3. Ali Imran · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:42–3:51

Pas tregimit për lindjen e Jahjasë nga një plak e një plakë të shtyer në moshë, gjë që sipas rregullave të natyrës ishte rast i jashtëzakonshëm, Kur'ani na rrëfen për një rast edhe më të jashtëzakonshëm, për lindjen e Isait pa babë. Me këtë refuzon bindjet e gabuara rreth Isait, të cilat në atë kohë mbretëronin. Përmendet se atë e lindi Merjemja, se ai ishte foshnjë në djep, se i thirri njerëzit në besim edhe kur ishte në moshë, e të gjitha këto dokumentojnë se ai ishte pejgamber dhe njeri, e jo zot.

Merjemja është gruaja më e lavdishme në përgjithësi nga gratë e botës, ngase asnjë grua në botë nuk ka përjetuar një lindje si ajo.

Isai quhet edhe "fjalë" ngase ishte i krijuar me dëshirën e Zotit nëpërmjet fjalës "kun" (bëhu).

Fjala "Mesih është epitet i Isait e do të thotë: i pa mëkat, i bekuar.

Të folurit e Isait si foshnje në djep, përveç që ishte mrekulli, kishte për qëllim mbrojtjen e nderit të nënës nga shpifja që i bënin jehuditë.

Këtu janë përmendur katër mrekulli të Isait: shpezët nga balta, shërimi i të verbërve dhe të të sëmurëve nga lëkura, ngjallja e të vdekurëve dhe lajmërimi për ushqimin e ngrënë dhe të deponuar.

Isai i theret njerëzit të besojnë po atë Zot, të cilin e besonte edhe vetë dhe u jepte të kuptojnë se ai nuk ishte zot, ajo ishte rrugë e gabuar, rruga e drejtë është besimi në një Zot xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:48–3:51

- Ai (Allahu) do t’i mësojë atij Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin - Allahu i Lartësuar vijon të plotësojë përgëzimin për Merjemen dhe birin e saj, Isain (a.s). Melekët e njoftojnë atë se Allahu i Madhëruar do t’i mësojë Isait “ El Kitabete” dhe “Hikmeh”. Në lidhje me fjalën “Kitabete” (libri) këtu, më afër kuptimit të vërtetë është se Allahu i Lartësuar do t’i mësonte Isait “aftësinë për të shkruar”. Ndërsa fjala “ hikmeh” (urtësia) është shpjeguar në suren Bekare. 142 Allahu do t’i mësonte Isait edhe Teuratin, domethënë, librin të cilin ia kishte shpallur Musait më parë. Ai do t’i mësonte dhe Ungjillin, libri që iu shpall posaçërisht Isait. Kështu, Isai do të mësonte dhe merrte nga drita e këtyre dy librave. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:

- Dhe do ta çojë si profet te bijtë e Israilit (që t’u thotë) : - Allahu e dërgoi Isain mes bijve të Izraelit, që t’u thoshte atyre: - “Unë kam ardhur nga Zoti juaj me një argument (të jashtëzakonshëm). Unë do të bëj nga balta diçka në formën e shpendit. Pasi t’i fryj atij, ai, me lejen e Allahut, do të bëhet shpend i gjallë. Unë shëroj të verbrit (e lindur të tillë) dhe të sëmurët me lebër. Unë, me lejen e Allahut, i ngjall të vdekurit. - Kështu, Isai bënte një formë zogu prej balte, frynte në të, dhe ai fluturonte në sy të njerëzve, me lejen e Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, Isai shëronte ata që lindnin të verbër. Këto ishin mrekulli të dukshme, që iu dhuruan Isait, si sfidë e hapur për të tjerët. Mrekullitë u shërbenin profetëve që të sfidonin popujt e tyre, por këtë mund ta bënte vetëm Zoti, që ua dhuronte profetëve të Tij. Isai shëronte edhe të sëmurë me lebër. Ai, madje, ngjallte edhe të vdekurit, me lejen e Allahut. Shumë dijetarë thonë se Allahu i Madhëruar e dërgonte çdo profet me mrekulli, të cilat të ishin të përshtatshme dhe të vlefshme për njerëzit e kohës. Kështu, në kohën e Musait ishte e përhapur magjia, si aftësi e spikatur, prandaj dhe Allahu i Madhëruar i dhuroi Musait shkopin, i cili i gëlltiti dhe zhduki të gjithë gjarpërinjtë e tjerë, të cilët, në fakt, ishin vetëm litarë dhe shkopinj, të hedhur nga magjistarët. Ndërsa në kohën e Isait ishte përhapur dhe tepër e zhvilluar mjekësia, prandaj Isai u paraqiti atyre mrekulli mjekësore, që ata nuk kishin asnjë mundësi ta kryenin, siç ishte shërimi i verbërisë së lindur, i lebrës, apo edhe ngjallja e të vdekurve. Po kështu, Muhamedi ﷺ u dërgua në kohën e oratorisë dhe elokuencës së lartë, në kohën e krijimeve të mrekullueshme dhe të rralla letrare, për atë vend. Atëherë, ai u solli një libër nga Allahu i Madhëruar, i tillë që, edhe sikur të mblidheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët që të sillnin qoftë edhe një sure të vetme të ngjashme me të, nuk do të mundeshin kurrë edhe nëse do të ishin të gjithë ndihmëtarë të njëri tjetrit. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depozitoni në shtëpitë tuaja. - Domethënë, për të sotmen dhe të nesërmen. - Vërtet, këto janë fakte të pakundërshtueshme për ju, nëse jeni besimtarë. - Këto janë shenja për ju, që tregojnë për vërtetësinë time si profet i Allahut dhe vërtetësinë e atij që unë përcjell, pra, të mesazhit të Zotit tim. - Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje, dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. - Unë po e përforcoj mesazhin e Teuratit dhe nuk po e anuloj atë. Unë jam pohues dhe përforcues i mesazhit të Teuratit. Ky është argument se Isai anuloi vetëm disa ligje të Teuratit, dhe ky është më i sakti i dy mendimeve të dijetarëve. - Unë kam ardhur me argumente (të qarta) nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni mua! - Unë po ju vij me një provë treguese për vërtetësinë time si Profet i Zotit dhe të mesazhit që unë përcjell. - Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Atë adhurojeni, sepse kjo është Rruga e drejtë! - Si unë, edhe ju jemi njëlloj, në aspektin që krijesa dhe adhurues të Allahut. Të gjithë ne e kemi detyrë të nënshtrohemi ndaj Zotit, ta adhurojmë Atë me frikërespekt, me përkushtim dhe përunjësi, duke iu dorëzuar tërësisht Atij. Kjo është rruga e drejtë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:48–3:51

- “Ai (Allahu) do t’i mësojë atij Librin, Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin...” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai do t’i mësonte Isait Librin. Fjala ‘libër’ mund të kuptohet këtu në dy mënyra: 1. Librat e shenjtë hyjnorë, dhe në mënyrë të veçantë Teuratin dhe Ungjillin, për shkak të madhështisë së përmbajtjes së tyre. Ata ishin burim drite, udhëzimi dhe ligjesh, të tillë që bijtë e Israilit të gjykonin me drejtësi. Allahu i Lartësuar do t’i mësonte Isait leximin e teksteve të shenjta, por edhe kuptimet e tyre të thella dhe të urta. Ndërsa kuptimi i dytë i fjalës ‘libër’ është: : 2. Shkrimi. Pra, Allahu i Lartësuar do t’i mësonte Isait aftësinë për të shkruar. Të

shkruarit është nga mirësitë më të mëdha me të cilën Allahu i Lartësuar e ka privilegjuar njeriun. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e përdor këtë mirësi ndaj njerëzve, si argument për të treguar mëshirën dhe përkujdesjen e Tij të madhe ndaj tyre, siç thotë në ajetet e para të shpallura nga Kur’âni madhështor: “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)! Ai e krijoi njeriun prej një cope gjaku të ngjizur. Lexo, se Zoti yt është më Bujari! Ai e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë, Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. ” [Alak 1-5]. Allahu i Lartësuar i mësoi Isait edhe urtësinë. Urtësia është njohja e thellë e ligjit të Zotit. Urtësi quhet edhe vendosja e çdo gjëje në vendin që i takon. Pra, urtësia është aftësia për të gjykuar me dije dhe drejtësi. Ajo është një nga mirësitë më të mëdha që mund t’i jepet njeriut. Më pas, Allahu i Lartësuar tregon se do ta nderonte Isain me një cilësi më të lartë se këto që u përmendën. Ai do ta dallonte atë me gradën e profetit: - “...Dhe do ta çojë si profet te bijtë e Israilit...” - Allahu i Lartësuar e përzgjodhi Isain që të ishte Profet i Tij në atë popull të zgjedhur mbi të gjitha kombet e tjera të asaj kohe. Profeti u dërgua që t’i ftonte ata në adhurimin e një Zoti të vetëm, Allahut të Lartësuar, dhe në zbatimin e plotë të ligjeve të Zotit, të shkruar në librat e shenjtë. Allahu i Lartësuar e pajisi Isain (a.s.) me shenja dhe mrekulli të shumta, që tregonin dhe vërtetonin se ai ishte Profet i Zotit të botëve. Prandaj Isai (a.s.) i drejtohet popullit dhe i thotë: - “Unë kam ardhur nga Zoti juaj me një argument (të jashtëzakonshëm) .” – Kuptimi: Unë kam ardhur me argumente dhe mrekulli prej Zotit tuaj, që dëshmojnë se unë jam Profet i Tij dhe them të vërtetën, të cilën ju duhet të pasoni dhe t’i nënshtroheni. Më tej përmenden disa mrekulli të Isait (a.s.), me dhuntinë e falur prej Zotit të tij. - “Unë do të bëj nga balta diçka në formën e shpendit. Pasi t’i fryj atij, ai, me lejen e Allahut, do të bëhet shpend i gjallë.” - Kuptimi: Unë do të formoj me baltë figurën e një zogu, e cila, pasi unë t’i fryj, do të shndërrohet në një zog të vërtetë, të gjallë, që fluturon dhe jeton. E gjithë kjo do të ndodhë me lejen dhe fuqinë e Zotit tim. - “Unë shëroj të verbrit (e lindur të tillë) dhe të sëmurët me lebër. Unë, me lejen e Allahut, i ngjall të vdekurit. ” - Me lejen dhe dhuntinë e dhënë nga Zoti im, unë shëroj ata që lindin të verbër dhe lebrozët. Unë, gjithashtu, ringjall edhe të vdekurit. Sa herë që përmendte këto mrekulli, Isai (a.s.) nuk harronte të thoshte se gjithçka ndodhte me lejen dhe fuqinë e Allahut. Të gjitha këto mrekulli ishin dhuratë e Zotit, si shenja që vërtetonin se ai ishte Profet i vërtetë i Tij. - “Unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depozitoni në shtëpitë tuaja.” – Pra, di gjëra të fshehta, sepse është Allahu i Lartësuar që më mundëson t’i di.

- “Vërtet, këto janë fakte të pakundërshtueshme për ju, nëse jeni besimtarë.” - Të gjitha janë argumente, që ju të besoni se unë vërtet jam Profet i zgjedhur i Allahut ndër ju. A ka shenjë më të madhe sesa të shohësh para syve që një send i pajetë të shndërrohet në një qenie të gjallë?! Po shërimi i sëmundjeve të pashërueshme?! Po ringjallja e të vdekurve dhe rrëfimet për gjërat e fshehta? Do të mjaftonte vetëm një prej këtyre mrekullive për ta besuar atë Profet. Po kur vijnë të gjitha bashkë?! Pa dyshim që të tilla shenja duhet të të bëjnë të besosh dhe t’i nënshtrohesh udhëzimeve të Profetit. - “Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje, dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. ” - Isai (a.s.) i bën të qartë popullit të tij se ai ishte miratues dhe përforcues i ligjit të sjellë më parë prej Musait (a.s.). Pra, libri hyjnor që po i shpallej atij (Ungjilli), ishte i të njëjtit burim me Teuratin. E përbashkëta e shpalljeve hyjnore është se të gjitha ato përmbajnë kumte të vërteta e të sigurta dhe sjellin dispozita të drejta. Ato nuk kanë asnjë kundërthënie mes njëra tjetrës. Nëse do të dallosh sharlatanët dhe shpalljet e rreme, shiko përmbajtjen e tyre dhe se për ku i ftojnë njerëzit. Ata do të jenë në kundërshtim me linjën e profetëve të Zotit dhe të shpalljeve të Tij. Mashtruesve gjithmonë u del fytyra, sepse ata bien ndesh me lajmet e vërteta dhe me shumë ligje të pandryshueshme të Zotit. Ky është tregues i mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar dhe i përkujdesjes së Tij për udhëzimin e krijesave, duke u mundësuar atyre dallimin e së vërtetës nga e kota. Nëse përdorin kriteret e mësipërme, krijesat nuk do të bien kurrë pre e sharlatanëve dhe profetëve të rremë. Është e vërtetë që disa çështje dytësore mund të ngatërrohen dhe njeriu mund të gabojë, por kjo është e pamundur nëse bëhet fjalë për të dalluar profetin e vërtetë nga i gënjeshtërti. Kriteret dalluese për këtë çështje janë shumë të qarta dhe të kuptueshme për këdo, dhe të tilla duhet të jenë, nëse njohim urtësinë dhe mëshirën e Allahut për krijesat. Nëse nuk do të ishte kështu, të gjitha krijesat do të devijonin. Është e pamundur që Zoti të vështirësonte dallimin e profetëve të vërtetë, ndërkohë që prej kësaj zgjedhjeje varet lumturia apo ndëshkimi i përjetshëm, Xheneti apo Xhehenemi. Profeti i vërtetë është shumë thjesht i dallueshëm nga sharlatani. Profeti i vërtetë është një nga krijesat më të mira, ndërsa profeti i rremë është nga njerëzit më të ulët dhe më të fëlliqur. Me urtësinë dhe mëshirën e Tij, Allahu i Lartësuar ka bërë të mundur që mes tyre të ketë dallime të dukshme, në mënyrë që mund t’i kuptojë çdokush që ka logjikë e di të mendojë. Pastaj Isai (a.s.) e mëson popullin e tij se Ungjilli përmban një ligj, i cili ka lehtësime: - “Unë kam ardhur me argumenta (të qarta) nga Zoti juaj, .” – Kuptimi: Unë erdha me mrekulli nga Zoti juaj, që dëshmojnë se unë jam vërtet Profet i Allahut. Këto shenja të qarta e bëjnë të detyrueshme për ju të pasoni rrugën time dhe t’u bindeni udhëzimeve të mia, që unë i sjell prej Zotit tim. Të gjitha këto shenja kanë qëllim të kuptueshëm. Kjo këshillë ka qenë fjala e Allahut të Lartësuar për të gjithë profetët, që ata t’ua përcillnin popujve të tyre: - “...prandaj kijeni frikë Allahun ...” - Pajisuni me devotshmëri ndaj Allahut, duke zbatuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave. - “...dhe bindmuni mua! ” – M’u bindni mua në çdo porosi që ju jap, sepse bindja ndaj Profetit është bindje ndaj Allahut. - “Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Atë adhurojeni, sepse kjo është Rruga e drejtë!” - Isai (a.s.) e provoi njëshmërinë e Allahut të Lartësuar në meritën e adhurimit me faktin se Allahu është Zoti, Krijuesi, Sunduesi i botës. Pra, ai u argumentoi atyre një të vërtetë që ata e mohohin me një fakt që ata e pranonin. Të gjithë e pranojnë se Allahu është Absolut dhe i Vetëm në aspektin e zotërimit, krijimit, furnizimit,

sundimit dhe përkujdesjes ndaj krijesave. Atëherë, fjala e Isait (a.s.) kuptohet kështu: Ashtu sikurse e pranojmë dhe e pohojmë faktin që Allahu i Lartësuar është Ai që na krijoi, që na furnizon dhe që përkujdeset për ne, duke na dhuruar shumë mirësi, po ashtu le të besojmë dhe të pohojmë natyrshëm që Ai duhet të jetë i vetmi që merito n adhurimet tona. Vetëm Atij le t’ia përkushtojmë adhurimet tona. Dashuria e plotë le të jetë për Të. Të shpresojmë për faljen dhe shpërblimet e Tij të pakufishme. Frikërespekti për Të të jetë i plotë. Lutjet, mbështetja dhe kërkimi i ndihmës le t’i drejtohen vetëm Atij. Të gjitha mënyrat e adhurimit duhet t’i kushtohen vetëm Allahut. Në ajet gjejmë një argument kundër të krishterëve, të cilët pretendojnë padrejtësisht se Isai (a.s.) është Zoti i tyre, e disa thonë që është biri i Zotit. Këto pretendime boshe dhe të padrejta hidhen poshtë nga vetë dëshmia e Isait (a.s.), që deklaronte se ishte njeri, krijesë dhe adhurues i Zotit të tij. Vetë ai dëshmonte se ishte i nënshtruar e i kriju ar, si gjithë krijesat e tjera. Allahu i Lartësuar na e sjell dëshminë e Isait (a.s.) për veten e tij në një vend tjetër në Kur’ân: “Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë mua Librin dhe më ka bërë profet. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar për namaz dhe për zekat sa të jem gjallë. Më ka bërë të dashur ndaj nënës sime e nuk më ka bërë mendjemadh e as të padëgjueshëm. Paqja (e Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë.” Kjo është e vërteta për Isanë, birin e Merjemes, për të cilën ata (më kot) rragaten (polemizojnë). Nuk i shkon (madhështisë së) Allahut që të ketë bir. I pastër është Ai (nga çdo mangësi) ! Kur Ai vendos për një çështje, vetëm thotë: Bëhu!”, dhe ajo bëhet. (Isai i tha popullit të vet) Dhe Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë. Por grupet e kundërshtojnë njëri -tjetrin (rreth Isait). Mjerë ata që nuk besuan se ç'kanë për të parë në Ditën e madhe!” [Merjem 30-37]. Ose: “ Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im) ! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti. Allahu thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. " [Maide 116-120]. - “...kjo është rruga e drejtë!” - Adhurimi i Allahut si një i vetëm, devotshmëria ndaj Tij, bindja e plotë ndaj Tij dhe Profetit të Tij, të gjitha këto janë rruga e drejtë dhe e vetmja që të mundëson të arrish tek Allahu i Lartësuar. Çdo rrugë tjetër të çon veçse në zjarrin e Xhehenemit.

← Ali Imran 3:51