3. Ali Imran · Ajeti 186 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:181–3:189

Kur qe shpallur ajeti i Kur'anit:... kush i huazon Allahut një hua të mirë..., njëfarë prijësi fetar i jehudive, Fenhas Azuaru i paska thënë Ebu Bekrit: Zoti qenka i varfër pasi po kërkon hua. Ebu Bekri i mëshon grusht në fytyrë dhe i thotë: sikur të mos ishte në fuqi marrëveshja për paqë ndërmjet nesh e jush, kisha për ta dredhur qafën. Jehudiu shkoi te Pejgamberi dhe u ankua kundër Ebu Bekrit. Pejgamberi e pyeti Ebu Bekrin për sjelljen, e tij. Ebu Bekri i tregoi se çka tha ai, por jehudiu e mohoi thënien, atëherë u shpall ky ajet: Allahu dëgjoi thëniet... dhe u vërtetua drejtësia e Ebu Bekrit.

Jehuditë bënë shpifje edhe ndaj Zotit, duke thënë se Ai u ka thënë: të mos besojnë pejgamber tjetër pas Musait, as Isanë, as Muhammedin dhe ashtu të vërtetën që e kishin në Tevrat e fshehën, madje edhe mburreshin për atë sukses të tradhëtisë që e bënë ndaj librit të tyre.

Myslimanët porositen të jenë të qëndrueshëm, të matur me rastin e sprovimit me çështje të ndryshme të kësaj jete, sepse maturia dhe durimi në zgjedhjen e çështjeve është kulmi i karakterit njerëzor.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:185–3:186

- Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. - Allahu i Lartësuar i njofton të gjithë krijesat e Tij se çdo shpirt ka për ta shijuar vdekjen. Kjo ngjan me ajetin tjetër, që thotë: “Çdo gjë që ndodhet në të, ka për t’u zhdukur, e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit tënd, që është i Madhëruar e Bujar.” “Rrahman 26, 27]. Kështu, Allahu i Lartësuar është i vetmi i gjallë që nuk vdes kurrë, ndërsa xhindët dhe njerëzit të gjithë do të vdesin. Po kështu edhe melekët, edhe Mbajtësit e Arshit do të vdesin një ditë, dhe atëherë do të mbetet i Vetmi, i Pamposhturi, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje, i Cili është i Përjetshëm, i Pavdekshëm dhe që do të mbetet gjithmonë. Ai është i Fundit ( El Ahiru), pas të Cilit nuk ka asgjë. Kjo do të jetë dita (Dita e Kijametit) kur Allahu do të jetë i vetmi që do të jetë i gjallë, - ashtu sikurse Ai ishte i Pari që s’ka fillim, - ndërkohë që çdo gjë tjetër e ka një fillim dhe, si e tillë, çdo gjë është krijesë e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është një ngushëllim i madh për të gjithë njerëzit, duke i njoftuar se askush nuk do të mbetet në faqen e tokës i gjallë, por të gjithë do të vdesin. Kur të vijë dita e fundit, atëherë kur të gjithë do të vdesin, Allahu i Lartësuar do të bëjë Kijametin dhe pastaj ringjalljen e krijesave. Ajo është dita kur Ai do t’i marë ata në llogari e do t’i gjykojë me drejtësi. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” - Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. - Domethënë,

ai që i shpëton zjarrit të Xhehenemit dhe Allahu i Madhëruar, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, e fut në Xhenet, ky njeri - mund të thuhet me të drejtë se - i ka fituar të gjitha mirësitë dhe ka shpëtuar nga çdo e keqe. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: 610. “Gjurma që lë një shkop (i besimtarit) në Xhenet, është më e mirë se e gjithë dynjaja me gjithçka në të.” Dhe pastaj lexoi këtë ajet: “Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar.” - Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues.” - Kjo tregon se sa e vogël, e parëndësishme dhe e nënçmuar është dynjaja. Ajo tregon, gjithashtu, për faktin se kjo botë do të zhduket një ditë, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin. Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” Profeti ﷺ ka thënë: 611 . “Për Zotin! Dynjaja në krahasim me ahiretin është sikur dikush zhyt gishtin e tij në det. Le të shohë se sa ujë ka marrë gishti (nga i gjithë deti)!” Kuptimi është se dynjaja është një kënaqësi, e cila një ditë do të zhduket: që ti do të largohesh prej saj (prej plakjes ose vdekjes), ose ajo do të largohet prej teje (duke u varfëruar, etj). Betohem në Allahun, që nuk ka Zot tjetër që meriton adhurimin përveç Tij, se ajo është bërë gati të shkatërrohet dhe të largohet nga banorët e saj. Merrni prej ditëve të kësaj dynjaje dhe grumbulloni prej saj veprat e mira e bindjen ndaj Allahut! Por dijeni mirë se: “Nuk ka forcë e ndryshim të gjendjes së robit ndryshe, por veçse me ndihmën e Allahut”, prandaj kërkojini dhe mbështetjuni vetëm Allahut për të marrë nga kjo dynja atë që do t'ju shërbejë në ahiret! Luteni Allahun që t'ju japë forcë për të punuar në të sipas bindjes ndaj Tij dhe të nënshtruar sipas ligjit e urdhëresave të Tij. - Ju patjetër do të sprovoheni në pasuritë dhe në veten tuaj. - Katadja ka thënë se ky ajet ngjan me ajetin tjetër, ku Allahu të Lartësuar thotë: “Ne do t’ju sprovojmë ndonjëherë me frikë, me uri, me humbje në pasuri ose në njerëz dhe me pakësim të prodhimit. Por ti përgëzoji durimtarët: ata që, kur i godet ndonjë e keqe, thonë: “Ne, jemi të Allahut, dhe vetëm tek Ai do të kthehemi.”. Vetëm këta kanë nga Zoti i tyre bekime dhe mëshirë, dhe vetëm këta janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” [Bekare 155 - 157]. Katadja vijon me komentimin: “Domethënë, njeriu do të sprovohet patjetër me diçka, qoftë ajo sprovë te pasuria, te vetja, fëmijët ose familja e tij. Gjithashtu, besimtari sprovohet në varësi të fesë dhe të besimit që ka.” - Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve. - Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët që mbërritën në Medinë, përpara se të ndodhte lufta e Bedrit, se ata do të sprovoheshin dhe do të provonin vështirësi dhe mundime nga ithtarët e Librit dhe idhujtarët. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të jenë të përmbajtur dhe të duruar, falës dhe tolerantë, derisa Ai të sjellë çlirimin e plotë dhe triumfin e Islamit. Kështu, duke i ngushëlluar dhe qetësuar zemrat e besimtarëve, Allahu i Madhëruar thotë: - Por në qoftë se duroni dhe ruheni, kjo është prej çështjeve më të rëndësishme. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Usame Ibn Zejdi, i cili ka thënë: 612 . “Profeti i Allahut dhe shokët e tij tregoheshin falës të përmbajtur dhe durimtarë me idhujtarët dhe ithtarët e Librit, ashtu sikurse i urdhëroi Allahu i Lartësuar. Ata bënin durim shumë të madh kundrejt mundimeve që ata u sillnin (në fjalë dhe sjellje).” Allahu i Lartësuar thotë: “Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve.” Profeti ﷺ urdhëronte për tolerancë dhe falje, duke zbatuar porosinë që i kishte dhënë Allahu i Lartësuar. Kështu veproi i Dërguari, derisa Allahu i Madhëruar i dha leje për të luftuar kundër tyre.” Kështu e ka përmendur

shkurtimisht Usame Ibnu Zejdi këtë hadith. Më vonë, kur ndodhi lufta e Bedrit dhe Profeti ﷺ vrau në të krerët më të mëdhenj të mohuesve kurejshë, atëherë kryemunafiku Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, si edhe idhujtarët dhe munafikët që ishin së bashku me të thanë: “Kjo kauzë (Islami) tashmë është bërë e fuqishme dhe është përhapur.” Për këtë arsye, ata i dhanë besën Profetit ﷺ , duke u shtirur sikur pranuan Islamin. Kështu, çdokush i cili urdhëron për të mira e ndalon nga të këqijat, patjetër do të spovohet me të tilla fjalë dhe mundime, siç u sprovua Profeti i Allahut. I vetmi ilaç kundër këtyre ngacmimeve dhe mundimeve është durimi, mbështetja e plotë tek Allahu i Lartësuar, kthimi me pendesë tek Ai, me bindje, nënshtrim dhe adhurime të sinqerta.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:186

- “Ju patjetër do të sprovoheni në pasuritë dhe në veten tuaj. ” - Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve, për t’i

bërë me dije se do të sprovohen në pasuritë e tyre. Sprovë në pasuri janë shpenzimet apo dhëniet e detyrueshme dhe të pëlqyeshme, që robi duhet t'i bëjë për hir të Allahut. Shpesh, për hir të Allahut të Lartësuar, ai do të duhet të sakrifikojë apo ndoshta edhe ta humbasë pasurinë e tij. I Urti tregon, gjithashtu, se do të sprovohemi edhe në vetet tona. Këtu hyjnë detyrimet dhe dispozitat e ndryshme të kësaj feje madhështore, të cilat janë shpeshherë të vështira për t'u mbajtur dhe për t'u përmbushur, si lufta në rrugën e Allahut etj., kur rrezikohet jeta e pasuria, kur kërcënohemi me vrasje, burgim, tortura, diskriminim, plagosje, robërim etj. Sprova në vetet tona janë edhe sëmundjet e ndryshme, që na mundojnë, frikësojnë, të cilat na godasin vetë ne ose të afërmit e të dashurit tanë etj. - “Ju do të dëgjoni shumë fyerje prej atyre që u është dhënë Libri para jush dhe prej idhujtarëve. ” - Fjala ‘ofendim’ përfshin të gjitha fyerjet kundrejt besimtarëve, si për shembull, fyerjet për Kur’ânin, Profetin dhe fenë Islame. Në këtë paralajmërim që Allahu i Urtë dhe i Dashur u drejton besimtarëve, ka dobi e urtësi të shumta. Ndër to mund të themi se sprova bëhet për t'u dalluar qartë besimtarët e sinqertë nga gënjeshtarët dhe shtirakët. Allahu i Urtë dhe i Lartësuar i përcakton sprovat edhe për t’u krijuar adhuruesve të Tij të sinqertë mundësi të mrekullueshme për t'i pastruar nga gjynahet, për t'ua mbuluar mangësitë dhe gabimet, për t'ua shtuar besimin, si edhe për t’u forcuar sigurinë rreth vërtetësisë së Kur’ânit dhe Profetit të Tij. Atyre do t'u shtohet siguria, sepse do të shohin të zbatohet në realitet ato çka Zoti i tyre i vetëm i ka paralajmëruar para se të ndodhin. Ata me siguri do të thonë sikurse na tregon i Madhëruari: “Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu). ”. [Ahzab 22]. Allahu i Lartësuar i paralajmëron besimtarët për të tilla sprova, me qëllim që zemrat e tyre të jenë gati kur ato të ndodhin realisht dhe që ata të jenë të durueshëm në momentin e duhur. Nëse ata përgatiten shpirtërisht dhe psikologjikisht për të tilla vështirësi, pa dyshim që do të jenë më të qëndrueshëm, pa dyshim që do të nxitojnë drejt dyerve të durimit dhe devotshmërisë, për t'u strehuar në kështjellën e pathyeshme të besimtarit. Edhe i Madhëruari na udhëzon drejt kësaj kështjelle, kur thotë: - “Por në qoftë se duroni dhe ruheni...” - Pra, duhet të bëni durim në të gjitha këto sprova që u përmendën: në pasurinë dhe në jetën tuaj, si edhe në mundimet me fjalë e vepra që pësoni prej të padrejtëve. Megjithatë, përveç durimit, duhet pajiseni me devotshmëri ndaj Allahut. Durimi i duhur është ai me të cilin kërkohet kënaqësia e Allahut dhe që është brenda kufijve të Sheriatit. Nuk lejohet të bësh durim atëherë kur situata kërkon zbatim të

dispozitave të Zotit. Madje, ka raste kur i duhet treguar vendi armiqve të Allahut dhe të fesë së Tij, sikurse e përcakton Sheriati i drejtë. Më pas, Allahu i Lartësuar na thotë se, po të jemi të duruar dhe pajisemi me devotshmëri, brenda kritereve të vendosura nga Sheriati, atëherë: - “…kjo është prej çështjeve më të rëndësishme.” - Kjo është arritja më e madhe. Pra, durimi dhe devotshmëria janë nga ato veti, për të cilat duhet të garosh dhe të përkushtohesh seriozisht për t'i arritur. Ato janë maja që i arrijnë veçse të sinqertët me vullnet të çeliktë, që vështrojnë dhe qëndrojnë shumë më lart nga të tjerët, sikurse thotë i Lartësuari: “ E kush është më fjalëmirë se ai që thërret njerëzit në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam musliman.”? E mira nuk mund të jetë e barabartë me të keqen. Largoje atë (të keqen) me çfarë është më e mirë, sepse atëherë, edhe ai, me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç atyre që janë durimtarë; dhe askush, përveç atyre që kanë fat të madh.” [Fusilet 33-35].

← Ali Imran 3:186