3. Ali Imran · Ajeti 180 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:173–3:180

Pasi u larguan idhujtarët nga vendi i luftës, u shkoi ndërmend të kishin shkatërruar vetë Medinën. Pejgamberi dëgjoi për atë, i urdhëroi myslimanët t'u vëhen mbrapa dhe t'ju tregojnë se kanë fuqi e forcë luftarake. Të lodhur e të plagosur, myslimanët mblodhën forcat e veta dhe e ndoqën armikun deri në vendin e quajtur "Hamrael Esed". Ushtrisë që e ndoqi armikun, Pejgamberi nuk e lejoi t'i bashkohet asnjë që nuk kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit, me përjashtim të Xhabirit, të cilin e lejoi, sepse ai me leje kishte mbetur në shtëpi që t'i mbrojë shtatë motrat që i kishte.

Edhe pse hipokritët u përpoqën t'i frikësojnë myslimanët, këta nuk u frikësuan. Armiku nuk fitoi, sepse ai e lëshoi sheshin e luftës dhe iku, duke mos pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të myslimanëve, ndaj nuk pati guxim ta sulmojë Medinën.

Pejgamberit i thuhet të mos brengoset përse dikush përpiqej të përhapë mosbesimin - kufrin, sepse ata kishin punë me Zotin, i cili gjithnjë është ngadhënjyes, i cili në duar të veta i ka, e nëse do, i shkatërron në këtë jetë, e nëse do i lë të jetojnë e të grumbullojnë mëkate, ashtu qe ai dënim i shëmtuar me zjarr të jetë meritë e tyre.

Lufta në Uhud i zbuloi tradhëtarët, e ajo u ndihmoi myslimanëve që t'i pastrojnë radhët e veta.

Gjithashtu, ajo luftë u dha të kuptojnë se nuk duhet lakmuar aq shumë për pasuri, sepse nëse ajo nuk shpenzohet në rrugën e Zotit, do të mbetet trashëgim i të tjerëve, e më në fund, pas shkatërrimit total të njerëzve, qiej e tokë mbetën ashtu sikurse edhe kanë qenë dhe siç janë, trashëgim i Zotit.

Deri më këtu përfundon rrëfimi për luftën e Uhudit, për tradhëtinë e hipokritëve prej së cilës myslimanët duhet të marrin mësim.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:176–3:180

Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Mos u brengos për ata që rendin në mosbesimin e tyre! - Kjo sepse Profeti ﷺ kujdesej dhe shqetësohej shumë për udhëzimin e njerëzve. Kur ai i ftonte njerëzit dhe ata nuk i përgjigjeshin ftesës së tij, ai trishtohej shumë, sepse mohuesit e kundërshtonin menjëherë, duke shprehur inat dhe armiqësi kundër Profetit ﷺ . Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i tha: “Mos u brengos për ata...” Pra, mos u shqetëso, sepse: - Ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu, me Urtësinë e Vet, dëshiron që atyre të mos u takojë asnjë e mirë në botën tjetër.” - Domethënë, është urtësia e Allahut ajo që e përcaktoi të ndodhte diçka e tillë. - Ata do të kenë një dënim të madh.” - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Ata që, në vend të besimit, parapëlqyen kufrin, nuk i bëjnë asnjë dëm Allahut. Ata i pret një dënim i dhembshëm.” - Këta janë ata të cilët, në vend të imanit, parapëlqyen e zgjodhën mohimin e Zotit dhe jetën jo sipas porosive të Tij. Këta njerëz: “...nuk i bëjnë asnjë dëm Allahut.” Përkundrazi, ata dëmtojnë veçse veten e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i pret një dënim i dhembshëm.” - Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre! Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në një ajet tjetër: “Por, lëri ata edhe për pak kohë në vetëmashtrimin e tyre! Mos vallë ata po mendojnë se meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat? Jo, kurrsesi! Por, ata nuk kuptojnë.” [Mu'minun 54 - 56]. Ose ajetit tjetër: “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues.” [Teube 55]. - Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri. - Patjetër që Allahu i Lartësuar ka për t’ju sjellë ndonjë sprovë dhe vështirësi. Nëpërmjet sprovave do të dalë në pah besimtari i durueshëm nga ai që është munafik, i cili shkel kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe nuk i nënshtrohet Atij. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i referohet Betejës së Uhudit, me të cilën sprovoi besimtarët. Pikërisht në këtë ditë u shfaq qartë imani i besimtarëve të sinqertë dhe durimi i tyre. Atë ditë u shfaq qëndrueshmëria, devotshmëria dhe bindja ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. Por në këtë ditë, gjithashtu, Allahu i Madhëruar u çori maskën munafikëve dhe ua nxori të palarat. Në këtë sprovë u shfaq qartë tradhtia dhe pabesia e tyre ndaj Profetit ﷺ . El Siriu shpjegon: “Njëherë, munafikët thanë: ‘Nëse Muhamedi është i sinqertë (se është Profet i Zotit), atëherë le të zbulojë se cili prej nesh është besimtar dhe cili është mohues.” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri”, pra, pa e dalluar e pa e nxjerrë qartë besimtarin nga mohuesi.” Kështu e ka transmetuar Ibn Xheriri . Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Allahu nuk do t'ju lejonte juve t'i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai). - Ju nuk e dini të fshehtën, derisa të shfaqet dhe të dallohet qartë besimtari nga mohuesi përmes kalimit të sprovave, duke parë sjelljen e gjithësecilit gjatë tyre. - Por Allahu zgjedh atë që do nga të dërguarit e Tij (për t'ia zbuluar të fshehtat). - Allahu zgjedh kë të dojë prej profetëve të Tij. Kjo ngjan me fjalën tjetër të Allahut të Lartësuar: “Ai është i Gjithëdituri për të fshehtën dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt, përveç ndonjë të dërguari, që Ai dëshiron.” [Xhin 26, 27].

- Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij.” - Bindjuni Allahut dhe Profetit të Tij! Pasojeni Profetin e Tij në gjithçka që ju fton dhe urdhëron prej Zotit dhe në të gjitha ligjet që ai sjell prej Tij. - Nëse besoni dhe ruheni, do të keni një shpërblim të madh. - Nëse besoni dhe jeni të devotshëm, duke u ruajtur nga ndalesat e Tij, ju do të keni një shpërblim të madh. - Ata që nuk japin nga të mirat që u ka dhënë Allahu, të mos mendojnë se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo (kopracia) është në dëm të tyre. - Të mos mendojë koprraci se grumbullimi i pasurisë do t’i sjellë ndonjë të mirë. Përkundrazi, kjo është në dëm të tij. Kjo është në dëm të fesë së tij dhe ndoshta edhe në dëm të dynjasë së tij. Pastaj Allahu i Lartësuar u tregon atyre që e mbledhin pasurinë dhe e fshehin, pa respektuar atë që urdhëron Allahu në lidhje me të, se çfarë do të bëhet me pasurinë e tyre e ku do përfundojë ajo në Ditën e Gjykimit: - Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. - Buhariu sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 609. “Për njeriun që Allahu i jep pasur i, por që nuk e pastron këtë pasuri duke e dhënë zekatin, pasuria e tij do të shndërrohet si një gjarpër shumë i madh dhe me helm shumë të fortë (akra), i cili ka dy brirë ose dy pulla në ballin e tij. Ai ka për ta mbështjellë dhe shtrënguar fort në Ditën e Gjykimit. Ai do ta fusë mes dy dhëmbëve dhe nofullave të tij dhe do t’i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!” Pastaj Profeti ﷺ lexoi këtë ajet: “Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre.” El Aufiu përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur dhe flet për ithtarët e Librit, të cilët u treguan koprracë me diturinë dhe informacionet që ishin brenda librave të tyre, duke mos ua shpjeguar dhe mësuar ato njerëzve.” Kështu e ka sjellë hadithin Ibn Xheriri, por më i saktë është mendimi i parë, edhe pse ajeti e përfshin edhe këtë kategori njerëzish. - Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe Toka. “ - Të Allahut janë dhe do t’i mbeten në trashëgimi qiejt dhe toka, prandaj për këtë arsye: “Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë ta trashëgoni! Për ata që besojnë dhe shpenzojnë për hir të Zotit, ka shpërblim të madh.” [Hadid 9]. Ose: “Ç’ndodh me ju, që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, kur dihet se Allahut i mbesin trashëgim qiejt e Toka?! Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar nga pasuria e tyre dhe kanë luftuar para Çlirimit. Këta kanë vlerë më të madhe sesa ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por të gjithëve Allahu u ka premtuar mirësi. Allahu di për gjithçka që ju punoni.” [Hadid 10, 11]. - Kush është ai që i jep Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia shumëfishojë atë (pasurinë) dhe ti japë një shpërblim të mirë. - Shpenzoni nga pasuria që ju ka dhuruar Zoti, sepse të gjitha çështjet do të kthehen tek Allahu Krenar dhe i Lartësuar. Prandaj, nxitoni e garoni të paraqisni punë të mira, që mund t’i bëni përmes pasurisë tuaj, në mënyrë që të mund të dilni faqebardhë e të fituar në Ditën e Premtimit. Dita e Premtimit është Dita e Gjykimit. - Allahu e di mirë atë që bëni ju. - Ai është i gjithëditur për qëllimet tuaja dhe për atë që fshihni brenda kraharorit dhe zemrave tuaja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:180

- “Ata që nuk japin nga të mirat që u ka dhënë Allahu, të mos mendojnë se ajo është në dobi të tyre. ” – Ata që tregohen koprracë me mirësitë që u ka falur Allahu, qoftshin ato pasuri, pushtet, famë, dituri etj., të mos mendojnë se, meqë po marrin këto mirësi nga Allahu, kjo është gjithmonë në të mirë të tyre. Allahu i Lartësuar u ka falur mirësi shumë njerëzve, duke u treguar bamirës i madh me ta, por Ai njëkohësisht i ka urdhëruar që të shpenzojnë prej këtyre të mirave, për të qenë në ndihmë të krijesave të tjera. Ai i ka urdhëruar që ata të tregohen bamirës vetëm me një pjesëz të mirësive të tyre, aq sa të mos dëmtohen ata vetë. Por nëse ata nuk shpenzojnë dhe tregohen koprracë, duke i privuar robërit e tjerë të Allahut të përfitojnë prej këtyre mirësive, le ta dinë se ky veprim është në dëm të tyre dhe nuk ua ruan aspak ato mirësi që të mos pakësohen. Koprracia është në dëm të fesë, besimit, dynjasë dhe të të gjitha çështjeve të tyre të tashme dhe të ardhme. Ajo, gjithashtu, nuk mund të mos ndëshkohet nga i Drejti dhe i Urti: - “Jo, ajo (kopracia) është në dëm të tyre. Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre.” – Kuptimi: Mirësitë që nuk i shfrytëzojnë për përmbushjen e detyrimeve, atyre do t'u mbështillen në qafë Ditën e Gjykimit. Ky do të jetë si ndëshkim për ta. Në një hadith të saktë thuhet: “Ditën e Gjykimit, koprracit do t'i shfaqet pasuria e tij si një gjarpër akra', që ka dy pulla në ballë, i cili do ta mbështjellë atë mes dy dhëmbëve të tij dhe do të thotë: “Unë jam pasuria jote, unë jam thesari yt!” Pastaj Profeti (a.s.) lexoi këtë ajet, si vërtetues të kësaj fjale.” Ata njerëz mendojnë se koprracia është në dobi të tyre, sepse kështu fitojnë pushtet dhe sukses, por ajo do të kthehet plotësisht në të kundërt të tyre. Pasuria që ata ruajnë me koprraci do të bëhet shkak i vuajtjes së tyre. - “Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe Toka....” - Allahu i Lartësuar është Pronari i pasurive dhe pushtetit absolut. Të gjitha pasuritë, atë ditë do t'i kthehen Pronarit të tyre të vetëm e të vërtetë, Allahut të Lartësuar. Ndërsa krijesat nuk do të kenë me vete as flori, as argjend, e as ndonjë pasuri tjetër, me të cilën do të mund të blejnë shpëtimin dhe lumturinë. Thotë i Lartësuari: “Ne do ta trashëgojmë tokën dhe ata që janë mbi të, ndërsa ju të gjithë do të ktheheni tek Ne.” [Merjem 40]. Vëreni me kujdes dy faktet që tregon Allahu i Lartësuar, për të cilët Ai i fton njerëzit të meditojnë dhe të mësojnë që të mos tregohen koprracë me mirësitë që u ka dhuruar Ai, por të jenë bujarë e dorëdhënës: Së pari, Allahu i Lartësuar na mëson se çdo mirësi që njeriu gëzon vjen prej bujarisë së Tij, dhe nuk është pronë e vërtetë e robit. Nëse nuk do të ishte bujaria e Allahut të

Lartësuar, në dorën e robit nuk do të vinte asnjë mirësi. Kështu, kur ai tregohet koprrac me të mirat e dhuruara nga Allahu i Lartësuar, ai bëhet prej atyre që pengojnë dhe ndalojnë mirësitë e Allahut për të tjerët. Bamirësia e Allahut e bën të detyrueshme për robin që edhe ai të tregohet bamirës ndaj të tjerëve, sikurse thotë i Lartësuari në Kur’ân: “...tregohu bamirës, sikurse Allahu është treguar Bamirës ndaj teje.” [Kasas]. Njeriu që ndihet i sigurt se të mirat që gëzon janë thjesht dhuratë prej Allahut të Lartësuar, nuk mund të tregohet kurrë koprrac, sidomos me diçka që as nuk e dëmton e as nuk e pakëson pasurinë e tij. Përkundrazi, bujaria i sjell njeriut dobi të pallogaritshme qoftë për përmirësimin e zemrës së tij, qoftë për shtimin e pasurisë së tij. Ajo ia shton besimin dhe e ruan atë nga çdo e keqe dhe fatkeqësi. Së dyti, Allahu i Lartësuar thotë se pasuria që ka robi në zotërim do t’i kthehet Allahut të Lartësuar, Pronarit të tyre të vërtetë dhe të vetëm, që është trashëguesi i gjithçkaje. Atëherë, çfarë kuptimi ka koprracia me një pasuri që do të të ikë nga duart dhe do t’i shkojë dikujt tjetër? Allahu thotë edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme, që të nxit të jesh bamirës dhe të ruhesh nga koprracia: - “Allahu e di mirë atë që bëni ju. ” - Meqenëse Allahu di gjithçka që njerëzit bëjnë, Ai nuk do të lërë asnjë vepër të mirë pa e shpërblyer me bujarinë e Tij, dhe asnjë vepër të keqe pa e dënuar me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Atëherë, duke qenë se është kështu, çdokush që ka sadopak besim në zemër, nuk do t'ia lejonte vetes që të mos shpenzonte prej mirësive të dhuruara prej Bujarit e Bamirësit, sepse shpërblimi për këtë vepër është shumë i madh për t'u shpërfillur. Nga ana tjetër, një besimtar nuk do të kënaqej kurrë me koprracinë, sepse ndëshkimi i premtuar për të është shumë i ashpër për t’u lënë në harresë dhe për të qenë i pakujdesshëm.

← Ali Imran 3:180