3. Ali Imran · Ajeti 92 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:92–3:97

Pasi u vërtetua se çdo orvatje tjetër për ta shpëtuar njeriu vetveten në botën e përjetshme, pos besimit të drejtë islam, është e kotë, Kur'ani udhëzon besimtarët që të jenë shumë të sinqert i dhe kur është nevoja për ta ndihmuar rrugën e Zotit, mos t'u dhembset asgjë, sepse duke e dhënë pasurinë më të dashur, ata shprehin ndjenjën e sinqeritetit, shpërblim i të cilit është xhenneti.

Për shkak të keqpërdorimit të të mirave të Zotit, për kokëfortësinë dhe sjelljen arrogante të beni israilitëve, Zoti, si masë ndëshkimi kundër tyre, ua ndaloi disa nga ushqimet e lejuara. Jehuditë e kohës së Muhammedit thonin se ndalesa e atyre ushqimeve nuk ishte si masë ndëshkimi, por ishte e kahershme, masë prej se ka zbritur Tevrati. Sipas Kur'anit, në Tevrat ishte shënuar vetëm ai ushqim, të cilin Jakubi ia kishte ndaluar vetvetës (mishi dhe qumështi i deves) e jo edhe ndalesat e tjera, të cilat ishin si pasojë e ndëshkimit. Për ta vërtetuar realitetin, Pejgamberi kërkoi prej tyre t'ia sjellin Tevratin, por jehuditë i ikën të vërtetës, andaj nuk ia sollën, por mbetën të demoralizuar, ngase u kuptua gënjeshtra e tyre.

Me fjalën "Israilu" nënkuptohet Jakubi a.s.

E para faltore në fytyrën e tokës e ndërtuar për njerëz është Qabja. Ibrahimi i ngriti themelet e saj. Derisa thuhet: për njerëz, e njerëz pati edhe para Ibrahimit, atëherë ky vetëm i vazhdoi themelet.

Vende të rëndësishme aty, përveç vendit të Ibrahimit janë: Zemzem, Hatimë, Haxheri esved, Safa, Merve si dhe siguria e paqa që janë karakteristikë për Qaben dhe rrethin e saj - haremin.: "Bekke" ndoshta është quajtur vetë vendi i Qabes, e Mekke qyteti, ose anasjelltas.

Në këto ajete sqarohen, e njëkohësisht edhe refuzohen dy përpjekje të ithtarëve të librit me të cilat donin ta vënin në dyshim qëndrimin e Muhammedit: - thua se e ndjek fenë e Ibrahimit, e në të vërtetë, ti e kundërshton, përse e bën të lejuar mishin dhe qumështin e deves që për Ibrahimin ka qenë haram - këtë e sqaron ajeti 93.

- Xhamia Aksa - Bejtul mukaddesi ishte e para faltore, pejgamberët u falën kah ajo, e ti e le atë e u ktheve kah Qabja, e madje thua se jam vërtetues i mësimeve të pejgamberëve të mëparshëm. Edhe këtë e sqaron ajeti 96.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:92

Është transmetuar në dy Sahih-ët se Umer Ibn Hatabi tha njëherë: 518. “O Profet i Allahut! Unë nuk ka fituar ndonjë herë pasuri më të vyer dhe më të mirë për mua

sesa plaçka që mora në luftën e Hajberit. Çfarë më urdhëron të bëj me të?” Profeti ﷺ i tha: “Mbaje atë pasuri, por shpenzo në rrugën e Allahut gjithçka që fiton prej saj!”150

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:92

- “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. ” - Kjo është një nxitje që Allahu i Lartësuar u bën adhuruesve të Tij për të shpenzuar në bamirësi. Ai thotë që kurrë nuk keni për ta arritur atë që quhet “ el bir -ru”. Kështu quhen të gjitha ato vepra të mira dhe shpërblimet e premtuara për to nga Allahu i Lartësuar. Këto vepra të mira bëhen shkak që vepruesi i tyre të hyjë në Xhenetin e mirësisë së përjetshme. Pra, kurrë nuk mund ta arrini këtë gradë, derisa të shpenzoni prej pasurisë më të shtrenjtë që zotëroni, të cilën e doni shumë fort. Nuk do ta arrini gradën e bamirësisë, shpërblimi i së cilës është Xheneti, derisa të shpenzoni për hir të Allahut pasuritë dhe mirësitë më të vyera dhe më të dashura që keni. Nëse ju do t’i jepni përparësi dashurisë për Allahun kundrejt çdo dashurie tjetër dhe, për hir të kësaj dashurie, do të shpenzoni gjërat më të vyera që zotëroni, atëherë kjo është tregues për sinqeritetin e imanit tuaj, për bamirësinë e zemrës suaj, për sigurinë tuaj të plotë në ndjekjen e udhëzimit dhe për devotshmërinë ndaj Zotit tuaj. Por çfarë nënkupton “dhënia prej pasurisë më të shtrenjtë për ju ”, siç e cilëson Allahu? Ky kategorizim përfshin disa nocione, si për shembull: - Shpenzimin për hir të Allahut të pasurive më të mira e më të vyera që zotëron njeriu. - Shpenzimin e pasurive dhe mirësive që zotëron njeriu, në momentet a situatat që ai i dëshiron ato më së shumti për vete, madje edhe kur është në nevojë shumë të madhe për to. - Shpenzimin në një kohë kur njeriu është i shëndetshëm dhe i ka mundësitë që të shpenzojë. Ajeti tregon se grada e bamirësisë ( el bir -ru) së robit varet nga shkalla e shpenzimit të pasurive dhe mirësive më të mira që ai zotëron. Kështu, sa më i vogël e i mangët të jetë shpenzimi, aq më e ulët është grada e bamirësisë që adhuruesi kërkon ta arrijë. Ndoshta ky ajet i Allahut të Lartësuar mund të keqkuptohet nga ndonjë, duke menduar se adhuruesi do të shpërblehet veçse nëse jep prej pasurisë më të shtrenjtë që ai zotëron. Por kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka lidhje aspak me bujarinë e Mëshirëplotit. Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë të gjithë ata që japin prej pasurive dhe mirësive që zotërojnë, qofshin ato të pakta apo të shumta, qofshin ato të dashura për shpirtin e tyre apo jo. Për çdo shpenzim të dhënë për të arritur kënaqësinë e Allahut, robi do të shpërblehet. E pikërisht për të larguar këtë keqkuptim, Allahu i Lartësuar thotë:

- “Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di.” - Pra, Allahu i Lartësuar nuk humbet asnjë vepër të kryer nga robi. Në varësi të qëllimit të robit dhe dobisë së arritur, Allahu i Lartësuar do të dhurojë shpërblimin e Tij, siç i takon të Drejtit, të Urtit dhe Bamirësit me krijesat.

← Ali Imran 3:92