3. Ali Imran · Ajeti 63 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:52–3:63

Ajetet e sipërme folën për lindjen e Isait, për argumentet që dëshmuan qartë se ai ishte i dërguar i Zotit. Mirëpo, megjithatë, shumica e beni israilitëve nuk e besuan, përkundrazi, ata vendosën ta mbysin, por Allahu e shpëtoi prej sherrit të tyre, e në vend të Isait ata e mbytën tradhtarin. Në kaptinën: "En Nisaë" në ajetin 157 flitet për atë se nuk e mbytën Isain..., Havarijjunët besimtarët e sinqert - zemërbardhët) ishin shokë të Isait, ashtu siç ishin sahabët e Pejgamberit tanë..

Çështja e lindjes së Isait, nuk ishte më e jashtëzakonshme se ajo e Ademit. Ky njëmend u lind pa baba, por Ademi lindet pa asnjërin prind, prandaj thuhet se kanë një ngjashmëri në krijim, për sa i përket manifestimit të fuqisë së Zotit.

Zoti xh. sh. i thotë Pejgamberit: nëse nuk të besojnë për këtë që po të rrëfej Unë, thuaju ejani të tubohemi me tërë familjet tona e të juajat në një vend dhe e lusim Zotin ta mallkojë gënjeshtarin. Pejgamberi u tha dhe doli me familjen e vet, me Hysejnin ngryk, Hasanin përdore, Fatimën pas tij, e Aliu pas. Mirëpo kundërshtarët nuk patën guxim të dalin, pse e dinin se ata vetë ishin gënjeshtarë. Me atë rast u dokumentua se Muhammedi vërtet ishte i dërguar i Zotit, por ata nuk donin ta pranonin, e megjithatë i ikën mallkimit, por dështuan keq.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:59–3:63

- Rasti i Isait tek Allahu, është si rasti i Ademit, të cilin Ai e krijoi nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu!” dhe ai u bë. - Pra, ky është një shembull, që na tregon pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar, i Cili e krijoi Isain (a.s) pa baba biologjik. Rasti i Isait, në aspektin tregues të fuqisë dhe pushtetit absolut të Allahut për ta krijuar atë pa baba biologjik, është si ai i Ademit, të cilin madje Allahu i Lartësuar e krijoi pa baba dhe pa nënë, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “...Ai e krijoi (Ademin) nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu!”, dhe ai u bë.” Kështu, Ai i Cili e krijoi Ademin pa baba biologjik, ishte i plotpushtetshëm e i plotfuqishëm që të krijonte Isain në të njëjtën mënyrë, dhe ky rast është më i qartë për t'u pranuar. Nëse dikush do të pretendonte se Isai ishte biri biologjik i Zotit, me pretendimin se Isai u lind pa baba biologjik, atëherë pretendimi se Ademi (a.s) ishte biri biologjik i Zotit, sepse ai u krijua pa nënë dhe pa baba, është më i fortë që të pranohet. Por, sigurisht, kjo është diçka unanimisht e papranueshme, prandaj edhe pretendimi për Isain është edhe më i papranueshëm. Allahu, Zoti i Lartësuar e Krenar, deshi që të shfaqte pushtetin dhe fuqinë e Tij absolute në llojet e krijimit, që Ai sjell në këtë botë. Kështu, Ai e krijoi Ademin pa mashkull dhe pa femër, pra, pa ndërhyrjen e dy prindërve biologjikë. Ai krijoi Havanë nga një mashkull dhe pa femër, pra, pa praninë e nënës, sepse e krijoi nga brinja e Ademit. Ai krijoi Isain nga një nënë dhe pa baba biologjik, dhe pastaj i krijoi të gjithë njerëzit e tjerë me nënë dhe baba biologjik. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, duke treguar shkakun përse e krijoi Isain në këtë formë, thotë: “Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu, Zoti yt thotë: “Kjo është e lehtë për Mua” dhe ta bëjmë atë (djalin e krijuar pa baba) shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga Ne. Kjo është punë e mbaruar!” [Merjem 21]. Ndërsa në këtë ajet thotë: - E vërteta vjen vetëm nga Zoti yt, prandaj ti mos u bëj kurrë nga ata që dyshojnë! - Kjo është e vërteta rreth çështjes së Isait. Kjo është e vërteta, që nuk lejohet të largohesh nga ajo. Atëherë, çfarë mbetet pas të vërtetës, veç të kotës?! - Atyre që të kundërshtojnë ty në çështjen e tij (Isait), pasi të është bërë e ditur e vërteta, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju dhe të lutemi për mallkimin e Allahut mbi gënjeshtarët!”. - Pra, eja t’i tubojmë të gjithë për “ el mub âhele”, domethënë për lutje kundër të padrejtëve. Pastaj, le të lutemi që mallkimi i Allahut të bjerë mbi mashtruesit! Le të godasë Zoti me mallkimin dhe ndëshkimin e Tij cilindo që është mashtrues, nga të dyja palët! Shkaku i nxitjes për këtë mubahele dhe për atë çka është përmendur që nga fillimi i sures deri këtu, është ndodhia me delegacionin nga Nexhrani. Kur shkuan te Profeti , të krishterët e Nexhranit filluan të polemizonin me të rreth çështjes së Isait. Ata shpalosën besimin e tyre se Isai ishte bir i Zotit. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti fillimin e kësaj sureje, për t'u dhënë një përgjigje shteruese dhe për ta rrëzuar besimin e gabuar të tyre. Për këtë ngjarje flet edhe imam Is’hak ibn Jesari, në librin e tij Sira. Shkurtimisht, ai thotë: "Tek Profeti i Allahut erdhi një delegacion nga nesarët (të krishterët) e Nexhranit. Ishin 60 kalorës, mes të cilëve 14 burra më të zgjedhurit dhe më fisnikët e tyre. Ata ishin autoriteti që vendosnin për çdo çështje të banorëve të Nexhranit. Ata ishin më të zgjedhurit dhe më të diturit. Kreu i tyre ishte El Akibi. Ishte ai që vendoste dhe që mblidhte opinionet e njerëzve. I dyti ishte Es -Seidi, që ishte dijetari më i madh mes tyre. I treti ishte Ebu Harithete Ibn Alkame, patriarku i tyre. Ai ishte arab, por kishte pranuar Krishtërimin dhe mbante postin e priftit më të lartë. Romakët dhe mbretërit e tyre e

respektonin shumë, prandaj e ngritën në këtë gradë. Ai e njihte mirë çështjen e Profetit të Allahut, cilësitë dhe përshkrimet e tij, të cilat i kishte mësuar nga librat e vjetër. Por nderimet dhe pozita që ai gëzonte tek romakët, si dhe ofiqet dhe përfitimet që ai kishte prej njerëzve, e bënë që të vazhdonte të këmbëngulte në fenë e tij. Kështu, ata erdhën në Medinë dhe hynë në xhaminë e Profetit, kur ai po falte namazin e ikindisë. Ata ishin veshur me rroba të bukura shumëngjyrëshe. Për ta, sapo kishte hyrë koha e faljes, ndaj qëndruan në xhaminë e Profetit të Allahut për të kryer ritet e tyre. Profeti tha: 505. “Lërini (të kryejnë ritet e tyre)!” Kështu, ata u falën duke u drejtuar nga lindja. " Ibn Is’haku thotë (shkurtimisht): "Ata të tre folën me Profetin dhe diskutuan rreth Isait. Ata thoshin se Isai është vetë Zoti, se është biri i Zotit dhe se është pjesë e Trinisë. I lartësuar qoftë Allahu nga fjalët dhe shpifjet e tyre të ulta! Duke u përpjekur të argumentonin se Isai është vetë Zoti, përmendën faktin se Isai ngjallte të vdekurit, shëronte ata që ishin të lindur të verbër, ata që ishin të sëmurë me lebër dhe me sëmundje të tjera. Ata përmendën, gjithashtu, se ai njoftonte për çështje të fshehta dhe të panjohura, dhe shumë çështje të tilla. Ndërsa për besimin e tyre se Isai është i biri i Zotit, argumentoheshin me faktin se ai nuk kishte baba biologjik dhe se ai ai foli që në djep, gjë që - sipas tyre - mund ta bënte vetëm dikush që është hyjnor. Ndërsa rreth besimit të tyre se Isai është i treti i Trinisë, ata u argumentuan me faktin se edhe në Kur 'an, Allahu i Madhëruar thotë: “Ne bëmë”, “Ne urdhëruam”, “Ne krijuam”, “Ne vendosëm” etj., ku Allahu shprehet për Veten e Vet në numrin shumës. Sipas këtij arsyetimi, nëse do të ishte “Një e i Vetëm”, atëherë Ai do të thoshte: “Unë krijova, Unë bëra, Unë urdhërova, Unë vendosa” etj. Pra, nuk do të fliste në numrin shumës, por në numrin njëjës. Kështu, - sipas tyre - Zoti, Isai dhe Merjemja janë Trinia. 143 I lartësuar qoftë Allahu! I pastër dhe i dëlirë nga çdo e metë që shpifin dhe trillojnë zullumqarët, qoftë Ai! Atëherë, për të gjitha këto fjalë dhe pretendime të tyre boshe zbritën këto ajete të Kur 'anit. Kur dy dijetarët e tyre i folën Profetit të Allahut (a.s), ai u tha: “Pranoni Islamin!” Pra, dorëzojuni Zotit. Ata thanë: “Por ne i jemi dorëzuar Zotit!” Profeti (a.s.) u tha: “Ju nuk i jeni dorëzuar Zotit! Ju nuk i jeni dorëzuar fesë dhe besimit të drejtë! Prandaj dorëzohuni dhe pranoni besimin e vërtetë!” Ata thanë: “Përkundrazi, ne i jemi dorëzuar Zotit përpara teje!” Atëherë, Profeti i Allahut tha: “Ju po gënjeni! Ju ju ndalon që të pranoni Islamin, pretendimi juaj se Allahu ka fëmijë, adhurimi që i bëni kryqit dhe ngrënia e mishit të derrit.” Atëherë, ata i thanë: “Kush është babai i Isait, o Muhamed?” Profeti heshti dhe nuk iu përgjigj. Atëherë, në lidhje me fjalën e tyre dhe kundërshtitë që ata i paraqitën Profetit, Allahu i Lartësuar zbriti më shumë se 80 ajete nga surja Al Imran. Ibn Is’haku thotë: “Atëherë, Profetit i erdhi lajmi prej Allahut dhe gjykimi mes tij dhe vizitorëve të krishterë nga Nexhrani. Kështu, Allahu i Madhëruar e urdhëroi që të organizonte këtë tubim mallkimi ( mubahele), për shkak të kundërshtimit të tyre të ftesës së Profetit. Por ata iu përgjigjën duke thënë: “O Ebu Kasim, na lër ta shqyrtojmë dhe të këshillohemi me njëri tjetrin. Nesër do të vijmë me përgjigje për ftesën tënde.” Pastaj u larguan. Ata u veçuan dhe shkuan tek El Akibi, i cili ishte njeriu që vendoste dhe vuloste qëndrimet e tyre. Ata i thanë: “O Robi i Mesihut! - (duke e menduar Isain si Zot) Kështu thirrej ai - Si e gjykon këtë çështje e si mendon të vendosim?” Ai tha: “Për Zotin, o të krishterë! Ju e dini shumë mirë se Muhamedi është një profet i dërguar nga Zoti dhe ju ka ardhur juve me një fjalë ndarëse dhe me një gjykim të drejtë në çështjen tuaj. Ju e dini mirë se, çdokush që ka marrë guximin që të hyjë në mubahele me një profet, nuk ka mbetur gjallë, të mëdhenj a të vegjël qofshin, por ka ardhur shfarosja e menjëhershme. Prandaj, nëse e

bëni këtë, do të shfaroseni menjëherë! Nëse dëshironi që t’i qëndroni besnikë fesë tuaj, duke qëndruar në gjendjen që jeni, në atë besim që pretendoni për Isain, atëherë lëreni këtë burrë dhe shkoni në vendin tuaj!” Kështu, ata shkuan tek Profeti i Allahut dhe i thanë: “O Ebu Kasim, u këshilluam dhe menduam që të mos vijmë në këtë tubim mallkimi me ty. Vendosëm të largohemi prej teje dhe të të lëmë në fenë tënde! Ne do të kthehemi në vendin tonë, por dërgo një burrë që ti dëshiron dhe që i beson, si gjykatësin tonë, në çështjet e mosmarrëveshjeve pasurore. Ne jemi dakord dhe të kënaqur me gjykimin tuaj.” Muhamed Ibn Xhaferi tregon: “Atëherë Profeti tha: “Ejani me mua në mbrëmje, që të dërgoj bashkë me ju një njeri, që është i fortë dhe besnik.” Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) rrëfen: “Kurrë nuk kam dashur më shumë se atë ditë që të isha udhëheqës, duke shpresuar që të isha unë ai që Profeti e quajti “i fortë dhe besnik”. Atë natë, shkova tek Profeti. Pasi fali namazin e drekës, ai dha selam, pastaj vështroi nga e djathta dhe e majta e tij. Unë u zgjata, për t’i rënë në sy Profetit. Profeti vazhdoi të kërkonte me sy, derisa pa Ebu Ubejde Ibn Xherah dhe i tha: “Shko me ata dhe gjyko mes tyre me të vërtetën dhe të drejtën, për çështjet që ata kanë mosmarrëveshje!” Umeri tregon: “Kështu, ishte Ebu Ubejde ai që shkoi, me atë mirësi e nderim që i bëri Profeti (a.s). Allahu qoftë i kënaqur prej Ebu Ubejdes!” Qëllimi i gjithë kësaj historie, është për të treguar se delegacionet e tyre erdhën në vitin e 9 -të, sepse Zuhriu ka thënë që banorët e Nexhranit ishin të parët që i paguan xhizjen Profetit. Dhe ajeti i xhizjes zbriti pas çlirimit të Mekës. Pikërisht për këtë bën fjalë ajeti i Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Luftojini ata që u është dhënë Libri, të cilët nuk besojnë në Allahun dhe në Ditën e fundit, që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe që nuk e besojnë (Islamin) fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” [Teube 29]. Allahu i madhëruar tha: " Atyre që të kundërshtojnë ty në çështjen e tij (Isait), pasi të është bërë e ditur e vërteta, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju dhe të lutemi për mallkimin e Allahut mbi gënjeshtarët!”. Xhabiri ka thënë për shpjegimin e këtij ajeti, se: Profeti i Allahut doli në mubahele, bashkë me Ali Ibn Ebu Talibin, Hasanin dhe Husejnin dhe Fatimen, pra, bijën e tij. Pastaj i Lartësuari thotë. - Nuk ka dyshim se këto janë rrëfime të vërteta (rreth Isait) . Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër (me meritë), përveç Allahut. Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti. - Kjo që po të tregojmë, o Muhamed, rreth çështjes së Isait, është e vërteta e sigurt, nga e cila nuk lejohet të largohesh dhe as të devijosh! - Por, nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), atëherë Allahu di gjithçka për ata që përhapin shkatërrimin. - Allahu i Lartësuar i njeh mirë ata të cilët devijojnë nga e vërteta, për të përqafuar dhe për të mbetur me kokëfortësi në të kotën, dhe pikërisht ata janë shkatërruesit dhe çrregulluesit në Tokë. Allahu është i gjithëditur për qëllimet që i fshehin në zemër dhe për veprat e tyre të këqija, prandaj dhe do t’i shpërblejë ata me ndëshkimin më të drejtë dhe më të ashpër. Allahu i Lartësuar është i Plotpushtetshëm dhe Atij nuk mund t’i shpëtojë askush. Ai është i Lavdëruari! Allahut i lutemi që të na ruajë nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:61–3:63

- “Atyre që të kundërshtojnë ty në çështjen e tij (Isait), pasi të është bërë e ditur e vërteta,...” - Allahu i Lartësuar i bën të ditur P rofetit (a.s.) se, pas ardhjes së argumenteve të qarta, çdokush që polemizonte me të rreth çështjes së Isait (a.s.), duke pretenduar se ai (Isai) ishte i barabartë me vetë Allahun, është i padrejtë dhe kryeneç, që mohon të vërtetën. Allahu na ka treguar se Isai (a.s.) ishte një prej krijesave të Tij, adhurues i sinqertë dhe Profet nga më të nderuarit dhe të zgjedhurit. Me njerëzit të cilët e shpërfillin të vërtetën e ardhur prej Zotit nuk vlen më diskutimi dhe argumentimi, sepse ata nuk diskutojnë për të arritur të vërtetën, por thjesht për të kundërshtuar e për të treguar veten. Nga diskutime të tilla nuk përfiton askush, prandaj Allahu i Lartësuar na ka udhëzuar që të ndjekim një tjetër rrugë me kësi njerëzish. - “...thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju ...” - Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që t’i ftonte ata arrogantë në një sfidë të hapur, që quhet mubâheleh. Mubâheleh do të thotë: grumbullimi i dy grupeve kundërshtare në një vend, që të lusin Allahun e Lartësuar që ta mallkojë dhe ta ndëshkojë atë grup që është gënjeshtar në pretendimin e tij. Të dyja palët duhet të marrin me vete fëmijët, gratë dhe njerëzit më të dashur të tyre. - “...dhe të lutemi për mallkimin e Allahut mbi gënjeshtarët.”. - Profeti (a.s.) i ftoi ata në një procedurë të tillë, pasi ata nuk pranuan argumentimin dhe faktet e qarta të sjella prej tij. Por ata nuk e pranuan këtë sfidë të Profetit (a.s.). E si mund të pranonin një sfidë të tillë, kur e dinin se kjo do të thoshte që të shfaroseshin totalisht me gjithë familjet e tyre, duke u ndëshkuar kështu që në këtë jetë! Ata pranuan që të qëndronin në fenë e tyre, edhe pse ishin të sigurt për kotësinë e saj. Një sjellje e tillë dëshmon për poshtërsinë dhe motivin e sëmurë që fshihej brenda zemrave të tyre. Për këtë arsye, i Madhëruari thotë: - Por, nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), atëherë Allahu di gjithçka për ata

që përhapin shkatërrimin. ...” - Allahu e dinte shumë mirë se çfarë fshihnin në zemër ata përhapës të shkatërrimit në tokë, prandaj do t’i ndëshkojë ata ashtu sikurse e meritojnë. - “Nuk ka dyshim se këto janë rrëfime të vërteta (rreth Isait).” - Kjo është e vërteta e padiskutueshme. Çdo gjë tjetër që bie ndesh me të është shpifje dhe gënjeshtër. - “Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Allahut.” - Ai është Zoti që meriton të gjitha adhurimet tona. Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet me dashuri, me durim dhe nënshtrim total. Askush tjetër nuk meriton asnjë grimcë adhurimi, përkushtimi e bindjeje totale, sepse: - “Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti” - Allahu është El Azîz , Krenar, i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar e i Pamposhtur. Çdo gjë i është nënshtruar madhështisë dhe krenarisë së Tij. Allahu është El Ĥakîm, i Urtë. Ai vendos gjithçka në vendin që i takon. Me urtësinë e Tij të madhe, Ai sprovon besimtarët me jobesimtarët, sepse kështu shfaqet dashuria dhe sakrifica e besimtarëve për Zotin e tyre. Për hir të Zotit të tyre, ata luftojnë dhe polemizojnë me qafirët me argumente dhe me Librin e ndritur të dhuruar nga Zoti i gjithësisë.

← Ali Imran 3:63