3. Ali Imran · Ajeti 32 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:26–3:32
Në ajetet e para u argumentua se Zoti është një, se Muhammedi është i dërguar i Tij, se e vetmja fe e drejtë është islami, e në këto ajete vërtetohet se çdo çështje është në dorën e Zotit, Ai lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë, andaj si Pejgamberi ashtu edhe besimtarët duhet drejtuar për ndihmë vetëm Atij, duke forcuar kështu bindjen e besimit në radhët e besimtarëve.
Të futurit e natës në ditë dhe të ditës në natë, do të thotë: marrja e njërës prej tjetrës, zgjatja e njërës në tjetrën gjatë ndryshimit të stinëve. Në këtë fenomen, sytë e zemrës së njeriut gati e shohin dorën e Allahut kah i vë në lëvizje trupat qiellorë, duke e ndriçuar vendin e errët, kurse të ndritshmin e errëson. Këtë nuk mund ta bëjë njeriu. Kjo nuk ndodhi rastësisht. Këtë qarkullim të padukshëm e dirigjon dora e Fuqiplotit, e Krijuesit, e Mëshiruesit. E tillë është edhe çështja e jetës dhe e vdekjes. Për çdo moment nëpër të cilin kalon i gjalli, vdekja e bën një hap para. Ky është një sinjal për mendjen e njeriut që di të mendojë. Miqësia me të tjerët është e lejuar në raste të nevojshme, por me kusht që ajo të mos shkojë në dëm të palës së vet besimtare. Qëllimet dhe motivet Zoti i di. Pendimi në ditën e kijametit për veprën e keqe është i kotë, për të duhet penduar sa jemi gjallë.
Sinqeriteti i besimit ndaj Allahut, manifestohet nëpërmjet zbatimit të traditës së Pejgamberit, i i cili është kumtues dhe sqarues i porosive të Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:31–3:32
- Thuaj (o Muhamed) : “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet tuaja.” - Ky ajet i mrekullueshëm është gjykuesi më i drejtë dhe matësi më i saktë i vërtetësisë të pretendimit të çdokujt që mëton se e do Allahun, por që nuk e beson dhe nuk e pason rrugën e Muhamedit. Atëherë, një njeri i tillë ka pretendime të kota, dhe kështu do të vazhdojë të jetë dhe të konsiderohet, derisa të pasojë Sheriatin e Muhamedit në të gjitha fjalët dhe veprat e tij. Është transmetuar saktësisht nga Profeti i Allahut që ka thënë: 491. “Çdokush që bën një punë, e cila nuk është prej çështjes (fesë) tonë, ajo është e refuzuar.” Prandaj dhe tha: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë...”. Pra, nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që Allahu t'ju dojë juve. Kështu, juve do t'ju dhurohet diçka që është shumë e shumë më e rëndësishme dhe e mrekullueshme sesa ajo që ju pretendoni, pra, dashurinë për Allahun e Lartësuar. Nëse pasoni Muhamedin ﷺ ,jo vetëm që do të tregoni që e doni Allahun, por do t'ju dhurohet edhe ajo që është shumë më e madhe, pra, dashuria e Allahut për ju. Nuk ka dyshim se kjo është shumë më e madhe sesa e para. Siç kanë thënë disa të urtë: “Nuk është çështja që ti të duash dikë, por që ty të të duan.” Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - ... dhe t’jua falë gjynahet tuaja.”Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Domethënë, duke pasuar rrugën e Profetit tuaj, juve do t'ju ofrohet falja e gjynaheve. Allahu premton mbulim dhe fshirje të gjynaheve, si dhe mëshirë. Kjo është mirësia e madhe e pasimit të rrugës dhe Sunetit të Muhamedit ﷺ .Pastaj i Lartësuari jep një urdhër të përgjithshëm për çdo njeri, posaçërisht për ata që janë të bindur dhe të nënshtruar ndaj Tij: - Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!” Nëse ata refuzojnë, atëherë ta dinë se Allahu nuk i do jobesimtarët. - Nëse ata të kundërshtojnë në çështjen e pasimit të Profetit të Allahut, le ta dinë pra se Allahu i Madhëruar: “...nuk i do jobesimtarët.” Kjo tregon që kundërshtimi i rrugës së Profetit konsiderohet si mohim i Zotit. Me fjalë të tjera, nëse e kundërshton rrugën e Profetit, atëherë ke refuzuar dhe ke kundërshtuar vetë Zotin e Lartësuar, i Cili nuk i do ata që kanë këtë cilësi. Ata që refuzojnë rrugën e Profetit dhe nuk e ndjekin atë në Shpalljen që ai solli prej Allahut, nuk e duan Allahun, edhe nëse pretendojnë dhe hiqen sikur e duan Allahun dhe kërkojnë të afrohen tek Ai. Pretendimet e tyre do të merren për bazë vetëm nëse ata pasojnë rigorozisht, me sinqeritet dhe korrektësi rrugën e profetit Muhamed, Profetit umij (analfabet), i cili është vula e të gjithë profetëve të Zotit. Ai është i Dërguari i Allahut mes njerëzve dhe xhindëve. Madje, sikur të gjithë profetët, madje edhe profetët më të zgjedhur dhe durimtarë, të ishin gjallë në kohën e tij, nuk do të kishin asnjë mundësi tjetër përveçse të pasonin Muhamedin ﷺ dhe Sheriatin e tij. Kjo do të vijë më e shtjelluar kur të flasim rreth fjalës së Allahut të Madhëruar: “Dhe (kujto) kur Ne morëm prej profetëve një premtim (solemn)...” [Ahzab 7], - në dashtë Allahu i Madhëruar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:31–3:32
- “Thuaj (o Muhammed) : “Nëse e doni Allahun,...” - Ky ajet tregon se dashuria për Allahun është detyrim. Në ajet shpjegohen, gjithashtu, se cilat janë shenjat që tregojnë se robi e do vërtet Allahun, si edhe frytet e
mrekullueshme që sjell kjo dashuri. “Nëse e doni Allahun”, pra, nëse pretendoni se e keni arritur këtë gradë të lartë, dijeni se nuk mjafton vetëm ta pretendoni atë, por është i domosdoshëm sinqeriteti ose vërtetësia, në mënyrë që ai të merret në konsideratë nga i Dituri dhe i Urti. Si shenjë të vërtetësisë të këtij pretendimi, Allahu i Lartësuar ka bërë pasimin e Profetit të Tij. Me fjalë të tjera, të duash Allahun do të thotë që të pasosh Profetin e mëshirës, Muhamedin (a.s.) në fjalët dhe në veprat e tij, të pasosh udhëzimin e sjellë prej tij, që sqaron themelet e besimit dhe dispozitat ligjore në çdo fushë të jetës njerëzore. Ky pasim duhet të jetë i tërësishëm, me trup dhe me shpirt. Vetëm ata që e pasojnë rigorozisht udhëzimin e Zotit, siç është sjellë me saktësi prej Profetit (a.s.), vetëm ata e kanë të vërtetuar pretendimin se e duan Zotin e gjithësisë, Allahun e Lartësuar. Madje, në këtë mënyrë, ata i kanë mundësuar vetes së tyre privilegjin më të madh që mund të gëzojnë krijesat në këtë jetë dhe në jetën tjetër: ata kanë merituar dashurinë e Allahut për ta dhe mbulimin e të metave të tyre. - “...atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet tuaja.” Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Nëse robi e pason udhëzimin e sjellë nga Profeti, ai ka bërë të mundur që Allahu i Lartësuar ta dojë atë, t’ia falë dhe mbulojë gjynahet, ta mëshirojë, ta udhëzojë dhe t’i japë sukses që të gjejë çdo të mirë dhe të ruhet nga çdo e keqe. Ai do të jetë i ruajtur në çdo veprim apo mosveprim të tijin nga Allahu i Lartësuar, që e do, e mëshiron dhe përkujdeset për të në mënyrë të posaçme. Ndërsa ata që nuk e ndjekin udhëzimin e Profetit, nuk e duan Allahun, sepse dashuria për Allahun lidhet me pasimin e udhëzimit të Profetit dhe me nënshtrimin e bindjen ndaj tij. Nëse mungon respektimi i rrugës së Profetit dhe bindja ndaj tij, atëherë mungon edhe dashuria për Allahun e Lartësuar. Kjo tregon se ata janë të gënjeshtërt në pretendimin e tyre që e duan Allahun e Lartësuar. Edhe sikur të mendohej se në zemrën e tyre do të ekzistonte ndonjëfarë dashurie për Allahun, ajo do të ishte e pavlefshme për robin, nëse nuk plotëson kushtin që e bën atë të pranueshme e të shpërblyeshme. Ky kusht është pasimi i udhëzimit të Profetit dhe bindja ndaj tij, i shtyrë nga dashuria për Allahun dhe madhërimi i Tij. Ky ajet bën dallimin e njerëzve nga njëri tjetri. Grada e besimit dhe e dashurisë për Allahun e Lartësuar është në varësi të ndjekjes së udhëzimit të Profetit (s.a.u.s.). Mangësia në njërën anë tregon mangësi në anën tjetër. - “Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!” - Ky është urdhri më i madh dhe më gjithëpërfshirës i Allahut të Lartësuar ndaj krijesave dhe adhuruesve të Tij. Ai na urdhëron për bindje ndaj Tij dhe ndaj Profetit të Tij. Bindja duhet të tregohet me besim, ndjenja, fjalë dhe vepra. Më konkretisht, ajo nënkupton: - Besimin e plotë te gjithçka për të cilën Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij kanë urdhëruar që të besohet dhe të pranohet. - Njësimin e Allahut të Lartësuar në aspektin e veprave unike të Tij, në meritën e Tij për t’u adhuruar i Vetëm dhe i pashoq në emrat e cilësitë e Tij të larta. - Bindje ndaj Tij konsiderohen të gjitha ato vepra, fjalë dhe ndjenja që rrjedhin prej dy pikave të mësipërme. - Bindje ndaj Allahut konsiderohet edhe bindja ndaj Profetit të Tij, që konsiston në zbatimin rigoroz të urdhrave dhe në largimin prej të gjitha harameve të qartësuara prej tij. Bindja ndaj urdhrave të Profetit konsiderohet si bindje ndaj urdhrave të Allahut, dhe kush i bindet Allahut dhe Profetit të Tij është vërtet i fituar. Allahu i Lartësuar thotë: “ Kush i bindet Profetit, i është bindur Allahut. Por kush e refuzon, (dije se) Ne nuk të kemi dërguar ty si mbikqyrës të (punëve të) tyre.” [Nisa 80]. “ Këta janë kufijtë që ka vënë Allahu. Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të hyjnë në kopshte, nëpër të cilët rrejdhin lumenj e ku do të jenë
përgjithmonë. Ky është suksesi më i madh. Ndërsa ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkelin kufijtë e Tij, do të futen në Zjarr, ku do të jenë përjetësisht. Për ta është përgatitur një dënim poshtërues.” [Nisa 13, 14]. - “Nëse ata refuzojnë, atëherë ta dinë se Allahu nuk i do jobesimtarët. ” - Por nëse krijesat e shpërfillin bindjen ndaj Allahut dhe Profetit të Tij, atyre nuk u mbetet rrugë tjetër, por veçse t’i binden çdo shejtani të shfrenuar dhe armiqësor. Allahu i Lartësuar na tregon se sa i pamëshirshëm është shejtani ndaj atyre që i binden dhe që ndjekin hapat e tij: “ Është e shkruar se kushdo që i nënshtrohet atij (shejtanit), ai ka për ta çuar në humbje dhe në Dënimin e zjarrit (të ndezur fort) .”. [Haxh 4]. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar tregon se robi që e refuzon t’i bindet Atij dhe Profetit, e ka humbur privilegjin dhe shpresën e vetme për shpëtim, e ka humbur dashurinë e Allahut për të. Allahu i Lartësuar e ka përforcuar këtë fakt, kur thotë: “ Nëse ata refuzojnë, atëherë ta dinë se Allahu nuk i do jobesimtarët.” Allahu nuk i do mohuesit dhe refuzuesit e urdhrave të Tij, të cilët meritojnë veçse z emërimin dhe ndëshkimin e Tij. Ky ajet duket sikur është shpjegim më i hollësishëm i ajetit para tij, ku tregohet rëndësia e pasimit të udhëzimit të Profetit. Ky, pra, është udhëzimi i drejtë, i vërtetë dhe i saktë.