3. Ali Imran · Ajeti 195 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:190–3:200

Në fillim të kësaj kaptine u sollën argumente që dokumentojnë për njësinë e Zotit, për pozitën e rëndësishme të pejgamberit, e edhe në fund të saj sillen fakte për Zotin një, për fuqinë e Tij në krijimin e çdo qenieje a sendi, ashtu që përmes këtyre fakteve, njeriu mund të fitojë bindje të plotë se Ai ka fuqi të ringjallë, t'i tubojë të gjithë para Vete, t'i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira dhe t'i ndëshkojë kokëfortit dhe zullumqarët.

Qëllimi i Kur'anit si në kaptinat tjera, ashtu edhe në këtë, është: që tërheqjen e zemrave dhe të shpirtërave ta sjellë në njohjen e Krijuesit përmes vështrimit të krijaturës në përgjithësi, prandaj këto ajete të fundit të kësaj sureje, erdhën të atillë që orientojnë vështrimin e njeriut kah gjithësia në mënyrë që atij t'ia forcojnë edhe më shumë bindjen për fuqinë e pakufishme të Krijuesit.

Kur'ani u thotë njerëzve lexoni librin e shkruar, të rreshtuar të Allahut (Kur'anin), e pastaj lexoni dhe vështroni librin praktik të Allahut, gjithësinë, ekzistencën, sepse në rreshtat e Kur'anit gjeni plot shprehje që u thërrasin t'i futni në shërbimin e vet shqisat dhe ta angazhoni e ta thelloni mendjen në të menduar deri sa ta gjeni dhe ta njihni të vërtetën.

Allahu na mëson se si duhet lutur Atij, por kur e jep përgjigjen nuk thotë se i pranoi të gjitha ato, por thotë se mundin e askujt nuk ia humb pa dallim gjinie. Me këtë na bën të kuptojmë se nevojitet përpjekja së bashku me lutje, e jo vetëm boshe. Përjetimet e kësaj bote janë krejt pak gjësend në krahasim me ato të botës tjetër, të cilat janë të përjetshme, të amshueshme dhe shumë më të mira, prandaj nuk duhet mashtruar pas kënaqësive të kësaj bote, e lënë rrugën e Zotit. Ata, të cilët e kanë veten në dorë, do të gëzojnë pritje madhështore tek Allahu mëshirues, e të mashtruarit, duke e lënë pas dore porosinë e Allahut, pas kënaqësive të kësaj bote, do të përjetojnë mjerim të madh.

Në fund besimtarët porositen: të jenë të durueshëm në çështjet e veta personale, të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në çështjet që kanë të bëjnë me rrethin, botën e jashtme, të jenë gjithnjë të përgatitur kundër armikut fizikisht e edhe shpirtërisht dhe të jenë respektues të urdhërave të Allahut, nëse duan të korrin sukses në të dy jetërat. Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i shkurtër i kaptinës Ali Imran: falënderoj Allahun e Madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:195

- Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): ‘Unë nuk ia humb mundin për punët e mira asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). - Seid Ibn Mensuri përcjell rrëfimin me senedin e tij deri tek Ummu Selemeh, e cila tha njëherë: 621 . “O i Dërguari i Allahut, nuk kemi dëgjuar që Allahu të përmendë gratë në lidhje me hixhretin, në ndonjë prej ajeteve që ka zbritur?” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): ‘Unë nuk ia humb mundin për punët e mira asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).”... deri në fund të ajetit. Ensarët thanë: “Ajo është e para grua, e cila është vlerësuar mbi ne.” Këtë hadith e sjell El Hakimi në Mustedrak, prej Sufjan Ibn Ujejnes. Në lidhje me të, ai thotë: “Ky është një hadith sahih, sipas

kushteve të Buhariut, edhe pse nuk e ka nxjerrë Buhariu dhe as Muslimi”. Kuptimi i ajetit: Kur besimtarët e mençur dhe të urtë iu drejtuan Allahut me ato lutje të cilat u përmendën pak më sipër, Allahu i Madhëruar iu përgjigj atyre menjëherë. Për këtë tregon gërma “ f “ e përdorur në ajet, kur thotë: festexhâbe (iu përgjigj menjëherë) e cila tregon për rrjedhim të menjëhershëm të ngjarjeve dhe përgjigje të menjëhershme të lutjes. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam pranë (tyre). Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet. Le t'i përgjigjen thirrjes Time dhe le të më besojnë vetëm Mua, që të udhëzohen në rrugën e drejtë!” [Bekare 186]. Ndërsa këtu thotë: “Unë nuk ia humb mundin për punët e mira asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër.” Kjo fjalë është shpjegim i përgjigjes që u dha Allahu i Lartësuar. Kështu, Allahu i Lartësuar i njofton ata se Ai nuk ka për t'ua humbur kurrë punët që ata bëjnë. Punët e tyre nuk kanë për t’u shpërfillur asnjëherë nga Allahu i Madhëruar. Përkundrazi, Ai do t’ia japë çdokujt shpërblimin e veprës së vet të plotë. Ai do ta shpërblejë me drejtësi çdo njeri për veprat që ka kryer, mashkull apo femër qoftë. Vëreni kur Allahu i Lartësuar thotë: “Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” Pra, të gjithë ju jeni të barabartë në aspektin e shpërblimit që do t’ju japë Allahu i Lartësuar për veprat tuaja. Secilit do t'i jepet shpërblimi i plotë e i pacenuar. Më pas, i Madhëruari përmend ata të cilët bënë hixhret: - Atyre që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, që u munduan vetëm pse ishin në Rrugën Time, që luftuan dhe u vranë - atyre patjetër do t’ua mbuloj gjynahet dhe do t’i fus në Xhenete, nëpër të cilët rrejdhin lumenj.” - Ata u larguan nga vendi i idhujtarisë e mohimit të Zotit dhe shkuan në vendin e imanit. Këta janë ata ta të cilët, vetëm për hir të Allahut, u ndanë nga njerëzit e dashur, vëllezërit, miqtë dhe të afërmit. Duke i përshkruar këta njerëz që do të marrin shpërblimin më të mirë nga Ai, Allahu i Madhëruar thotë: “...u dëbuan prej shtëpive të tyre...”. Idhujtarët i shtrënguan aq shumë me tortura dhe mundime, saqë i detyruan që të largoheshin dhe ta braktisnin vendin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “... u munduan vetëm pse ishin në Rrugën Time” Kjo ngjan me ajetin tjetër: “Ata i keqtrajtonin (besimtarët), sepse ata e besuan Allahun, Ngadhënjimtarin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Allahu është dëshmitar mbi çdo gjë!” [Buruxh 8, 9]. Në vijim, Allahu i Lartësuar bën edhe një përshkrim tjetër të tyre, duke thënë: “që luftuan dhe u vranë...” Kjo, sigurisht që është grada më e madhe dhe niveli më i lartë i shpërblimit. Kjo është grada e njeriut i cili del e lufton në rrugën e Allahut, ia pret këmbët kalit të tij, në mënyrë që të mos largohet nga sheshi i luftës, dhe e lyen fytyrën e tij me gjakun dhe baltën e mejdanit të luftës. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se, njëherë, një burrë pyeti: 622 . “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë vritem në rrugën e Allahut, duke qënë i qëndrueshëm

dhe i durueshëm, duke llogaritur shpërblimin e Allahut, duke i dalë në ballë luftës dhe duke mos i kthyer shpinën asaj, a do të m’i falë Allahu të gjitha gabimet dhe gjynahet e mia?” Profeti i Allahut tha: “Po!” Pastaj i tha: “Si the?” Ai ia përsëriti edhe një herë atë që tha në fillim. Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Po! Përveç atij të cilin ma përmendi Xhibrili pak më parë.” Prandaj Allahu i Lartësuar tha në vijim: “...atyre patjetër do t’ua mbuloj gjynahet dhe do t’i fus në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj.” Në ta rrjedhin lumenj, që janë prej pijesh të ndryshme: prej qumështi, prej mjalti, prej pijesh dhe prej uji që kurrë nuk ndryshon erë dhe të prishet dhe shumë e shumë mirësi të tjera, të cilat syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as zemra e njeriut kurrë nuk i ka imagjinuar dhe menduar. - Ky është një shpërblim prej Allahut. - Kështu, Allahu i Madhëruar ia atribuon Vetes së Tij këto mirësi që i dhuron, për t’u treguar njerëzve se Ai është i Madhërishmi dhe Bujari, i Cili kur jep, jep me bollëk dhe të gëzon me dhurata të shumta, të mrekullueshme dhe madhështore. - Tek Allahu është shpërblimi më i mirë. - Tek Allahu është shpërblimi më i mirë për ata që bëjnë punë të mira.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:195

- “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): ‘Unë nuk ia humb mundin për punët e mira asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. ” - Allahu i Lartësuar iu përgjigj dhe i pranoi lutjet dhe adhurimet e tyre. Ai i pranoi të dyja llojet e duave që ata i drejtuan: duanë e adhurimit dhe duanë e kërkesave. Allahu i Lartësuar premtoi se nuk do të humbasë çdo vepër të kryer nga adhuruesit dhe adhurueset e Tij. Çdokush do ta marrë të plotë e të pacunguar shpërblimin e punëve të veta. - “Ju jeni njëlloj (në shpërblim) .” – Kuptimi: Të gjithë jeni të barabartë përballë shpërblimit dhe ndëshkimit që meritoni. Të gjithë do të llogariten dhe shpërblehen me drejtësi. - “Atyre që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, që u munduan vetëm pse ishin në Rrugën Time, që luftuan dhe u vranë...” - Këtu flitet për ata të cilët i bashkoi feja dhe emigrimi për hir të Zotit dhe që, për hir të kësaj feje, ata braktisën çdo gjë të dashur të tyre: atdheun, pasurinë dhe gjithçka që zotëronin. Ata lanë gjithçka, vetëm për hir të besimit dhe kënaqësisë së Allahut, të Adhuruarit të tyre të vetëm. Ata duruan gjithçka për hir të besimit dhe për hir të tij luftuan me gjithçka që zotëronin, madje edhe me jetën e tyre. Për këtë arsye, ata meritonin një shpërblim të madh nga i Urti, i Mëshirshmi, Bamirësi e Bujari, që thotë: - “- atyre patjetër do t’ua mbuloj gjynahet dhe do t’i fus në Xhenete, nëpër të cilët rrejdhin lumenj. Ky është një shpërblim prej Allahut.” - Është qartësisht i kuptueshëm dhe i gëzueshëm ky premtim i mrekullueshëm. Allahu i Lartësuar është Ai që jep shpërblim të madh edhe për vepra të vogla. Shpërblimi i Tij është shumë i madh dhe Ai na nxit që ta kërkojmë atë me këmbëngulje, kur thotë: - “Tek Allahu është shpërblimi më i mirë.” – Pra, vetëm tek Allahu mund të shpresohet shpërblimi më i mirë. Atje ka mirësi e mrekulli që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as zemra nuk i ka imagjinuar. E pra, kjo është një ftesë për këdo që e kërkon dhe e synon këtë mirësi.

Çdokush që e do këtë nderim, le ta ndihmojë veten me vepra e fjalë të mira në bindje ndaj Allahut të Lartësuar dhe duke u afruar drejt Tij me çdo rrugë të ligjëruar nga Ai vetë, nëpërmjet Profetit të Tij.

← Ali Imran 3:195