjë ka ndodhur edhe përpara jush, me pasuesit e profetëve, por pastaj në fund, përfundimi i mirë ishte për ta, ndërsa mohuesit u mposhtën dhe u nënshtruan. - Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën.” - Shëtisni në tokë dhe shihni se si ishte përfundimi i atyre që mohuan profetët dhe refuzuan të ndiqnin rrugën e tyre. - Ky (Kur'an) është sqarim për gjithë njerëzit dhe është udhëzim e këshillë për të devotshmit.” - Në Kur'an ndodhen lajme rreth popujve të shkuar dhe çfarë ndodhi me armiqtë e tyre. Këto lajme jepen të qarta dhe të shtjelluara hollësisht. Në Kur 'an ndodhet udhëzimi për zemrat. Ai përmban këshilla e paralajmërime, të cilat e ndalojnë robin nga gjynahet dhe veprat që i sjellin fatkeqësi e ligësi. - Mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u trishtoni (shpirtërisht), përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë. - Duke i ngushëlluar dhe duke u premtuar mirësi e lumturi, Allahu i Madhëruar u thotë besimtarëve: “Mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u trishtoni (shpirtërisht)...”. Pra, mos u dobësoni për shkakun e kësaj që ju ndodhi: “...përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë.”. Përfundimi i mirë dhe fitorja do të jenë tuajat, o ju besimtarë, që besoni drejt Allahun e Lartësuar dhe i nënshtroheni Atij, ashtu siç Ai dëshiron. - Në qoftë se ju përjetuat dhembje (në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër).” - Nëse shumë nga ju u plagosën në këtë luftë dhe shumë të tjerë u vranë, dijeni se edhe armiqtë tuaj janë plagosur dhe janë vrarë më përpara. - Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve, që Allahu t’i nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej

jush si dëshmorë. Allahu nuk i do të padrejtët. - Edhe pse Ne vendosëm që armiqtë tuaj të fitonin mbi ju këtë radhë, dijeni se përfundimi i mirë do të jetë sigurisht i juaji. Sigurisht, kjo bëhet për urtësi të shumta, që Zoti i di. Duke treguar diçka nga këto urtësi, Allahu i Lartësuar thotë: “...që Allahu t’i nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë.” Ibn Abasi e shpjegon: “Pra, që Allahu i Lartësuar t’i dijë ata të cilët bëjnë durim në luftën kundër armiqve dhe të marrë e përzgjedhë nga radhët e besimtarëve dëshmorët, të cilët vriten në rrugën e Allahut dhe japin jetën e tyre për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Ndër urtësitë e përcaktimit të këtyre disfatave në luftë për besimtarët, Allahu i Madhëruar na tregon e thotë: - Kështu Allahu i pastron besimtarët... - Domethënë, ua mbulon fal gjynahet, nëse kanë; ose në të kundërt, ua rrit gradat, në varësi të sprovës a vështirësisë, me të cilën goditen në rrugën e Allahut të Lartësuar. 159 Allahu i Lartësuar thotë më pas: - dhe i shkatërron jobesimtarët. - Nga njëra anë, Allahu i Urtë dhe i Plotfuqishëm i pastron besimtarët nga gjynahet përmes disfatës së momentit dhe vrasjes së disa prej tyre dhe, nga ana tjetër, i shkatërron jobesimtarët. Kështu, kur Ai i bën të mundur që ata të fitojnë ndonjë betejë, atëherë ata e kalojnë kufirin, vetëkënaqen dhe tregohen arrogantë e të pashpirt. Më pas, kjo bëhet shkak për shkatërrimin dhe zhdukjen e tyre. - A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij) dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?! - Mos pandehët që do të hyni në Xhenet pa u sprovuar me luftëra dhe vështirësi, që Allahu të shohë se cilët janë luftëtarët, cilët janë të qëndrueshëm, të guximshëm dhe këmbëngulës në luftën për kauzën e Tij dhe që të dallohen të durueshmit në përballje me armikun?! - Ju ishit, vërtet ata që dëshironit vdekjen para se të përballeshit me të. - Më herët, ju dëshironit të përballeshit me armiqtë dhe të luftonit kundra tyre. Ja, ku ndodhi ajo që e kërkonit dhe që e shpresonit të ndodhte! Atëherë, luftoni dhe bëni durim, si burrat. Në dy Sahih-ët qëndron hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 573. “Mos e kërkoni përballjen me armikun, por kërkojini Allahut që të t’ju shpëtojë e t’ju ruajë prej kësaj! Por nëse përballeni me armikun, atëherë bëni durim dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave.”“ - Ja, tani e patë atë (vdekjen) me sytë tuaj. - Ju e dëshmuat momentin kur rreshtat e ushtrive u vunë përballë njëri- tjetrit dhe ju i shihnit përpara armiqtë tuaj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:139–3:143

Allahu i Lartësuar i inkurajon adhuruesit e tij të sinqertë të forcojnë ambiciet dhe vullnetin e tyre, duke u thënë: - “Mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u trishtoni (shpirtërisht),...” – Kuptimi: Mos u lëshoni, duke u dobësuar fizikisht dhe mos u trishtoni, duke u dobësuar shpirtërisht gjatë sprovave, fatkeqësive dhe disfatave. Pa dyshim që trishtimi në zemër edhe lëshimi i trupit janë sprova më vete, prandaj mos e dënoni dhe rëndoni veten tuaj më shumë me sprova të tjera. Dobësia juaj veçse i ndihmon armiqtë kundërshtarë, prandaj mos pranoni që t’ju pushtojë ajo. Përkundrazi, inkurajojeni veten dhe nxitni vullnetin dhe ambiciet tuaja drejt të mirës. Ushqeni durimin dhe trimërohuni, duke luftuar armikun tuaj. Largojini trishtimet dhe ankesat, se janë të padobishme, madje paralizuese. Trishtimi dhe shkurajimi nuk duhet të kenë lidhje me besimtarët e sinqertë, sepse imani i tyre i mban shumë më lart ata. Ata shpresojnë ndihmën, suksesin dhe fitoren prej të Plotfuqishmit, që kujdeset për ta veçanërisht. Ata shpresojnë shpërblimin e Bujarit, Bamirësit dhe të Mëshirshmit. E si mund të ulet kaq poshtë një besimtar, i cili ka siguri të plotë për premtimin e Allahut dhe shpërblimin e Tij të madh në këtë jetë dhe në jetën tjetër?! Kjo nuk duhet të ndodhë me besimtarin e sinqertë. Prandaj i Madhëruari thotë: - “...përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë. ” Pas kësaj, Allahu i Lartësuar i qetëson zemrat e tyre të tronditura nga disfata, duke u përmendur urtësitë që fshihen pas të tilla humbjesh dhe sprovash. Ai thotë: - “Në qoftë se ju përjetuat dhembje (në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër).” – Pra, ashtu si ju, edhe ata kanë ndier dhimbje dhe vuajtje. Porse mes jush ka një ndryshim të madh: ju

shpresoni prej Allahut diçka që ata nuk e shpresojnë, sikurse thotë i Lartësuari: “ Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se) edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Ditur e i Urtë” . [Nisa 104]. - “Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve,...” - Prej urtësive të kuptuara nga këto ajete është edhe fakti se, kur është fjala për mirësitë e kësaj jete, Allahu i Lartësuar ua jep ato edhe besimtarëve, edhe qafirëve, edhe të mirëve, edhe të këqijve. Kështu i ndërron ditët mes njerëzve Allahu i Lartësuar: sot u jep disave një gjë, nesër ua jep atë të tjerëve. Kështu ndodh në këtë jetë, sepse kjo dynja është e parëndësishme dhe do të zhduket. Ndërsa në jetën e përjetshme çështja ndryshon, sepse mirësitë atje janë të posaçme vetëm për besimtarët. - “...që Allahu ti nxjerrë në pah ata që besojnë...” - Edhe kjo është një nga urtësitë që fshihen pas sprovave që godasin besimtarët: të dalin në pah besimtarët dhe e munafikët. Nëse fitorja do t'u takonte gjithmonë besimtarëve, atëherë Islamin do ta pranonin të gjithë, edhe ata që në të vërtetë nuk e dëshirojnë atë. Prandaj, duke ndodhur sprova të tilla, del në pah besimtari i vërtetë, që e dëshiron fort dhe e zbaton Islamin qoftë në kohë mirësie, qoftë në kohë fatkeqësie, qoftë kur i vjen lehtë, qoftë kur i duket i vështirë, dhe kështu del në pah edhe ai që nuk është i tillë. - “...dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë.” - Ja edhe një urtësi tjetër që zbulohet nëpërmjet sprovave të mëdha. Allahu i Lartësuar i zgjedh disa njerëz si dëshmorë. Martirizimi në rrugën e Allahut është nga gradat më të larta të besimatrit, dhe kjo gradë mund të arrihet veçse nëpërmjet të tilla situatash. Është shprehje e mëshirës së të Urtit, që u ka lënë adhuruesve këtë rrugë të dhimbshme dhe të vështirë për të arritur gradat e larta dhe mirësinë e përjetshme. - “Allahu nuk i do të padrejtët.” - Allahu i Lartësuar nuk i do ata të cilët tregohen të padrejtë ndaj vetes së tyre, duke mos luftuar dhe përpjekur në rrugën e Allahut. Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar tregon cilësitë e poshtra të munafikëve. Ata e urrejnë Allahun dhe luftën në rrugën e Tij dhe, për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk ua dha mundësinë dhe nderin të merrnin pjesë në betejën e Uhudit. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “ Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje. Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre; prandaj i sprapsi, duke u thënë: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” [Teube 46]. - “Kështu Allahu i pastron besimtarët dhe i shkatërron jobesimtarët. ” - Edhe kjo është një urtësi tjetër e sprovave. Nëpërmjet tyre, Allahu i Lartësuar pastron besimtarët nga gjynahet dhe u mbulon mangësitë e tyre. Kjo tregon se lufta në rrugën e Allahut i fshin gjynahet dhe i fsheh turpet dhe mangësit ë e robit. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i pastron në këtë mënyrë radhët e besimtarëve, duke u dhënë atyre një qartësi të plotë për të dalluar munafikët. Vetëm në të tilla sprova ndahen besimtarët nga munafikët. Urtësi tjetër e sprovave është edhe shkatërrimi i kufrit dhe i qafirëve. Kur qafirët vrasin dhe dëmtojnë muslimanët, kanë bërë një shkak të mjaftueshëm për të marrë ndëshkimin e Allahut. Gjithmonë ndodh që qafirët, nëse fitojnë në luftë, ata i kalojnë kufijtë, dhe kjo e përshpejton ndëshkimin e tyre që në këtë jetë. Edhe ky fakt tregon, pra, për mëshirën dhe dashurinë e Allahut të Lartësuar për adhuruesit e Tij të sinqertë. Pastaj i Madhëruari thotë: - “A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij) dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?! - Kjo është një pyetje retorike. Pra, kuptimi i saj është: As të mos ju shkojë nëpër mend se do të hyni në Xhenet pa kaluar vështirësi dhe pa duruar sprovat në rrugën e Zotit, për të kërkuar

kënaqësinë e Tij. Të jeni të sigurt se Xheneti është mirësia dhe qëllimi më i madh, për të cilin mund të garojnë ata që e duan. Sa më i lartë të jetë qëllimi, aq më të mëdha duhet të jenë rrugët, mjetet dhe veprat me të cilat duhet të arrihet ai. Nuk mund ta arrini prehjen e plotë pa e prishur qetësinë fillimisht. Megjithatë, nëse shpirti i besimtarit tregon durim dhe e ushqen veten e vet me shpresë për shpërblimin e madh që e pret, sprovat e kësaj dynjaje kthehen në mirësi dhe shkak për lumturi dhe gëzim, dhe jo për trishtim e frikë. Ai nuk tronditet kurrë nga çdo fatkeqësi që e godet, dhe kjo është mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dëshirojë. Më pas, Allahu i Lartësuar i qorton besimtarët për dobësinë e treguar në durim kundrejt një çështjeje që vetë e kishin kërkuar të ndodhte. Thotë i Lartësuari: - “Ju ishit, vërtet ata që dëshironit vdekjen para se të përballeshit me të.” - Shumë sahabë që nuk morën dot pjesë në luftën e Bedrit dëshironin që Allahu i Lartësuar t'u mundësonte ndonjë tjetër ballafaqim me armikun, ku ata të shfaqnin trimërinë dhe luftën e tyre për hir të Allahut të Lartësuar. Kështu, Allahu i Lartësuar u thotë atyre: - “Ja, tani e patë atë (vdekjen) me sytë tuaj.” – Kuptimi: Ç’po ndodh me ju?! Pse po tregoni mungesë durimi? Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk ju shkon për shtat juve, e sidomos atyre që vetë e kërkuan një gjë të tillë. Ju vetë e kërkuat këtë luftë. Kështu që, nëse e kërkuat, është detyrë për ju tani t'i bëni ballë dhe t’i qëndroni si burrat kësaj sprove. Ju duhet të jepni maksimumin në qëndresën tuaj. Nga ky ajet mësojmë se nuk është e papëlqyeshme të shpresosh martirizimin në rrugën e Allahut të Lartësuar, pasi Ai i ka miratuar të tilla dëshira dhe nuk i ka ndaluar. E vërteta është që Allahu i Lartësuar i qortoi besimtarët për faktin që ata nuk iu përmbajtën asaj që vetë kishin premtuar dhe kërkuar. Në fund, Allahu i Lartësuar e di më mirë.

← Ali Imran 3:139