3. Ali Imran · Ajeti 29 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:26–3:32
Në ajetet e para u argumentua se Zoti është një, se Muhammedi është i dërguar i Tij, se e vetmja fe e drejtë është islami, e në këto ajete vërtetohet se çdo çështje është në dorën e Zotit, Ai lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë, andaj si Pejgamberi ashtu edhe besimtarët duhet drejtuar për ndihmë vetëm Atij, duke forcuar kështu bindjen e besimit në radhët e besimtarëve.
Të futurit e natës në ditë dhe të ditës në natë, do të thotë: marrja e njërës prej tjetrës, zgjatja e njërës në tjetrën gjatë ndryshimit të stinëve. Në këtë fenomen, sytë e zemrës së njeriut gati e shohin dorën e Allahut kah i vë në lëvizje trupat qiellorë, duke e ndriçuar vendin e errët, kurse të ndritshmin e errëson. Këtë nuk mund ta bëjë njeriu. Kjo nuk ndodhi rastësisht. Këtë qarkullim të padukshëm e dirigjon dora e Fuqiplotit, e Krijuesit, e Mëshiruesit. E tillë është edhe çështja e jetës dhe e vdekjes. Për çdo moment nëpër të cilin kalon i gjalli, vdekja e bën një hap para. Ky është një sinjal për mendjen e njeriut që di të mendojë. Miqësia me të tjerët është e lejuar në raste të nevojshme, por me kusht që ajo të mos shkojë në dëm të palës së vet besimtare. Qëllimet dhe motivet Zoti i di. Pendimi në ditën e kijametit për veprën e keqe është i kotë, për të duhet penduar sa jemi gjallë.
Sinqeriteti i besimit ndaj Allahut, manifestohet nëpërmjet zbatimit të traditës së Pejgamberit, i i cili është kumtues dhe sqarues i porosive të Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:29–3:30
- Thuaj: “Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja, apo e shfaqni haptazi, Allahu e di atë. Ai e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë. - Allahu i Lartësuar i njofton robërit e Tij se Ai i di mirë të gjitha të fshehtat e tyre dhe ato që ata shfaqin. Atij nuk mund t'i fshihet asgjë prej çështjeve të tyre. Dituria e Tij i ka përfshirë të gjithë ata, në të gjitha gjendjet e tyre dhe në çdo kohë e vend. Në qiell apo në tokë, Atij nuk i fshihet asnjë thërrmijë, madje as më e vogël se ajo. Ajo mund të fshihet kudo në qiell dhe në tokë, por nuk mund t'i fshihet shikimit dhe dijes së Allahut të Lartësuar. - Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. - Pushteti dhe fuqia e Tij depërton në të gjitha kohët, vendet dhe në çdo krijesë. Kjo është një këshillë dhe udhëzim, që Allahu i Lartësuar u jep robërve të Tij, që ata t'i frikësohen madhështisë së Tij, t'i druhen lartësisë së Tij dhe të mos marrin guximin ta zemërojnë Atë dhe Ai të zemërohet prej tyre, përmes punëve që Ai ka ndaluar apo lënies së urdhëresave të Tij. Allahu është i gjithëditur për gjithçka që ata veprojnë dhe është i plotpushtetshëm t'i ndëshkojë ata për këto vepra dhe të zbresë dënimin që u shkon për shtat atyre. Edhe nëse Ai i afatizon, le ta dinë se Ai është i plotpushtetshëm që t’i ndëshkojë. Le ta dinë mirë se Ai ndëshkon ashtu siç di të ndëshkojë Ngadhënjimtari dhe Krenari. Ai është i Plotëpushtetshmi dhe i Plotëfuqishmi, nga i Cili askush nuk mund të mbrohet dhe nuk mund të shpëtojë. - Atë ditë, çdo njeri do të gjejë pranë vetes veprat e mira që ka bërë. Ndërsa për të këqijat që ka bërë, do të dëshirojë që, në mes tij dhe tyre, të jetë një largësi shumë e madhe. - Ditën e Kijametit, përpara robit do të dalin të gjitha veprat e Tij, të mira apo të këqija. Nëse Ai do të shohë vepra të mira, do të gëzohet dhe lumturohet, por nëse sheh vepra të këqija, do të dëshpërohet dhe do të dëshirojë të distancohet sa më shumë prej tyre, që të mos i shohë fare ato. Më pas, Allahu i Lartësuar duke përforcuar edhe një herë këtë këshillë dhe duke dhënë përsëri një kërcënim, thotë: - Allahu ju paralajmëron për dënimin që vjen prej Tij. - Zoti ju frikëson nga ndëshkimi i Tij. Në vijim, Allahu i Madhëruar vijon të nxisë edhe shpresën robërve të Tij, që ata të mos e humbin shpresën për të mirën, faljen dhe mëshirën e Tij e gjerë: - Por Allahu është i Mëshirshëm ndaj robërve. - Ai është Mëshirues i madh për krijesat e Tij. Ai dëshiron që ata të përqëndrohen në rrugën e Tij të drejtë, të pasojnë Profetin e Tij të nderuar dhe të
jetojnë sipas ligjit që Ai ka vendosur për ta, e kështu do të jenë të lumtur në të dyja jetët.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:29–3:30
- “Thuaj: “Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja, apo e shfaqni haptazi, Allahu e di atë. Ai e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. ” - Këtu, Allahu i Lartësuar na tregon për dijen e Tij të gjerë dhe absolute. Ai di në hollësi gjithçka që ndodh, qoftë brenda shpirtit tonë, qoftë në hapësirën e madhe të gjithësisë që Ai ka krijuar dhe përsosur. Allahu na tregon edhe për pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka që ka krijuar dhe që e di në hollësi. Sigurisht që të tilla cilësi të të Madhëruarit na nxisin për vepra të mira. Nga ky ajet nxjerrim shumë mësime e dobi. Ai na nxit që ta pastrojmë zemrën tonë nga çdo cilësi dhe mendim i keq, sepse duke kujtuar vazhdimisht dijen dhe mbikëqyrjen absolute të Allahut të Lartësuar mbi ty, me siguri që do të ndiesh turp nëse Ai do të shohë në zemrën tënde mendime e ndjenja të shëmtuara. Një njeri që e ndien mbikëqyrjen e Allahut do t’i ketë edhe mendimet e tij për të fituar kënaqësinë e të Adhuruarit të tij. Zemra e tij do të jetë gjithnjë duke medituar mbi Librin e Allahut të Lartësuar ose për Traditën e Profetit (s.a.u.s.). Ajo do të jetë gjithnjë e angazhuar që të përfitojë çdo lloj dijeje të dobishme. Atë do ta shohësh gjithmonë duke përsiatur mbi krijesat e mrekullueshme të të Madhërishmit dhe mbi mirësitë e pafundme që Ai u dhuron krijesave të Tij. Atë do ta gjesh, gjithashtu, duke këshilluar njerëzit për të kryer vepra të mira e për t’u larguar nga të këqijat. Duke përmendur cilësitë madhështore të Allahut në aspektin e dijes dhe pushtetit të Tij absolut, ky ajet na kujton se ne do të japim llogari dhe do të shpërblehemi për veprat që kryejmë, të mira apo të këqija qofshin ato. Kjo do të ndodhë Ditën e Kijametit, Ditën e Llogarisë, kur çdokush do të shpërblehet për veprat që ka bërë. Prandaj thotë i Lartësuari më tej: - “Atë ditë, çdo njeri do të gjejë pranë vetes veprat e mira që ka bërë. ” - Çdokush do ta gjejë të plotë atë të mirë që ka bërë. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Çdokush që bën një të mirë, sado e vogël ajo, ka për ta parë atë.” Fjala ‘ ħajrun’ (e mirë), e përdorur në ajet, ka një kuptim të gjerë. Ħajrun quhet çdo vepër që të afron tek Allahu i Lartësuar, e vogël apo e madhe qoftë ajo. Edhe ‘ sũun’ (e keqe) ka një kuptim të gjerë. Ajo është e kundërta e fjalës “ ħajrun” dhe, si e tillë, ajo përfshin në kuptimin e saj çdo lloj vepre a fjale, e vogël apo e madhe qoftë, që shkakton zemërimin e Allahut. - “Ndërsa për të këqijat që ka bërë, do të dëshirojë që, në mes tij dhe tyre, të jetë një largësi shumë e madhe. ” - Ai do të dëshironte që, mes tij dhe veprave të këqija, të ishte një distancë shumë e largët, sepse çdo vepër dhe fjalë e keqe do të shkaktojë dëshpërim dhe frikë të madhe atë ditë. Për këtë arsye, njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm në fjalët dhe veprat që kryen në këtë jetë, sepse prej tyre pritet dëshpërim dhe frikë e madhe Ditën e Gjykimit. Le t’u largohet atyre që në këtë jetë, sepse tani është e mundur një gjë e tillë. Le të jetë i
kujdesshëm, para se të vijë dita kur, i tmerruar dhe i dëshpëruar, të thotë pastaj: “O i mjeri unë, që shpërfilla adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe që isha prej atyre që talleshin!”Ose të thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu e të kisha qenë prej atyre që ruheshin!” Apo, kur ta shohë dënimin, të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej bamirësve!” Jo, ty të erdhën argumentet e Mia, por ti i mohove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besonin.” [Zumer 56 -59]. I Lartësuari thotë gjithashtu: “ Si do të bëhet kur, për çdo popull Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë Ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë. " [Nisa 41, 42]. “ Atë Ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit. Për jobesimtarët ajo do të jetë një ditë e vështirë. Atë ditë, keqbërësi do të kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “Oh, i mjeri unë! Sikur të kasha ndjekur udhën e drejtë së bashku me Profetin!” Ah! I mjeri unë! Sikur të mos e kisha bërë mik aksh njeri! Në të vërtetë, ai më largoi mua prej udhës së drejtë (të Zotit) pasi më pati ardhur (qartësisht dhe plotësisht). Shejtani është veçse tradhëtar për njeriun. ” [Furkan 26 - 29]. “ Kush i kthen shpinën përmendjes të Zotit, Ne i shoqërojmë nga një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë. Ai (shejtani) e pengon nga rruga e drejtë, ndërkohë që ai (jobesimtari) mendon se është i udhëzuar mirë. Kur të vijë para Nesh, ai (jobesimtari) do të thotë: “Oh, mjerë për mua! Ah, sikur mes meje dhe teje (o shejtan) të kishte një largësi sa lindja prej perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” Ju bënit padrejtësi të shumta (do t’u thuhet) , prandaj sot nuk do t’ju lehtësojë aspak fakti se nuk jeni të vetmit që po ndëshkoheni. ” [Zuhruf 36 -39]. Për Allah! Lënia e çfarëdolloj dëshire apo kënaqësie të kësaj jete është krejt e papërfillshme, në krahasim me vështirësinë që i duhet të përballë njeriu atë ditë të madhe e të frikshme. Porse njeriu, për shkak të injorancës dhe padrejtësisë së tij, vështron veçse gjendjen e tanishme, të afërt. Ai tregohet i pakujdesshëm, mospërfillës dhe nuk denjon të mendohet thellë për të parë përfundimin e çështjeve. Nëse mendohet më gjatë, me siguri që do t’u japë rëndësi gjërave që i sigurojnë lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Po të tregohet më i kujdesshëm, ai do të largohet nga çdo vepër e fjalë që shkakton trishtim, dënim, frikë e ankth në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Më pas, Allahu i Lartësuar i rikthehet edhe një herë paralajmërimit ndaj nesh, që t’i ruhemi zemërimit të Tij, duke thënë: - “Allahu ju paralajmëron me dënimin që vjen prej Tij. Por Allahu është shumë i Mëshirshëm ndaj robve. ” - Ajeti na këshillon që t’i ruhemi ndëshkimit të të Madhërishmit. Kjo tregon mëshirën dhe butësinë e Tij ndaj nesh, sepse kështu Ai na mbron që të mos të zhytemi në gjynahe aq sa të na ngurtësohen zemrat. Ai na këshillon që të ruhemi dhe të shpresojmë njëkohësisht, në mënyrë që të kryejmë vepra të mira dhe të largohemi nga të këqijat. Në fund, e lusim Allahun e Lartësuar që të jemi të kujdesshëm dhe të druhemi vazhdimisht prej Tij, që të mos veprojmë apo flasim gjëra që sjellin pakënaqësinë dhe zemërimin e Tij.