إِنَّ ٱللَّهَ رَبِّي وَرَبُّكُمۡ فَٱعۡبُدُوهُۚ هَٰذَا صِرَٰطٞ مُّسۡتَقِيمٞ
All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë; kjo është rrugë e drejtë!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pas tregimit për lindjen e Jahjasë nga një plak e një plakë të shtyrë në moshë, gjë që sipas rregullave të natyrës ishte rast i jashtëzakonshëm, Kurani na rrëfen për një rast edhe më të jashtëzakonshëm, për lindjen e Isait pa babë. Me këtë refuzon bindjet e gabuara rreth Isait, të cilat në atë kohë mbretëronin. Përmendet se atë e lindi Merjemja, se ai ishte foshnjë në djep, se i thirri njerëzit në besim edhe kur ishte në moshë të vogël, e të gjitha këto dokumentojnë, se ai ishte pejgamber dhe njeri, e jo zot. Merjemja është gruaja më e lavdishme në përgjithësi nga gratë e botës, sepse asnjë grua në botë nuk ka përjetuar një lindje si ajo. Isai quhet edhe “fjalë”, sepse ishte i krijuar me dëshirën e Zotit nëpërmjet fjalës “kun” (bëhu). Fjala “Mesih” është epitet i Isait e do të thotë: i pamëkat, i bekuar. Të folurit e Isait si foshnje në djep, përveç që ishte mrekulli, kishte si qëllim mbrojtjen e nderit të nënës nga shpifjet, që i bënin jehuditë. Këtu janë përmendur katër mrekulli të Isait: shpezët nga balta, shërimi i të verbërve dhe të sëmurëve nga lebroza, ngjallja e të vdekurve dhe lajmërimi për ushqimin e ngrënë dhe të depozituar. Isai i thërret njerëzit të besojnë po atë Zot, të cilin e besonte edhe vetë, dhe u jepte të kuptojnë se ai (Isai) nuk ishte zot, ajo ishte rrugë e gabuar, rruga e drejtë është besimi në një Zot xh. sh..