3. Ali Imran · Ajeti 190 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:190–3:200

Në fillim të kësaj kaptine u sollën argumente që dokumentojnë për njësinë e Zotit, për pozitën e rëndësishme të pejgamberit, e edhe në fund të saj sillen fakte për Zotin një, për fuqinë e Tij në krijimin e çdo qenieje a sendi, ashtu që përmes këtyre fakteve, njeriu mund të fitojë bindje të plotë se Ai ka fuqi të ringjallë, t'i tubojë të gjithë para Vete, t'i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira dhe t'i ndëshkojë kokëfortit dhe zullumqarët.

Qëllimi i Kur'anit si në kaptinat tjera, ashtu edhe në këtë, është: që tërheqjen e zemrave dhe të shpirtërave ta sjellë në njohjen e Krijuesit përmes vështrimit të krijaturës në përgjithësi, prandaj këto ajete të fundit të kësaj sureje, erdhën të atillë që orientojnë vështrimin e njeriut kah gjithësia në mënyrë që atij t'ia forcojnë edhe më shumë bindjen për fuqinë e pakufishme të Krijuesit.

Kur'ani u thotë njerëzve lexoni librin e shkruar, të rreshtuar të Allahut (Kur'anin), e pastaj lexoni dhe vështroni librin praktik të Allahut, gjithësinë, ekzistencën, sepse në rreshtat e Kur'anit gjeni plot shprehje që u thërrasin t'i futni në shërbimin e vet shqisat dhe ta angazhoni e ta thelloni mendjen në të menduar deri sa ta gjeni dhe ta njihni të vërtetën.

Allahu na mëson se si duhet lutur Atij, por kur e jep përgjigjen nuk thotë se i pranoi të gjitha ato, por thotë se mundin e askujt nuk ia humb pa dallim gjinie. Me këtë na bën të kuptojmë se nevojitet përpjekja së bashku me lutje, e jo vetëm boshe. Përjetimet e kësaj bote janë krejt pak gjësend në krahasim me ato të botës tjetër, të cilat janë të përjetshme, të amshueshme dhe shumë më të mira, prandaj nuk duhet mashtruar pas kënaqësive të kësaj bote, e lënë rrugën e Zotit. Ata, të cilët e kanë veten në dorë, do të gëzojnë pritje madhështore tek Allahu mëshirues, e të mashtruarit, duke e lënë pas dore porosinë e Allahut, pas kënaqësive të kësaj bote, do të përjetojnë mjerim të madh.

Në fund besimtarët porositen: të jenë të durueshëm në çështjet e veta personale, të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në çështjet që kanë të bëjnë me rrethin, botën e jashtme, të jenë gjithnjë të përgatitur kundër armikut fizikisht e edhe shpirtërisht dhe të jenë respektues të urdhërave të Allahut, nëse duan të korrin sukses në të dy jetërat. Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i shkurtër i kaptinës Ali Imran: falënderoj Allahun e Madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:190–3:194

- Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend. - Vështroni qiejt, me lartësinë dhe gjerësinë e tyre! Vështroni edhe Tokën, se si Allahu e ka shtruar dhe e ka bërë të ngjeshur. Vështroni të gjitha ato shenja të dukshme madhështore, që Allahu i Madhëruar ka vendosur mes Tokës dhe qiejve: yjet dhe planetet që lëvizin apo ato që qëndrojnë; detet, tokën e thatë, kafshët, bimësinë, mineralet e shumta dhe dobitë e panumërta të llojllojshme, që janë të ndryshme në shijen, ngjyrat dhe aromat e tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: "...dhe në ndryshimin e natës e të ditës...". Pra, vështroni ndërrimin e natës dhe të ditës dhe ndryshimet e shumta mes tyre. Shikoni se si ato zgjaten dhe shkurtohen apo edhe kur janë të barabarta me njëra tjetrën. Domethënë, të gjitha këto janë përcaktim i Allahut, që është Krenari, Ngadhënjimtari dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Ai është i Gjithëdituri për gjithçka që Ai ka krijuar dhe çdo rregull që ka vendosur. Allahu i Madhëruar thotë: "...ka argumente të qarta për ata që kanë mend." Në të gjitha këto shenja, ka dëshmi të qarta për ata që janë të ditur e që vështrojnë me kujdes. Përfituesit e vetëm janë mendjet e shëndosha e të pastra, të cilat arrijnë të shohin dhe konceptojnë drejt realitetin e gjërave. Këta nuk janë si shurdhët dhe memecët, të cilët nuk logjikojnë; nuk janë si ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: "Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën." [Jusuf 105]. Ose: "Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari." [Jusuf 106]. Në vijim, Allahu i Lartësuar përshkruan të urtët dhe të mençurit, duke thënë: - Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. - Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Umran Ibn Husejni, se Profeti ﷺ ka thënë: 618 . “Falu në këmbë! Nëse nuk mundesh, falu ulur! Nëse nuk mundesh, atëherë falu i mbështetur në krah!” Kështu, ata nuk i sheh asnjëherë që ta ndërpresin përmendjen e Zotit në të gjitha gjendjet e tyre, qoftë në vetvete, me zemër dhe me mendje, qoftë me gjuhë. - Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je i pastër nga çdo e mete. Na ruaj prej dënimit të Zjarrit! - Ata arrijnë që ta kuptojnë qartë dhe ta shohin kthjell ët këtë krijim të qiejve dhe të Tokës, ato urtësi të mrekullueshme dhe madhështore, të cilat janë treguese të madhështisë së Krijuesit. Ato tregojnë, gjithashtu, diturinë absolute dhe urtësinë e gjerë dhe të pashembullt të Tij. Ato tregojnë se është Allahu i Lartësuar Ai që vendos dhe zgjedh për gjithçka që ekziston në këtë botë. Por ato dëshmojnë edhe për mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse. Sufjan Ibn Ujejneh ka thënë: “Forca medituese dhe mprehtësia e të menduarit është dritë, që hyn në zemrën tënde. Ndoshta kjo dritë mund të shprehet ndryshe edhe me këto vargje. Kushdo që zotëron mprehtësi në mendim, çdo gjë që ai sheh, prej saj merr mësim. Përcillet se Ibn Abasi ka thënë: “Dy rekatë namaz, qoftë edhe të shkurtër, por duke medituar dhe duke qenë i përqendruar me mendjen, zemrën dhe shpirtin tënd, janë më të mirë se të falesh gjatë gjithë natës me zemër të shpërqendruar.” Kur dëshironte që të përmirësonte zemrën e vet, Ibn Umeri shkonte në një vend të shkretë (ose në varreza mbase), qëndronte në hyrje të tij dhe thërriste me një zë të trishtuar dhe të dhimbshëm: "Ku janë banorët e tu! Ku janë banorët e tu!" Pastaj i kthehej vetvetes dhe thoshte: " Çdo gjë, përveç Atij do të

zhduket. Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” [Kasas 88]. El Haseni përcjell se Amir Ibn Abdul Kajsi ka thënë: “Kam dëgjuar - jo një, as dy e as tre, - por shumë nga sahabët e Profetit ﷺ ,që thoshin: “Me të vërtetë, nuri i besimit është pikërisht ai që quhet tefekkur, pra, meditimi dhe përsiatja thellë me zemër.” Allahu i Madhëruar i ka qortuar rëndë ata të cilët nuk nxjerrin mësime nga krijesat e Tij, që janë dëshmi e qartë e ekzistencës së Tij, na tregojnë për cilësitë e Tij të mrekullueshme, na tregojnë për Sheriatin që Ai ka zgjedhur për ne dhe për kaderin e Tij, pra, për ligjin e ekzistencës dhe të funksionimit të saj. Krijesat janë shenjat madhështore të Allahut të Madhëruar: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën. Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari.” [Jusuf 105, 106]. Nga ana tjetër, Ai i ka lavdëruar robërit e Tij besimtarë, duke thënë: " Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës". Pra, meditojnë mbi krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe thonë: “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot, nuk e ke krijuar pa qëllim. Përkundrazi, e ke krijuar për një të vërtetë të madhe: për t’i ‘shpërblyer’ ata që bëjnë vepra të këqija me ndëshkim, dhe për t’i shpërblyer ata që bëjnë vepra të mira me mirësi të mëdha.” Pastaj këta të zgjedhur, që meditojnë mbi krijesat e Allahut, e dëlirësojnë Allahun e Madhëruar nga çdo mangësi dhe çdo vepër kotësie, duke thënë: "Ti je i pastër nga çdo e metë! I Dëliri je Ti, o Zot! Nuk ka mundësi që Ti të krijosh diçka, pa një qëllim të lartë, që të zbulojë të vërtetën dhe drejtësinë. Gjithçka që ke krijuar është e drejtë, tregon drejtësinë dhe është ndërtuar mbi drejtësinë. Ti je i Pastër dhe i Dëlirë nga të gjitha mangësitë dhe kotësitë.” 160 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: "Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” Na ruaj me forcën dhe pushtetin tënd për të ndryshuar gjendjen! Me pushtetin Tënd për të dhuruar gjithçka, na e lehtëso që të bëjmë ato vepra me të cilat Ti je i kënaqur! Na udhëzo, o Zot, përmes këtyre veprave, në kopshtet e mirësive dhe na ruaj nga ndëshkimi Yt i dhembshëm! Pastaj ata thonë: - Zoti ynë! Atë që Ti e fut në Zjarr, e ke mbuluar me turp. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. - Atë e ke poshtëruar përpara të gjithë krijesave, që do t’i tubosh Ditën e Gjykimit. Zullumqarët nuk kanë ndihmës atë ditë. Ata nuk mund të gjejnë mbrojtës, që t’i strehojë dhe mbrojë prej Teje dhe ndëshkimit Tënd, o Zot! Ata ata nuk mund t’i shpëtojnë dhe nuk mund t’i fshihen ndëshkimit Tënd! - Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): “Besoni në Zotin!” e ne besuam. - Ne dëgjuam një thirrës, që na ftonte të besonim, dhe ai ishte Profeti, i cili thoshte: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe ne të besuam, o Zoti ynë! Kështu, ne iu përgjigjëm Profetit dhe pasuam rrugën dhe Sheriatin, që ai e solli prej Teje. - Zoti ynë, na i fal gjynahet tona, nai mbulo të metat, - Për hir të imanit tonë dhe meqë iu përgjigjëm thirrjes për të pasuar Profetin Tënd, na i fal gjynahet dhe na i mbulo ato, o Zoti ynë! Na i mbulo dhe na i fal të këqijat që kemi bërë në raportin tonë me Ty! - ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët! - Na bashko me ata që ishin punëmirë (es-sâlihin). - Zoti ynë! Na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu - Përmes gjuhës së profetëve dhe shpalljeve, që sollën nga Zoti. - dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin.” - Mos na poshtëro, o Zot, përpara të gjitha krijesave në Ditën e Gjykimit, ditë për të cilën ke premtuar se do të ndodhë, dhe kjo nuk ka dyshim. Na jep, o Zot, atë që na ke premtuar, sepse Ti nuk e thyen premtimin, që ke dhënë nëpërmjet profetëve të Tu! Qëndrimi para Teje do të ndodhë, dhe kjo nuk asnjë ka dyshim! Është përcjellë saktësisht fakti se Profeti ﷺ i lexonte këto ajete kur ngrihej për të falur namaz nate.

Buhariu sjell këtë rrëfim nga Ibn Abasi (r.a): 619 . “Isha një ditë tek halla ime, Mejmunete. Atje, Profeti ﷺ ,pasi bisedoi me familjen e tij për njëfarë kohe, u shtri për të fjetur gjumë. Kur erdhi një e treta e fundit e natës, ai u ngrit, qëndroi ulur dhe duke vështruar drejt qiellit, tha: “Në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” Pastaj u ngrit, mori abdes dhe përdori misvakun, pastaj fali 11 rekatë. Pastaj, Bilali thirri ezanin dhe ai fali edhe dy rekatë të tjerë. Më pas, ai doli dhe fali me njerëzit namazin e sabahut.” Kështu e ka sjellë Muslimi, ndërsa Ebu Daudi e sjell me versione të tjera përmes rrugës së Marhames. Ibn Merdevejhi përcjell nga Atau, i cili ka thënë: 620 . “Një ditë, së bashku me Ibn Umerin dhe Ubejd Ibn Umejrin, shkuam tek Aishja , - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! -. Mes nesh dhe asaj ishte një perde. Ajo tha: “O Ubejd, përse nuk vjen më shpesh vizitë tek ne?” Ubejdi tha: "Si thonë fjalët e atij poeti: ‘Vizito më rrallë, që të kesh më shumë dashuri dhe që dashuria të jetë më e madhe.’ Ibn Umeri tha: “Na trego për gjënë më të çuditshme që ke parë nga Profeti i Allahut!” Atëherë, Aishja qau dhe tha: “E gjithë jeta e tij ishte e çuditshme. Erdhi njëherë vonë gjatë natës sime [radha ime], e m’u afrua aq sa lëkura e tij preku lëkurën time. Pastaj më tha: “Më lejo, të lutem, që të ngrihem dhe të adhuroj Zotin tim Krenar dhe të Lartësuar!” Unë i thashë: Për Zotin! Unë vërtet dëshiroj që të jem pranë teje, por dëshiroj, gjithashtu, edhe që ti ta adhurosh Zotin tënd!” Ai u shkoi tek ena me ujë dhe mori abdes, pa e tepruar me harxhimin e ujit, pastaj u ngrit dhe nisi të falej. Lotoi aq shumë gjatë namazit, saqë iu njom edhe mjekra, ndërsa kur ra në sexhde, lagu edhe tokën. Pastaj u shtri në krah, dhe sërish qante, derisa erdhi Bilali, që të thërriste ezanin për namazin e sabahut. Thotë Aishja: “O i Dërguari i Allahut, - tha Bilali -! Përse qan ti, kur dihet që Allahu të ka falur gjynahet e shkuara dhe ato të mëvonshmet?!” Profeti i Allahut i tha: “I gjori ti, o Bilal! E si të mos qaj, kur Allahu më zbriti sot këto ajete: “Në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë mend. ...”” Pastaj tha: “Mjerë për atë që i lexon ato dhe nuk mediton rreth tyre!” Hasen Ibn Abdulazizi përcjell nga El Euzai se atë e kanë pyetur njëherë: “Cili është kutpimi, kur themi se duhet të meditojmë në këto ajete?” Ai u përgjigj: “Domethënë, ti lexosh ato me kujdes, që të mund t’i kuptosh qartë dhe meditosh rreth tyre. Ky është meditimi.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:190–3:194

- “Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ...” - Ky ajet është nxitje për adhuruesit, që ata të mendojnë thellë rreth këtyre shenjave madhështore, siç është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shenja të tjera. Në këtë ajet, fjala ‘âjât’ - argumente është në trajtën e pashquar, domethënë, nuk është përcaktuar se për çfarë drejtimi shërbejnë këto argumente. Kjo është bërë, së pari, për të treguar se argumentet e përfituara nga vrojtimi dhe meditimi mbi krijimin e qiejve dhe tokës janë të shumta dhe, së dyti, për të treguar se ato argumente janë gjithëpërfshirëse e jo vetëm për një lëmë të caktuar dijesh. Është e vërtetë se shenjat që shfaqen në qiej dhe në tokë mrekullojnë çdo vështrues. Ato janë shumë bindëse për ata që mendojnë thellë rreth tyre dhe janë tërheqëse e lumturuese për zemrën e çdo njeriu të sinqertë. Ato udhëzojnë mendjet e ndritura rreth qëllimeve dhe të vërtetave hyjnore. Krijesat mund të shohin në këto shenja aq sa u ka mundësuar i Urti, ndërsa për sa u përket imtësive që fshihen brenda tyre, krijesat nuk mund ta konceptojnë plotësisht, pasi të kuptuarit dhe njohuritë e tyre janë shumë të kufizuara. Megjithatë, diçka është shumë qartë: madhësia dhe gjerësia e qiejve dhe e Tokës, rregulli i përpiktë i çdo lëvizjeje të vendosur në të, dëshmojnë fort për madhështinë e Krijuesit të tyre dhe të pushtetit të Tij. Përpikmëria dhe rregulli fantastik që ekziston në qiej dhe në Tokë, bukuria e krijimit dhe detajet e mrekullueshme që shfaqen në çdo lëvizje brenda tyre janë dëshmues të padiskutueshëm për urtësinë e të Gjithëditurit, që vendos gjithçka në vendin që i takon, për dijen e Tij të pakufishme për gjithçka që ka krijuar. Çdo gjë e dobishme për krijesat që ndodhet në qiej në tokë dhe mes tyre, tregon për mëshirën dhe bujarinë e madhe të Mëshiruesit, si edhe për detyrën e falënderimit dhe të mirënjohjes ndaj Tij. Pa dyshim, të tilla përsiatje bëjnë që zemra e njeriut të lidhet ngushtë me Krijuesin e këtyre mrekullive, me Atë që i solli në ekzistencë pas inekzistencës, pa pasur nevojë për ndonjë shembull të mëparshëm. Këto shenja madhështore nxisin këdo që mendon drejt dhe me qetësi që të përpiqet maksimalisht për të kënaqur Allahun e Lartësuar, duke e adhuruar Atë si Një, të Vetëm e të Pashoq në çdo aspekt. Ato nxisin që robi t’i përkushtohet Allahut me dashuri, madhërim, frikërespekt, shpresë dhe bindje të plotë, duke iu larguar adhurimit dhe bindjes ndaj çdo krijese, e cila nuk ka asnjë pushtet dhe mundësi në qiej dhe në tokë. Çdo i krijuar është i varfër, i dobët dhe i pafuqishëm kundrejt Zotit të qiejve dhe të tokës. - “...ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” - Allahu i Lartësuar na thotë në këtë ajet se këto shenja ndikojnë vetëm tek të mençurit, të urtët e të maturit. Ata që përfitojnë vërtet prej shenjave të Zotit janë njerëzit që vështrojnë drejt tyre me sytë e mendjes, jo vetëm me sytë e ballit. Pastaj Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e këtyre fatlumëve: - “Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë.” – Ata e kujtojnë Allahun në çdo gjendje: kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë shtrirë apo të mbështetur. Këtu bëhet fjalë edhe për namazin, pra, ata e falin namazin në këmbë, e nëse nuk munden, e falin ulur, e nëse nuk munden as ulur, e falin shtrirë.

- “Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës... ” – Ata meditojnë rreth qëllimit të krijimit të tyre dhe i shohin si argumente të qarta. Kjo tregon se meditimi për nxjerrjen e urtësive apo dobive të krijimit konsiderohet si adhurim, madje si një nga cilësitë më të spikatura të të dashurve të Allahut. Kur meditojnë rreth këtyre shenjave, ata dalin në përfundimin se çdo gjë nuk është krijuar kot e pa qëllim, prandaj thonë: - ““Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je i pastër nga çdo e mete.” – Kuptimi: Mangësia në emrat, cilësitë dhe veprat e Allahut është e pamundur. - “Na ruaj prej dënimit të Zjarrit! ” - Kuptimi: Na ruaj nga dënimi i Zjarrit, duke na ruajtur në këtë jetë nga mendimet, fjalët dhe veprat e këqija, si dhe duke na dhënë sukses për vepra të mira. Vetëm me suksesin dhe mëshirën e dhuruar prej Teje mund të shpëtojmë nga Zjarri. Kërkesa për të shpëtuar nga Zjarri është në vetvete edhe lutje për t'u futur në Xhenet. Kështu, frikërespekti në zemrat e medituesve i shtyn ata që të luten për gjërat më të rëndësishme. - “Zoti ynë! Atë që Ti e fut në Zjarr, e ke mbuluar me turp.” - Atë që i Gjithëdituri, i Urti e i Drejti e fut në Zjarr, ai do të jetë i poshtëruar, sepse meriton zemërimin dhe dënimin e të Gjithëmëshirshmit. Ai do të jetë i poshtëruar, për shkak të zemërimit të Allahut, të melekëve dhe të të dashurve të Allahut. Ata do të turpërohen përpara gjithë krijesave dhe kurrë nuk mund t'i shmangen këtij poshtërimi. Askush nuk do të mund t'i shpëtojë ata nga ky turp. I Madhëruari ua kujton atyre këtë fakt, kur thotë: - “Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” - E kush mund t'i shpëtojë ata nga ndëshkimi i të Urtit, të Drejtit?! Fjala ‘dhalimin’ pra keqbërës dhe i padrejtë, tregon se ata do të hyjnë në Zjarr për shkak të ligësive dhe padrejtësisë së tyre. - “Zoti ynë ! Ne dëgjuam një thirrës që ftonte për Besim (e që thoshte) : “Besoni në Zotin! ”” - Këtu është fjala për Muhamedin (a.s.), sepse ai i ftoi njerëzit në besimin e pastër monotesit dhe i nxiti ata që ta pasojnë rrugën e shpëtimit. Ai i tregoi të gjitha piketat e kësaj rruge. Profeti (a.s.) sqaroi si themelet e besimit të vërtetë ashtu edhe degëzimet e tij. - “E ne besuam!” – Kuptimi: Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe shpejtuam drejt udhës së treguar prej tij. Në këtë lutje të mrekullueshme që këta fatlumë i drejtojnë Allahut të Lartësuar ka ngjyra të forta mirënjohjeje dhe dashurie për Atë që u dhuroi besimin. Ajo është gjithashtu një kërkesë me edukatë, përgjërim dhe përulje, që Allahu t'ua vazhdojë dritën që ua ka dhënë fillimisht. Ky është një ndërmjetësim i mrekullueshëm tek i Madhëruari me një nga mënyrat më të bukura të ndërmjetësimit: me veprat e mira të kryera për hir të Tij . Është vetëm suksesi i falur nga Bujari, që i bëri këta njerëz që të luten me të tilla fjalë. - “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona, na i mbulo të metat, ” - Pra, pas kësaj hyrjeje me edukatë, vjen lutja për falje e mbulim

gjynahesh dhe lutja për sukses në kryerjen e veprave të mira, të cilat i fshijnë të këqijat. Kjo është shprehje e bindjes së patundur se Ai që u dhuroi mirësinë e besimit të pastër dhe të vërtetë , po Ai do t'ua japë shpëtimin e përjetshëm. - “...ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët!” - Ata i luten Allahut që t’u japë sukses në kryerjen e të mirave dhe në lënien e të këqijave, sepse vetëm në këtë mënyrë robi mund të quhet ‘vepërmirë’. Kjo është, gjithashtu, lutje për të qenë i vazhdueshëm e sistematik në këtë rrugë të mirë, deri në vdekje. - “Zoti ynë! Na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të Dërguarve të Tu dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin .” - Këta fatlumë, pasi kujtojnë me falënderim dhe mirënjohje të thellë suksesin që Allahu i Lartësuar u ka dhënë me udhëzimin në besim, dhe pasi i luten që t'ua plotësojë deri në fund këtë mirësi, ata kërkojnë shpërblimin që Allahu u ka premtuar nëpërmjet profetëve të Tij, - që t'i ndihmojë dhe t'i bëjë fitues në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër t’i shpëtojë nga çdo e keqe dhe t’u japë mirësitë e pafundme në Xhenet. Dhe Allahu i Lartësuar nuk e shkel kurrë premtimin, prandaj Ai i përgjigjet lutjes së tyre dhe i mëshiron ata.

← Ali Imran 3:190