3. Ali Imran · Ajeti 74 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:64–3:74
Meqë Kur'ani solli argumente dhe asgjësoi idenë mbi hyjninë e Isait, i thirri që të dy grupet ithtare të librit që edhe ata ta besojnë Zotin një, të jenë të njëjtë dhe të barabartë me myslimanët, i thirri të orientohen në besimin që e praktikoi babai i pejgamberëve Ibrahimi, besimin e pastër vetëm në një Zot të madhëruar.
Të dy grupet ithtarë të librit, trilluan mendime, gjoja se Ibrahimi i takoi fesë së tyre, jehude ose krishtere. Kur'ani vuri në pah se Ibrahimi ishte pejgamber i hershëm, ishte shumë para Tevratit dhe para Inxhilit, e nuk ishte as i fesë jehude as i fesë krishtere, e as i asaj idhujtare, por ai ishte monoteist i vërtetë.
Derisa trillimet e tyre rreth Ibrahimit nuk dhanë kurrfarë rezultati, ithtarët e librit, gjegjësisht, jehuditë, u sollën me një mënyrë tjetër t'i kundërvihen Muhammedit dhe fesë së Tij. Disa u thanë të vetëve: publikoni gjoja se keni pranuar fenë islame, e pas pak kohe, sikurse nuk gjetët kurrfarë kënaqësie në te, refuzonie dhe braktisnie, ashtu që të krijoni njëfarë hutie ndër besimtarë të dobët nga radhët e myslimanëve. Madje u thonin ithtarëve të vet: mos i besoni askujt tjetër e të tregoni se çka shkruan Tevrati për Muhammedin, sepse nëse tregohet e vërteta, pejgamberllëku po kalon te Muhammedi, te arabët, e nuk po mbetet te ne, në anën tjetër, myslimanët do të na mundin me argumente para Zotit në ditën e kijametit, pse ne po e fshehim realitetin.
Zoti i thotë Muhammedit që të mos ngushtohet për trillimet e tilla, sepse Ai shpie në rrugë të drejtë ata i që do dhe e dërgon pejgamber kë të dojë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:69–3:74
- Disa nga ithtarët e Librit dëshirojnë t’ju shtyjnë në rrugë të gabuar. Por ata nuk devijojnë tjetër njeri veç vetes së tyre dhe nuk e kuptojnë. - Allahu i Lartësuar na tregon urrejtjen dhe smirën e madhe të jehudëve për besimtarët dhe faktin që ata luftojnë dhe përpiqen për t’i devijuar dhe humbur besimtarët nga rruga e Tij. Por, të mjerët, nuk e dinë se janë vetë ata që bien pre e kurtheve të tyre. Ndëshkimi i Allahut të Lartësuar për ta, për këtë vepër dhe synimet e këqija që kanë ndaj besimtarëve,
është mëse i drejtë dhe plotësisht i merituar. Të gjitha ligësitë dhe të këqijat që ata i përgatisin për besimtarët do të godasin pikërisht thurësit e tyre. Ata nuk e ndiejnë aspak këtë. Allahu i Lartësuar i qorton dhe kërcënon rëndë ata, duke u thënë: - O ithtarë të Librit! Përse nuk i besoni shpalljet e Allahut (Kur'anin), për të cilat ju vetë jeni dëshmitarë (se janë të vërteta)? - Ju e dini mirë që ato janë të vërteta dhe, padyshim, vijnë prej Allahut të Lartësuar. - O ithtarë të Librit! Përse e përzieni të vërtetën me të pavërtetën dhe përse e fshihni të vërtetën me vetëdije? - Ju e fshihni të vërtetën, e cila ndodhet e qartë në librat tuaj. Ata flasin për cilësitë e Muhamedit ﷺ dhe përshkrimin e tij, dhe ju e dini mirë këtë. - Disa nga ithtarët e Librit thonë: “Besojeni në mëngjes atë që u është shpallur atyre që kanë besuar, dhe mohojeni në mbrëmje! Ndoshta kështu edhe ata do të tërhiqen (nga besimi) ”. - Ky është një kurth, që ata e përdorin zakonisht, por ai u sjell rezultat vetëm me ata njerëz që janë të dobët, të cilëve ata arrijnë t’ua pështjellojnë çështjet, duke u ngritur dyshime dhe paqartësi. Kështu, duke rënë në ujdi me njëri -tjetrin, ata shfaqen sikur janë besimtarë në agim, duke falur namazin e sabahut, por në fund të ditës ata e lëshojnë fenë e Zotit, për të dhënë të kuptohet nga njerëzit e paditur dhe të papjekur sikur lënia e fesë nga ana e tyre ka ardhur për shkak se ata kanë parë ndonjë mangësi dhe parregullsira në fenë e muslimanëve. Kështu, ata e bëjnë këtë punë për t’u treguar dhe mbushur mendjen të paditurve se kjo është një fe e kotë, e cila duhet braktisur. Prandaj thonë se, mbase dhe muslimanët do ta braktisin këtë fe. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - Dhe mos i besoni askujt, përveç atyre që ndjekin fenë tuaj!” - Mos kini besim dhe mos ua tregoni muslimanëve librat që keni në duar. Mos ua tregoni mesazhet e qarta që gjenden brenda Teuratit, që tregojnë për profetin Muhamed dhe urdhëresat e Zotit për të pasuar fenë e Tij, sepse kështu ata mund të kenë argument kundër jush dhe mund t’i nxjerrin këto fakte kur të polemizojnë me ju! Të tilla çështje mund t’ua shfaqni veçse atyre që pasojnë fenë tuaj dhe që janë brenda jush. Por Allahu i Madhëruar thotë: - “Thuaju: “Udhëzim i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut!” - Është Allahu që i udhëzon zemrat e besimtarëve për të pranuar imanin e plotë dhe korrekt dhe për ta mbushur zemrën me besim të plotë dhe të paluhatshëm. - (Ata i thoshin njëri -tjetrit): “Kurrë mos besoni se ndokujt po i jepet (profecia, dija urtësia dhe mirësitë e mëdha), si ju është dhënë juve, përndryshe, (ditën e gjykimit), do të polemizojnë kundër jush para Zotit tuaj! - Ata thonë: “Mos ua tregoni këto të dhëna që gjenden në librat tuaj, në mënyrë që ata pastaj të jenë të barabartë me ju në dituri. Nëse nuk tregoheni të kujdesshëm, ata do t’i marrin këto argumente që mbani ju, që t’i përdorin kundër jush, në këtë botë, por edhe në ahiret. Pra, fshiheni atë dituri nga të tjerët. Por Allahu i Lartësuar thotë: - Thuaju: “E gjithë mirësia është në Dorë të Allahut! Ai ia jep atë kujt të dëshirojë. Allahu është i Gjerë (në mëshirën e Tij) dhe i Gjithëditur”. - Mirësia është në dorën e Zotit dhe është Ai që e administron atë. Është Allahu Ai që quhet Dhuruesi i Madh, por është përsëri Ai që edhe privon. Allahu i Madhëruar i jep mirësi atij që Ai dëshiron, duke i dhuruar kështu iman e dituri të pastër. Është Allahu i Lartësuar Ai që e vendos diçka të tillë. Vetëm në dorën e Tij është dhurimi i të tilla mirësive. Nga ana tjetër, është po Allahu i Lartësuar që lë në humbje dhe devijon, Ai që ua verbon shikimet dhe aftësinë e tyre për të perceptuar dhe kuptuar. Është Ai që i largon nga e vërteta ata që e meritojnë diçka të tillë. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartësuar vepron me dituri dhe urtësi absolute. Pa dyshim, Ai e bën çdo gjë në bazë të drejtësisë së Tij të pacenueshme, mbi
argumentet e Tij të pathyeshme dhe me urtësinë e Tij absolute. - Ai dallon kë të dojë me mëshirën e Vet. Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe. - Është Allahu i Lartësuar që ju veçoi dhe dalloi ju, o besimtarë të sinqertë, me mirësinë e imanit. Është Ai që ju bëri të ndiqni Sheriatin më të plotë dhe ligjitn më të mrekullueshëm, që ka zbritur ndër njerëz. Është Ai që ju bëri pasuesit e Profetit më të nderuar dhe më të dalluar ndër profetët e Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:69–3:74
- “Disa nga ithtarët e Librit dëshirojnë t’ju shtyjnë në rrugë të gabuar.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth një grupi njerëzish, që gjithmonë do të ekzistojnë mes ithtarëve të Librit. Poshtërsia e këtyre ka arritur kulmin. Ata nuk mjaftohen me faktin që janë të humbur dhe po shkojnë drejt zjarrit të Xhehenemit, por dëshirojnë dhe përpiqen që të humbasin edhe muslimanët nga rruga e drejtë. Në ajetin 109 të sures Bekare, i Lartësuari thotë: “Shumë ithtarë të Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthejnë në jobesimtarë, të shtyrë nga zilia e tyre, edhe pasi u ishte bërë e qartë e Vërteta. Falini dhe tolerojini ata, derisa Allahu ta sjellë urdhrin e Vet! Allahu ka pushtet për gjithçka. ” Dihet shumë mirë se ai që e dëshiron fort një gjë, përpiqet që t’ia arrijë qëllimit me çdo mënyrë e rrugë që mundet. Kështu veprojnë ata të mallkuar. Ata mundohen që t’i devijojnë muslimanët nga rruga e tyre, duke u futur dyshime. Por Allahu i Lartësuar është i Mëshirshëm me adhuruesit e Tij të sinqertë dhe përkujdeset për ta. Kurthet godasin veçse ata që i kurdisin ato. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: - “Por ata nuk devijojnë tjetër njeri veç vetes së tyre dhe nuk e kuptojnë. ” - Përpjekjet e tyre për të devijuar dhe çoroditur muslimanët nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për t’u zhytur edhe më thellë në humbjen e tyre. Me këtë veprim, ata ia shtojnë edhe më shumë vuajtjet vetes së tyre. Thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Atyre, që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t'u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime. ” [Nahl 88]. Ata janë aq fatkeqë në këto përpjekje të dëshpëruara për të kënaqur smirën dhe armiqësinë e tyre, saqë nuk e ndiejnë se po dëmtojnë vetveten. Ata janë aq të verbuar nga zilia dhe urrejtja për të zgjedhurit dhe të dashurit e Zotit, saqë nuk e shikojnë se përpjekjet e tyre nuk dëmtojnë asnjë tjetër, veçse ata vetë. - “O ithtarë të Librit! Përse nuk i besoni shpalljet e Allahut (Kur'anin), për të cilat ju vetë jeni dëshmitarë (se janë të vërteta)?” - Allahu i Lartësuar u flet zemrave të këtyre njerëzve: Çfarë ju shtyn që t’i mohoni këto argumente të sakta prej Zotit të botëve, kur ju jeni të sigurt se pretendimi juaj është i kotë?! Si është e mundur ta refuzoni udhëzimin e mrekullueshëm të sjellë prej Muhamedit (a.s.) nga Zoti i tij, kur jeni të sigurt se ai është Profet i madh?! Madje, ju e pohoni mes jush vërtetësinë e tij, nga një anë, dhe ua fshihni të tjerëve, nga ana tjetër. Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar i qorton dhe i këshillon ata që të heqin dorë nga egoizmi dhe arroganca e tyre e tepruar. Ai i këshillon ata që ta lënë këmbënguljen e kotë në rrugën e gabuar dhe t’i kthehen së vërtetës, të cilën e dëshmojnë edhe vetë. Më pas, Allahu i Lartësuar vijon t’i qortojë dhe t’i këshillojë ata që të mos pengojnë të tjerët, që e duan udhëzimin, nga rruga e lumturisë:
- “O ithtarë të Librit! Përse e përzieni të vërtetën me të pavërtetën dhe përse e fshihni të vërtetën me vetëdije? ” - Allahu i Lartësuar i qorton ata për dy gjëra: 1. Për pështjellim të së vërtetës me të kotën, që ajo të bëhet e pakuptueshme dhe e papranueshme për njerëzit, e si rrjedhojë ata të ndjekin të kotën. 2. Për fshehjen e të vërtetës që ndodhet në mes tyre. Me këto dy mënyra, ata kontrollojnë mendjet dhe besimin e ithtarëve të vet, sepse njerëzit janë pasues të dijetarëve të tyre. Nëse dijetarët e një kombi nuk e ndajnë të vërtetën nga e kota, duke i lënë çështjet të mjegullta, kështu ata i çorodisin njerëzit e thjeshtë dhe mund t’i kontrollojnë ata lehtësisht. Nëse dijetarët e fshehin të vërtetën, të cilën e kanë detyrë ta shfaqin, kështu ata i lënë njerëzit të verbër dhe mund t’i drejtojnë nga të duan. Në të tilla kushte, me njerëz të çoroditur dhe të verbër, sigurisht që e kota do të pranohet si e drejtë dhe e vërteta do të sulmohet dhe do të urrehet. Njerëzit e thjeshtë, nëse lihen të çoroditur dhe të verbër, nuk mund ta gjejnë kurrë të vërtetën. Ata nuk mund ta mësojnë kurrë të gabuarën, që të mund t’i ruhen dhe të distancohen prej saj. Të çoroditurit dhe të verbërit janë veçse kukulla në duart e të tjerëve. Roli i dijetarëve është shumë i rëndësishëm dhe fisnik. Janë ata që qartësojnë të vërtetën dhe japin kriteret dalluese mes asaj dhe të kotës. Ata, me ndihmën e Zotit, u hapin sytë njerëzve, që të shohin të vërtetën si të vërtetë dhe ta pasojnë atë. Ata u mundësojnë njerëzve që të shohin të kotën si të kotë dhe t’i largohen asaj. Dijetarët u sqarojnë njerëzve hallallin dhe haramin, urdhrat dhe ndalesat, besimin e drejtë të mbështetur me argumente të sigurta prej Zotit të gjithësisë, nga besimi i gabuar dhe i shtrembëruar, që nuk bazohet në argumente të sakta. Nëpërmjet dijetarëve, udhëzohen ata që duan udhëzimin, drejtohen të gabuarit dhe zhvlerësohet justifikimi i arrogantëve mosmirënjohës. Allahu i Lartësuar thotë: (Kujto) Kur Allahu mori zotimin nga ata të cilëve u ishte dhënë Libri se do t’ua sqaronin atë njerëzve dhe nuk do ta fshihnin. Por ata e lanë pas dore atë amanet për një çmim të ulët të kësaj jete. Sa e keqe është ajo që blenë! [Al Imran 187]. Pastaj Allahu i Lartësuar na rrëfen se çfarë synon të bëjë ky grup i fëlliqur i njerëzve: - “Disa nga ithtarët e Librit thonë: “Besojeni në mëngjes atë që u është shpallur atyre që kanë besuar, dhe mohojeni në mbrëmje! Ndoshta kështu edhe ata do të tërhiqen (nga besimi).”.”. - Pra, hyni në fenë e tyre dhe shfaquni sikur pranuat Islamin, në fillim të ditës. Pastaj, në fund të ditës, lëreni, braktiseni fenë e tyre, që kjo t’i nxisë ta braktisin Islamin. Bëjeni këtë, në mënyrë që braktisja e Islamit të duket diçka normale. Kur njerëzit të shohin dijetarët apo klerikët që e pranojnë Islamin dhe pastaj e braktisin atë, do të mendojnë se kjo fe është jo e drejtë, përderisa atë e braktisin të diturit dhe ata që kanë përvojë në fe. Por të tilla plane mund të funksionojnë vetëm në mendjet e prishura. Aq shumë u pëlqen vetja atyre, sa mendojnë se njerëzit do t’i pasojnë gjithmonë në rrugën e tyre. Porse ata harrojnë diçka shumë të rëndësishme: ata harrojnë që Allahu i Lartësuar do ta përsosë dhe do ta plotësojë Dritën e Tij, edhe nëse këtë e urrejnë mohuesit e së vërtetës. - “Dhe mos i besoni askujt, përveç atyre që ndjekin fenë tuaj! ” - Ata porosisin njëri-tjetrin që të mos i besojnë askujt, përveç atyre që janë të fesë së tyre. Kështu, ata thonë: “Mbajeni të fshehtë atë që dini dhe mos ia shfaqni askujt tjetër, veç atyre që janë pasues të fesë tuaj, sepse po ta përhapni dijen tuaj tek të tjerët, atëherë edhe ata do të bëhen të barabartë me ju. Në këtë mënyrë, ata do të mund t’ju demaskojnë ju para Zotit, duke përdorur dijen tuaj, ndërsa ju nuk do të keni asnjë lloj justifikimi para Zotit tuaj. Ata do të dëshmojnë kundër jush, duke thënë se ju e njohët të vërtetën, por nuk e pasuat atë.” Kjo është arsyeja që ata e fshehin dijen e tyre rreth së vërtetës dhe nuk ua shfaqin besimtarëve. Sipas tyre, dija
është monopol që e kanë vetëm ata. Në këtë mënyrë, ata pandehin se do të jenë të justifikuar për mospranimin e të vërtetës, por Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë iluzione të tilla të pavlefshme. - “Thuaju: “Udhëzim i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut!” (Ata i thoshin njëri-tjetrit): “Kurrë mos besoni se ndokujt po i jepet (profecia, dija urtësia dhe mirësitë e mëdha) , sikurse ju është dhënë juve, përndryshe, (ditën e gjykimit), do të polemizojnë kundër jush para Zotit tuaj! - Udhëzimi është dhuratë prej Allahut të Lartësuar, që ia jep çdokujt që e kërkon atë ashtu si duhet kërkuar. Udhëzimi nuk mund të gjendet pa patur dije të saktë dhe të sigurt. Por dija është e saktë dhe e sigurt veçse nëse vjen prej Allahut të Lartësuar dhe prej profetëve të Tij. Po ashtu, askush nuk mund të ketë sukses për t’u pajisur me dije të tillë dhe për të punuar me sinqeritet sipas saj, veç atij që Allahu e do dhe i jep sukses. Ithtarët e Librit zotërojnë shumë pak dituri, ndërsa suksesi i Allahut është shumë larg tyre, për shkak të qëllimeve të poshtra që ata fshehin. Nga ana tjetër, nëse shohim dhuntitë e Allahut për umetin musliman, këtë popull të zgjedhur ndër njerëz, do të shohim një ndryshim shumë të madh. Udhëzimi i Allahut është shumë i dukshëm dhe i qartë për ta. Ai u ka dhuruar atyre dituri të madhe dhe u ka dhënë sukses që të punojnë sipas asaj diturie me sinqeritet për Të. Këto dhunti i dallojnë dhe i lartësojnë ata në mesin e njerëzve. Ata janë të udhëzuarit, të cilët udhëzojnë të tjerët në rrugën e drejtë të Zotit, me argumente të qarta nga Ai. Kjo është bujaria dhe bamirësia e Tij ndaj tyre, prandaj i Lartësuari thotë: - “Thuaju: “E gjithë mirësia është në Dorë të Allahut! Ai ia jep atë kujt të dëshirojë. Allahu është i Gjerë (në mëshirën e Tij) dhe i Gjithëditur”. ”. - Mirësia është vetëm në dorën e Allahut, i Cili ua dhuron atë krijesave që Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar ua jep mirësinë atyre që përpiqen maksimalisht për ta merituar atë, duke ruajtur kufijtë e Tij. Për ata që përpiqen dhe sakrifikojnë për hir të Tij, Allahu i Lartësuar është Bujar i madh me mirësitë që u dhuron. Por Ai është edhe i Gjithëditur për ata që i meritojnë ose jo mirësitë e Tij. Ai e di shumë mirë se cilët e meritojnë suksesin, prandaj, me mëshirën e Tij, Ai u jep udhëzimin. Ai e di, gjithashtu, se cilët nuk e meritojnë suksesin dhe udhëzimin e Tij, prandaj, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij, Ai nuk ua jep. - “Ai dallon kë të dojë me mëshirën e Vet.” - Allahu i Lartësuar dallon me mëshirën e Tij atë që Ai dëshiron, pra, atë që plotëson kushtet për t’u lumturuar me mëshirën e Tij të posaçme. Mëshira e veçantë është ajo që sjell me vete mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit, dhe ajo është vetëm për të zgjedhurit e Tij të dashur. - “Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.” - Allahu i Lartësuar është Zotërues dhe Dhurues i madh i mirësisë. Mirësinë e Tij nuk mund ta përshkruajë dhe imagjinojë askush. E si mund ta përkufizosh mirësinë e Atij që është Absolut në dijen dhe në mëshirën e Tij. Mirësia e Tij është aq e gjerë, sa është edhe dija e Tij. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet: “ Ata që mbajnë Fronin (e Allahut) dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde (dhe e madhërojnë) Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe kërkojnë falje për besimtarët: “Zoti ynë, Ti, me Mëshirën dhe me Diturinë Tënde përfshin gjithçka. Prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit Flakërues (xhahimit)!" Zoti ynë, futi ata (që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde) në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjimtari, i Urti. Dhe ruaji ata prej të këqijave, sepse atë që Ti e mbron atë Ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! Ky është shpëtimi i madh”.”. [Gafir 7,8,9].