3. Ali Imran · Ajeti 185 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:181–3:189

Kur qe shpallur ajeti i Kur'anit:... kush i huazon Allahut një hua të mirë..., njëfarë prijësi fetar i jehudive, Fenhas Azuaru i paska thënë Ebu Bekrit: Zoti qenka i varfër pasi po kërkon hua. Ebu Bekri i mëshon grusht në fytyrë dhe i thotë: sikur të mos ishte në fuqi marrëveshja për paqë ndërmjet nesh e jush, kisha për ta dredhur qafën. Jehudiu shkoi te Pejgamberi dhe u ankua kundër Ebu Bekrit. Pejgamberi e pyeti Ebu Bekrin për sjelljen, e tij. Ebu Bekri i tregoi se çka tha ai, por jehudiu e mohoi thënien, atëherë u shpall ky ajet: Allahu dëgjoi thëniet... dhe u vërtetua drejtësia e Ebu Bekrit.

Jehuditë bënë shpifje edhe ndaj Zotit, duke thënë se Ai u ka thënë: të mos besojnë pejgamber tjetër pas Musait, as Isanë, as Muhammedin dhe ashtu të vërtetën që e kishin në Tevrat e fshehën, madje edhe mburreshin për atë sukses të tradhëtisë që e bënë ndaj librit të tyre.

Myslimanët porositen të jenë të qëndrueshëm, të matur me rastin e sprovimit me çështje të ndryshme të kësaj jete, sepse maturia dhe durimi në zgjedhjen e çështjeve është kulmi i karakterit njerëzor.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:185–3:186

- Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. - Allahu i Lartësuar i njofton të gjithë krijesat e Tij se çdo shpirt ka për ta shijuar vdekjen. Kjo ngjan me ajetin tjetër, që thotë: “Çdo gjë që ndodhet në të, ka për t’u zhdukur, e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit tënd, që është i Madhëruar e Bujar.” “Rrahman 26, 27]. Kështu, Allahu i Lartësuar është i vetmi i gjallë që nuk vdes kurrë, ndërsa xhindët dhe njerëzit të gjithë do të vdesin. Po kështu edhe melekët, edhe Mbajtësit e Arshit do të vdesin një ditë, dhe atëherë do të mbetet i Vetmi, i Pamposhturi, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje, i Cili është i Përjetshëm, i Pavdekshëm dhe që do të mbetet gjithmonë. Ai është i Fundit ( El Ahiru), pas të Cilit nuk ka asgjë. Kjo do të jetë dita (Dita e Kijametit) kur Allahu do të jetë i vetmi që do të jetë i gjallë, - ashtu sikurse Ai ishte i Pari që s’ka fillim, - ndërkohë që çdo gjë tjetër e ka një fillim dhe, si e tillë, çdo gjë është krijesë e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është një ngushëllim i madh për të gjithë njerëzit, duke i njoftuar se askush nuk do të mbetet në faqen e tokës i gjallë, por të gjithë do të vdesin. Kur të vijë dita e fundit, atëherë kur të gjithë do të vdesin, Allahu i Lartësuar do të bëjë Kijametin dhe pastaj ringjalljen e krijesave. Ajo është dita kur Ai do t’i marë ata në llogari e do t’i gjykojë me drejtësi. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” - Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. - Domethënë,

ai që i shpëton zjarrit të Xhehenemit dhe Allahu i Madhëruar, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, e fut në Xhenet, ky njeri - mund të thuhet me të drejtë se - i ka fituar të gjitha mirësitë dhe ka shpëtuar nga çdo e keqe. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: 610. “Gjurma që lë një shkop (i besimtarit) në Xhenet, është më e mirë se e gjithë dynjaja me gjithçka në të.” Dhe pastaj lexoi këtë ajet: “Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar.” - Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues.” - Kjo tregon se sa e vogël, e parëndësishme dhe e nënçmuar është dynjaja. Ajo tregon, gjithashtu, për faktin se kjo botë do të zhduket një ditë, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin. Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” Profeti ﷺ ka thënë: 611 . “Për Zotin! Dynjaja në krahasim me ahiretin është sikur dikush zhyt gishtin e tij në det. Le të shohë se sa ujë ka marrë gishti (nga i gjithë deti)!” Kuptimi është se dynjaja është një kënaqësi, e cila një ditë do të zhduket: që ti do të largohesh prej saj (prej plakjes ose vdekjes), ose ajo do të largohet prej teje (duke u varfëruar, etj). Betohem në Allahun, që nuk ka Zot tjetër që meriton adhurimin përveç Tij, se ajo është bërë gati të shkatërrohet dhe të largohet nga banorët e saj. Merrni prej ditëve të kësaj dynjaje dhe grumbulloni prej saj veprat e mira e bindjen ndaj Allahut! Por dijeni mirë se: “Nuk ka forcë e ndryshim të gjendjes së robit ndryshe, por veçse me ndihmën e Allahut”, prandaj kërkojini dhe mbështetjuni vetëm Allahut për të marrë nga kjo dynja atë që do t'ju shërbejë në ahiret! Luteni Allahun që t'ju japë forcë për të punuar në të sipas bindjes ndaj Tij dhe të nënshtruar sipas ligjit e urdhëresave të Tij. - Ju patjetër do të sprovoheni në pasuritë dhe në veten tuaj. - Katadja ka thënë se ky ajet ngjan me ajetin tjetër, ku Allahu të Lartësuar thotë: “Ne do t’ju sprovojmë ndonjëherë me frikë, me uri, me humbje në pasuri ose në njerëz dhe me pakësim të prodhimit. Por ti përgëzoji durimtarët: ata që, kur i godet ndonjë e keqe, thonë: “Ne, jemi të Allahut, dhe vetëm tek Ai do të kthehemi.”. Vetëm këta kanë nga Zoti i tyre bekime dhe mëshirë, dhe vetëm këta janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” [Bekare 155 - 157]. Katadja vijon me komentimin: “Domethënë, njeriu do të sprovohet patjetër me diçka, qoftë ajo sprovë te pasuria, te vetja, fëmijët ose familja e tij. Gjithashtu, besimtari sprovohet në varësi të fesë dhe të besimit që ka.” - Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve. - Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët që mbërritën në Medinë, përpara se të ndodhte lufta e Bedrit, se ata do të sprovoheshin dhe do të provonin vështirësi dhe mundime nga ithtarët e Librit dhe idhujtarët. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të jenë të përmbajtur dhe të duruar, falës dhe tolerantë, derisa Ai të sjellë çlirimin e plotë dhe triumfin e Islamit. Kështu, duke i ngushëlluar dhe qetësuar zemrat e besimtarëve, Allahu i Madhëruar thotë: - Por në qoftë se duroni dhe ruheni, kjo është prej çështjeve më të rëndësishme. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Usame Ibn Zejdi, i cili ka thënë: 612 . “Profeti i Allahut dhe shokët e tij tregoheshin falës të përmbajtur dhe durimtarë me idhujtarët dhe ithtarët e Librit, ashtu sikurse i urdhëroi Allahu i Lartësuar. Ata bënin durim shumë të madh kundrejt mundimeve që ata u sillnin (në fjalë dhe sjellje).” Allahu i Lartësuar thotë: “Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve.” Profeti ﷺ urdhëronte për tolerancë dhe falje, duke zbatuar porosinë që i kishte dhënë Allahu i Lartësuar. Kështu veproi i Dërguari, derisa Allahu i Madhëruar i dha leje për të luftuar kundër tyre.” Kështu e ka përmendur

shkurtimisht Usame Ibnu Zejdi këtë hadith. Më vonë, kur ndodhi lufta e Bedrit dhe Profeti ﷺ vrau në të krerët më të mëdhenj të mohuesve kurejshë, atëherë kryemunafiku Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, si edhe idhujtarët dhe munafikët që ishin së bashku me të thanë: “Kjo kauzë (Islami) tashmë është bërë e fuqishme dhe është përhapur.” Për këtë arsye, ata i dhanë besën Profetit ﷺ , duke u shtirur sikur pranuan Islamin. Kështu, çdokush i cili urdhëron për të mira e ndalon nga të këqijat, patjetër do të spovohet me të tilla fjalë dhe mundime, siç u sprovua Profeti i Allahut. I vetmi ilaç kundër këtyre ngacmimeve dhe mundimeve është durimi, mbështetja e plotë tek Allahu i Lartësuar, kthimi me pendesë tek Ai, me bindje, nënshtrim dhe adhurime të sinqerta.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:185

- “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. ” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na nxit që të tregohemi të përmbajtur kundrejt kësaj dynjaje, duke na kujtuar se ajo një ditë do të fanitet e do të zhduket. Kënaqësitë dhe joshjet e saj janë veçse një përjetim i shkurtër dhe mashtrues. Çdokush që sprovohet me stolitë e saj, bie pre e kurtheve të saj dhe verbohet nga bukuritë e saj, harron që ajo do të largohet prej tij dhe ai do të largohet prej saj, për të shkuar në destinacionin përfundimtar të tij. Më pas, Allahu i Lartësuar na kujton ditën e vështirë dhe plot ankth të Kijametit, ditë kur do të jepet i plotë dhe me drejtësi shpërblimi i veprave të kryera në këtë jetë: o i mirë, o i keq, sipas meritës. - “Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues. ” – Domethënë, ka shpëtuar nga ndëshkimi i dhimbshëm dhe ka për të hyrë në Xhenetin e mirësive të pafundme. Ka fituar të drejtën për të jetuar në vendet e stolisura me bukuri, që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk i ka përfytyruar. I kuptuar nga ana e kundërt, ajeti tregon se kush nuk shpëton prej Zjarrit dhe nuk futet në Xhenet, nuk ka dalë aspak i fituar. Kjo do të thotë se ai do të jetë i dëshpëruar dhe i dënuar përjetësisht. Ky ajet përmban një argument të bukur rreth vërtetësisë së shpërblimit në jetën e varrit ( berzaħ). Çdokush do të shpërblehet pjesërisht gjatë jetës në varr për veprat që ka bërë. Kjo kuptohet nga fragmenti: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se shpërblimi i plotë do të jetë vetëm Ditën e Gjykimit. Ndërsa një shpërblim i pjesshëm, kuptohet nga ajeti, do të jetë gjatë jetës së varrit. Jo vetëm kaq, por një pjesë të shpërblimeve, i Drejti dhe Bamirësi ua dhuron njerëzve që në këtë jetë, para vdekjes, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne do t’i bëjmë ata të ‘shijojnë’ dënimin më të shpejtë (në dynja), para dënimit të madh (në ahiret)...”. [Sexhde 21].

← Ali Imran 3:185