3. Ali Imran · Ajeti 4 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:1–3:4

Derisa Zoti domosdo duhet të jetë i përjetshëm dhe gjithnjë të komandojë me tërë ekzistencën, Ai nuk mund të jetë njeri me jetë të përkohshme siç ishin pejgamberët në mesin e të cilëve edhe Isai.

Kur shpalleshin pjesë të kësaj kaptine ende nuk kishte përfunduar zbritja e tërë Kur'anit, andaj Zoti i thotë Muhammedit: Ta zbret...

Shpalljet nga Zoti janë mëshirë, janë rregulla e dispozita sipas së cilave njerëzit duhet programuar jetën, sjelljet dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët. I tillë ka qenë Tevrati e pas tij Inxhili e edhe Kur'ani. Derisa është besuar për Tevratin dhe Inxhilin se janë shpallje nga Zoti, pse të mos besohej Kur'ani i cili vërteton shpalljet e mëparshme. Pra nuk ekzistojnë fakte për mohimin e tij, dhe urrejtja pse ky zbuloi devijimet që janë bërë në shpalljet e para, nuk është e udhës, e as me vend, prej kujtdo qoftë ajo.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:1–3:4

E kemi përmendur më parë, kur folëm për tefsirin e “ajetit Kursij”, se emri i madh i Allahut është në këto dy ajete: “Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Tij. Ai është ( el Hajju ) i Gjallë dhe ( el Kajjûm) i Përjetshëm.” dhe “Elif, Lam, Mim. Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Tij. Ai është ( el Hajju ) i Gjallë dhe ( el Kajûm ) i Përjetshëm.”. Për germat në fillim të sureve folëm në hyrje të sures Bekare. - Është Ai që ta zbriti ty (Muhamed) Librin me të vërtetën... - Allahu është Ai që ta zbriti Kur 'anin me të vërtetën e sigurt: ky është një fakt, për të cilin nuk duhet të ketë asnjë dyshim. - si vërtetues të librave të mëparshëm. - Kur'ani është vërtetues i lëndës që ndodhet në librat e shpallur para tij. Po kështu, të gjitha shpalljet e mëhershme kanë paralajmëruar për dërgimin e Muhamedit ﷺ dhe për shpalljen e Kur 'anit të madhërishëm. Muhamedi është vërtetimi dhe prova e gjallë për të gjitha përgëzimet dhe paralajmërimet që gjenden në librat hyjnorë të mëparshëm. - Ai e zbriti më parë Teuratin dhe Ungjillin, si udhëzim për njerëzit ... - Teuratin ia shpalli Musait, birit të Imranit, ndërsa Ungjillin ia zbriti Isait, birit të Merjemes. Këta libra u shpallën përpara Kur'anit. Allahu i Madhëruar i zbriti ata si udhëzim për njerëzit a atyre kohëve. - ... dhe shpalli Dalluesin (e të vërtetës nga e kota). - Kur'ani është kriteri dallues mes udhëzimit të drejtë dhe humbjes. Kjo bëhet e mundur përmes argumenteve, fakteve e shenjave të qarta, që Allahu ka sjellë në Kur'an për qartësimin e së vërtetës. Katade dhe Rabi Ibn Enesi, gjithashtu, kanë thënë se “ el Furkan ” (Dalluesi) - në këtë ajet - është Kur'ani. - Ata që mohojnë argumentet e Allahut, i pret ndëshkimi i rreptë. - Ata të cilët i refuzojnë me forcë argumentet e Allahut, duke i kundërvenë të kotën dhe devijimin, ata i pret një ndëshkim i madh në Ditën e Kijametit. - Allahut është Ngadhënjimtar e Shpagimtar. - Ai do t’i ndëshkojë ata që i konsiderojnë gënjeshtra argumentet e Allahut dhe që i kundërvihen profetëve të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:1–3:6

- “Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Tij. Ai është (El Hajju) i Gjallë dhe (El Kajûm) i Përjetshëm.” - Allahu i Lartësuar e fillon këtë sure duke përmendur njëshmërinë e Tij në meritën për adhurim, ose me teuhidin uluhije. Allahu është Zoti. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Adhurimi dhe nënshtrimi nuk lejohet të bëhen për asnjë tjetër veç Tij. Çdo i adhuruar tjetër, veç Tij, është i kotë, i padobishëm, i pavlefshëm. I Adhuruari i vërtetë është Allahu, sepse Ai i ka cilësitë që duhet të ketë një i adhuruar. Dy cilësitë kryesore të Tij si Zot janë ato që tregojnë dy emrat e përmendur në këtë ajet: Hajju dhe Kajjûm. El Hajju quhet ai që gëzon jetën e plotë nga çdo aspekt, pa asnjë mangësi. Nëse Allahu ka këtë emër dhe cilësi, atëherë patjetër që duhet të ketë edhe cilësi të tjera absolute të Qenies së Tij, sikurse janë: të dëgjuarit, të shikuarit, dituria, pushteti, fuqia etj., sepse ndryshe Ai nuk do ta meritonte të quhej El Hajju, me kuptimin e plotë të kësaj fjale. Emri i Allahut El Kajjum tregon se Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë përkujdesje, ndërkohë që gjithçka tjetër ka nevojë për përkujdesjen e Tij. Ai ekziston pa pasur nevojën dhe ndihmën e asgjëje. Ai është i pavarur nga gjithçka, ndërsa të gjitha krijesat janë të varura prej Tij, sepse Ai i krijon, i furnizon

dhe u mundëson vazhdimësinë e ekzistencës. Ai i udhëzon robërit e Vet drejt çdo të mire që rregullon jo vetëm trupin, por edhe zemrën dhe shpirtin e tyre. Shenjë e përkujdesjes së Tij për krijesat, madje treguesi më i madh i mëshirës së Tij ndaj tyre, është shpallja e Kur’ânit dhe dërgimi i Profetit (s.a.u.s.). - “Është Ai që ta zbriti ty (Muhamed) Librin me të vërtetën,” - Ky është libri më i madh dhe më i rëndësishëm që është shpallur. Ai përmban dhe qartëson të vërtetën e sigurt. Të vërteta janë të gjitha kumtet që ky libër sjell për njerëzit. Të drejta janë ligjet dhe dispozitat e ligjëruara nëpërmjet tij. Kumtet, urdhrat, ndalesat dhe kufijtë e sqaruar në të janë të vërtetë, të garantuar prej Zotit të botëve. Këtë të vërtetë të sigurt Allahu i Lartësuar e ka shpallur me një qëllim madhështor: që krijesat të adhurojnë Zotin e gjithësisë dhe të studiojnë e jetojnë sipas udhëzimeve të sjella në librin e Tij të qartë. - “...si vërtetues të librave të mëparshëm.” - Kur’âni është vërtetues i librave hyjnorë të mëparshëm, pra, që u shpallën para tij. Ai shërben si i vetmi matës për të dalluar vërtetësinë e lëndës që ndodhet në librat hyjnorë të mëparshëm që kanë arritur në duart e njerëzve . Të vërteta në librat e mëparshëm , ose ajo çka mbetur prej tyre, janë vetëm ato që Kur’âni i dëshmon dhe i konsideron si të tilla. Çdo gjë që ky libër e refuzon, konsiderohet e papranueshme. Ai është në përputhje të plotë me linjën e drejtë e të pandryshueshme të të gjithë profetëve. Të gjithë librat hyjnorë kanë dëshmuar për vërtetësinë dhe sinqeritetin e këtij Profeti, sepse bazat e rrugës së tyre janë të njëjta. Ithtarët e Librit, nga ana tjetër, nuk kanë asnjë mundësi për të vërtetuar saktësinë e librave të tyre, përveçse nëpërmjet profetit Muhamed (a.s.). Vetëm nëse besojnë këtë profet dhe shpalljen që i është dhuruar atij nga Zoti i gjithësisë, ata mund të vërtetojnë saktësinë e librave të tyre dhe mund të konsiderohen se, vërtet i besojnë ato. Nëse e mohojnë Profetin dhe Shpalljen që atij i është dhënë, ata kanë dëshmuar, me ose pa dashje, mohimin e librave të cilat ende kanë mbetur në duart e tyre. - “Ai e zbriti më parë Teuratin dhe Ungjillin, si udhëzim për njerëzit” - Para shpalljes së Kur’ânit, Allahu i Lartësuar i shpalli Teuratin Musait dhe Ungjillin Isait (a.s.). Këto shpallje Ai i solli si udhëzim për njerëzit dhe u sqaroi atyre udhëzimin nga devijimi. Kush e pranon udhëzimin e Allahut, do të gjejë rrugën e drejtë, dhe kush e shpërfill atë, do të mbesë në errësirat e humbjes. - “dhe shpalli Dalluesin (e të vërtetës nga e kota).” - Allahu i bëri librat e Tij si dallues të së vërtetës, duke sjellë në to fakte të sigurta, që tregojnë qëllimin e Tij me njerëzimin. Nëpërmjet shpalljeve të Tij, Allahu ka qartësuar për njerëzit gjithçka për të cilën ata kanë nevojë. Tashmë njerëzit janë të qartë për të gjitha dispozitat dhe ligjet që Zoti ka përcaktuar për ta. Edhe ligjet e Zotit janë tanimë shumë të qarta dhe shumë të thjeshta për t’u kuptuar, saqë askush nuk mund të ketë më justifikim përpara Tij, askush nuk mund të justifikojë mosbesimin dhe mosbindjen ndaj Zotit të gjithësisë. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë më tej: - “Ata që mohojnë argumentet e Allahut, i pret ndëshkimi i rreptë. ” - Ata që i mohojnë shpalljet e Zotit, pasi u janë sqaruar plotësisht, ata i pret një dënim shumë i rëndë, të cilin nuk mund ta përfytyrojë apo ta përshkruajë askush, veç Atij që e ka krijuar. - “Allahut është Ngadhënjimtar e Shpagimtar.” - Allahu është Ngadhënjimtar. Askush nuk mund t’i shpëtojë llogarisë dhe gjykimit të Tij të drejtë. Ai është gjithashtu Shpag imtar i atyre që tregohen të pabindur e mospërfillës ndaj udhëzimit të Tij. - “S’ka dyshim se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell.” - Kjo tregon se Allahu i Lartësuar ka përfshirë me dijen e Tij absolute gjithçka që

ekziston dhe që mund të dihet. Ai njeh atë që duket dhe atë që nuk duket, të shfaqurën dhe të fshehtën. Zoti di edhe për embrionin në barkun e nënës. Ai shikon atë që shikimi i krijesave nuk mund ta arrijë. Ai di atë që krijesat kurrë nuk mund ta dinë. Ai përkujdeset për ta në mënyrën më të mirë. Ai i krijon dhe përcakton për ta çdo gjë që e kanë të nevojshme. - “Është Ai që ju krijon ju në mitër, ashtu si dëshiron.” – Ai, me urtësinë e Tij, përcakton që këto krijesa të ekzistojnë ashtu sikurse e do Ai. Për dikë përcakton që të dalë i plotë, për dikë tjetër cakton që të jetë i mangët, dikë e bën të bukur, e dikë tjetër të shëmtuar, dikë e përcakton të jetë mashkull, e dikë tjetër femër. - “Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij. Ai është Ngadhënjimtar dhe i Urtë. ” - Këtu pohohet përsëri se adhurimin e meriton vetëm Allahu. Në këto ajete, nga njëra anë, kundërshtohen të krishterët, të cilët pretendojnë se Isai (Jezusi) është Zot dhe se ai e meriton të adhurohet, e nga ana tjetër, tregohet se Allahu i Lartësuar është i plotë dhe absolut si Hajjun dhe Kajjum, sikurse e përmendëm, që do të thotë se Allahu i Lartësuar është i plotë e absolut në të gjitha cilësitë e Tij. Ajetet tregojnë se Allahu i Lartësuar ka bërë gjithmonë ligje dhe dispozita, të cilat udhëzojnë njerëzimin drejt lumturisë në të dyja jetët. Megjithatë, njerëzit gjithmonë janë ndarë në dy grupe: të udhëzuar dhe të humbur, e këtu deklarohet ndëshkimi i atyre që nuk e pranojnë dhe e shpërfillin udhëzimin. Ajetet tregojnë, gjithashtu, dijen gjithëpërfshirëse të Krijuesit, si edhe faktin që dëshira dhe urtësia e Tij janë vendimtare dhe të pakthyeshme.

← Ali Imran 3:4