3. Ali Imran · Ajeti 26 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:26–3:32

Në ajetet e para u argumentua se Zoti është një, se Muhammedi është i dërguar i Tij, se e vetmja fe e drejtë është islami, e në këto ajete vërtetohet se çdo çështje është në dorën e Zotit, Ai lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë, andaj si Pejgamberi ashtu edhe besimtarët duhet drejtuar për ndihmë vetëm Atij, duke forcuar kështu bindjen e besimit në radhët e besimtarëve.

Të futurit e natës në ditë dhe të ditës në natë, do të thotë: marrja e njërës prej tjetrës, zgjatja e njërës në tjetrën gjatë ndryshimit të stinëve. Në këtë fenomen, sytë e zemrës së njeriut gati e shohin dorën e Allahut kah i vë në lëvizje trupat qiellorë, duke e ndriçuar vendin e errët, kurse të ndritshmin e errëson. Këtë nuk mund ta bëjë njeriu. Kjo nuk ndodhi rastësisht. Këtë qarkullim të padukshëm e dirigjon dora e Fuqiplotit, e Krijuesit, e Mëshiruesit. E tillë është edhe çështja e jetës dhe e vdekjes. Për çdo moment nëpër të cilin kalon i gjalli, vdekja e bën një hap para. Ky është një sinjal për mendjen e njeriut që di të mendojë. Miqësia me të tjerët është e lejuar në raste të nevojshme, por me kusht që ajo të mos shkojë në dëm të palës së vet besimtare. Qëllimet dhe motivet Zoti i di. Pendimi në ditën e kijametit për veprën e keqe është i kotë, për të duhet penduar sa jemi gjallë.

Sinqeriteti i besimit ndaj Allahut, manifestohet nëpërmjet zbatimit të traditës së Pejgamberit, i i cili është kumtues dhe sqarues i porosive të Tij.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:26–3:27

- Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje! Ti ia jep Pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do. Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do. Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.” - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të tij dhe i thotë: Thuaj, o Muhamed, këto fjalë, duke e madhëruar Zotin tënd, duke i shprehur Atij mirënjohjen dhe falënderimin, duke ia dorëzuar Atij të gjitha çështjet e tua dhe duke iu mbështetur tërësisht vetëm Atij! Thuaji me këto ndjenja në zemrën tënde: “ Allahumme malikel mulk!” Pra, ti, o Zot, je Ai që vepron dhe administron të gjitha çështjet e krijesave të tua! Ti vepron gjithçka që dëshiron e në dorën Tënde është mbretërimi, sundimi dhe i gjithë pushteti. Thuaj: Ti ia jep pushtetin atij që do dhe ia heq pushtetin atij që do! Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do! Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka. Ti je Ai që jep dhe Ai që privon. Ajo që Ti do të ekzistojë, ajo ekziston, dhe ajo që Ti nuk do që të ekzistojë, ajo kurrë nuk ka për të ekzistuar. Në këtë ajet kemi një shenjë dhe udhëzim, që të tregohemi mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar për mirësinë e madhe që i bëri këtij umeti duke e zhvendosur profetësinë nga mesi i bijve të Izraelit, për t'ia dhënë atë profetit arab nga mesi i Kurejshëve të Mekës, i cili është vula e të gjithë profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Ai është i Dërguari i Allahut për të gjithë njerëzit dhe xhinët. Allahu i Madhëruar e veçoi atë me veçori të shumta, të cilat nuk ia pati dhënë askujt prej profetëve përpara tij. Asnjë profet nuk pati pasues të përkushtuar, të sinqertë dhe korrektë, siç pati ky Profet. Ata u shpërndanë nëpër të gjitha anët e globit, për të përhapur fenë dhe ligjin e Zotit, duke e bërë atë t ë triumfojë mbi të gjitha fetë, besimet dhe ligjet që kanë ekzistuar në këtë botë. Salavatet dhe paqja e Allahut qofshin mbi këtë Profet! Kështu, Allahu i Madhëruar ia jep profetësinë atij që ai dëshiron, siç thuhet në një ajet tjetër: “Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet.” [En'am 128]. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Ti e fut natën në ditë dhe e fut ditën në natë. - Ai shkurton natën, për t’ia shtuar atë kohë ditës, derisa nata dhe dita barazohen. Pastaj, Ai merr prej ditës, për t'ia dhënë natës, derisa përsëri ato barazohen. Kështu ndodh gjatë katër stinëve të vitit. - Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin. - Ti e nxjerr bimën nga fara, dhe pastaj nga kjo bimë dalin përsëri fara të shumta. Ti nxjerr një palmë hurme nga një farë e vogël, dhe pastaj nga kjo pemë e madhe dalin fara të shumta. Ti e nxjerr besimtarin nga ai që është mohues, si edhe mohuesin nga ai që është besimtar. Ti e nxjer pulën nga veza dhe vezën nga pula. Kështu vepron në të gjitha rastet e ngjashme në këtë botë. - Ti e begaton pa masë atë që do. - Ti i jep atij që Ti dëshiron dhe privon atë që Ti dëshiron. Të gjithë këtë e bën me urtësinë absolute dhe diturine Tënde të gjerë dhe të pakufishme, e cila është udhëzuese dhe treguese e dëshirës dhe vullnetit tënd. Taberaniu sjell hadithin nga Ibn Abasi, - Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy! - se Profeti ka thënë: 490. “Emri i madh i Allahut, - me të cilin, nëse i lutesh, Ai të përgjigjet, - ndodhet pikërisht në këtë ajet të

sures Al Imran “Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje! Ti ia jep Pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do. Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do. Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.”.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:26–3:27

- “Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje!” – Këtu, Profeti udhëzohet se si t’i drejtohet Allahut të Madhërishëm. Pra, thuaj: “O Zoti im ! Ti je pronari i çdo pasurie. Ti je Sunduesi i Plotpushtetshëm . Në dorën Tënde është gjithçka . Gjithçka është pronë e të Madhërishmit . Pushteti suprem të përket vetëm Ty . Çdo gjë është pasuri e Jotja dhe vetëm e Jotja . Askush tjetër nuk vepron dhe nuk rregullon çështjet e krijesave, veç Teje. Asgjë nuk lëviz në gjithësi pa lejen Tënde të bazuar në urtësi dhe mëshirë.” Pastaj përmenden disa vepra dhe gjykime që i përkasin vetëm Zotit të botëve: - “Ti ia jep pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do!” - Ky ajet është tregues se Allahu i Lartësuar do t’ia heqë pushtetin çdo tirani zullumqar dhe do t’ia dhurojë atë popullit që ndjek Muhamedin (s.a.u.s.) dhe udhëzimin që ai solli prej Zotit të tij. Dhe, vërtet, Ai e bëri diçka të tillë. Marrja e pushtetit varet plotësisht nga vullneti i Allahut të Madhëruar. Por kjo nuk do të thotë që faktorët e forcimit dhe të mbajtjes së pushtetit, që Zoti i ka përcaktuar si të tillë, të jenë të pavlefshëm. Marrja dhe humbja e pushtetit varet nga disa shkaqe, që zakonisht e bëjnë të mundur një gjë të tillë. Në varësi të plotësimit të këtyre shkaqeve, që Zoti i ka lejuar të jenë të tilla, merret apo hiqet pushteti. Një gjë është e sigurt: asgjë në gjithësi, qoftë ajo shkak apo pasojë, nuk ndodh jashtë vullnetit suprem të Allahut. Është Ai që ka përcaktuar gjithçka me ekuilibër, i bazuar në dijen dhe drejtësinë e Tij. Asnjë shkak nuk mund të sjellë pasoja, nëse i Dituri e i Urti nuk e lejon një gjë të tillë. Disa nga shkaqet që Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar si të tilla për të fituar pushtetin dhe sundimin në tokë, janë: 1. Besimi dhe veprat e mira. Besimi i pastër, i vërtetë, i bazuar në dije të saktë nga Zoti, dhe veprat e mira të bazuara në këtë dije dhe besim të saktë, janë shkaqe vendimtare që sjellin afrimin, vëllazërimin dhe unifikimin e radhëve të muslimanëve. 2. Përpjekja maksimale dhe pajisja me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për arritjen e pushtetit. Pra, marrja e masave me të gjitha fuqitë mendore, fizike e shpirtërore. 3. Durimi, me të gjitha format e tij, dhe mospërçarja e radhëve të besimtarëve. Thotë Allahu i Lartësuar: “ Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira se do t’i bëjë sundues në tokë, ashtu si i pati bërë sundues ata (besimtarë të mirë) që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë - atë që Ai e ka zgjedhur për ta dhe në vend të

frikës do t’u dhurojë siguri dhe paqe. Ata më adhurojnë vetëm Mua e nuk më shoqërojnë askënd e asgjë. Por, kushdo që mohon pas kësaj, - ata janë të prishur (që kalojnë çdo kufi). Atëherë faleni rregullisht namazin dhe jepeni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit që të mëshiroheni! ” [Nur 55, 56]. Pra, besimi dhe veprat e mira janë faktorë shumë të fuqishëm të marrjes së pushtetit. I Madhërishmi thotë gjithashtu: “O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar! Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia. Bëhuni durimtarë sepse Allahu është me durimtarët.". [Enfal 45. 46]. Siç shihet, Allahu i Madhëruar na tregon se afrimi mes zemrave të besimtarëve, qëndrueshmëria e tyre në rrugën e drejtë, mospërçarja dhe bashkimi i tyre si një trup i vetëm, janë faktorë që sjellin fitoren mbi armiqtë e tyre. Nëse studion mbretëritë e muslimanëve, do të shohësh se shkaku i dobësimit dhe i rrëzimit të tyre ka qenë gjithnjë largimi nga feja e Zotit. Largimi nga besimi dhe nga veprat e mira ka sjellë përçarjen dhe armiqësinë e muslimanëve mes njëri -tjetrit, gjë të cilën e synojnë aq shumë armiqtë e Islamit. - “Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do.” - Ti, o Zot, lartëson e nderon atë që Ti do, duke i dhënë sukses që të besojë të vërtetën dhe t’i nënshtrohet me bindje asaj . O Zot! Me drejtësinë dhe urtësinë Tënde, Ti e poshtëron atë që do, për shkak të poshtërsive dhe mosbindjes ndaj Teje. - “Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.” - Asgjë nuk del jashtë pushtetit Tënd! Çdo gjë i nënshtrohet pushtetit dhe dëshirës së Tij, e cila është e bazuar mbi drejtësinë, urtësinë dhe mëshirën e Tij. - “Ti e fut natën në ditë dhe e fut ditën në natë.” - Në këtë mënyrë kalojnë ditët dhe vitet. Herë zvogëlohet nata e herë dita, dhe kështu krijohen stinët, errësira, drita, lëvizja, aktiviteti, pushimi dhe qetësia. Këto janë ndër argumentet më të mëdha, që vërtetojnë dhe tregojnë për pushtetin madhështor të Allahut të Lartësuar, bashkë me urtësinë dhe mëshirën e Tij. - “Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin .” - Ai nxjerr të gjallin prej të vdekurit, si për shembull, kur nxjerr zogun prej vezës, pemën e madhe plot fruta prej një fare të vogël, bimët prej filizave etj. Ai nxjerr gjithashtu, të vdekurin nga i gjalli, si për shembull, kur nxjerr vezën nga z ogu, farën nga pema, kokrrat nga bimët, mohuesin nga besimtari. Këto janë shenja shumë të mëdha për pushtetin absolut të Allahut. Çdo gjë është e nënshtruar ndaj pushtetit dhe përcaktimit të Allahut të Lartësuar. Krijesat nuk kanë asnjë lloj pushteti dhe mundësie. Allahu i Lartësuar i ka bërë krijesat në çifte. Kjo tregon që çdo krijesë mposhtet shpesh nga e kundërta e saj, duke iu nënshtruar ligjit gjithëpërfshirës të të Plotpushtetshmit, që rregullon forcat e të kundërtave. - “Ti e begaton pa masë atë që do .” – Allahu e furnizon me mbushulli atë që Ai dëshiron. Ai furnizon me një mënyrë që krijesës nuk i shkon mendja dhe, ndonjëherë, pa qenë e nevojshme që krijesa të lodhet shumë për ta mbledhur dhe fituar atë bollëk.

← Ali Imran 3:26